Back
25 Korrik

Aktmarrëveshjet për shlyerjen e faturave të prapambetura; deri më 24 korrik firmosen 3,345 kontrata me OSHEE-në

Vijon të rritet numri i aktmarrëveshjeve të firmosura me OSHEE group dhe FSHU, për shlyerjen me këste të faturave të prapambetura të energjisë elektrike, deri më 31 dhjetor 2022.

Sipas të dhënave më të fundit, që i përkasin periudhës kohore nga datat 3 prill deri në 24 korrik, kur nisi zbatimin skema e re e aktmarrëveshjeve, janë firmosur 3.345 kontrata.

Prej tyre, 2875 kontrata i përkasin kategorisë familjar, ku 1708 subjekte kanë shlyer njëherësh detyrimin ndaj OSHEE group, duke përfituar reduktim të kamatëvonesës në masën 70 %.

Ndërsa 1167 klientë të tjerë vijojnë pagesat me këste, sipas kategorive të përcaktuara në udhëzimin mbi skemat e shlyerjes së debisë së akumuluar ndaj OSHEE group.

Kategoria familjar, një nga përfitueset e AKM-së, do të paguajë çdo muaj këstin prej 2800 lekësh, bashkë me faturën korente, ndërsa abonentët familjarë me ndihmë ekonomike, pensionistët, kryefamiljarët, ose abonentët me status të veçantë do të paguajnë çdo muaj këstin me vlerë 1.200 lekë.

Po gjatë periudhës kohore 3 prill-24 korrik 2024, kanë lidhur aktmarrëveshje me OSHEE-në, 470 klientë jofamiljar, nga të cilët, 340 kanë shlyer njëherësh debinë e akumulur, duke përfituar reduktim kamatëvonese në masën 50-100 %. Konkretisht: 318 klientë jofamiljar kanë përfituar 50 % reduktim kamate dhe 22 klientë jofamiljar/biznes i vogël kanë përfituar 100% reduktim kamatëvonese.

Rreth 130 klientë jofamiljar po vijojnë shlyerjen e detyrimeve me këste lehtësuese.

OSHEE thekson se skemat e aktmarrëveshjeve për vitin 2024, përfshijnë faturat e papaguara të energjisë elektrike deri më 31 dhjetor 2022.

Klientët debitorë, që duan të hyjnë në aktmarrëveshje me OSHEE group, duhet të kenë mbyllur ndërkohë detyrimet e krijuara gjatë vitit 2023 dhe në vazhdim, të cilat duhet të likuidohen përpara lidhjes së aktmarrëveshjes. Në skemat tona të aktmarrëveshjeve për vitin 2024 përfshihen, gjithashtu, edhe detyrimet e papaguara nga faturat: dëmi ekonomik, fatura sistemuese, fatura testim matësi, fatura korrektive, që i përkasin vitit 2023 e në vijim.

Ftojmë të gjithë klientët familjar, jofamiljar e biznes të përfitojnë nga lehtësitë që ofron OSHEE group, duke shlyer debinë me këste dhe duke përfituar reduktim të kamatëvonesave, nëse paguajnë me një këst të vetëm detyrimin e faturave të papaguara të energjisë elektrike deri më 31 dhjetor 2022.

24 Korrik

Furrat e bukës, OSHEE apel subjekteve të deklarojnë kontratat dhe të aplikojnë për ndryshimin e tarifës 14 lek/kWh

Me miratimin e vendimit të ERE-s, OSHEE Group SH.A. ka punuar intensivisht për zbatimin e Vendimit Nr. 72, datë 15.4.2024, “Për sistemin e ri të faturimit për subjektet që ushtrojnë veprimtarinë “Furra buke dhe/ose prodhim mielli”.

