Back

Performanca e 8-mujorit, OSHEE: Rriten arkëtimet, bien humbjet, reforma uli 200 milionë USD kamatëvonesa

Reforma në sektorin energjetik, nuk solli vetëm rritje të ardhurash për OSHEE dhe zgjerim të investimeve, por fal skemave lehtësuese, u dha mundësi abonentëve, të përfitonin reduktim të kamatëvonesave.

Nga të dhënat e 8-mujorit 2017, që kur nisi zbatimi i reformës në Dhjetor 2014, rezultojnë të jenë përfitues nga skemat lehtësuese të pagesës me këste të detyrimit, rreth 339 mijë abonentë, për një vlerë rreth 200 milionë dollarë.

Theksojmë se gjysma e kësaj vlere reduktimi i takon kategorive në nevojë, si familje me ndihmë ekonomike, pensionistë mbajtës të kontratës, si dhe invalidët. Nuk janë pak, por mbi 60 mijë abonentë të këtyre kategorive, ndaj të cilëve, OSHEE u ka ofruar mundësinë e pagesës me këste 1000 dhe 1200 lek/muaj, dhe nëse janë korrekt për një periudhë 6-mujore, i zerohet i gjithë kamata.

Të gjitha këto lehtësi u ofruan në një kohë kur reforma konsolidoi sektorin energjetik, duke zbatimin e ligjit për pagesën e faturës, rritjen e arkëtimeve, luftë ndaj informalitetit dhe vjedhësve të energjisë, duke sjellë reduktimin e humbjeve, falë edhe programit të investimeve.

Kështu, si 8-mujor. kemi një trend në rritje të energjisë së shitur dhe faturuar. Rritja e energjisë së shitur si dhe ulja e nivelit të humbjeve ka ndikuar pozitivisht në rritjen e të ardhurave për OSHEE.
Sasia e energjisë së shitur rezulton me rritje 2.7% ose 1,2 miliardë lekë, në raport me 8-mujorin e 2016-s.
Në total, kemi rreth 42.7 miliardë arkëtime, kurse niveli i humbjeve, po si 8-mujor ka zbritur në 27.5 nga 28.1 që ishte vitin e kaluar, duke mos harruar se 4 vjet më parë ishte mbi 44%.

Për rrjedhojë, kemi reduktim të borxhit, ku sipas të cilës, për fatura 2007-2014, nga 67.8 miliardë lekë, deri në fund të gushtit 2017, zbriti në 49.5 miliardë lekë.