Back

Balluku-Jahaj inspektojnë punimet në Kombinat: Rrjeti i ri 20 kV do të rrisë cilësinë e furnizimit me energji

Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë Belinda Balluku e shoqëruar nga drejtori i OSSH Tiranë, pjesë e OSHEE Group inspektuan punimet në zonën e Kombinatit ku po instalohet rrjeti i ri 20kV.

Gjatë fjalës së saj, ministrja Balluku tha se me zhvillimin e zonës së Kombinatit është rritur kërkesa për cilësi të furnizimit me energji elektrike.

“Kombinati është një zonë e zgjeruar ndjeshëm, me ndërtime të reja dhe numër të lartë banorësh të cilët kanë rritur kërkesën për cilësi furnizimi me energji. Dhe ne i jemi përgjigjur në kohë”, tha ministrja Balluku.

Kurse drejtori i OSSH Tiranë, Klevis Jahaj tha se janë marrë të gjitha masat gjatë kësaj periudhe për menaxhimin e mbingarkesës.

“Rrjeti aktual 6 kilovoltsh, për shkak të amortizimit dhe kapacitetit të ulët, do të zëvendësohet me rrjetin e ri 20 kilovoltsh, i cili do të ndikojë jo vetëm në cilësinë e furnizimit për të gjithë abonentët, por do të rrisë edhe sigurinë energjetike”, tha Jahaj.