Fshati i Kaninës, është pjesë e paketës “100 Fshatra”, dhe tashmë 400 abonentë, familjarë dhe biznese, kanë jo vetëm një furnizim më të mirë me energji elektrike por njëkohësisht ky investim ndikon edhe në rritjen e potencialeve turistike të kësaj zone, duke ofruar mundësi për operatorët që ushtrojnë aktivitet në këtë zonë që të shtojnë kapacitetet e tyre.
Në kuadër të mbështetjes së sezonit turistik, veçanërisht në zonat me më tepër potencial, Operatori i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike, në bashkëpunim dhe me Bankën Botërore, ka përfunduar në fshatin e Kaninës, Vlorë, investimin i cili bën të mundur transformimin rrënjësor të furnizimit me energji elektrike.
Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, së bashku me kryetarin e Bashkisë Vlorës, Dritan Leli inspektuan investimin e realizuar, një investim me vlerë 145 milionë lekë, ku u bë e mundur ndërtimi i 7 kabinave të reja, vendosja e mbi 100 shtyllave dhe shtrimi i 5 km kabull tension i ulët me ABC.

“Ne kemi arritur të ulim humbjet e energjisë si pasojë e këtyre investimeve me rreth 7 përqind në këtë zonë. Tashmë i gjithë rrjeti i furnizimit për këtë zonë është 20 kilovolt, me kabina box të reja dhe deri më sot nuk kemi pasur ndërprerje të energjisë elektrike”, bëri të ditur Erjon Osmanaj, drejtori i OSHEE, Vlorë duke shtuar gjithashtu se sipas të gjithë treguesve ka një përmirësim të ndjeshëm të cilësisë së furnizimit për të gjithë abonentët që preken nga ky investim.
Duke sjellë në vëmendje faktin që Kanina është pjesë e projektit të Qeverisë Shqiptare “100 fshatrat”, ministrja Balluku nënvizoi se ky investim shkon në mbështetje të zhvillimi turistik të zonës, ndërsa theksoi se synimi është ofrimi i një shërbimi sa më dinjitoz gjatë gjithë vitit pavarësisht se në zonat bregdetare, veçanërisht gjatë sezonit turistik, rritet ndjeshëm kërkesa për konsum të energjisë elektrike.
“Qyteti i Vlorës ka një kohë turizmi, e cila pak a shumë zgjat nga Prilli deri në Tetor, kështu që ndryshon dhe kërkesa e konsumatorit. Pra rritet në mënyrë të ndjeshme në këto gjashtë muaj. Absolutisht ne po bëjmë të gjitha përpjekjet në të gjitha vendet turistike për të ofruar të njëjtin shërbim si gjatë dimrit ashtu dhe gjatë verës, pavarësisht se kapacitetet rriten shpesh herë edhe më shumë se dyfishi”, u shpreh Balluku.
Për kryetarin e Bashkisë së Vlorës, Dritan Leli investimet në përmirësimin e cilësisë së furnizimit me energjisë elektrike si dhe ato në infrastrukturë janë investime të cilat i pararendin çdo investimi tjetër në fushën e turizmit. “Këto investime janë pararendëse dhe garantuese që çdo gjë tjetër që do të vij në këtë territor do të jetë e një standardi të lartë dhe në fund fare në shërbimin e asaj që ne duam të gjithë që të kemi, turizëm në sa më shumë shtrirje në gjithë territorin e Bashkisë së Vlorës”, tha kryebashkiaku Leli.
Zona e Kaninës furnizohej me rrjet 6kV, ndërtuar 40 vjet më parë, tejet i amortizuar dhe jashtë kushteve teknike. Banorët merrnin energji elektrike me cilësi të dobët përmes kabinave të vendosura në shtylla me mjete rrethanore dhe përbënin rrezik për abonentët. Këto kabina tashmë janë demontuar, duke u zëvendësuar me kabina tip box dhe pajisjet, kurse linja TM nga ajrore 6kV është kthyer në kabllore (nëntokë) me tension 20kV.
OSHEE ka ndjekur me përparësi situatën e furnizimit me energji elektrike në gjithë territorin e vendit dy ditët e fundit.
Reparti i Likuidimet të avarive ka filluar menjëherë nga punimet në terren, duke operuar fillimisht në qarqet me risqet më të mëdha.
