
Prej datës 20 dhjetor, gatishmëria e kompanisë OSHEE Group është rritur ndjeshëm për të siguruar mbarëvajtjen e furnizimit me energji elektrike gjatë festës së Krishtlindjes dhe Vitit të Ri.
Në terren janë angazhuar rreth 1 600 punonjës, të organizuar në grupe dhe në gatishmëri 24 orë në ditë, të pajisur me të gjithë bazën materiale të nevojshme.
Po ashtu, call center-i funksionon pa ndërprerje për të trajtuar në kohë reale çdo shqetësim të konsumatorëve.
Administratori i OSHEE Group Enea Karakaçi, gjatë prezantimit të planit të masave të hartuara për garantimin e furnizimit cilësor me energji elektrike në të gjtihë vendin, theksoi se, konsumi i energjisë elektrike ka shënuar nivele rekord.
“Vetëm një ditë më parë, është regjistruar një konsum prej 22.9 milionë kilovat-orë, dita më e ngarkuar e vitit deri më tani.
Sipas parashikimeve, piku i konsumit pritet të arrihet më 31 dhjetor.
Pavarësisht rritjes së ndjeshme të konsumit dhe uljes së temperaturave, nuk janë konstatuar problematika serioze në rrjet apo mungesa të furnizimit.
Qëllimi kryesor, sipas drejtuesve, është që mungesa e energjisë elektrike të mos jetë shqetësim për qytetarët gjatë ditëve festive”, u shpreh administratori i OSHEE, Enea Karakaçi.
Administratori i OSSH, Blendian Dalipi, bëri me dije se falë investimeve të kryera, OSSH ka garantuar një rrjet më të sigurt në të gjithë Shqipërinë.
“Janë ndërhyrë 12 nënstacione për rritje kapacitetesh, ku gjashtë prej tyre kanë përfunduar, përfshirë Pogradecin, Zogun e Zi, Lezhën, Çorovodën dhe Kafarajn.
Po ashtu, po vijojnë punimet në Velipojë, Fier, Akërni, Piqeras, Xarrë, si dhe në zonat turistike të Bogës dhe Thethit.
Në kuadër të investimeve janë ndërtuar 667 kilometra linja të reja ajrore dhe kabllore, 661 kabina të reja dhe mbi 1 300 kilometra linja të tensionit të ulët, të cilat përmirësojnë ndjeshëm cilësinë e furnizimit dhe ulin numrin e avarive”, tha administratori i OSSH, Blendian Dalipi.
OSHEE Group parashikon ta mbyllë vitin 2025 me një performancë shumë të mirë si në aspektin financiar ashtu edhe teknik.
Humbjet në rrjet janë ulur me 1% krahasuar me një vit më parë, ndërsa parashikimet tregojnë se viti do të mbyllet brenda objektivit të vendosur nga Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, në nivelin 16.9%.
Një tjetër tregues pozitiv janë arkëtimet, të cilat gjatë vitit 2025 kanë arritur pothuajse në 100%. Administratori i OSHEE falënderoi punonjësit për angazhimin dhe punën e palodhur, duke theksuar se këto rezultate janë fryt i kontributit të gjithë stafit.
Nga ana financiare, kompania parashikon që viti 2025 të mbyllet me rreth 70 milionë euro fitim, një rezultat i konsideruar shumë i mirë, i cili do të shërbejë si bazë për investime dhe përmbushjen e angazhimeve gjatë vitit 2026.
Ndër to përfshihet indeksimi i pagave me 6.1% për punonjësit e OSHEE-së, si dhe rritje pagash për elektricistët e terrenit dhe inxhinierët elektrikë, të cilat do të fillojnë të zbatohen nga janari 2026.









