Akuzat e PD, OSHEE: Matësat inteligjentë, asnjë kosto për qytetarët
Operatori i Shpërndarjes së Energjisë ka reaguar pas deklaratës së PD në lidhje me projektin për instalimin e matësave inteligjentë.
Në deklaratën e saj, OSHEE ka sqaruar abonentët se nuk do të paguajnë asgjë nga xhepi i tyre në lidhje me këtë projekt madhor që pritet t’i japë fund njëherë e mirë abuzimit ndër vite me faturat e energjisë elektrike.
Më poshtë gjeni deklaratën e plotë të OSHEE
Partia Demokratike vazhdon me këmbëngulje të pengojë punën për rimëkëmbjen e kompanisë sonë.
Akuza dhe shpifje të rënda po lëshohen përditë ndaj kompanisë dhe përpjekja për të nxitur pakënaqësinë e qytetarëve, po shoqërohet edhe me përpjekjen për të penguar investimet e domosdoshme për rrjetin e shpërndarjes e për shërbimin ndaj klientit.
Kurajoja e atyre që e shkatërruan kompaninë dhe e zhytën në1 miliardë borxhe, për të akuzuar e shpifur sot ndaj kompanisë është kriminale.
Ashtu sic është tërësisht e turpshme përpjekja për të goditur projektin madhor të shërimit të plagës së madhe të faturave arbitrare, përmes vendosjes së matësave inteligjentë.
Ne sot prisnim që Partia Demokratike ta përshëndeste hapin e afrimit të grupit të madh gjerman Deutsche Telekom me OSHEE.
Por e kundërta ndodhi fatkeqësisht.
Një projekt pilot, tërësisht i mbuluar financiarisht nga pala gjermane, u godit pa filluar akoma.
Ndërkohë u thanë shumë të pavërteta.
Plani yne i reformimit radikal të OSHEE dhe projekti më i madh inovativ që Shqipëria ka nisur ndonjëherë, ai i matësave inteligjentë, nuk synon të nxjerrë më shumë para nga xhepat e shqiptarëve po të bejë realitet dëshirën e shqiptarë që të paguajnë vetëm atë që konsumojnë.
Partia Demokratike në pushtet u shiti bizneseve kasa fiskale nga 400 dollarë dhe u mori cdo vit 100 dollarë për mirëmbajtje.
OSHEE nuk do t’ua shesë shqiptarëve matësat inteligjentë, po do t’i ketë në pronën e saj dhe financimi i këtij operacioni madhor do të mbulohet nga të ardhurat që OSHEE do të përfitojë prej uljes së pritshme të humbjeve të mëdha, si rezultat i suksesit të matësave inteligjentë.