Back
24 Nëntor

Furnizuesi i Tregut të Lirë blen energji për muajin dhjetor 2023

Furnizuesi i Tregut të Lirë zhvilloi në datën 24 nëntor 2023, në platformën online të blerjes së energjisë elektrike, procedurën “Blerje energjie për periudhen 01-31 Dhjetor 2023”

Pjesëmarrësit në procedurë ishin 8 shoqëri:

PROINFINIT CONSULTING SH.P.K

ReNRGY TRADING GROUP SH.P.K

EZ-5 ENERGY SH.P.K

ENER TRADE SH.P.K

FUTURE ENERGY TRADING AND EXCHANGE DINAMICS SH.P.K

AlbEsp TRADING & CONSULTING SH.P.K

GEN-I TIRANA SH.P.K

GSA SH.P.K

Në këtë procedurë u kontraktua  sasia prej 5,208 MËh, me cmim 117.15 Eu/MËh dhe vlerë totale 610,094.88 Euro.

Shoqëritë fituese u shpallën:

 PROINFINIT CONSULTING  SH.P.K

ReNRGY TRADING GROUP  SH.P.K

09 Nëntor

Vidhnin energji elektrike, procedohen në polici 11 subjekte private

Pas inspektimeve të shumta që kanë kryer në muajin tetor, strukturat e kontrollit pranë OSSH-së, pjesë e OSHEE Group, kanë konstatuar raste të abuzimit me energjinë elektrike në disa zona të vendit.

Nga raporti i punës së Departamentit të Kontrollit dhe Rikuperimit të Humbjeve (DKRH), referuar 1584 kontrolleve të ushtruara në rang vendi, janë zbuluar dhe porceduar në Policinë e Shtetit 11 subjekte private, pasi janë kapur në flagrancë duke vjedhur energji elektrike me linjë të dyte ose duke ndërhyrë në matës. 

Nga kontrollet u zbuluan edhe 24 subjekte private, që tarifoheshin si klientë familjarë, ndaj të cilëve u morën masat sipas akteve të përcaktuara nga Enti Rregullator i Energjisë Elektrike.

Përmes strukturës së posaçme, OSSH-ja ka për detyrë kontrollin dhe verifikimin e vazhdueshëm të sistemit të matjes dhe të faturimit dhe, për rrjedhojë, për muajin tetor ka rikuperuar 2.2 milionë kilovatë energji elektrike. 

06 Nëntor

Rriten pagat për punonjësit e OSHEE Group, Karakaçi: Rritje me 30% për punonjësit e terrenit; do të paguhet edhe vjetërsia

Shoqëria OSHEE Group ka miratuar një sistem të ri pagash për të gjithë punonjësit e kompanisë OSHEE dhe kompanitë bija.

Gjatë një takimi me drejtuesit e kompanisë OSHEE Group dhe administratorët e kompanive bija OSSH, FSHU dhe FTL, zv/kryeministrja dhe njëkohësisht ministre e Energjisë dhe Infrastrukturës, znj. Belinda Balluku, falënderoi punonjësit e terrenit për përballimin e motit të keq në fundjavë, duke riparuar me shpejtësi defektet dhe duke rikthyer energjinë në të gjitha zonat e prekura nga avaritë.

Ministrja Balluku tha se të gjitha pagat e OSHEE Group do të rriten sipas sektorëve, por rritja më e madhe do të përfshijë punonjësit që mbajnë peshën më të madhe të punës, duke filluar nga elektricistët, faturistët etj.

“Një vlerësim më se i merituar për punën, sakrificën dhe kontributin e tyre, duke qenë në gatishmëri, ditë – natë, për të garantuar furnizimin me energji elektrike për të gjithë qytetarët. Të vendosur për të shpërblyer mundin e njerëzve të punës, pa lënë mënjanë edhe investimet që lehtësojnë e përmirësojnë kushtet”, tha ministrja Balluku.

Sipas ministres së Energjisë, Belinda Balluku, lajm i mirë është edhe rritja e nivelit të arkëtimeve në 113%, si pasojë edhe e mbledhjes së debive.

Administratori i kompanisë OSHEE Group, zoti Enea Karakaçi, theksoi në fjalën e tij se punonjësit e terrenit, elektricistë dhe faturistë, do të kenë një rritje mesatare të pagave në masën 30%.

 “Faktor domethënës është jo vetëm rritja 30% e pagës mesatare për elektricistë dhe punonjës të terrenit, por për herë të parë ne përfshijmë edhe vjetërsinë e punës, gjë e pa aplikuar më parë në kompani”, tha administratori i OSHEE Group, zoti Enea Karakaçi.

