
Velipojë, drejt përfundimit investimi në nënstacionin e ri energjetik. Do të përmirësojë cilësinë e furnizimit gjatë sezonit turistik
Nënstacioni i ri elektrik me kapacitet 50 MVA në Velipojë, investim me fondet e Operatorit të Shpërndarjes së Energjisë, do të përmirësojë ndjeshëm furnizimin me energji elektrike në zonat me ngarkesë të lartë gjatë sezonit turistik.
Kryeministri Edi Rama, i shoqëruar nga administratori i përgjithshëm i OSSH-së, Bledian Dalipi, inspektuan nga afër punimet në nënstacion të cilat janë drejt përfundimit.
Sipas Ramës, nënstacioni do të sigurojë kapacitete të mjaftueshme për furnizimin me energji të zonës, në funksion të kërkesave sezonale dhe zhvillimeve të pritshme në fushën e hotelerisë.
“Ky projekt do të jetë një faktor kyç për zhvillimin ekonomik të Velipojës dhe përmirësimin e cilësisë së shërbimeve në këtë destinacion turistik”, u shpreh kryeministri Rama.
Administratori i OSSH-së, Bledian Dalipi tha se, deri para katër vitesh zona furnizohej nga një nënstacion i ndërtuar në vitin 1985 me kapacitet 10 MVA.
Sipas tij, me nënstacionin e ri, Velipoja do të lidhet me rrjetin 20 kV dhe do të ketë një furnizim më të qëndrueshëm me energji elektrike.
“Ky investim do të jetë një parapërgatitje për zhvillimin e zonës për shumë vite të ardhshme, duke garantuar furnizim të qëndrueshëm me energji elektrike”, theksoi administratori i OSSH, Blendian Dalipi duke shtuar se punimet pritet të përfundojnë brenda muajit qershor.
Kreu i OSSH, nënvizoi se, në kuadër të të njëjtit program investimesh është planifikuar ndërtimi i një nënstacioni të ri edhe në Shëngjin, për të mbështetur kërkesat në rritje në sektorin e turizmit.
OSSH po zhvillon edhe projekte për përmirësimin e infrastrukturës energjetike në zonat malore.
Një linjë 35 kV është në ndërtim nga nënstacioni i Koplikut drejt Bogës, dhe është parashikuar zgjerimi i rrjetit edhe në drejtim të Lëpushës dhe Tamarës.