1 vit nga aksioni për ligjshmërinë në energji, Çela: Çrrënjosëm përfundimisht traditën e abuzimit

12038670_586197231535488_4128970696972144757_o

 

Fjala e plotë e administratorit të OSHEE, z.Adrian Çela, gjatë aktivitetit “Ligjshmëria në energji- rezultatet e një viti”

Zoti Kryeministër,

Të nderuar Ministra,

Të nderuar të pranishëm,

 

Një vit më parë, kur u prezantua publikisht dhe filloi operacioni për rivendosjen e ligjshmërisë në konsumin e energjisë elektrike, nuk munguan skeptikët.

Pas 24 vitesh trajtim të energjisë si “mall pa zot”, ishin jo të paktë ata që e mendonin se çdo nismë për të ndryshuar këtë situatë do ishte dështim i sigurtë.

Sot, jemi një vit më pas. Ajo çka mendohej e pamundur ndodhi! Mjaftoi vullneti politik dhe vendosmëria e qeverisë për të çrrenjosur njëherë e mirë këtë traditë të shëmtuar të abuzimit me energjinë elektrike.

Bashkëpunimi mes institucioneve respektive shtetërore ishte mekanizmi që shkundi “status quo”-në që po e gërryente sistemin energjitik dhe Buxhetin e Shtetit.

Pjesë e këtij suksesi janë padyshim qytetarët shqiptarë, ata që zgjodhën ti japin fund paligjshmërisë dhe të formalizoheshin si konsumatorë të rregullt të energjisë elektrike.

Treguesit statistikore e dëshmojnë më qartë atë çka ka ndodhur me sektorin energjitik në tërësi dhe kompaninë e shpërndarjes në veçanti.

Në 9-Mujorin e vitit 2015 janë arkëtuar 500 milion USD. Thënë ndryshe, janë 150 milion më shumë se një vit më parë dhe 200 milion më shumë se në vitin 2013.

Përqindja e arkëtimit në raport me faturimin në vitin 2013 ishte në vlerën 77.6% ndërsa këtë vit ajo arrin në 112%.

 Në dy vitet e fundit janë arkëtuar 99.5 miliard lekë ku 1/3 e tyre i përkasin borxheve të vjetra.

Dy vjet më parë, arkëtimi i faturës korente ishte në masën 66.5% ndërsa aktualisht ai arrin në 83.3%.

 Kompania është treguar e vendosur edhe në drejtim të reduktimit të nivelit të humbjeve. Efekti i uljes së humbjeve në dy vitet e fundit ka kursyer 53 milion euro duke reduktuar shpenzimet për importin e energjisë.

Nëse në vitin 2013 humbjet e 9-Mujorit ishin 43.4%, këtë vit ato kanë zbritur në 31.1%. Muaji Shtator ishte një rekord historik ndërsa humbjet u ulën në 25%.

Duke e cilësuar si një ndër shkaqet e fundosjes së sektorit energjitik, qeveria dhe kompania e shpërndarjes refuzuan praktikat e amnistive për borxhet e trashëguara.

Gjithësesi, duke marrë në konsideratë situatën ekonomike me të cilën ndeshen familjet shqiptare, OSHEE ofroi skemat lehtësuese për shlyerjen e borxheve.

Kjo qasje fleksibël e kompanisë u krijoi mundësinë mbi 358 mijë qytetarëve të firmosin aktmarrëveshje për shlyerjen e borxheve me këste.

Mbi 200 mijë abonentë përfituan ulje me 80% të kamatës, 129 mijë zgjodhën ta paguajnë borxhin me këste 2500 lekë/muaj ndërsa 28 mijë familjarë në skemën e ndihmës ekonomike përfituan nga këstet me 1000 lekë/muaj.

Janë 200 mijë abonentë që sëbashku kanë përfituar 40 milion USD zbritje të kamatvonesave si rezultat i zbatimit të kësaj skeme lehtësuese.

