Back
13 Maj

Investimet e OSHEE, Balluku e Dalipi inspektim në Velipojë: Balluku: I përgjigjemi fluksit të sezonit turistik

Operatori i Shpërndarjes së Energjisë, OSHEE Group, ka nisur investimet për ndërtimin e rrjetit të ri të shpërndarjes dhe nënstacione të reja kryesisht në zonat turistike, të cilat do të garantojnë përballimin e fluksit të turistëve që pritet të jetë i lartë këtë vit.

Gjatë inspektimit në Velipojë ku OSSH po ndërton një nënstacion të ri, ministrja e Energjisë dhe Infrastrukturës Belinda Balluku e shoqëruar nga administratori i OSSH Blendian Dalipi dhe drejtuesi i OSSH rajoni Shkodër, vuri theksin tek rritja e standardit të cilësisë së shërbimit të furnizimit me energji elektrike jo vetëm në zonat turistike por dhe rrethinat e saj, sic është Velipoja dhe fshatrat përreth.

Ministrja Belinda Balluku tha se po investohet për përmirësimin e infrastrukturës energjetike në disa zona të vendit, ku fokusi më i madh është në zonat turistike. Balluku theksoi se parashikimet flasin për një fluks të lartë turistësh që pritet të vizitojnë Shqipërinë gjatë këtij viti, prandaj janë marrë të gjitha masat për të përballuar situatën e furnizimit me energji elektrike.

“Duke qenë se ky do të jetë një sezon shumë i rëndësishëm, priten mbi 14 milionë vizitorë në Republikën e Shqipërisë, sigurisht ne na duhet që disa nga këto kantiere të hapura, t’i çojmë dhe më shpejt përpara.

 Madje edhe ato që kanë nisur para pak kohësh duhet të përfundojnë për sezonin 2025.

 I gjithë fokusi në këto momente ndodhet në zonat turistike, por pa përjashtuar edhe Tiranën që ka të gjithë vëmendjen tonë. Jemi të përgatitur për ta përballuar me sukses këtë sezon”, u shpreh Balluku.

Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë shtoi më tej se investimet e reja që po realizohen në të gjithë vendin do të ndikojnë edhe në uljen e humbjeve të energjisë në rrjet.

“Kanteret e reja duhet të ecin dhe duhet të dorëzohen para afatit. Nga ana tjetër është përballimi i një sezoni turistik sfidues i cili nga çfarë duket po nis shumë përpara se ne ishim mësuar.

 Dikur niste sezoni në korrik, tani ka nisur që në prill. Unë kudo që shkoj për të inspektuar edhe njësitë e hotelerisë të cilat kanë procese përmirësuese në këto momente i gjej pothuajse plot një pjesë të tyre.

Ndërkohë detyra e tretë dhe më e rëndësishmja është ulja e humbjeve. Objektivi është që 1 janar 2025 të na gjejë, pikërisht për shkak të këtyre investimeve të mira që ne po bëjmë sot, me 17.93% humbje teknike, krahasuar me 45% të vitit 2013. Një ndryshim i jashtëzakonshëm në këtë dekadë”, nënvizoi Balluku.

Lidhur me investimin e ri për ndërtimin e NST të Velipojës, administratori i OSSH Blendian Dalipi nënvizoi se projekti përfshin ndërtimin nga e para të nënstacionit ekzistues, ndërtimin e paneleve të komandimit, sallat e mbrojtjes, nivelet e shërbimit, serviset për punonjësit, që sipas tij do jenë të gjitha të një standardi ashtu siç koha i kërkon.

“Ky nënstacion është i nivelit 110 kilovolt, 35 dhe 20 kilovolt dhe do të ngrihet edhe 60 centimetra nga niveli zero, për të shmangur ndonjë problematikë që mund të shfaqet me ujërat apo përmbytjet”, tha Dalipi.

Projekti është në  fazën e implementimit të kolektorit dalës të fiderave si dhe dy fiderat e parë kabllorë 20kV (F1 dhe F2) me kabinat e  reja si dhe linjën kabllore  TU të ri me gjatësi 8.5 km,10 kabina te reja si dhe ndërtimin e 7.3 km linjë TU ABC.

Në planin e investimit për vitin 2024, është parashikuar implementimi i dy fiderave të tjere kabllorë 20 kV (F3 dhe F4) me kabinat e  reja si dhe ndërtimi i linjës kabllore TU me gjatësi 10 km, 20 kabina të reja si dhe ndërtimi i linjës TU ABC me gjatësi 10.5 km.