Më poshtë fjala e plotë e administratorit të OSHEE Group, Enea Karakaçi

Është një ditë e veçantë për gjithë shoqërinë OSHEE GROUP dhe të gjitha kompanitë e saj bija, sepse vij këtu të njoftoj rritjen e pagës për të gjithë punonjësit e kompanisë OSHEE Group.

Kjo rritje do të jetë më substanciale për punonjësit e terrenit dhe prek me rritje page 30% rreth 3 mijë punonjës të terrenit, elektriçistë, pa lënë mënjanë edhe faturuesit.

Si kemi ardhur deri këtu?

Kjo rritje e pagave vjen si sukses i gjithë sektorit të energjisë, por dhe reformave të ndërmarra në vite. Kjo dëshmon një shëndoshmëri të kompanisë, jo vetëm OSHEE Group dhe kompanive bija, por të gjithë sektorit të energjisë dhe të kompanive që e përbëjnë atë.

Është e rëndësishme të themi disa elementë bazë nga kemi ardhur dhe ku jemi sot.

Duhet të theksojmë se më parë arkëtoheshin rreth 350 milionë euro në vit, ndërkohë sot OSHEE Group arkëton mbi 800 milionë euro në vit. Ne presim që vitin 2023 ta mbyllim me një nivel arkëtimi mbi 800 milionë euro. Po ashtu, norma e arkëtimit ishte 75%, ndërsa sot norma mesatare e arkëtimit është 98%. Ne shikojmë se çdo muaj ka përmirësim. Muaji tetor u mbyll me mbi 113%, që është ndër normat rekord të arkëtimeve.

Sa u takon humbjeve, dikur ishte në nivelin 45%, kurse këtë vit kemi një shifër rekord në 19% të nivelit të humbjeve. Theksojmë se në verë niveli i humbjeve arriti 14%.

Nisur nga këto rezultate, në vijim të politikave që ka ndërmarrë qeveria shqiptare, ne vijmë këtu me vendimin për rritjen e pagave, sidomos për ata punonjës, që tregojnë gatishmëri në çdo ditë të javës, 24 orë.

Ditët e fundit, nisur nga kushtet e motit, punonjësit tanë kanë qenë në terren, ndaj sot kemi energji të pandërprerë. Të gjitha këto rezultate nuk do të ishin të mundura pa punën e gjithë elektricistëve dhe punonjësve të terrenit, që unë dua t’i përshëndes dhe këtu sot, ku gjendet një pjesë e tyre.

Siç e referova, kjo rritje pagash vjen në vijim të politikave të qeverisë. Faktor domethënës është rritja 30% jo vetëm e pagës mesatare për elektricistë dhe punonjës të terrenit, por për herë të parë ne përfshijmë edhe vjetërsinë e punës, gjë e cila nuk ka qenë aplikuar më parë në kompani.

Arsyeja e këtij vendimi është jo vetëm për t’i dhënë vazhdimësi sektorit, por edhe për të krijuar në shoqërinë OSHEE Group një sistem karriere, ku vlerësohen ata që kanë mbi 10, 15, 20 vite në sektor.

Kjo tregon që ne duhet të rritim gatishmërinë tonë, duhet të përmirësojmë nivelin e shërbimit ndaj klientëve, pasi e dimë se ka nevojë për përmirësime. Ne e dimë që sfidat e radhës do të jenë inovacioni dhe digjitalizimi, në mënyrë që të jemi sa më afër qytetarëve.

24 Tetor

Furnizuesi i Tregut të Lirë blen energji për muajin nëntor 2023

Furnizuesi i Tregut të Lirë (FTL Sh.A), pjesë e OSHEE Group Sh.A, zhvilloi në datën 24.10.2023, në platformën online të blerjes së energjisë elektrike, procedurën “Blerje energjie për periudhën 01-30 nëntor 2023”.

Pjesëmarrësit në procedurë ishin 8 shoqëri si më poshtë :

 EZ-5 ENERGY SH.P.K

ENER TRADE SH.P.K

NOA ENERGY TRADE SH.P.K

AYEN ENERGY TRADING SH.A

AlbEsp TRADING & CONSULTING SH.P.K

PROINFINIT CONSULTING SH.P.K

ReNRGY TRADING GROUP SH.P.K

GEN-I TIRANA SH.P.K

Në këtë procedurë u kontraktua  sasia prej 4,320 MËh, me çmim 131.45 Eu/MËh dhe vlerë totale 567,864.00 Euro.