Gjatë muajve qershor dhe korrik, OSHEE Group SH.A. ka trajtuar pjesën më të madhe të subjekteve të identifikuara në sistemin e faturimit për aktivitetin “furra buke”, megjithë kompleksitetin e këtij procesi dhe punës së vështirë në terren.
OSHEE Group po punon në bashkëpunim me “Shoqatën e Prodhuesve të Bukës, Pastiçerisë dhe Brumrave” dhe çdo hap i ndërmarrë është konsultuar me palët e interest, të përfaqësuara nga shoqata.
Në takimin e javës së fundit të muajit korrik, OSHEE Group dhe “Shoqata e Prodhuesve të Bukës, Pastiçerisë dhe Brumrave” u koordinuan për  ecurinë e procesit dhe hapat e domosdoshëm në përmbylljen me sukses dhe kalimin e të gjitha subjekteve në tarifat e reja të miratuara.

Sipas vendimit, tarifat e reja të konsumit të energjisë elektrike janë:

  • Aktivitete Furrë buke: 7.6 lekë/kWh
  • Aktivitete Furrë buke – pastiçeri: 9.5 lekë/kWh
  • Aktivitete Furrë buke – pastiçeri – bar kafe: 12 lekë/kWh

OSHEE Group dhe “Shoqata e Prodhuesve të Bukës, Pastiçerisë dhe Brumrave” iu rikujtojnë subjekteve të interesuara  të paraqiten pranë pikave të Kujdesit Ndaj Klientit dhe të deklarojnë kontratat e furnizimit me energji elektrike sipas qëllimeve të aktivitetit furrë buke dhe shërbimeve të integruara pastiçeri dhe/ose bar kafe. Deklarimi i të gjitha kontratave të energjisë do t’u japë mundësi këtyre bizneseve të kenë një kontratë të vetme, me tarifën më të mirë, bazuar në llojin e aktivitetit të ushtruar.

Subjektet e biznesit, që paguajnë ende me 14 lekë/kWh, duhet të aplikojnë pranë pikave të Kujdesit Ndaj Klientit për ndryshim të tarifës (kod K11 për të gjitha kontratat që lidhen me të njëjtin ambient), në mënyrë që të merren të gjitha masat e nevojshme  në shqyrtimin sa më të shpejtë të kërkesës dhe vendosjen e tarifës sipas tipologjisë së miratuar nga ERE.

OSHEE Group garanton zbatimin e strukturës së re të tarifave në mënyrë të drejtë dhe të rregullt dhe kërkon bashkëpunimin e subjekteve  për rregullimin e tregut, çka do të sjellë përfitime konkrete për shumicën e tyre.

20 Korrik

Faturimi korrekt i konsumit, OSSH vijon instalimin e matësave inteligjentë në Tiranë

Një nga sfidat e kompanisë OSHEE group është furnizimi dhe faturimi sa më cilësor i konsumit të energjisë elektrike, përmes investimeve moderne në rrjetin e shpërndarjes.

Përmes këtyre investimeve, OSHEE ka në fokus jo vetëm rritjen e kapaciteteve të n/stacioneve dhe ndërtimin e kabinave të reja, por edhe automatizimin e tyre me teknologji inovatore.

Monitorimi dhe operimi online, duke instaluar matësa inteligjentë në kabina, është një tjetër hap drejt përmirësimit të shërbimit të furnizimit dhe faturimit ndaj klientëve.

OSHEE group vijon zbatimin e projektit të instalimit të matësave inteligjentë, ku pas qytetit të Durrësit, projekti po shtrihet në Tiranë, Vlorë dhe në disa zona bregdetare.

Për shkak të rritjes së nevojave për më shumë konsum si pasojë e zhvillimit urban, kryesisht në qendër të Tiranës, grupet tona të OSSH po punojnë në 195 kabina ku do të instalohen matësat inteligjentë për 25 mijë abonentë.

Matësat integjilentë matin konsumin në kohë reale, gjithashtu na japin mundësi të monitorojmë dhe operojmë në distancë nga matësi, të ndjekim fluksin e konsumit dhe ngarkesës në kabina.