Gjithashtu po planifikohet ndërtimi i fiderit të ri 20 kV (F5) në drejtim të Rjollit, me gjatësi 14.2 km, 14 kabina të reja si dhe linja e re 11 km e tensionit të ulët me kabull ABC.

Aktualisht, ka përfunduar ndërtimi i karabinasë së godinës së shërbimit dhe muratura perimetrale e godinës së shërbimit.

Është punuar dhe vijon puna me bazamentet e sheshit të nënstacionit dhe traktit të linjës.

22 Prill

Balluku: Sistemi i ri i faturimit, konkurrencë të drejtë në treg, Karakaçi: Më 1 maj nis zbatimi

Nga 1 maji hyn në fuqi sistemi i ri i faturimit të energjisë elektrike për subjeket e biznesit prodhues të brumit të bukës dhe pastiçeritë. Aktualisht, subjektet që prodhojnë bukë, pastiçeri dhe ofrojnë shërbimin bar-kafe, paguajnë tarifa të energjisë elektrike të ndara në dy fasha (matësa), 7.6 lekë (prodhim brumi-furra) dhe 14 lekë (pastiçeri-bar kafe).

Me vendim të ERE-s, tarifat do të jenë të unifikuara; ndryshim ky i ardhur pas dialogut të hapur që Ministria dhe OSHEE kanë patur me shoqatën.

Gjatë  inspektimit në njërin prej subjekteve të njohura në treg, që tregton prodhime të bukës dhe produkte pastiçerie, zv/kryeministrja dhe ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë, zonja Belinda Balluku, e shoqëruar nga administratori i OSHEE Group, zoti Enea Karakaçi, theksuan se unifikimi i çmimeve për këto subjekte zgjidh edhe një problematikë të mbartur ndër vite.

Ministrja Balluku nënvizoi se ky vendim, i dakordësuar edhe me përfaqësues të shoqatës së furrave të bukës, do të reduktojë ndjeshëm abuzimet e konstatuara në të kaluarën, si nga subjektet e biznesit ashtu dhe nga punonjësit  tanë në terren.

“Ky është një çmim i subvencionuar dhe që ofron një konkurrencë të drejtë, pasi prej kohësh ka patur shqetësim nga furrat e bukës, kur si furrat e bukës, ashtu dhe furrat e bukës me pastiçeri apo me  bar-kafe  paguanin të njëjtin çmim energjie.

Subjektet që janë vetëm furrë buke do të paguajnë të njëjtin çmim 7.6 lekë; furrat e bukës që tregtojnë edhe produkte pastiçerie do të paguajnë 9.5 lekë për kilovat dhe 12 lekë për kilovat do të paguajnë furrat e bukës që funksionojnë edhe si bar-kafe”, u shpreh Balluku.

Administratori i OSHEE Group, Enea Karakaçi, e cilësoi të rëndësishëm faktin se nuk ka rritje të çmimit për kategorinë e dytë të subjekteve të biznesit që preken nga faturimi i ri, siç janë furrat e bukës, të cilat tregtojnë edhe produkte pastiçerie.

“Sot kjo tipologji e biznesit, me vendimin e ERE-s, nga 1 maji do të paguajë konsumin e energjisë elektrike me çmimin 9.5 lekë për kilovat/orë. Në rastin e subjektit që po vizitojmë, 80% e volumit të konsumit të energjisë elektrike shkon për prodhimin e bukës dhe brumit. Sistemi i ri shmang burokracitë dhe abuzimet, pasi nuk do të jetë më e nevojshme të kontrollohen për dy matësa apo për dy nipte, si në të shkuarën”, tha Karakaçi.

Drejtuesit e shoqatës, të pranishëm në takim, pranuan faktin se zhvillimi i sektorit e ka tejkaluar nevojën për të patur një tarifë të subvencionuar prej 7.6 lekësh, pasi shumë subjekte të furrave të bukës tregojnë pastiçeri, madje kanë futur edhe shërbimin e bar-kafesë.

