Siguria në kabina, OSSH vijon kontrollet: Problem dëmtimi i dyerve nga endacakët
Dëmtimi i kabinave elektrike nga palë të treta vijon të mbetet shqetësim për Operatorin e Sistemit të Shpërndarjes, pavarësisht se masat e marra me investime kanë rritur sigurinë dhe reduktuar rastet e avarive.
Në 4 vitet e fundit, OSSH Tirana lidhi kontrata për rikonstruksionin e 500 kabinave, projekt, i cili nuk kishte qëllim zëvendësimin e pajisjeve elektrike, por edhe pjesën ndërtimore, përfshi këtu kyçjen e kabinave.
Investime për rritjen e sigurisë në kabina, por edhe në bokset kolektive të pallateve janë kryer të gjithë vendin, por, siç raportohet, vijojnë rastet e dëmtimit për asrye të ndryshme.
Kryesisht lidhen me aspektin e vjedhjes së metaleve që ndodhen në pjesët përbërëse të pajisjeve elektrike, të cilat shiten për skrap.
OSHEE ka marë masat për kyçjen e të gjitha kabinave, duke mbajtur procesverbal për çdo rast dëmtimi.
Nuk janë të pakët rastet e dëmtimit të kabinave nga endacakët, të cilët hapin derën duke dëmtuar drynin dhe duke injoruar tabelën me shënimin në hyrje “rrezik vdekje, tension i lartë”.
Ditët e fundit, drejtoria rajonale e OSSH Tiranë po ushtron një kontroll të imtësishëm, me qëllim mbylljen e dyerve të kabinave dhe sistemimin e bokseve në palLate.
Sigurimi i derës së kabinës është në foKus të drejtorisë teknike, për parandalimin e dëmtimit të pajisjeve, apo dhe individit, jeta e të cilit rrezikohet në prani të pajisjeve elektrike.
Rasti i fundit, jo më larg se para dy ditësh, u desh ndihma e policisë së shtetit për të nxjerrë nga kabina një endacak, i cili e kishte kthyer ambientin në vend qëndrimi.
Ishte hera e tretë, tregon Rezart Isufi, drejtor i Tiranës, që kabina dëmtohej nga i njëjti person, pavarësisht vendosjes së bravës dhe elementëve të sigurisë, prandaj u desh ndërhyrja e policisë.
Apelit për bashkëpunim për rastet e konstatimit të kabinave apo bokseve me dyer të hapura, konsumatorët i janë përgjigjur pozitivisht, duke raportuar në kohë reale, kurse reagimi nga ana e OSSH ka qenë i menjëhershëm: mbajtja e procesverbalit me foto, marrja e masave tekniko-organizative dhe vendosja e pajisjeve të sigurisë.
Procesi i rritjes së sigurisë në kabina, duke kyçur dyert dhe vendosur tabelat me shënimet përkatëse është një proces i vazhdueshëm, për aq kohë sa persona të papërgjegjshëm i dëmtojnë ato, duke rrezikuar madje dhe jetët e tyre.