Rrëzohen shtylla në Korcë, defekt në rrjetin elektrik në disa fshatra

Operatori i Shpërndarjes së Energjisë njofton se moti i keq me reshje të dendura të borës ka shkaktuar dëme të konsiderueshme në rrjetin elektrik në juglindje të vendit.

Në zonën e Korcës ka pasur thyerje të shtyllave të tensionit të mesëm dhe të ulët si dhe përcjellësa të linjave të tensionit të mesëm dhe të ulët të këputura.

Megjithë vështirësitë e terrenit, ku rrugët janë bllokuar nga reshjet e borës, sidomos në fshatrat e thellë malorë, grupet e punës së OSHEE po punojnë për riparimin e defekteve.

Aktualisht janë pa energji fshatrat Moglicë, Hrushovë, Shipskë, Nice, Osnat, Bërdushë, Stërkaj, Vërnik, Trestenik, Vishocicë, Kurile, Kapshticë, Doganë .

Në n/stacionin e Bilishtit është stakuar fidri 8, 10 kV, pasi ka defekt, për pasojë ka mbetur pa energji fshati Kallamas.

Në n/stacionin Pogradec është stakuar fidri 12, 10 kV pasi janë jashtë pune 5 kabina.

Për pasojë ka mbetur pa energji zona pranë kampit të Punëtorëve.

Grupet e punës së OSHEE po punojnë për riparimin e defekteve.