Nga OSHEE janë rreth 2200 punonjës dhe 310 automjete në dispozicion të operimit dhe likuidimit të avarive, të organizuar në gatishmëri të plotë 24 orë.
Më 28 korrik u dëmtuan 54 fidra që furnizojnë rreth 57279 abonentë, por brenda 2-3 orësh, edhe në kushtet e motit të keq, u bë e mundur riparimi i 39 fiderave ku një pjese e tyre u stakuan për masë sigurie. Rreth 60% e defekteve janë në linja ajrore, ku një pjesë e mirë e tyre u dëmtuan nga moti i keq.
Pogradec/ Në orën 21:05 u stakua për 10 minuta energjia elektrike me kërkesë të Policisë Pogradec për shkak të rënies se zjarrit tek një banese, deri në sqarimin e rrethanave të incidentit dhe për të parandaluar përshkallëzimin e përhapjes së vatrës së zjarrit. Fideri në fjalë furnizon me energji elektrike të gjithë zonën turistike bregu i liqenit Pogradec.
Himarë/ Në zonën e Himarës në orën 21:45 për shkak të defektit në kabinën Private Lefter Kumi u provokua stakimi i Fiderit 1 Himare. Grupet e gatishmërisë së OSHEE-së lokalizuan defektin me shkëputjen nga rrjeti të kësaj kabine dhe rikthimin e energjisë pas 27 minuta. Grupet punuan për riparimin e defektit në linjën TM që furnizon kabinat private Vasillaq Strakosha, Fotiadhi dhe Sofie Bishe. Kjo pjesë linje TM u dëmtua për shkak të zjarrit dhe lidhjes së shkurtër tek kabulli TU i kabinës Private Lefter Kumi. Edhe në këtë segment u rikthye energjia në orën 23:45.
Falë masave të mara, pavarësisht kushteve të motit, u garantua furnizimi tek te gjithë hidrovorët në rang vendi.
Grupet e OSHEE punuan në kushtet e motit të keq për riparimin e dëmtimit të fiderit 11 Biçukas për shkak të rënies së një peme mbi linjë.
Janë marrë të gjitha masat për të kthyer në normalitet që në orët e para të mëngjesit, të gjithë sektorët e goditur nga moti i keq
Shqetësimet e banorëve të Pogradecit dhe zonave përreth sa i takon cilësisë së furnizimit me energji elektrike kanë marrë tashmë rrugën e zgjidhjes. Operatorit i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike është duke investuar 10 milionë euro në këtë bashki çka do të transformojë cilësinë e furnizimit me energji elektrike për 48 mijë abonentë.
Investimi përfshinë ndërtimin e nënstacionit të ri, vendosjen e 10 fiderave, ndërtimin e 65 kabinave, shtrimin e 42 kilometrave linjë tension i mesën 20 kv , 40 kilometra linjë kabllore me standard të sigurt ABC si dhe vendosjen e 800 shtyllave. Projekti ka nisur në fillim të vitit 2019-të dhe aktualisht po punohet për ndërtimin e 6 fiderave 20 kv.
Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë Belinda Balluku, së bashku me ministrin për Mbrojtjen e Sipërmarrjes, njëkohësisht deputet i zonës së Pogradecit, Eduard Shalsi dhe administratorin e OSHEE, Adrian Çela kanë inspektuar nga afër ecurinë e punimeve.
“I gjithë projekti parashikon 10 fidera dhe përfshin nënstacionin e ri që do bëhet në qytetin e Pogradecit. Jemi duke implementuar 6 fidera dhe 4 fiderat e tjerë do të implementohen bashkarisht me nënstacionin. Ky investim përfundon plotësisht me bërjen e nënstacionit, për të cilin është përfunduar projekti, fillon vitin e ardhshëm sepse ne këtë vit identifikuam terrenin dhe proces të tjera. Në vitin 2020 fillon nënstacioni i ri dhe në 2021 përfundojnë të 10 fiderat”, bëri të ditur administratori i OSHEE, Adrian Çela.
Nga ana e saj, ministrja Belinda Balluku theksoi se ky investim garanton rritjen e sigurisë së shpërndarjes së energjisë elektrike duke ulur humbjet teksa shtoi se ajo që është më e rëndësishme është që ky projekt mbulon nevojat e qytetit për 35 vitet e ardhshme.
