Akuzat e PD, OSHEE në Elbasan: Janë spekullime të pastra politike

foto tematike 3v1

 

Në adresë të Operatorit të Shpërndarjes së Energjisë Elektrike, OSHEE, për periudhën janar-prill 2016, janë depozituar rreth 300 ankesa nga abonentët në rajonin e Elbasanit, për mbifaturimet e vitit 2016, në të cilin përfshihen Elbasani, Gramshi, Librazhdi, Peqini dhe Përrenjasi.

Në 4 mujorin e vitit 2016, numri mesatar i ankesave të depozituara për faturimin gjatë këtij 4-mujori, është 4 ankesa në ditë ose 5 herë më i ulët se 4-mujori i 2015.

Nëse përllogarisim numrin e faturave të lëshuara për periudhën janar-prill në rajonin e Elbasanit, rreth 317 mijë, në raport me 107 mijë abonentë aktivë që ka ky rajon, rezulton se vetëm 0.1 përqind e faturave janë ankimuar pranë zyrave të kujdesit ndaj klientit të OSHEE.

Gjatë të njëjtës periudhë të vitit të kaluar, pra janar-prill 2015, janë depozituar 1600 ankesa për faturimin e periudhës 2007-2014.

Lidhur me ankesat, OSHEE ka zgjidhur gati 92 përqind të numrit total të tyre depozituar në zyrat tona dhe për 20 përqind të ankesave ka kthyer përgjigje negative.

OSHEE thekson se për cdo rast të evidentuar për mbifaturim, ka marrë masa ndëshkimore ndaj lexuesve, gjithashtu ka sistemuar të gjitha rastet e konstatuara të drejta.

Nga ana tjetër, OSHEE u bën thirrje të gjithë abonentëve të cilëve u është refuzuar ankesa pas shqyrtimit e verifikimit korrekt nga ana e specialistëve tanë, të kryejnë pagesat e faturave të ankimuara, me qëllim që të mos penalizohen si debitorë ndaj kompanisë.

OSHEE i ben thirrje subjekteve politike të distancohen nga thirrjet antiligjore për refuzim të pagesave të energjisë elektrike.

Kompania OSHEE është e vendosur ta konsolidojë ligjshmerinë në konsumin e energjisë elektrike, ndaj koha kur energjia konsiderohej si një mall pa zot ka marrë fund.