Gjithashtu, vendosja e matësave inteligjentë synon transparencë në faturimin e energjisë elektrike, parandalim të avarive që mund të vijnë nga ngarkesat, leximin e matësit dhe stakim të energjisë elektrike nga pc përmes platformës së dedikuar

Këto dhe të tjera avantazhe po ndjehen tek ato abonentë ku janë instaluar matësa inteligjentë në pallate dhe kabina, projekt i nisur në fillim në Durrës, pastaj në Tiranë dhe Vlorë.

Po ashtu po investohet në disa rajone të vendit (bregdetare), për ta shtrirë sa më tepër sistemin e përdorimit të teknologjisë inovatore në rrjetin shpërndarës të energjisë elektrike.

02 Korrik

Aplikimet për vendet vakante “elektricist” në OSSH, mbyllet faza e parë e testimeve me shkrim

Pas shpalljes së 240 vendeve vakante në pozicionin elektricist/operator, qindra të rinj nxituan të aplikonin në platformën e punësimit të oshee.al, sipas kritereve të përcaktuara dhe përshkrimeve, për të qenë pjesë e Operatorit të Sistemit të Shpërndarjes, OSSH.

Pranë zyrave qëndrore të OSHEE Group është zhvilluar faza e parë e testimit, provimi me shkrim.

Faza e dytë, që do të zhvillohet këtë javë, parashikon testimin përmes intervistës (pyetje-përgjigje). 

Pozicionet e shpallura janë:

– Elektricist i linjave të tensionit të mesëm dhe të ulët

– Elektricist i linjave të tensionit të lartë dhe operator nënstacioni

Kjo është fushata e dytë e rekrutimeve në OSHEE Group, e cila për punonjësit e terrenit i ka rritur pagën me 30%.

Procesi i rekrutimeve pranë OSHEE Group është dinamik dhe i hapur, ndaj i bëjmë thirrje, jo vetëm elektricistëve/inxhinierëve, por edhe juristëve dhe të specializuarit ne fushën e IT, të ndjekin linkun.

https://oshee.al/portali-i-punesimit/ dhe të aplikojnë në pozicionet e lira, sipas pozicionit ku janë të interesuar.

01 Korrik

Tjetër hap zhvillimi në teknologjinë smart, investim për modernizimin e 11 n/stacioneve

Administratori i OSHEE Group, Enea Karakaçi, firmosi kontratën e investimit për modernizinin e 11 n/stacioneve Tiranë dhe Durrës, në kuadër të projektit “Programi i Investimeve për Shpërndarjen e Energjisë Elektrike I”, financuar nga Banka Gjermane për Zhvillim – KfW.

Ky projekt ka për qëllim të rrisë kapacitetin e Sistemit të Shpërndarjes së Energjisë – OSSH, të reduktojë humbjet si dhe të garantojë sigurinë dhe cilësinë e furnizimit me energji elektrike.

Kontrata është pjesë e Lotit III, dhe ka për qëllim rikonstruksionin e n/stacioneve, adaptimin për të operuar/manovruar online, përmes sistemit SCADA.

Investimi sjell avantazhe për klientët e OSHEE Group, pasi eviton/parandalon avarinë që mund të vijnë nga ngarkesat në rrjetin elektrik, dhe redukton kohën e manovrimit në objekt, pasi veprimet kryhen në distancë.

Aktualisht OSHEE Group është duke zhvilluar disa investime të rëndësishme, përmes OSSH, në sektorin e pajisjeve inteligjente, si në vendosjen e matësave smart në disa rajone të vendit, instalimin e sistemit modern të matjes së energji elektrike, etj.

07 Qershor

Plani i masave për sezonin turistik, OSSH: 24 orë në gatishmëri të plotë me 1128 punonjës në terren

Me nisjen e sezonit turistik, Operatori i Sistemit të Shpërndarjes, OSSH, ka rritur gatishmërinë, duke marrë të gjitha masat për të garantuar furnizimin cilësor me energji elektrike në të gjithë vendin.

Në një takim me drejtuesit e drejtorive rajonale të OSSH-së në të gjithë vendin, zv/kryeministrja, njëherësh ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, theksoi se sipas të gjitha të dhënave, këtë vit, parashikohet të ketë një fluks më të madh vizitorësh, krahasuar me vitet e mëparshme, ndaj dhe angazhimi duhet të jetë maksimal, për të garantuar furnizim të pandërprerë me energji në të gjithë vendin.

Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë shtoi se vëmendja kryesore do të fokusohet përgjatë vijës bregdetare, pa lënë mënjanë edhe zonat malore, ku viteve të fundit ka pasur një zhvillim të madh të turizmit.

Sipas saj, investimet e realizuara për rehabilitimin dhe fuqizimin e nënstacioneve, apo ndërhyrjet për përmirësimin e rrjetit shpërndarës dhe kabinave elektrike, do të ndikojnë në një menaxhim sa më të mirë të situatës.

“Vëmendja kryesore qëndron në Ultësirën Perëndimore, si zona me dendësinë më të madhe të hoteleve dhe njësive tregtare që i shërbejnë turizmit, por nuk duhet lënë pas dore edhe fakti se tashmë kemi njësi hotelerie edhe në zonat malore, të cilat nuk kanë pasur të njëjtën masë investimesh, siç ka pasur Ultësira Perëndimore apo qytetet kryesore.

Ndaj ndoshta atje duhet vëmendje më e shtuar me grupet e punës dhe grupet e gatshme, që duhet të kemi në terren. Koordinimi ka qenë i mirë deri më sot”, tha Balluku.

Administratori i OSSH-së, Blendian Dalipi, bëri një pasqyrim të të gjithë investimeve të realizuara në këto vite për përmirësimin e cilësisë së furnizimit me energji, duke shtuar se gjatë sezonit do të angazhohen në të gjithë vendin 1128 punonjës, për të ndërhyrë në çdo moment ku do të shfaqen problematika.

“Kemi ndërhyrë në 23 nënstacione nëpërmjet remonteve. Kemi remontuar 291 kilometra linjë tensioni të lartë vetëm në bregdet dhe 950 kilometra linjë në totalin e të gjithë aseve që kemi, linja 35 kv. Kemi remontuar 574 kilometra linjë të tensionit të mesëm dhe 131 kilometra linjë të tensionit të ulët, si dhe kemi ndërhyrë në 1252 kabina”, tha Dalipi.

Administratori i OSSH-së theksoi ndër të tjera se janë hapur 30 pika shërbimi, që do të jenë në shërbim të konsumatorëve 24 orë me numrat përkatës.

“Gjatë këtij viti i kemi shtuar këto pika sidomos në zonën e Shëngjinit, Ksamilit, ku nuk i kemi patur sezonin e kaluar dhe i kemi 2-fishuar apo edhe 3-fishuar në rastet kur është e nevojshme”, tha kreu i OSSH-së Blendian Dalipi.

Për shkak të fluksit të lartë të turistëve që pritet të hyjnë në Shqipëri këtë sezon turistik, edhe kërkesat për furnizim me energji elektrike në zonat turistike do të jenë të larta, çka do të sjellë ngarkesë të rrjetit elektrik.

Administratori i OSSH-së u shpreh se, për të përballuar pikun e ngarkesës, janë marrë të gjitha masat dhe, falë punës në terren, jemi optimistë se ky vit do të jetë më i mirë, përsa i përket furnizimit të të gjitha zonave turistike për muajt në vazhdim.

“Kemi përfunduar pothuajse në 99% të zonave turistike, specifikisht, kryerjen e remonteve të plota në linjat e tensionit të lartë, në pajisjet primare e sekonadare të nënstacioneve dhe vazhdojmë me kryerjen e remonteve të thella në linjat e tensionit TM/TU; ku themi se brenda datës 20 qershor do t’i kemi përfunduar edhe ato pak që mund të kenë ngelur.

Kemi kryer shumë remonte profilaktike në kabinat e transformimit së bashku me rehabilitimin e rrjetit shpërndarës TU, sidomos në zonat urbane të hapësirave turistike, jemi fokusuar edhe në disa fenomene që na shoqëruan verën e kaluar, ku mund të përmendin rastin e Sarandës (ku patëm disa probleme me linjat ajrore në qytet, çka nuk ishte aspak gjë e mirë, qoftë për rrjetin, qoftë për për syrin e shumë turistëve të zonës).