“Është një investim i cili do të rrisë sigurinë e shpërndarjes së energjisë elektrike, çka është shumë e rëndësishme për ne, sepse si rrjedhojë kemi dhe uljen e humbjeve në rrjet. Dhe nga ana tjetër i gjithë ky investim parashikon që të jetë një investim që mbulon nevojat e qytetit për disa dekada, minimalisht për 35 vitet e ardhshme dhe kjo është shumë e rëndësishme. Fakti që rrjeti i amortizuar i qytetit të Pogradecit por jo vetëm, pra i zonave Tushemishtit dhe Drilonit, tashmë po rikonstruktohet dhe po riorganizohet në mënyrën më moderne, padyshim është një nga investimet më të mira të OSHEE-së”, u shpreh ministrja Balluku.
Për deputetin Eduard Shalsi ky është një investim i shumë pritur nga ana e qytetarëve të Pogradecit dhe që do të hap një kapitull të ri sa i takon furnizimit me energji elektrike për të gjithë banorët e kësaj bashkie.
“Lajm i mirë është që do kemi dhe nënstacionin, kështu që Pogradeci mund të marrë frymë lirisht tani. Ka garanci. Pra gjithë mirënjohjen dhe falënderimet tona edhe në emër të qytetarëve të Pogradecit, mezi e kemi pritur këtë investim sepse vjen në një moment ku ne kemi hapur një kapitull të ri për qytetin”, deklaroi deputeti Shalsi.
Për më shumë se 40 vite në rrjetin e shpërndarjes së energjisë elektrike në Bashkinë e Pogradecit nuk ishte bërë asnjë ndërhyrje duke sjellë një amortizim të rrjetit. Kompania e cila aktualisht po kryen punimet ka hartuar një plan masash në mënyrë që të mos krijojë pengesa për mbarëvajtjen e sezonit turistik.
Operatori i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike, OSHEE sh.a është duke ndjekur me përparësi furnizimin me energji elektrike të të gjithë konsumatorëve nëpërmjet rrjetit shpërndarës të energjisë elektrike nga Drejtoria e TL dhe Drejtoritë Rajonale përkatëse.
Për shkak të motit jo të qëndrueshëm, me erëra të forta që ka përfshirë vendin gjatë natës së mbrëmshme dhe në vazhdim, janë dëmtuar disa linja të Tensionit të Mesëm.
Rajonet më të prekura nga defektet janë Burreli, Shkodra dhe Durrësi (zona e Krujës).
Siç shihet nga pamjet, stuhia e natës shkaktoi rrëzim të pemëve mbi përcjellësit elektrik, duke i këputur ato.
Rrjeti është dëmtuar edhe nga materiale të forta për shkak të stuhisë (rasti në Tale-foto).
Problematike paraqitet situata edhe në Lezhë.

Zyrat Rajonale të Operatorit të Shpërndarjes së Energjisë Elektrike në qytetin e Korçës tashmë kanë një pamje dinjitoze duke krijuar kushte dhe standarde më të mira si për punonjësit, ashtu edhe për qytetarët të cilët paraqiten pranë këtyre zyrave për të marrë shërbimet.
Në saj të një investimi me vlerë prej 60 milionë lekësh u bë e mundur rikonstruksioni i godinës duke përfshirë zyrat si dhe pajisjen e tyre me logjistikë krejtësisht të re. Ky investim ka bërë të mundur që tashmë shërbimet të ofrohen në një godinë të vetme duke bërë që qytetarët të evitojë lëvizjet nëpër disa zyra.
Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, së bashku me administratorin e Operatorit të Shpërndarjes së Energjisë Elektrike, Adrian Çela, inspektuan ambientet e reja të godinës e cila tashmë është në funksion të plotë.
Ministrja Balluku tha se investimi në fjalë përmirëson kushtet e punës për punonjësit e kësaj zyre në mënyrë që të arrijnë objektivat e vendosura, por njëkohësisht do të bëjnë të mundur që qytetarët të marrin një shërbim më me cilësi.