Shoqëria fituese u shpall  “EZ-5 ENERGY”  SH.P.K.

19 Tetor

OSHEE Group shpall vende të lira për 309 elektriçistë të rinj në 12 rajonet e OSSH-së

Si pjesë e angazhimit për të siguruar dhe rritur efikasitetin e rrjetit të sistemit të shpërndarjes të energjisë elektrike, OSHEE GROUP Sh.A. shpall vendet për rekrutimin e 309 elektriçistëve të rinj në 12 rajonet e Operatorit të Sistemit të Shpërndarjes, me qëllim forcimin e ekipit të elektriçistëve me talente të reja, të aftë për teknologjitë dhe praktikat moderne elektrike.

Vendet vakante në Operatorin eSistemit të Shpërndarjes Sh.A. janë krijuar me qëllimin që Shoqëria të sigurojë vazhdimësinë me cilësinë më të lartë në shërbimet respektive për të gjithë konsumatorët e saj.
Për të sensibilizuar sa më shumë fushatën e re, u zhvillua sot në ambientet e shoqërisë OSHEE GROUP Sh.A. një takim midis zv.kryeministres dhe ministres së Infrastrukturës dhe Energjisë, znj. Belinda Balluku, administratorit të përgjithshëm të OSHEE Group, z. Enea Karakaçi, me drejtues të arsimit profesional dhe me studentë të vitit të fundit.

Zonja Balluku u bëri apel të gjithë të rinjve të aplikojnë te https://oshee.al/portali-i-punesimit/ dhe kërkoi bashkëpunim nga shkollat profesionale, për realizimin e praktikave mësimore pranë kompanive publike energjetike.

“Ne kemi marrë sot një vendim të lançojmë thirrjen përsa i përket punësimit të 309 elektriçistëve, të cilët do të kontribuojnë në të 12 rajonet e vendit dhe kemi vendosur që mosha për aplikim të jetë deri në 25 vjeç.

Duam të krijojmë tashmë një fuzion, do ta quaja, të të gjithë eksperiencës që mbartin elektriçistët tanë, të cilët kontribuojnë dhe sakrifikojnë në të gjithë vendin, me një armatë të rinjsh, të cilët do t’u bashkohen, duke marrë kështu nga eksperienca e elektriçistëve më të vjetër, por duke sjellë edhe një ritëm të ri në kompani.”
Duke hapur që sot aplikimin për 30 ditë, për 309 vende pune- elektriçist pranë OSHEE-së, një aplikim, i cili, duke qenë se i drejtohet të gjithë Shqipërisë, të 12 rajoneve ku operon OSHEE-ja, shpresoj të ketë një pjesëmarrje sa më të madhe. Në çdo rast, nëse nuk arrijmë të kemi 309 elektriçistë deri në moshën 25 vjeç, pa dyshim do të bëjmë një thirrje të dytë për të plotësuar vendet, duke nisur kështu një praktikë, të cilën kërkojmë ta kthejmë në traditë, në bashkëpunim me të gjitha shkollat profesionale”, deklaroi zv.kryeministrja dhe ministrja e Energjisë.

Më pas zonja Balluku shtoi: “Kjo kërkesë vjen si rrjedhojë e moshës së elektriçistëve që janë pjesë e Sistemit Elektrik, ku mosha mesatare e grave në këtë pozicion është 51.5 vjeç dhe e burrave 48.2 vjeç.
Vendet vakante të hapura për aplikim janë:

  • Elektriçistë të linjave të tensionit të mesëm dhe të ulët;
  • Elektriçistë të linjave të tensionit të lartë;
  • Operatorë Nënstacioni.

OSHEE GROUP SH.A.. u bën thirrje të gjithë të rinjve, të cilët zotërojnë arsim të mesëm ose të lartë Elektrik, që kanë njohuri të Rregullores së Sigurimit Teknik, si dhe dëshirën për të qenë pjesë e ekipit të elektriçistëve të Operatorit të Sistemit të Shpërndarjes Sh.A., të aplikojnë te https://oshee.al/portali-i-punesimit/ ose të referojnë kandidatë të kualifikuar, duke dorëzuar aplikimet e tyre në adresën e e-mailit dbnj@oshee.al. Procedura e rekrutimit do jetë e hapur 30 ditë, nga data 19.10.2023.

