OSHEE shpall online vendet vakante

Deklaratë e administratorit të përgjithshëm, z.Adrian Çela!

Përshëndetje,
Jam sot përpara jush për të njoftuar se kemi filluar shpalljen e vendeve vakante të pozicioneve të ndryshme pranë Operatorit të Shpërndarjes së Energjisë Elektrike.

I bëj thirrje të gjithë inxhinierëve, elektricistëve, specialistëve të mesëm e të lartë në fushën e energjisë elektrike të aplikojnë për tu bërë pjesë e strukturave të OSHEE.

Për këtë qëllim, ne kemi vënë në funksion një portal special online permes të cilit mund të bëhen aplikimet. Për çdo vend vakant kemi publikuar specifikimin e përshkrimit të detyrës që ofrohet dhe çdokush që është i interesuar të jetë pjesë e ekipit të OSHEE, i përkushtuar, i ndershëm dhe i ndërgjegjshëm për rëndësinë që ka pozicioni të aplikojë përmes faqes zyrtare www.oshee.al.

Ne kemi ngritur komisionet e rekrutimit, të cilët do të administrojnë CV-të që do të ngarkohen në faqen e internetit nga aplikantët. Procedurat për të aplikuar janë të qarta, të shpallura në faqen e internetit.

Theksoj edhe një herë që në OSHEE do të gjejnë vend për të punuar vetëm ata që janë të bindur për misionin tonë të reformës kundër abuzimeve, vjedhjes së energjisë dhe të ofrimit të shërbimeve sa më cilësore.

Përfitoj sërish nga rasti për të falënderuar edhe njëherë të gjithë qytetarët shqiptarë që po përgjigjen pozitivisht duke paguar detyrimin e tyre për energjinë elektrike.