“Është një investim 60 milionë lekësh i OSHEE-së, dhe çfarë është më e rëndësishme, sot të gjithë punonjësit e këtij rajonit, dhe Agjencisë që mbulon Korçën dhe Agjencinë Rajonale, janë në kushte optimale kështu që ne presim nga ana e tyre që rendimenti të jetë akoma dhe më i lartë dhe të arrihen objektivat e vendosura”, u shpreh ministrja Balluku.
Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, bëri të ditur gjithashtu se së shpejti do të vihet në funksion edhe dispeçeri, sipas modelit SCADA, e cila bën të mundur monitorimin dhe operimin online të rrjetit të shpërndarjes.
“Presim që shpejti të ketë edhe instalimin e SCADA-ës, pjesës teknologjike të ndjekës së sistemeve, që është e instaluar si në qendër në Tiranë por dhe në disa qytete të tjera, që do të ndihmojë ndjekjen e proceseve teknike në rajonin e Korçës, i cili është një rajon shumë i rëndësishëm dhe që ka vëmendjen e qeverisë, qoftë përsa i përket zhvillimit industrial, atij turistik duke qenë se është një nga rajonet që përfshinë dy qytete të rëndësishme siç është Korça dhe Pogradeci, por dhe zona të tjera rurale të cilat kanë potencial të madh zhvillimi turistik, bujqësor dhe industrial”, nënvizoi Balluku.
Në godinën e rikonstruktuar janë të vendosura Zyrat e Drejtorisë Rajonale, Agjencia Korçë, dispanceria, magazina si dhe qendra e kujdesit ndaj klientit, të cilat më herët ishin të shpërndara në pika të ndryshme të qytetit dhe të vendosura në ambientet të marra me qera nga ana e OSHEE.

Investimet e realizuara nga Operatori i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike në qytetin e Sarandës, por edhe në zonën bregdetare përreth, kanë bërë të mundur jo vetëm përmirësimin e cilësisë së furnizimit me energji elektrike për banorët por njëkohësisht duke garantuar edhe një furnizim të pandërprerë me energjisë gjatë sezonit turistik ku rritet ndjeshëm ngarkesa në rrjet si pasojë e numrit të madh të turistëve që vizitojnë jugun e vendit.
Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku inspektoi një prej investimeve të realizuara së fundmi ku në Sarandë në tre vitet e fundit OSHEE ka investuar afro 700 milionë lekë duke përfshirë ndërtimin e tre fiderave të rinj me rrjet 20 kV, ndërtimin e disa kabinave si dhe shtrimin e kabullit ABC.
Drejtori i OSHEE për rajonin Gjirokastër, Robert Lili, bëri të ditur planin e masave të marra sa i takon mbarëvajtjes së sezonit turistik në zonën bregdetare të Sarandës. “Kemi marrë masat, meqë jemi në prag të sezonit veror, për të mos munguar as një minutë energjia në gjithë bregun në zonën turistike të Sarandës. Kemi ngritur grupin 24 orë të gatishmërisë dhe e kemi shpërndarë duke filluar që nga Borshi, Saranda dhe Ksamili që është zona bregdetare e Sarandës për të qenë në gatishmëri të plotë për eliminimin në kohë rekord të çfarëdolloj defekti dhe kryesisht jemi përqendruar në parandalimin e ndodhjes së defekteve. Çdo ditë masim ngarkesat e çdo kabine për të bërë shpërndarjen e duhur që të mos kemi asnjë defekt, asnjë avari për të përballuar me sukses të gjithë sezonin”, u shpreh Lili.
Nga ana e saj, ministrja Balluku e vuri theksin tek rëndësia për t’i ofruar banorëve dhe pushuesve të shumtë që vizitojnë Sarandën dhe bregdetin e saj gjatë verës një furnizim të pandërprerë me energji elektrike por edhe me cilësi. Balluku tha se investimet e bëra në Sarandë por edhe Ksamil janë garanci për të përballuar ngarkesën e madhe në këtë zonë në muajt e verës.
“Është shumë e rëndësishme që gjatë sezonit të mos ketë ndërprerje. Sigurisht ngarkesa është shumë më e madhe pasi vizitorët këtu tejkalojnë dhe numrin e banorëve. Ju jeni të impenjuar për ta bërë këtë megjithatë përmes investimeve të reja ne kemi bërë shumë ndryshime sidomos ato që janë bërë në zonën e Sarandës qytet dhe zonën e Ksamilit dhe gjithçka kemi parashikuar për të ardhmen”, nënvizoi Balluku.
