Back

Vendimi, OSHEE aplikon 8.5 lek çmimin e energjisë elektrike për konsumin deri në 700 kWh, përfitojnë mbi 1 mln abonentë

Nga data 1 shkurt 2025, mbi 1 milion abonentë që konsumojnë deri në 700 kWh dhe që përbëjnë 95% të abonentëve të OSHEE, do ta paguajnë më lirë energjinë elektrike.

Sipas vendimit që tashmë është aprovuar dhe nga Enti Rregullator i Energjisë, çmimi i energjisë elektrike në Republikën e Shqipërisë nga 9.5 lekë për kilovat orë do të shkojë në 8.5 lekë për kilovat-orë për fashën nga 1-700 kilovat orë dhe 9.5 lek për konsumin mbi 700 kilovat orë.

Në një konferencë të përbashkët për mediat, kryeministri Edi Rama së bashku me zv/kryeministren dhe njëherësh ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, deklaruan se kjo është ulja e parë e çmimit të energjisë elektrike pas 35 vitesh.

Kryeministri Rama theksoi se vendimi për uljen e çmimit të energjisë elektrike, erdhi si pasojë e një transformimi epokal të sektorit energjetik, rritjes së kapaciteteve prodhuese dhe menaxheriale të tij.

“E kemi gjetur sektorin në një katastrofë të nivelit botëror, të krahasueshme vetëm me vende që ne nuk e dimë ku janë, por që nuk kishte asnjë lidhje me Evropën ku jetojmë dhe ku niveli i humbjeve për shkak të vjedhjeve haptazi ditën për diell, me bekimin elektoral të qeverisë dhe patjetër edhe me ndihmën e injorancës dhe të paaftësisë qeverisëse, shkonte afro 50%”, u shpreh kryeminstri Edi Rama.

Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku sqaroi se “ulja e çmimit korrespondon me 3.1miliardë lekë në vit, që nga OSHE-ja, shkon në lehtësim për familjet shqiptare, ndërkohë që kursimi maksimal është për 1 abonent, rreth apo mbi 100 euro në vit”.

“Ne kemi arritur të konsolidojmë performancën e OSHEE duke pasur dy elementë të rëndësishëm, normën e arkëtimit gjithmonë në rritje dhe humbjet teknike, gjithmonë në ulje. Kjo na dha mundësi dhe hapësirë fiskale për uljen e çmimit”, u shpreh ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku.

Ministrja Balluku sqaroi se nuk bëhet fjalë për vendosjen e një fashe, pasi në të shkuarën në vitet 2005, 2006-2013, fasha e aplikuar për konsumin 201-300 kWh prekte vetëm 10.5% ose 120874 abonentë, ndërkohë që nga vendimi i ri përfitojnë 1 milion e 70 mijë abonentë.

Vendimi për uljen e çmimit të energjisë hyn në fuqi për periudhën 1 shkurt deri në 31 dhjetor 2025.