Krahas këtyre, i kemi kushtuar një rëndësi të veçantë koordinimit me OST-në. Është shumë thelbësore për ne shpërndarja sa më e balancuar e ngarkesave në rrjet dhe monitorimi i tyre 24 orë, si dhe një bashkëpunim ndërmjet brigadave të përbashkëta për të ndërhyrë në një kohë sa më të shpejtë për të likuiduar ndonjë avari të mundshme”, tha Dalipi.

Edhe drejtues të tjerë të OSSH-së në rajonet Tiranë, Durrës, Shkodër, Vlorë theksuan angazhimin maksimal në terren përmes grupeve të punës dhe mjeteve, që do të jenë gati për të ndërhyrë në çdo rast defekti të shfaqur si pasojë e pikut të ngarkesës së rrjetit; për të rikthyer sa më shpejt energjinë, në çdo zonë që mund të preket nga avaritë.

06 Qershor

Reduktohet me 2 miliardë lekë borxhi ndaj OSHEE Group; kontribut  nga bizneset, por edhe nga familjarët

Detyrimet e qytetarëve, bizneseve dhe institucioneve publike për faturat e papaguara të energjisë elektrike ndaj kompanisë OSHEE Group janë reduktuar me rreth 2 miliardë lekë, gjatë periudhës janar-prill 2024.

Krahasuar me 4-mujorin e parë 2023, kemi një reduktim me 3%; peshën kryesore në zbutjen e borxhit e kanë dhënë subjektet private, si dhe klientët familjarë.

Ofrimi i skemave lehtësuese për shlyerjen e debive të akumuluara ndër vite, është njëra ndër arsyet e zbritjes së vlerës së borxhit që klientët familjar/jofamiljar, buxhetor dhe jobuxhetor kanë ndaj OSHEE Group.

Faktor tjetër janë masat organizative që grupi OSHEE ka ndërmarrë me strukturat e terrenit për “ndjekjen e debitorëve”, por edhe ndërgjegjësimi i abonentëve, nisur nga investimet në rrjetin elektrik dhe përmirësimi i cilësisë së shërbimit në furnizimin me energji elekritike.

Për periudhën janar-prill 2024, të parët  në likuidimin e detyrimeve të prapambetura ndaj kompanisë OSHEE janë klientët privatë, me 14% reduktim të borxhit, ose afërsisht 1.6 miliardë lekë, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2023.

Borxhi ndaj OSHEE i klientëve familjarë zbriti me 2%, kurse borxhi i institucioneve buxhetore me 0.3%.

Në total, borxhi ndaj OSHEE Group, nga të katër kategoritë:   familjar, privat, buxhetor dhe jo-buxhetor, deri në fund të muajit prill 2024 arriti në 78.8 miliardë lekë, nga 80.89 miliardë, që ishte në të njëjtën periudhë në vitin 2023.

Referuar statistikave ndër vite, me zbatimin e reformave në sistemin energjetik dhe mundësive që u ofruan nga kompania për shlyerjen e detyrimeve të prapambetura, përmes kësteve lehtësuese, duke përfituar dhe reduktim të kamatëvonesës, borxhi ka ardhur në rënie.

Në raport me 10 vitet e fundit, kur nisi zbatimi i reformës, kemi reduktim të borxhit me rreth 17 miliardë lekë.

Shuma e prapambetur e detyrimeve ndaj kompanisë OSHEE, pritet të reduktohet më tepër përgjatë këtij viti, me rikthimin e skemës së shlyerjes së debisë për faturat e papaguara të energjisë deri më 31 dhjetor 2022.

Deri më tani, numërohen mbi 1628 aktmarrëveshje të firmosura mes klientëve debitorë familjar/privat, buxhetorë/jobuxhetorë dhe kompanisë OSHEE Group.

