Treguesit e Shtatorit, OSHEE: Ulje historike e humbjeve në 25.3%

osheeOperatori i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike (OSHEE) publikon të dhënat e treguesve të muajit Shtator dhe rezultatet progresive të 9-Mujorit të këtij viti. Sërish konfirmohet ecuria pozitive në rritjen e arkëtimeve dhe shënohet një tjetër rekord historik sa i takon uljes së nivelit të humbjeve në rrjet.

Niveli i arkëtimeve në total, si 9-mujor ka arritur në rreth 500 milion USD ndërsa vetëm në muajin Shtator rezulton të jenë arkëtuar 52 milion USD. Krahasuar me të njëjtën periudhë 9-Mujore të vitit 2014 janë arkëtuar 150 milion USD më shumë ndërsa krahasuar me vitin 2013 kjo diferencë shkon në 200 milion USD më shumë.

Vendosmëria për të rikthyer ligjshmërinë në konsumin e energjisë elektrike po sjell ulje te tjera rekord në nivelin e humbjeve në rrjet. Në Shtator 2015, humbjet zbritën në nivelin 25.3%. Krahasuar me Shtator 2014 kemi 6.4 % më pak humbje ndërsa krahasuar me të njëjtin muaj të vitit 2013 kemi 9.8% më pak humbje.

Humbjet në total si 9- Mujor, tekniket dhe jo tekniket, arritën në 31.1 %, nga 38.7 % që ishin në të njëjtën pjesë të vitit 2014-n, dhe 43.4% të regjistruara në 9- Mujorin e parë 2013.

Bazuar mbi ecurinë e rezultateve, kompania po e zgjeron planin e saj të investimeve nga fondet e veta. Shuma e planifikuar për investime në këtë vit ka arritur në 70 milionë USD dhe nga të dhënat e fundit rezulton se realizimi i investimeve është në masën 61%.