21 Prill

Skemat lehtësuese të OSHEE group deri në fund të vitit 2024, FSHU: 677 aktmarrëveshje të mbyllura brenda muajit prill

Skemat e aktmarrëveshjeve për shlyerjen e detyrimeve të papaguara të faturave të energjisë të cilat kanë nisur zbatimin prej datës 3 prill, janë mirëpritur nga klientët debitorë të kompanisë OSHEE Group, të cilët kanë mundësi të paguajnë me këste lehtësuese këto detyrime

Furnizuesi i Shërbimit Universal, FSHU, pjesë e kompanisë OSHEE Group, vlerëson se deri më tani janë 677 aktmarrëveshje të firmosura me klientët debitorë ku më shumë se 50% e këtyre i përkasin kategorisë së klientëve familjarë që kanë shlyer detyrimin njëherësh me një këst të vetëm, duke përfituar reduktim të kamatëvonesave në masën 70%.

“Skemat lehtësuese ndryshojnë për secilën kategori në varësi të statusit social të tyre dhe debisë që kanë me OSHEE Group.

Ne jemi kujdesur veçanërisht për kategoritë më të ndjeshme të shoqërisë, për klientët familjarë me ndihmë ekonomike, pensionistë-kryefamiljarë dhe klientët me status të veçantë, të cilët përfitojnë këste akoma më lehtësuese dhe që shtrihen më gjatë në kohë, krahasuar me kategoritë e tjera.

Theksojmë se klientët familjarë përfitojnë reduktim të kamatëvonesës në masën 70%, në rast të shlyerjes së gjithë detyrimit përnjëherësh”, deklaron për mediat drejtori i Drejtorisë së Marrëdhënieve me Klientin në FSHU, Marsed Harizi.

Klientët jo familjarë, buxhetorë dhe jo buxhetorë përfitojnë reduktim të kamatëvonesës në masën 50%, në rast të shlyerjes së gjithë detyrimit përnjëherësh.

Ndërsa kategoria klientë jo familjarë – biznes i vogël përfitojnë reduktim të kamatëvonesës në masën 100%, në rast të shlyerjes së gjithë detyrimit përnjëherësh.

Në skemat e aktmarrëveshjeve që do të zbatohen gjatë këtij viti, do të përfshihen gjithashtu edhe detyrimet e papaguara nga faturat; dëm ekonomik, fatura sistemuese, fatura testim matësi, fatura korrektive që i përkasin vitit 2023 e në vijim.

OSHEE Group i bën thirrje çdo klienti që të paraqitet në zyrat e Kujdesit të Klientit që të përfitojnë nga skemat lehtësuese, por më parë ata duhet të shlyejnë faturat e energjisë elektrike nga viti 2023 dhe në vazhdim.

“Skemat lehtësuese që po aplikojmë, përfshijnë detyrimet e papaguara ndaj OSHEE group për periudhën para 31 dhjetorit të vitit 2022.

Aktmarrëveshjet janë mekanizëm lehtësues për të gjithë klientët tanë të cilët mbartin debi për shumë vite dhe është momenti ideal, që ata t’i drejtohen zyrave tona të kujdesit të Klientit, pasi FSHU është përpjekur në maksimumin e saj të rritë cilësinë, transparencën dhe komunikimin e informacionit për të gjithë pyetjet që ata mund të kenë”, thekson Harizi.

OSHEE group ka realizuar në vitin 2023 një nivel arkëtimesh prej 99.3%, krahasuar me 98% të arritur në vitin 2022, në raport me 75% që ka qenë vite më parë ku dhe niveli i borxhit është akumualur me ritëm të shpejtë.

Sot niveli i debisë, faturat e papaguara arrijnë në shumën 85 mld lekë, ku prej tyre 25 mld lekë është borxhi ndër vite që institucionet  publike, bashkitë ujësjellësat, ministritë, kopshtet i kanë OSHEE group, pjesa tjetër i përket familjarëve.

OSHEE Group i bën thirrje të gjithë  klientëve që kanë detyrime të papaguara ndaj kompanisë, që të lidhin aktmarrëveshje për shlyerjen e detyrimeve me këste, në të kundërt do të jenë në listën e debitorëve të cilëve do tu pritet energjia.

03 Prill

OSHEE prezanton skemën e re lehtësuese për shlyerjen e detyrimeve të kategorive të ndryshme të klientëve!

OSHEE Group prezanton skema të reja lehtësuese për barrën e faturave të papaguara të energjisë elektrike për klientët tanë familjarë dhe jo familjarë, buxhetorë ose jo buxhetorë.