05 Tetor

Panairi, Sevrani: Reforma do të vijojë në mbështetje të vetprodhuesve; shërbim korrekt për klientët e FSHU-së

I ftuar në panelin e Panairit “Ndërtimi, Energjia dhe Ekonomia e Gjelbër”, Administrtaori i FSHU Sh.A, zoti Elton Sevrani, vuri theksin te rëndësia e vijimit të reformës, nisur nga rezultatet sidomos në energjinë e burimeve alternative.

Energjia nga panelet diellore ishte kryefjala e panairit, në kushtet kur tregu po merr zhvillim të lartë. Ndaj edhe kreu i Furnizuesit të Shërbimit Universal foli në emër të OSHEE Group Sh.A., duke dëshmuar me fakte interesin në rritje të përdoruesve familjarë dhe privatë.

“Sot që flasim u bënë 5 vjet nga diskutimi për reformën në sektorin e vetprodhuesve, për procesin e së cilës, duhet ta pranoj se, si përfaqësues i OSHEE-së, isha disi skeptik. Ndërsa sot shikoj një zhvillim të jashtëzakonshëm. Duke përgatitur metedologjinë, si grup pune, mendonim se vetprodhuesit do të na dëmtonin dhe procesi nuk do të ishte aq përfitues, por tregu ështe më i zgjuar sesa burokratët, ndaj me mekanizmat që përdori në mënyrë krejtësisht të natyrshme mundësoi që sot të kemi rreth 1235 subjekte autogjeneruese, të lidhur në rrjetin e shpërndarjes së OSSH-së, që gjenerojnë 129 megavat/orë në pik.”, deklaroi më tej administratori i FSHU-së.

Sipas tij, kjo është ana pozitive e këtij procesi që duhet ta stimulojmë të gjithë, duke shtuar se: “OSHEE Group Sh.A., përmes kompanive OSSH e FSHU, bën detyrën e saj funksionale, duke ndihmuar procesin si në aspektin e instalimit teknik të sistemit të matjes dhe të futjes në eficencë të këtyre paneleve, ashtu edhe me anë të faturimit, ku mbështetur në ndryshimet ligjore nga korriku 2023, energjia e tepërt që prodhohet nga autogjeneruesit nuk kalon pa kosto dhe pa përfitim në rrjet, por transferohet nga muaji në muaj, duke i dhënë mbështetje edhe më të madhe këtyre autogjeneruesve”. Kjo sjell uljen e kostove të furnizimit me energji elektrike, pra një ndihmesë e ndërsjellë jo vetëm me konsumin mujor, por edhe për muajt në vijim.

Ndërkohë, vetë OSHEE Group, përmes kompanisë së tretë FTL Sh.A. (Furnizuesi i Tregut të Lirë), ka kontratë për blerje në treg të rregulluar të energjisë elektrike  të subjekteve që e prodhojnë në panele fotovoltaikë mbi 2 mega. Aktualisht ekzistojnë 40 subjekte, pra 40 mega/orë prodhim i instaluar. Zoti Sevrani e konsideron këtë vlerë të shtuar për gjenerimin në total të tregut shqiptar dhe që merr rëndësi, sidomos në vitet e thata hidrike apo dhe në situatat e krizës botërore përsa u përket çmimeve.

Kreu i FSHU-së veçoi rëndësinë e krijimit të një mekanizmi ligjor financiar, për t’i dhënë fund njëherë e mirë procesit të tepricave të energjisë që hidhet në rrjet dhe gjenerohet nga këta autogjenerues. Sipas tij, reforma në këtë sektor do të vijojë dhe se po zhqyrtohen disa variante, duke besuar se Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë do të nxjerrë një metodologji për “tepricat”, në interes të përbashkët.

Zoti Sevrani deklaroi, po ashtu, se në të gjithë vendin operojnë 100 pika të Kujdesit ndaj Klientit –  zyra me sportele të dedikuara ndaj klientëve të FSHU-së –  për çdo shërbim apo nevojë që kanë rreth 1.3 milionë abonentë.

30 Shtator

Intervista, Karakaçi: OSHEE rinis investimet, në 2023 humbjet 19% 

Intervista e administratorit të OSHEE Group, zotit Enea Karakaçi, me revistën MONITOR

Bazuar mbi të dhënat, si paraqiten treguesit kryesorë të OSHEE Group Sh.A?

Të dhënat e deritanishme flasin për një performancë pozitive, të paktën në treguesit bazë, siç janë niveli i arkëtimeve dhe reduktimi i humbjeve. Janë këto zëra që matin punën tonë, pa anashkaluar indikatorët e tjerë si ata të cilësisë e furnizimit me energji elektrike apo të faturimit të energjisë.