Në saj të investimeve të realizuar, në qytetin e Sarandës por edhe zonat përreth, janë ulur ndjeshëm humbjet në rrjet. Në vitin 2013 humbjet në rrjet ishin në nivelin e 44 përqind ndërkohë që muajin e muajin e kaluar ishin 11 përqind. Ndërsa në bazë vjetore humbjet në rrjet në Sarandë janë në nivelin e 14.7 përqind.
Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë Belinda Balluku ka firmosur udhëzimin për miratimin e procedurës së lehtësuar të autorizimit për lidhjen në sistemin e shpërndarjes të projekteve të vogla të rinovueshme për vetëprodhuesit e energjisë elektrike nga dielli. Lajmin për firmosjen e këtij udhëzimi e ka bërë të ditur vetë Balluku gjatë një takimi që zhvilloi me prodhuesit e energjisë së rinovueshme fotovoltaike.
Gjatë takimit, ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë e ka cilësuar miratimin e këtij akti si një fjalë të mbajtur, i cili vjen pas afro tre muajsh nga interpelanca që prodhuesit e energjisë fotovoltaike zhvilluan në platformën e bashkëqeverisjes shqipëriaqëduam.al, ku ngritën shqetësimin e tyre për mungesën e këtij udhëzimi.
Ka qenë një proces kompleks deri në hartimin e këtij akti, u shpreh ministrja Balluku, teksa bëri të ditur se janë zhvilluar një sërë takimesh të përbashkëta me grupet e interesit ku ka pasur një numë të madh propozimesh dhe komentesh sa i takon hartimit të udhëzimit.
“Ky është një proces që ka nisur dhe ju janë hapur të gjitha mundësitë tashmë për të pasur një shkëmbim mes jush dhe OSHEE-së. Po nga ana tjetër duhet të kuptojmë që metodologjia dhe gjithçka tjetër janë procese që do të vazhdojnë kështu që bashkëpunimi jonë nuk mbaron këtu me nxjerrjen e këtij akti. Ju duhet të jeni të angazhuar dhe të jeni pjesë e grupeve tona të punës për të pasur rezultate të cilat janë të kënaqshme si për ministrinë ashtu për distributorin, për OSHEE-në dhe absolutisht dhe për ju”, theksoi Balluku.
Nga ana e tyre prodhuesit e energjisë së rinovueshme fotovoltaike falënderuan ministren Balluku për hartimin dhe miratimin e këtij udhëzimi.
Udhëzimi parashikon që një shoqëri e vogël ose e mesme, apo një klient familjar mund të instaloje një kapacitet total deri në 500 kWp për vetëprodhimin e energjisë elektrike nga dielli teksa theksohet se fuqia e instaluar e impiantit PV për prodhimin e energjisë elektrike nga dielli, për çdo pikë lidhjeje ose/apo konsumator, do të llogaritet mbi bazën e orëve të punës në pik të prodhimit të energjisë elektrike nga ky impiant, por në asnjë rast nuk duhet të kalojë fuqinë e kërkuar.
Gjithashtu, udhëzimi parashikon lehtësim sa i takon procedurave të aplikimit ku në momentin e vënies në punë të sistemit PV, vetëprodhuesi duhet të njoftojë me shkrim OSHEE, duke i venë në dispozicion Kopje të miratimit të aplikimit dhe procesverbalin e kolaudimit dhe instalimit të sistemit të matjes për të dy matësat inteligjent, kopje Origjinale të akt – kolaudimit të sistemit, firmosur nga projektues të licencuar për impiante të prodhimit të energjisë elektrike të rinovueshme nga dielli, manualet dhe skedat teknike të produkteve të sistemit PV siç janë panelet, inverterat, kabllot, etj si dhe të dhënat e aksesimit online në platformën e monitorimit të sistemit.


Një tjetër investim strategjik i Operatorit të Shpërndarjes së Energjisë Elektrike në nënstacionin e Plasmasit është drejtë përfundimit dhe që do të ndikojë në përmirësimin e cilësisë së furnizimit me energji elektrike në tre sektorë mjaftë të rëndësishëm në qytetin e Lushnjes.