Këto skema, të ashtuquajtuara “aktmarrëveshje”, ofrojnë lehtësim financiar dhe theksojnë përkushtimin tonë ndaj përgjegjësisë sociale, mirëqenies së klientëve familjarë dhe komunitetit të binzesit.

Gjatë vitit 2024 do të aplikojmë aktmarrëveshjet për shlyerjen me këste të faturave të energjisë, të papaguara deri në 31 dhjetor 2022, duke siguruar që klientët tanë të marrin mbështetjen e nevojshme për prapambetjet në pagesat e kohërave të vështira (gjatë dhe pas pandemisë).

Këta klientë duhet të kenë mbyllur ndërkohë detyrimet e krijuara gjatë vitit 2023 dhe në vazhdim, të cilat duhet të jenë likuiduar përpara lidhjes së aktmarrëveshjes së shlyerjes së debisë mes klientit dhe kompanisë OSHEE për periudhat e hershme.

Në skemat e aktmarrëveshjeve, që do të zbatohen gjatë këtij viti, do të përfshihen gjithashtu edhe detyrimet e papaguara nga faturat; dëmi ekonomik, fatura sistemuese, fatura testim matësi, fatura korrektive, që i përkasin vitit 2023 e në vijim.

Vendimi është marrë nga Këshilli Mbikqyrës i OSHEE Group në datë 15 shkurt 2024, pas shqyrtimit të propozimit nga administratori i OSHEE Group, zoti Enea Karakaçi.

Me këto skema lehtësuese, OSHEE Group, Operatori i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike i qëndron besnik misionin të tij, si një shoqëri aksionere me kapital shtetëror, e cila ka për qëllim kryesor përmbushjen e nevojave të shqiptarëve, stabilitetin financiar të tyre, por edhe stabilitetin financiar të kompanisë, për të operuar me eficiencë afatgjatë.

Secila kategori përfituesish ka lehtësime të ndryshme, të cilat përshkallëzohen në varësi të kategorisë së klientit dhe masës së mbartur të debisë që ka secili prej tyre. Masat lehtësuese janë gjithashtu të ndryshme, duke filluar nga: këstet fikse mujore për shlyerjen e detyrimeve të prapambetura për klientët familjar, falje ose lehtësim i kamatëvonesave në varësi të periudhës së shlyerjes dhe skema e kësteve të ndryshueshme, në varësi të masës së detyrimit për kategorinë e klientëve buxhetor dhe jo buxhetor.

Në këto skema OSHEE Group është kujdesur veçanërisht për kategoritë më të ndjeshme të shoqërisë, për klientët familjarë me ndihmë ekonomike, për pensionistët-kryefamiljarë, ose klientët me status të veçantë, të cilët përfitojnë këste akoma më lehtësuese dhe që shtihen më gjatë në kohë, krahasuar me kategoritë e tjera.

Mes klientëve të biznesit, OSHEE Group është kujdesur veçanërisht për biznesin e vogël që ka, gjithashtu, lehtësi shtesë në skemën e shlyrjes së kamatëvonesave.

Më konkretisht, përfitimet për secilën kategori klientësh janë si më poshtë:

  • Klientët familjarë që trajtohen me ndihmë ekonomike, pensionistët-kryefamiljarë, ose klientët me status të veçantë, mund të paguajnë detyrimet e prapambetura me këste fikse mujore 1,200 lekë.
  • Klientët e tjerë familjarë mund të paguajnë detyrimet e prapambetura me këste fikse mujore 2,800 lekë.
  • Klientët jo familjarë, buxhetorë dhe jo buxhetorë mund të paguajnë detyrimet e prapambetura me këste të përcaktuara në bazë të vlerës së debisë si më poshtë:
Vlera e detyrimitNumri maksimal i kësteve
100,000-300,000 lekë24 këste
300,001-500,000 lekë48 këste
500,001-800,000 lekë60 këste
800,001-1,000,000 lekë84 këste
mbi 1,000,000 lekë120 këste

OSHEE Group miratoi po ashtu skemën e reduktimit të kamatëvonesës kundrejt likuidimit të plotë të debisë së prapambetur deri në 31 dhjetor 2022. Klientët, që shprehin vullnetin t’i likuidojnë njëherësh të gjitha detyrimet e prapambetura me 1 (një) këst, përfitojnë reduktim të kamatëvonesës në masa të ndryshme, sipas kategorive më poshtë:

  • Klientët familjarë të të gjitha llojeve përfitojnë reduktim të kamatëvonesës në masën 70%, në rast të shlyerjes së gjithë detyrimit njëherësh.
  • Klientët jo familjarë, buxhetorë dhe jo buxhetorë përfitojnë reduktim të kamatëvonesës në masën 50%, në rast të shlyerjes së gjithë detyrimit njëherësh.
  • Kategoria klientë jo familjarë – biznes i vogël përfitojnë reduktim të kamatëvonesës në masën 100%, në rast të shlyerjes së tgjithë detyrimit njëherësh.