Ftojmë klientët tanë të bëhen pjesë e këtij procesi, me qëllim reduktimin e borxhit të akumuluar, përmes skemave  tona lehtësuese të shlyerjes së debisë me këste, duke përfituar reduktim të kamatëvonesave deri në 100 % për biznesin e vogël.

03 Qershor

Nis aplikimi i tarifave të reja për furrat e bukës, Balluku-Karakaçi: Sistemi i ri garanton konkurrencë të drejtë

Me vendimin Nr. 72, datë 15.04.2024, të ERE-s, ka nisur zbatimi i tarifës së re për aktivitetin e furrave të bukës, prodhimit të miellit dhe pastiçerive, të lidhura në tension të ulët. Procesi po ndiqet nga Furnizuesi i Shërbimit Universal (FSHU), në bashkëpunim me Operatorin e Sistemit të Shpërndarjes (OSSH), shoqëri bija të OSHEE Group Sh.A., me qëllim kategorizimin e drejtë të subjekteve, për shërbimin që ofrojnë dhe tarifën që duhet të paguajnë.

Sipas vendimit, tarifat e reja të konsumit të energjisë elektrike, që do të aplikohen nga data 1 maj, janë:

•        Aktivitete Furrë buke 7.6 lekë/kWh

•        Aktivitete Furrë buke – pastiçeri 9.5 lekë/kWh

•        Aktivitete Furrë buke – pasticeri – bar kafe 12 lekë/kWh

Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, njëherësh zv.kryeministre, znj. Belinda Balluku, e konsideron të drejtë dhe të nevojshëm sistemin e ri të tarifimit, pas një amullie disavjeçare, e cila krijoi kushte për abuzime dhe treg jo konkurrues, për një sektor, i cili vitet e fundit ka arritur zhvillime të mëdha.

I shoqëruar nga administratori i OSHEE Group, z. Enea Karakaçi, ministrja Balluku vizioi një nga subjektet e biznesit furrë buke-pastiçeri, në Tiranë, i cili ka të integruar dhe shërbimin bar-kafe. Sipas vendimit të ri, ky aktivitet tarifohet me 12 lekë, dhe jo më me dy fasha: 7.6 lekë për ambjentin furrë bukë dhe pjesa tjetër (pastiçeri-bar kafe) me 14 lekë.

Gjatë takimit me përfaqësuesit e biznesit dhe të shoqatës, ministrja Balluku theksoi se vendimi për kategorizimin e furnizimit me energji do të shmangë abuzimet në terren, të ardhura nga faturimi me 2 kontrata.

“Me vendimin e ri që kemi marrë në dakordësi me shoqatën e prodhimit të bukës dhe brumërave, për këtë subjekt biznesi, faturimi i energjisë për 2 kontratat së bashku do të jetë 12 lekë. Ju do të faturoheni me 9% më shumë, por shoqata juaj ka bërë një punë shumë të mire, pasi ata që përfitojnë nga ky vendim janë furrat e bukës, të cilat do të vijojnë paguajnë 7.6 lekë për kilovatorë. Për ne është shumë e rëndësishme që buka, produkt i shportës, të mos pësojë rritje të çmimit”, tha ministrja Balluku.

Për të shmangur abuzimet nga ana e kompanisë është ndërmarrë një reformë e thellë në FSHU, për moslejimin e fenomeneve që kanë cenuar marrëdhënien e besimit me klientin, theksoi numri dy i qeverisë. Sipas saj, abuzimi ka qenë nga të dyja anët: subjekt-OSHEE, por tashmë ky vendim i jepet fund asaj situate.

Administratori i OSHEE Group, Enea Karakaçi, theksoi se nuk ka patur ankesa lidhur me vendimin e marrë për kategorizimin e faturimit të energjisë elektrike.

“Më të fituarit sigurisht janë furrat e bukës, të cilat aktivitetin e tyre e kanë të fokusuar vetëm te prodhimi i bukës, dhe që do të faturohen me 7.6 lekë. Me vendimin e fundit ne garantojmë konkurrencë të drejtë në treg”, deklaroi administratori  OSHEE Group, i cili shpjegoi më tej fazat e zbatimit të procesit.