Bëhet fjalë për ndërtimin e dy fiderave të rinj 20 kilovolt, shtrirjen prej 40 kilometrash rrjet kabllor ABC si dhe ndërtimin e 23 kabinave të reja. Ky investim siguron një furnizim më të mirë me energji elektrike për spitalin e Lushnjes, zonën industriale si dhe do të ketë një impakt tek fermerët duke mbështetur zhvillimin e mëtejshëm të bujqësisë.
Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku u njoh nga afër me ecurinë e punimeve si dhe me impaktin që ato pritet të kenë tek banorët dhe bizneset që preken.
“Aktualisht punimet janë drejt përfundimit të dy fiderave të rinj 20 kilovolt që mbulojnë përkatësisht zonën e Lushnjes jugore e cila e ndarë në disa zona bëhet fjalë për pjesën e rëndësishme të spitalit të Lushnjes, një pjesë e qendrës pranë spitalit, zonën industriale që është në zhvillim të rrugës qendrore dhe pjesën e lagjes Karbunarë-Lushnje. Kjo lagje përveçse impaktit te banorët jep impakt edhe në zhvillimin e bujqësisë në sera dhe pompa vaditje që kanë banorët e zonës”, bëri të ditur drejtori i OSHEE Lushnje, Krenar Haxhiu.
Nga ana e saj, ministrja Belinda Balluku duke ju referuar investimit në fjalë solli në vëmendje faktin e mungesës së investimeve në infrastrukturën energjetike në këtë zonë, duke theksuar se ky fakt e bën edhe më të domosdoshëm investimin.
“Investimet që ne bëjmë janë investime të studiuara dhe për më tepër janë investime që vijnë si rrjedhojë e mungesave që ne kemi pasur në infrastrukturën e energjisë elektrike dhe detyrimisht është diçka që ka qenë e domosdoshme. Të gjitha investimet që ne bëjmë bëhen për fusha strategjike siç përmendëm dhe bashkë, pra industrinë, agrikulturën, pra bujqësinë apo qoftë dhe shëndetësinë në rastin e Lushnjes që është i lidhur me këtë nënstacion”, u shpreh Balluku.
Nga këto investime përfitojnë afro 4500 abonentë ndërsa krahas përmirësimit të furnizimit me energji, këto investime do të bëjnë të mundur edhe uljen e humbjeve në rrjet.
“Diversifikimi i Energjisë, Burimeve të Rinovueshme dhe Efiçencës së Energjisë”, ishte tema e Forumit të Kartës Ndërkombëtare të Energjisë, presidencën e së cilës për këtë vit e mban Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, ndërsa të pranishëm ishin përfaqësues nga të gjitha vendet anëtare. Përmes disa paneleve u trajtuan çështje të cilat lidhen me objektivat e kartës së Energjisë.
Në fjalën hapëse, Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, duke uruar mirëseardhjen në Tiranë të vendeve anëtare pjesë e forumit, theksoi se zhvillimi i Forumit të Konferencës së Kartës së Energjisë 2019 nën presidencën shqiptare është një nga ngjarjet më të rëndësishme për sektorin e energjisë në Shqipëri dhe për Ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjisë veçanërisht.
“Prioritetet e presidencës shqiptare, që reflektojnë dhe parimet dhe objektivat e Kartës së Energjisë, janë ndërlidhja me rrjetet rajonale të energjisë, krijimi i një tregu energjetik konkurrues, inkurajimi i procesit të tranzicionit të energjisë mbështetur në rritjen e kapaciteteve të gjenerimit të saj nga burime të rinovueshme si dhe modernizmi i traktatit të Kartës”, u shpreh Balluku duke shtuar se në fokus të këtij mandati mbetet edhe zgjerimi i vazhdueshëm i Kartës nëpërmjet anëtarësimit të vendeve të reja.