Humbjet kanë vijuar trendin rënës, duke zbritur në 19%, kjo falë mirëorganizimit të grupeve në terren, luftës pa kompromis kundër abuzuesve të energjisë elektrike, duke sjellë, nga ana tjetër, rritje të faturimit. Vlen të theksohet se humbjet në muajin qershor ishin 16%, ndërsa pritshmëria e mbylljes së vitit është për një nivel humbjesh 19%.

Më pak humbje për shoqërinë përkthehen në më tepër të ardhura, të cilat janë rritur me 15.3%.

Paralelisht me arritjen e këtyre objektivave, është punuar 24 orë për një furnizim të pandërprerë me energji elektrike, bazuar në planin e masave të remonteve, në mirëmbajtjen e rrjetit etj.

Ndërkohë, vazhdon përmbushja me përpikmëri e detyrimeve që kemi ndaj klientëve të lidhur në nivel tensioni 35kV, që furnizohen në tregun e lirë.

Prej kohësh, sikurse është deklaruar më parë, shoqëria po vuan nga mungesa e investimeve konkrete. A keni një plan se kur mund të rinisin ato?

Është e vertëtë që ka patur një rënie të investimeve, duke patur në fokus ruajtjen e stabilitetit financiar të shoqërisë, në kushtet e krizës me çmimet e larta të importit të energjisë elektrike.

Megjithatë, në pjesët kyçe të rrjetit elektrik, sidomos në n/stacione, fidera dhe kabina, vëmendja ka qenë e shtuar, duke kryer më së shumti remonte, por edhe investime në pika nevralgjike. Masat kanë dhënë rezultat në përmirësimin me rreth 25% të cilësisë së furnizimit me energji elektrike, ndërsa në zonat bregdetare, ku turistët janë përqëndruar më së shumti, kemi përmirësim të cilësisë me afro 44% (qershor-gusht 2023).

Aktualisht që flasim OSHEE po investon në fuqizim e n/stacioneve Velipojë (projekt totalisht i ri), Golem, Pogradec, Vorë, shtrimin e linjave 35kV në juglindje, pa harruar këtu projektet me investim të huaj, që prekin NSt. Valias, NSt. Qendër Tiranë, të cilët do të ndërtohet në nëntokë. Për vitin 2024, OSHEE Group Sh.A. ka planifikuar të investojë rreth 4.2 miliardë lekë në disa zona me peshë për zhvillimin ekonomik të vendit, pa harruar investimet me fonde nga të huajt, siç është projekti i ndërtimit dhe rikonstruksionit të linjave elektrike në veri të vendit (nga Lezha deri në Tamarë/Malësi e Madhe, Shkodër), rreth 3.5 miliardë lekë; apo transformimi i rrjetit në jug Orikum – Himarë, tjetër projekt ky i shumëpritur dhe me mjaft rëndësi.

Rëndësi po i kushtojmë edhe investmeve në teknologji, p.sh. në sistemin e matjes smart në Durrës dhe Shkodër, apo implementimin e sistemit SCADA në disa n/stacione kryesore të vendit.

Shkurtimisht, ndonjë koment mbi “fatin” e 7400 subjekteve që dalin në treg të lirë, a do të vijojë mbështetja me çmime favorizuese?

Referuar afateve në ligj, subjektet që furnizohen në rrjetin e tensionit të mesëm 6/10/20kV duhet të kishin dalë në treg të lirë, pra të mos furnizohen vetëm nga OSHEE, por edhe nga shoqëri të tjera të licencuara, me çmimet e tregut. Në kushtet e krizës të çmimeve të larta të importit, qeveria u ka ofruar suport, duke i furnizuar me çmim të subvencionuar.

Kam besimin se këta klientë kanë për t’u trajtuar me prioritet përsëri gjatë vitit pasardhës. Po shqyrtohen të gjithë skenarët me Ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjisë, për mënyrën e trajtimit të tyre, duke filluar data 1 janar 2024.

Nisur nga ecuria e deritanishme, si pritet ta mbyllë OSHEE Group SH.A. vitin 2023 në aspektin financiar?

Në fillim dua të ndalem tek ecuria e humbjeve dhe arkëtimeve, të cilat me ritmin aktual besojmë se do të jenë brenda planit. Konkretisht, humbjet për vitin 2023 pritet të jenë 19% nga 19.7% të 2022, kurse të ardhurat deri në dhjetor parashikohen të kapin vlerën e mbi 80 miliardë lekëve.