Ftojmë të gjithë klientët, që duan të përfitojnë nga këto skema lehtësuese, të paraqiten në qendrat e Kujdesit Ndaj Klientit OSHEE Group dhe FSHU për të lidhur aktmarrëveshjen sipas kategorisë përkatëse.

29 Mars

Takim me biznesin, ministrja Balluku dhe administratori Karakaçi: Tarifat për furrat e bukës mbeten të pandryshuara, 7.6 lek/kWh

Zëvendëskryeministrja, njëherësh ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë, znj. Belinda Balluku, së bashku me administratorin e OSHEE Group, z.Enea Karakaçi përcollën sërish mesazhin se tarifat e energjisë elektrike për prodhuesit e bukës do të mbeten të pandryshuara, pra 7.6 lekë për kilovat, duke mos cënuar çmimin e një produkti shumë të pranishëm në tryezat tona.

Drejtuesit e minisrtisë dhe të OSHEE zgjodhën qytetin e Lushnjës për të vizituar nga afër një subjekt privat “furrë buke” që operonte në treg me tarifë 7.6 lekë, të shoqëruar nga kryetarja e bashkisë dhe përfaqësues të Shoqatës së Bukës, Pastiçerisë dhe Brumërave.

“Vendosëm të merrnim disa masa, duke ju ruajtur çmimin 7.6 lek për kilovator, aq sa e keni patur, pra nuk ju është rritur, por i kemi kategorizuar sipas tipologjisë së shërbimit” tha Balluku gjatë bisedës me pronarin e furrës së bukës.

Sipas dakortësisë me shoqatën, tarifat për konsumin e energjisë elektrike janë propozuar të ndara në tre kategori:

·      Furrë buke 7.6 lek/kWh

·      Furrë buke – pastiçeri 9.5 lek/kWh

·      Furrë buke – pasticeri – bar kafe 12 lek/kWh

“Edhe furrat e bukës që janë kthyer në pastiçeri, kanë pësuar ulje të çmimit të energjisë elektrike, pasi faturoheshin me 14 lek, ndërsa ne propozojmë të faturohen me 9.5 lek”, tha ministrja Balluku.

Në vend operojnë rreth 2600 furra të cilat ndikohen nga kjo skemë e re, ndaj vendimi përcakton qartë përfituesit e subvencionit të çmimit 7.6 lek, duke vendosur konkurrencë të drejtë në treg, në raport me subjektet e tjera, të cilat kanë integruar brenda furrave të bukës dhe shërbimin pastiçeri apo dhe bar-kafe.

Administratori i OSHEE Group Enea Karakaçi, nënvizoi se menjëherë pas takimit me shoqatat e prodhuesve të bukës, OSHEE ka dorëzuar pranë ERE aplikimin për sistemin e ri të faturimit të energjisë elektrike dhe pritet së shpejti të merret vendimi.

Përfaqësuesi i shoqatës së prodhimit të bukës, pastiçerive dhe brumërave, z.Gëzim Peshkopia, u shpreh falenderues për mbështetjen e dhënë nga qeveria ndaj këtyre subjekteve dhe për marrjen në konsideratë pas shumë vitesh të shqetësimeve të ngritura nga ana e tyre.

28 Mars

Lidhet kontrata për ndërtimin e Nënstacionit të ri 110/20kV në Kamëz

OSHEE Group njofton rreth një zhvillimi pozitiv për banorët e Kamzës dhe zonave përreth pasi shumë shpejt do të nisë puna për ndërtimin e nënstacionit të ri 110/20kV dhe rrjetit shpërndarës, duke zëvendësuar kështu nënstacionin e 40-vjeçar të Valiasit.