“Aktualisht jemi në fazën e kontrollit dhe verifikimit të aktivitetit në terren; deri më tani, procesi po ecën siç e kishim parashikuar. Në datat 5-10 qershor dalin faturat e muajit maj, që do të pasqyrojnë tarifat e reja. Ne do të kemi një fazë të dytë, trajtimin dhe sqarimin për cilindo subjekt që mund të ketë pretendime, ose paqartësi të vogla. OSHEE Group ka marrë të gjitha masat, që të mos ketë kosto shtesë.”, tha administratori i OSHEE Group.

27 Maj

Aktmarrëveshjet me OSHEE, firmosen 1628 kontrata për shlyerjen e debisë, 795 abonentë familjarë përfituan 70 % reduktim kamate

Skemat e reja të aktmarrëveshjeve për shlyerjen e detyrimeve të papaguara të faturave të energjisë elektrike janë mirëpritur nga abonentët të cilëve u është dhënë mundësia ta paguajnë debinë ndaj OSHEE group dhe FSHU me këste lehtëuese mujore.

Prej datës 3 prill kur hyri në fuqi vendimi për aktmarrëveshjet e reja për vitin 2024 dhe deri më 25 maj,  në qendrat e kujdesit ndaj Klientit OSHEE group dhe FSHU, janë firmosur 1628 kontrata në total.

Prej tyre, 795 AKM janë firmosur nga klientë familjarë të cilët kanë paguar njëherësh detyrimin e tyre ndaj OSHEE, duke përfituar 70% reduktim kamate.

Po ashtu, 148 klientë jo- familjarë kanë paguar të gjithë shumën e debisë së akumuluar të faturave të papaguara, duke përfituar reduktim të kamatëvonesave në masën 50%, ndërsa 14 klientë jo familjar/biznes i vogël, kanë paguar të gjithë shumën e borxhit ndaj OSHEE group, dhe kanë përfituar reduktim të kamatës me 100 %.

OSHEE thekson se skemat e aktmarrëveshjeve për vitin 2024, përfshijnë faturat e papaguara të energjisë elektrike deri në 31 dhjetor 2022.

Klientët debitorë që duan të hyjnë në aktmarrëveshje me OSHEE group, duhet të kenë mbyllur ndërkohë detyrimet e krijuara gjatë vitit 2023 dhe në vazhdim, të cilat duhet të jenë likuiduar përpara lidhjes së aktmarrëveshjes së shlyerjes së debisë mes klientit dhe kompanisë OSHEE për periudhat e hershme.

Në skemat tona të aktmarrëveshjeve për vitin 2024, përfshihen gjithashtu edhe detyrimet e papaguara nga faturat; dëmi ekonomik, fatura sistemuese, fatura testim matësi, fatura korrektive, që i përkasin vitit 2023 e në vijim.

Ftojmë të gjithë klientët familjar, jofamiljar e biznes të përfitojnë nga lehtësirat që ofron OSHEE group, duke shlyer debinë me këste dhe duke përfituar reduktim të kamatëvonesave nëse paguajnë me një këst të vetëm detyrimin e faturave të papaguara të energjisë elektrike deri në 31 dhjetor 2022.

14 Maj

Rinisin aplikimet për elektricistë, OSHEE hap 240 vende të reja pune, në fokus të rinjtë deri 35 vjeç

Kompania OSHEE Group ka nisur fushatën e re të rekrutimeve për elektricistë, ku në fokus do të jenë të rinjtë deri në moshën 35 vjeç. Kjo është thirrja e dytë e aplikimeve për 240 vende të reja pune në pozicionet: elektriçist i linjave të tensionit të mesëm dhe të ulët, elektriçist i linjave të tensionit të lartë dhe operator nënstacioni.

Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, së bashku me administratorin e OSHEE-së, Enea Karakaçi dhe administratorin e OSSH-së, Blendian Dalipi, gjatë prezantimit të kësaj nisme, theksuan rëndësinë e procesit të rekrutimeve të reja, që synon rigjenerimin e kompanisë, veçanërisht të punonjësve të terrenit.