Sa i takon rezultatit financiar të konsoliduar, OSHEE Grup parashikon të mbyllë vitin financiar 2023 me një fitim mbi 2.5 miliardë lekë. Ndikim kanë dhënë disa faktorë, veç uljes së humbjeve apo arkëtimeve në rritje, por edhe zëra si: ulja e “shpenzimeve operative” me 20%, reduktimi i shpenzimeve për blerje energjie, etj. Megjithatë, duhet theksuar që OSHEE Group vazhdon të ketë sfidë shlyerjen e detyrimeve të mëdha, të ardhura nga blerja e energjisë elektrike në kushtet e rritjes së çmimeve gjatë krizës energjetike.

25 Shtator

Furnizuesi i Tregut të Lirë, FTL, blen energji për muajin tetor 2023

Furnizuesi i Tregut të Lirë (FTL Sh.A), pjesë e OSHEE Group Sh.A, zhvilloi në datën 25.09.2023, në platformën online të blerjes së energjisë elektrike, procedurën “Blerje energjie për periudhën 01-31 tetor 2023”.

Pjesëmarrësit në procedurë ishin 8 shoqëri si më poshtë :

 ENER TRADE SH.P.K

NOA ENERGY TRADE SH.P.K

EZ-5 ENERGY SH.P.K

AYEN ENERGY TRADING SH.A

ReNRGY TRADING GROUP SH.P.K

GSA SH.P.K

PROINFINIT CONSULTING SH.P.K

FUTURE ENERGY TRADING AND EXCHANGE DINAMICS SH.P.K

Në këtë procedurë u kontraktua  sasia prej 4,464 MWh, me çmim 116.50 Eu/MWh dhe vlerë totale 520,056.00 Euro.

Shoqëria fituese u shpall  “ENER TRADE”  SH.P.K.

13 Shtator

Theth, ndërhynë në rrjetin e energjisë, procedohen penalisht 6 subjekte private

OSSH Shkodër ka kryer një aksion blic në zonën e Thethit, me fokus bizneset e zonës, duke u bazuar mbi të dhënat e humbjeve në zonë.
Nga kontrollet e ushtruara, në bashkëpunim me forcat e rendit u kapën në flagrancë 5 subjekte private, me aktivitet “bujtina”. Nga verifikimi rezultoi se vidhnin energji elektrike me linjë të dytë.
Një subjekt privat “pulari” në Shkodër u zbulua se vidhte energji elektrike, ndërsa është dashur ndërhyrja e policisë tek një tjetër abonent që kundërshtonte punonjësit e OSSH të hynin në ambjent për të kryer faturimin.
OSSH ka intensifikuar kontrollet në sistemin e matjes së energjisë elektrike, me qëllim zbulimin e keqbërësëve me rrjetin, duke mos toleruar askënd, pavarësisht llojit të aktivitetit.
Të gjitha rastet e proceduara në prezencë të policisë i kaluan për gjykim të mëtejshëm institucioneve kompetente.
OSHEE Group i bën thirrje abonentëve të distancohen nga abuzimi me energjinë dhe të denoncojnë çdo rast në numrin e cel: 069 414 1001 whatsapp/viber

01 Shtator

FSHU, pjesë e OSHEE Group Sh.A. marrëveshje me Postën Shqiptare për shërbimin postar hibrid

Me qëllim rritjen e cilësisë së shërbimit ndaj abonenteve tanë, Furnizuesi i Shërbimit Universal (FSHU Sh.A), pjesë e OSHEE Group Sh.A. ka firmosur së fundmi një marrëveshje të re bashkëpunimi me Posta Shqiptare.

Objekti i marrëveshjes është rritja e standardit në shpërndarjen e faturave të FSHU-së përmes shërbimit postar hibrid (Hibrid Mail) të ofruar nga Posta Shqiptare.

Ky shërbim unifikon procesin e “prodhimit dhe shpërndarjes” së faturave të konsumit të energjisë elektrike, ul kostot dhe kohën, duke sjellë përmirësim të shërbimit për 1.3 milionë abonentë të OSHEE group Sh.A.

Marrëveshja ka nisur të zbatohet në muajin gusht dhe synon t’i japë fund shqetësimeve, në raste dhe zona të ndryshme, për mosmbërritjen e faturës tek abonenti.

Dokumenti u firmos nga administratori i FSHU, z.Elton Sevrani dhe drejtori i përgjithshëm i Postës Shqiptare, z.Ardit Demiri.