Pas firmosjes së kontratës me firmën fituese, administratori i OSHEE Group, Enea Karakaçi shprehu konsideratën për rëndësinë e projektit që rrit sigurinë dhe cilësinë e furnizimit me energji elektrike për banorët dhe subjekteve private të shumta, që ushtrojnë aktivitet në aksin Kamëz – Vorë, të qarkut Tiranë.

Kontrata e firmosur sot në ambientet e zyrave qëndrore të OSHEE, në prezencë të palës gjermane, financuese e projektit, është e pjesë e Lot-it 2 të marrëveshjes me kfW dhe ka si objekt “ndërtimi i një nënstacioni të gjelbër 110/20 kV në Kamëz, në periferi të Tiranës, si dhe rehabilitimi, modernizimi dhe rritja e kapacitetit të transmetimit të kabinave të shpërndarjes qe rrjedhin prej këtij nënstacioni”.

Kohëzgjatja e punimeve me vlerë rreth 13 milionë euro është dy vjet dhe parashikon transformimin e gjithë rrjetit elektrik të Kamzës, zonë e cila, vitet e fundit ka patur zhvillim urban dhe ekonomik.

Marrëveshja me KfW

Në kuadër të përmirësimit të cilësisë së shërbimeve të ofruara nga OSHEE Group, rritjes së efiçencës dhe konsolidimit të sektorit të energjisë, qeveria shqiptare, nëpërmjet bashkëpunimit financiar me qeverinë e Republikës Federale të Gjermanisë, arriti të sigurojë një kredi nga banka KfW për zhvillimin e projektit “Programi i Investimeve Shpërndarja e Energjisë Elektrike I”, i cili përfshin zgjerimin dhe përmirësimin e sistemit elektrik në qarqet Tiranë dhe Durrës në Shqipëri.

“Programi i Investimeve për Shpërndarjen e Energjisë Elektrike I” është financuar nga Marrëveshja e Huasë ndërmjet Republikës së Shqipërisë (përfaqësuar nga Ministria e Financave dhe Ekonomisë), OSHEE sh.a. dhe KfW-së, miratuar me ligjin Nr. 41/2019 datë 20.06.2019 në vlerën 30.000.000 Euro dhe Marrëveshja e Grantit “Masat Shoqëruese”, miratuar me VKM Nr. 311 datë 15.05.2019 në vlerën 2.000.000 Euro.

Ky Projekt mbështet Shqipërinë në përpjekjet e saj për të përmbushur Objektivin 7 të Zhvillimit të Qëndrueshëm “Energji e përballueshme dhe e pastër”. Për më tepër, projekti synon të forcojë rrjetin e shpërndarjes, i cili aktualisht vuan nga mbingarkesa në qendrat me kërkesë të lartë, si në Tiranë dhe Durrës dhe të krijojë një rrjet që lejon flukset e energjisë elektrike me dy drejtime për të akomoduar konsumatorët e energjisë së rinovueshme në mënyrë që energjia të mund të jetë në mënyrë efektive drejtuar qendrave kryesore të kërkesës.

Projekti do të zbatohet në qarqet Tiranë dhe Durrës në kuadër të korridorit Tiranë-Durrës, ku bashkohen dy qytetet më të mëdha të Shqipërisë në një zonë metropolitan, zonë e banuar nga më shumë se dy të tretat e popullsisë.

25 Mars

OSHEE vijon investimet në teknologjinë inovative: 1622 matësa inteligjentë për një faturim korrekt  

Grupi OSHEE do të vijojë investimet në sistemet smart të matjes, përmes Operatorit të Sistemit të Shpërndarjes, shoqëri e cila ka lidhur së fundmi kontratën për instalimin e 1622 matësave inteligjentë në 4 rajone të vendit.

Prioritetet e matësave inteligjentë (sistemi smart i matjes së energjisë elektrike) janë të shumta për të dyja palët: OSHEE-Abonent.

Matësi inteligjent realizon faturim korrekt dhe cilësor të konsumit, si edhe ndjek në kohë reale fluksin e kilovatëve në rrjetin elektrik.

Konsumatorët mund të kontrollojnë në kohë reale ecurinë e konsumit dhe faturimin; po ashtu, problemet që mund të shfaqen nga ndonjë defekt identifikohen dhe marrin zgjidhje të shpejtë.

Matësat e rinj do të instalohen në kabinat elektrike dhe tek abonentët e rajoneve: Durrës, Shkodër, Lezhë dhe Vlorë.