Pak ditë më parë, OSHEE ofroi të tjera skema. Një e tillë është e vlefshme edhe për biznesin të cilit tanimë i reduktohet kamata me 50% nëse paguan njëherësh gjithë detyrimin. Për familjarët, kamata reduktohet me 70% nëse e paguan direkt detyrimin dhe 50% nëse e shlyen brenda 6 muajve nga lidhja e aktmarrëveshjes.

Shtimi i kontrolleve dhe verifikimeve në terren ka çuar në regjistrimin e 33 mijë kontratave të reja vetëm gjatë vitit 2015. Njerëz që konsumonin energji por deri dje nuk njiheshin fare nga sistemi.

Rritja e qëndrueshme e nivelit të arkëtimeve dhe ulja drastike e humbjeve ka çuar në përmirësimin e ndjeshëm të treguesve ekonomik të kompanisë.

Në vitin 2012, shoqëria rezultoi me bilanc negativ -38 miliardë lekë. Këtë vit, pritet që bilanci i kompanisë të arrijë mbyllet pozitiv me rreth 10 miliardë lekë.

 OSHEE nuk është më barrë për Buxhetin e Shtetit, por një kontributore me rreth 3% të të ardhurave tatimore e doganore. Gjatë këtij viti janë paguar tre herë më shumë taksa krahasuar me dy vite më parë.

Blerja e energjisë me çmime më të ulëta dhe gara më konkuruese i ka kursyer OSHEE-së dhjetra miliona euro krahasuar me një vit më parë.

Transformimi i kompanisë së shpërndarjes në këtë periudhë ka ndryshuar edhe sjelljen e qytetarëve ndaj saj. Ata që deri dje nuk e paguanin energjinë ishin më indiferentë nga ndërprerjet e saj. Teksa e paguajnë, sot qytetarët me të drejtë kërkojnë një cilësi më të lartë dhe garanci të furnizimit me energji.

Është naive të mendosh se për një vit do mund të përmirësohej plotësisht rrjeti i shpërndarjes e nuk do të kishte defekte apo shkëputje të energjisë.

Fatkeqësisht ende ka fenomene të tilla pasi rrjeti i shpërndarjes është tejet i amortizuar. Ky nuk duhet parë si një justifikim por pranim i realitetit dhe shtysë për të ndryshuar sa më shpejt situatën.

Në dy vitet e fundit po investohen në rrjetin e shpërndarjes aq para sa nuk janë investuar për pesë vite rresht, nga 2009-2013.

Në rajonin e Tiranës ka filluar investimi në vlerën 2.5 miliard lekë. Rikonstruktuam n/stacionit Qendër, me pajisje moderne, që tashme i vjen në ndihmë dy n/stacioneve e tjera të kryeqytet, atij të Selitës dhe Traktora.

Për Tiranën qytet, pas më shumë se 10 vitesh, kanë nisur investimet në disa zona kryesore, si Don Bosko, Vasil Shanto, Selitë, Rruga e Kavajës, qyteti Studenti, Oxhaku, ish-Kinostudio.

Vëmendje i kemi kushtuar zonave të urbanizuara vitet e fundit, si Babrru-Paskuqan-Bathore, Shkozë, Mëzes, në të cilat OSHEE po vendos linja, shtylla, kabina dhe transformatorë të rinj. Linja do të jetë e gjitha 20 kv, nga 6 që është aktualisht, me vlerë investimi 1.7 miliardë lekë.

Në Durrës kemi rreth 863 milionë lekë investime. Jemi duke investuar në Spitallë dhe në zonën e Durrësit të ri (ish Këneta), duke zëvendësuar të gjithë rrjetin 6 kv më linjë të re 20 Kv, kabina dhe linja ABC.

Po investojmë për një rrjet të ri e të sigurt në Vlorë dhe zonat bregdetare përreth, me 64 milionë lekë. Në Fier po investohen 410 milionë lekë ndërsa në Elbasan vlera e projekteve arrin në 100 milionë lekë,

Investime të konsiderueshme po kryhen edhe në zonën e Shkodrës dhe Korçës ku po rikonstruktohen linjat problematike me rrjet të amortizuar.

