OSHEE për detyrimet e drejtuesve të njësive vendore

Operatori i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike (OSHEE) informon opinionin publik se pas kontrollit në sistem të kontratave individuale të 385 drejtuesve të njësive të qeverisjes vendore rezultoi se 122 prej tyre janë debitorë.
Siç u komunikua dhe nga OSHEE në fundjavën e shkuar, këta drejtues vendorë zotëronin 166 kontrata, çka do të thotë se disa prej tyre kanë më shumë se sa një kontratë debitore me kompaninë.

Në kuadër të këtij procesi verifikimi, Operatori i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike njofton se që prej ditës së shtunë është ndërprerë energjia për 83 kontrata debitore, prej të cilave është rilidhur më pas në 42 raste, pasi u likujdua debia në arkat e kompanisë. Sipas të dhënave të deri mbrëmjes së të dielës, për 41 kontrata që u përkasin 33 drejtuesve vendorë, energjia vazhdon të jetë e shkëputur deri në shlyerjen e detyrimeve të mbartura ndaj Operatorit të Shpërndarjes.
OSHEE sqaron se për 83 kontrata të tjera janë nënshkruar aktmarrëveshjet për shlyerjen e debive me këste, ashtu sikurse në një pjesë prej tyre është likujduar e gjithë shuma e detyrimit.

Gjatë ditës së dielë, në arkat e OSHEE-së janë arkëtuar 10 milionë lekë të reja detyrime të mbartura nga kontratat individuale të drejtuesve të njësive vendore.
Operatori i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike shpreh vendosmërinë për të rivendosur disiplinën e pagesave dhe për të mos toleruar asnjë rast të abuzimit me energjinë elektrike.

Siç është paralajmëruar dhe publikisht, për rastet që nuk do të shlyejnë detyrimet apo nuk do të lidhin aktmarrëveshje, OSHEE-ja do t’i drejtohet Këshillit të Ministrave për marrjen e masave të mëtejshme deri në shkarkimin e këtyre drejtuesve të njësive vendore.