Matësat e parë u vendosën në zonën e Kasharit dhe Vorës, pjesë e rëndësishme e rajonit të Tiranës, ku janë përqendruar biznese të shumta.

Pas instalimit të 3500 matësave inteligjentë në këto dy zona, reduktim i nivelit të humbjeve rezultoi në 7.5%, duke i hapur rrugë zbatimit të planit strategjik për investime në sisteme të matjes përmes përdorimit të teknologjisë inovatore.

Paralelisht me nisjen e investimit të radhës, administratori i OSHEE Group, zoti Enea Karakaçi, i shoqëruar nga drejtuesit e OSSH-së dhe FSHU-së, zhvilloi së fundmi një vizitë pranë zyrave të EDF-së, në Francë, ku pikë e rëndësishme diskutimi ishte zhvillimi i projekteve në “smart grid”.

Arrihet dakordësia me furrat e bukës, OSHEE propozon 3 kategori tarifash sipas tipologjisë së aktivitetit
18 Mars

Arrihet dakordësia me furrat e bukës, OSHEE propozon 3 kategori tarifash sipas tipologjisë së aktivitetit

Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë në bashkëpunim me OSHEE Group prezantuan sot zgjidhjen e arritur me Shoqatën e Bukës, Pastiçerive dhe Brumërave, në lidhje me tarifat e konsumit të energjisë elektrike, sipas tipologjisë së aktivitetit. 

Propozimi i OSHEE është përgatitur pas analizës së thelluar të tregut, ku operojnë rreth 2600 subjekte, në konsultim me përfaqësuesit e shoqatës, dhe parashikon:

  • 7.6 lekë për kilovat për subjekte që kanë vetëm furrë buke.
  • 9.5 lekë për kilovat për subjektet që kanë furrë buke, por që tregtojnë dhe produkte pastiçerie.
  • 12 lekë për kilovat për subjektet që kanë furrë buke, por funksionojnë edhe si bar/ kafe.

Subjektet e furrave të bukës, të cilat vitet e fundit kanë zgjeruar ndjeshëm aktivitetin e tyre, duke tregtuar edhe produkte të tjera, aktualisht tarifohen duke patur në ambientin e punës dy matësa: 7.6 lekë/kWh për furrat dhe 14 lekë lekë/kWh për pastiçeri dhe bar-kafe. 

Skema aktuale përmban artifica dhe terren për abuzim, ndërsa varianti i dakordësuar vendos barazi në treg dhe ndan qartë kategoritë e subjekteve “furra buke”, “furra buke – pastiçeri” dhe “furra buke – pastiçeri – bar kafe”. 

Prej 15 vitesh furrat e bukës tarifohen me çmim preferencial prej 7.6 lekë/kWh, por me kalimin e kohës tregu ka pësuar zhvillime dhe këto subjekte kanë integruar në aktivitetin e tyre edhe produkte të tjera. 

Zv/kryeministrja dhe ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, znj. Belinda Balluku tha se në vend janë të paktën 2600 furra buke që kanë një konsum vjetor prej 66 milionë kilovatorë, me vlerë 500 milion lekë.

“Kjo e ka bërë qasjen, ndaj kësaj çështje të kujdesshme, për të trajtuar secilin prej tyre sipas kushteve ku ndodhet, për t’i vendosur këto subjekte në një raport të drejtë pagese”, tha ministrja Balluku. 

Administratori i OSHEE Group, z. Enea Karakaçi beson se propozimi i dakordësuar me shoqatën i jep zgjidhje përfundimtare problematikave të hasura në terren, jo vetëm për biznesin, por edhe për vet shoqërinë, ndërsa shtoi se, “zbatimi i paketës së re do të nisë pas miratimit nga Enti Rregullator i Energjisë”.

01 Mars

FTL ofron shërbimin e furnizimit për subjektet e lidhura në rrjetin shpërndarës 20kV

Furnizuesi i Tregut të Lirë (FTL) SH.A., pjesë e OSHEE Group SH.A. njofton se prej fillimit të këtij viti është duke furnizuar me energji elektrike klientët e lidhur në tensionin 20kV, sipas përcaktimeve ligjore në kuadër të liberalizimit të tregut.