Në fokus të OSHEE janë investimet në bregdet dhe zonat turistike pritet të fillojnë punimet nga Saranda dhe Himara deri në Shëngjin e Velipojë.

Natyrisht investimet duan kohën e tyre për të dhënë efekt. Një pjesë e tyre do të nisë të ndjehet në vitin 2016 ndërsa pjesa dërrmuese në vitin 2017.

Jam i sigurtë se një kompani që ecën me ritmin e reformës ka mundur të zgjojë interesin e donatorëve dhe partnerëve.

 Përveç fondeve të projektit të Bankës Botërore, OSHEE ka mundur të përfitojë edhe fonde nga donator të tjerë si KfË me 20 milion euro apo Kooperacioni Italian me 8 milion euro.

Një pikë nevralgjike e kompanisë është padiskutim Shërbimi i Kujdesit ndaj Klientit. Nuk duhet harruar se trashëguam një mal me ankesa e një frymë konkliktuale mes kompanisë dhe qytetarëve.

Me riorganizimin e strukturave që menaxhojnë rrjetin e sporteleve të Kujdesit ndaj Klientit, kemi bërë të mundur trajtimin mbi 85 mijë ankesave të abonentëve gjatë vitit 2015.

Për 82 mijë raste është dhënë zgjidhje dhe në 71 mijë prej tyre e drejta ka anuar nga pretendimet e konsumatorit.

OSHEE ka përfunduar realizimin e dixhitalizimit të arkiv/protokollit, ku çdo dokument do të kërkohet dhe gjendet lehtë përmes sistemit elekronik.

Konsumatorëve u është krijuar mudnësia të kryejnë kërkesë/ankesën përmes internetit dhe madje të shohin statusin e çështjes së tyre. Ky projekt pilot po zbatohet në Elbasan, Durrës dhe Tiranë ndërsa në 2016-n do të shtrihet në të gjithë Shqipërinë.

Duke tentuar ti jepet zgjidhje një tjetër burimi ankesash, OSHEE po punon për vendosjen e matësve elektronike që i japing fund abuzimit dhe leximit manual të konsumit të energjisë.

Në kuadër të përpjekjeve për përmirësimin e shërbimit të klientit, OSHEE ka ndërmarrë hapa të rëndësishëm që lidhen më përditësimin e të dhenave të konsumatorëve.

Po punohet për riorganizimin e shërbimit të klientit duke krijuar mundësinë për shërbimin (One Stop Shop) që do të reduktojë zvarritjet në zyrat e kompanisë.

Synohet reduktimi i kohës së përgjigjes ndaj konsumatorit për ankesa kërkesa dhe lehtësim i procedurave operacionale. Shumë shpejt do të prezantohen teknologjitë e reja për ndjekjen e ecurisë së kërkesave e ankesave dhe kontrollin e afateve të përgjigjeve.

Aktualisht, jemi duke punuar për përditësimin e të dhënave të klientit, proces që ka nisur me rreth 100 mijë kontrata provizore. Kjo nismë përfundon brenda këtij viti dhe ftoj abonentët që kanë kontrata provizore ti kthejnë ato pa pagesë në permanente.

 Si administrator i Operatorit të Shpërndarjes duhet të shpreh falenderimin tim për qytetarët e ndershëm të cilët e mbështetën dhe po vazhdojnë ta bëjnë realitet rimëkëmbjen e sektorit energjitik.

E vlerësoj të paçmueshëm rolin e Kryeministrit Rama, Ministrave Gjiknuri e Tahiri në këtë rrugëtim jo pa pengesa për shëndoshjen e OSHEE-së.

Ky angazhim, ka shërbyer si nxitje edhe për mijëra burra e gra që si pjesë e OSHEE-së punojnë çdo ditë për ti ndërruar imazhin kompanisë e për të qenë sa më pranë qytetarit.

Ata që e mendonin rizgjimin e OSHEE-së si një aksion të përkohshëm stinor sot provojnë të kundërtën.

Rivendosja e ligjshmërisë në konsumin e energjisë elektrike është beteja e çdo dite.

 

Faleminderit,