“Duke nisur që sot ne hapim një thirrje për vendet vakante të punës, që janë rreth 240, dhe këto vende pune vakante sigurisht duhet të popullohet, por tani me një ndryshim. E patëm thënë këtë në krye të herës, që mos të na paragjykoni, sepse ne do të tërheqim moshat e reja edhe më pas do të vazhdojmë edhe me mosha më të pjekura. Kështu, kjo thirrje shkon deri në moshën 35-vjeçare dhe do të qëndrojë e hapur për një muaj”, u shpreh Balluku.

Duke shprehur mbështetjen për punonjësit e terrenit, të cilët shërbejnë në çdo cep të vendit, pavarësisht vështirësive të motit, ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë Belinda Balluku tha se të rinjtë që i janë bashkuar OSHEE-së dhe do t’i bashkohen edhe në të ardhmen, do të sjellin një frymë të re, duke u gërshetuar edhe me stafet, që shërbejnë pranë kësaj kompanie prej vitesh.

“Unë besoj se, edhe të rinjtë që do vijnë, do të kenë mundësi të sjellin me vete një frymë të re. Një frymë të re, pasi OSHEE është një ndërmarrje e cila rigjenerohet qoftë nga idetë, qoftë nga produktet, qoftë nga reformat edhe nga stafi. Ne i kemi parë frytet e para të një reforme të thellë, që kemi nisur në fillim të vitit të kaluar, dhe pa dyshim do të vazhdojmë me të njëjtin ritëm. Ky është një vit, ku parashikohen shumë investime”, tha Balluku.

Gjatë muajit tetor 2023, OSHEE hapi thirrjen për të afruar dhe punësuar të rinj deri në moshën 25 vjeç për pozicionet elektriçist dhe futurist, të cilët kaluan në një proçes të imtësishëm testimi dhe përzgjedhjeje.

Administratori i OSHEE-së, Enea Karakaçi tha se vetëm gjatë muajit shkurt u punësuan 60 më të mirët në qytete të ndyshme të Shqipërisë: Tiranë, Has, Korçë, Lezhë, Shkodër, Pogradec, Burrel, Peqin etj. Sipas administratorit Karakaçi, këta të rinj u punësuan dhe po trajnohen më tej nga OSHEE Group, që aktualisht është një ndër punëdhënësit më të mirë në treg, përsa i përket menaxhimit, nivelit të pagave dhe mundësisë për zhvillim në karrierë, duke qenë se ka mbi 7 mijë të punësuar.

Administratori Karakaçi theksoi se kompania OSHEE udhëhiqet nga përkushtimi për të ndërtuar një korporatë solide dhe eficiente, ndaj prioritet mbetet punësimi i individëve të kualifikuar, qoftë nga sistemet e arsimit profersional, qoftë nga arsimi universitar.

“Si një punëdhënës i fuqishëm, OSHEE-ja do të përforcojë bashkëpunimin me sistemin arsimor profesional dhe universitar, për të përshtatur kërkesën dhe ofertën tonë për të ardhmen në lidhje me forcat punëtore të kualifikuara. Kjo do të thotë se do të afrohemi ngushtësisht me sistemin arsimor në ndërtimin e programeve të ardhshme për teknikët, elektricistët dhe inxhinierët, në lidhje me nevojat e aftësive dhe numrin e talenteve të nevojshme”, tha administratori i OSHEE Group.

Sipas tij, ky bashkëpunim do të përforcohet më tej me disa programe zyrtare dhe bashkëpunim të ngushtë për kryerjen e praktikave profesionale në OSHEE Group, workshopeve të rregullta në shkolla me profesionistët e OSHEE Group, si dhe me programin Graduate, që do tërheqë ekselentët nga arsimi universitar.

Për t’u bërë pjesë e kësaj fushate rekrutimi, të gjithë të interesuarit mund të paraqesin aplikimet e tyre në adresën e emailit: dbnj@oshee.al.