OSSH në gatishmëri të plotë, bora pengesë për eliminimin e avarive në zonat malore

Prej disa ditësh vendi është përfshirë nga një mot i keq, shoqëruar me reshje të dendura shiu dhe bore, kryesisht në zonat malore.
Nisur nga parashikimi i motit, OSSH më herët organizoi dhe ngriti grupet e gatishmërisë në të gjithë vendin, duke përforcuar personelin dhe bazën materiale të nevojshme.
Pavarësisht masave, koha e keqe ka penguar stafet tona të reagojnë më shpejtë për normalizimin e situatës.
Problematika janë shfaqur kryesisht në zona të thella rurale, ku gjatësia e rrjetit arrin deri 60 km, sidomos në veri të vendit.
Dëbora është bërë pengesë për kalimin e bazës materiale, pasi rrjeti elektrik kalon në terrene të vështira, si në Valbonë, Lekbibaj, Lëpushë, Kelmend, etj.
Sikurse ju kemi përcjellë përmes fotove situatën e vështirë, dëmet janë kryesisht te përcjellësit, izolatorët dhe shtyllat, pra në rrjetin ajror që kalon përmes relieveve malore.
Petraq Lika, administrator i OSSH Sh.A, thotë për mediat se, “nga brigadat e terrenit po punohet me intensitet të lartë për riparimin e defekteve të mbetura.
Vështirësi në riparimin e defekteve paraqitet në zonat rurale, ku kryesisht janë linja ajrore, gjë që sjell dhe vonesa në zgjidhjen e problemit për shkak të terrenit të vështirë”.
Afro 90% e defekteve janë në zona rurale, ku 70% janë në zona “rurale të thella”.
Aktualisht rajonet më të prekura nga defektet janë Shkodra, Kukësi, Vlora, Burreli dhe Bajram Curri.