Në zbatim të nenit 109 të Ligjit Nr.43/2015 “Për Sektorin e Energjisë Elektrike”, i ndryshuar, dhe Urdhërit të Ministrit të Infrastrukturës dhe Energjisë Nr. 217, datë 29.12.2023, “Për miratimin e udhërrëfyesit për hapjen e tregut dhe derregullimin e çmimit të energjisë elektrike”, i ndryshuar, prej muajit janar 2024, subjektet e lidhura në tensionin 20kV nuk furnizohen më nga Furnizuesi i Shërbimit Universal Sh.A. (FSHU/FMF), por e sigurojnë vetë energjinë elektrike në tregun e lirë të liberalizuar.

Në këtë treg ofron shërbimin e furnizimit edhe FTL Sh.A., pjesë e grupit OSHEE, e cila prej tre vitesh ka lidhur kontratë dhe asiston subjektet e lidhura në tension 35kV. Tashmë kjo shoqëri me kapital 100% shtetëror po i jep mundësinë 2150 subjekteve të lidhura në tension 20kV të marin shërbim nga FTL-ja, me kontrata afatgjata (1-vjeçare) dhe me çmime konkuruese.

Më shume se 95% e subjekteve që operojnë në tregun e parregulluar të energjisë elektrike po furnizohen me energji elektrike dhe po faturohen nga FTL, kompania, e cila garanton cilësi shërbimi dhe tarifa me kosto më të lira. Me këtë rast, shoqëria njofton klientët e saj se pagesat e faturave mund të bëhen në çdo sportel banke në llogaritë e FTL-së dhe në sportelet e Kujdesit ndaj Klientit (kudo, në të gjithë vendin).

Të dhënat mbi llogaritë bankare i gjeni në linkun më poshtë:

Pagesat e Klientëve 20kV dhe 35kV

https://oshee.al/wp2014/oshee/wp-content/uploads/2023/12/Lista-e-subjekteve-20kV.xlsx

09 Shkurt

FTL publikon tarifat për klientët sipas tensionit, 18.34 lekë për 20kV dhe 15.90 lekë për 35kV

Furnizuesi i Tregut të Lirë (FTL) SH.A, pjesë e OSHEE Group SH.A. ka bërë publike tarifat e shitjes të miratuara nga Asambleja, në lidhje me klientët që furnizohen në tensionin 20-35kV.

Tarifat janë fikse dhe të vlefshme për një vit, aq sa është kohëzgjatja e kontratës së furnizimit me kategorinë e subjekteve jo-familjare, dhe konkretisht:

  • Për tensionin 20kV, tarifa e furnizimit është 18.34 lekë/kWh
  • Për tensionin 35kV, tarifa e furnizimit është 15.90 lekë/kWh

*Pa TVSH

Në zbatim të nenit 109 të Ligjit Nr.43/2015 “Për Sektorin e Energjisë Elektrike”, i ndryshuar, dhe Urdhërit të Ministrit të Infrastrukturës dhe Energjisë Nr. 217, datë 29.12.2023, “Për miratimin e udhërrëfyesit për hapjen e tregut dhe derregullimin e çmimit të energjisë elektrike”, i ndryshuar, nga muaji janar 2024, subjektet e lidhura në tensionin 20kV nuk furnizohen më nga Furnizuesi i Shërbimit Universal SH.A (FMF), por duhet ta sigurojnë vetë energjinë elektrike në tregun e lirë, të liberalizuar.

Ky vendim vjen në kuadër të legjislacionit në fuqi dhe direktivës europiane “Për liberalizimin e tregut”, proces i nisur vite më parë.

Me këtë rast, OSHEE Group SH.A. ka njoftuar me kohë 2100 subjektet e lidhura në tension 20kV se, nga 01 janari 2024 duhet të sigurojnë një furnizues të licencuar, që ofron këtë shërbim.

Furnizuesit e licencuar janë të publikuar në faqen zyrtare të Entit Rregullator të Energjisë.

Një ndër këta furnizues, i cili prej muajit mars 2020 ka ofruar shërbimin e furnizimit me energji elektrike për klientët e lidhur në nivel tensioni të mesëm, është edhe “Furnizuesi i Tregut të Lirë” SH.A.

Sipas të dhënave të fundit, rreth 99% e subjekteve në tension 20kV furnizohen nga FTL SH.A.

Linku me listën e subjekteve 20kV dhe kontrata e furnizimit me FTL-në

Lista e subjekteve në tension 20kV, OSHEE Group i fton të lidhin kontratë furnizimi me FTL nga 1 janari 2024