
Paligjshmëria në fushën e ndërtimit, OSHEE forcon kontrollet për hapjen e kontratës së furnizimit me energji elektrike
OSHEE shpreh angazhimin e saj të plotë për të kontribuar në aksionin e nisur nga Qeveria Shqiptare kundër paligjshmërisë në fushën e ndërtimit, si pjesë e një përpjekjeje të përbashkët institucionale.
Operatori i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike është i vendosur të forcojë kontrollin dhe të ndalojë çdo lidhje të re me rrjetin elektrik për ndërtimet që nuk përmbushin kriteret ligjore.
Të gjitha kërkesat për lidhje të reja do të shqyrtohen me kujdes, për të garantuar respektimin e plotë të legjislacionit dhe për të shmangur çdo përpjekje për të anashkaluar ligjin.
OSHEE nuk do të pranojë kërkesa për lidhje me energji elektrike për ndërtesa pa leje ndërtimi ose për ato që nuk kanë respektuar kushtet e përcaktuara në lejen përkatëse.
OSHEE mbetet e angazhuar të veprojë në përputhje me ligjin dhe të kontribuojë për një mjedis të ndërtuar në mënyrë të sigurt, të ligjshëm dhe në funksion të interesit të qytetarëve.