Duke u ndalur tek Shqipëria, Balluku nënvizoi se prioritet mbetet diversifikimi i burimeve për prodhimin e energjisë në vend. “Shqipëria ka vendosur si prioritet të parë të saj diversifikimin e burimeve për prodhimin e energjisë në vend duke u bazuar në potencialet kombëtare por dhe ato rajonale e më gjerë. Në prodhimin e energjisë elektrike Shqipëria vazhdon të mbetet një vend 100% prodhues nga burime të rinovueshme dhe ndoshta është i vetmi i tillë në Europë. Nxitja dhe mbështetja e qeverisë shqiptare si nga ana ligjore dhe ajo ekonomike i investimeve në energjinë e rinovueshme do të rrisë treguesit e diversifikimt dhe do të përmirësojë sigurinë energjetike në vend, shoqëruar kjo me pritshmërinë e lartë mbi rolin stabilizues të Shqipërisë në rajon”, deklaroi Balluku.
Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë vlerësoi hartimin dhe publikimin e përvitshëm të raportit mbi vlerësimin e riskut të investimeve në energji duke theksuar se ky raport është një instrument i vyer i cili i shërben politik bërësve dhe investitorëve për vlerësimin e politikave, identifikimin e barrierave penguese dhe forcimin e kuadrit rregullator me qëllim përthithjen e investimeve në energji dhe reduktimin e pengesave për realizmin e tyre.
Mbajtjen e Forumit të Kartës Ndërkombëtare të Energjisë në Tiranë e përshëndeti edhe ministri i Turizmit dhe Mjedisit, Blendi Klosi si dhe Sekretari i Përgjithshëm i Kartës Energjetike Urban Rusnák.
Ndërhyrjet në infrastrukturën elektro-energjitike, me synim rritjen e cilësisë së furnizimit me energji elektrike të zonave rurale dhe krijimin e kushteve sa më të mira për banorët, por edhe për turistët e huaj, kanë ndikuar pozitivisht gjithashtu në mbështetje të industrisë së turizmit.
Një ndërhyrje e tillë, me një investim të rëndësishëm është kryer nga Operatori i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike në rrjetin elektrik në Qarkun e Beratit, i cili garanton jo vetëm cilësi në furnizimin me energji, por redukton edhe humbjet në rrjet.
Nga ky investim përfitojnë rreth 500 abonentë përfshi edhe fshatit Roshnik, i cili është pjesë e projektit “100 fshatrat”, të hartuar nga qeveria shqiptare me synim nxitjen dhe zhvillimin e turizmit në këto zona.
Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku ishte në nënstacionin elektrik të Uznovës ku u njoh nga afër me investimin e realizuar.
Drejtori i OSHEE për rajonin Berat, Indrit Toska bëri të ditur se krahas ndërtimit të Fiderit të ri 20 kv është bërë e mundur edhe ndërtimi i rrjetit të tensionit të ulët.
“Sapo kemi mbaruar investimin e fiderit 20 kilovolt që shtrihet në Roshnik. Është një investim totalisht i OSHEE-së me vlerë 67 milionë lekë nga i cili preken 500 abonentë dhe shtrirja ka mbaruar edhe me kabullin ABC, që është kabulli i tensionit të ulët që rrit perfomrancën e cilësisë së furnizimit me energji elektrike dhe redukton humbjet e energjisë”, u shpreh drejtori i OSHEE për rajonin Berat.
Nga ana e saj, ministrja Belinda Balluku tha se edhe ky investim është në vazhdën e atyre të mëparshëm të kryer nga ana e OSHEE-së me qëllim nxitjen e turizmit në zonat turistike apo në zonat e planifikuara për të qenë të tilla në të ardhmen.
“Ajo që ne vlerësojmë në investime të tilla është mënyra strategjike si ata janë zhvilluar.
Ky investim ndikon në jetën e 500 abonentëve, thënë ndryshe, 500 familjeve në zonën e Roshnikut i cili është një nga fshatrat e paketës së 100 fshatrave. Pra ky investim jo vetëm përmirëson cilësinë e jetesës së banorëve por ndihmon dhe nxit paketën turistike të 100 fshatrave. Kjo është diçka që ne e aplikojmë përgjatë investimeve tona në OSHEE pikërisht për të nxitur strategjinë e turizmit në zonat turistike apo në zonat të cilat janë planizuar për të qenë të tilla në të ardhmen”, u shpreh Balluku.
Duke u ndalur tek investimet e realizuara nga ana e OSHEE në qarkun e Beratit, ministrja Balluku theksoi se kryesisht në vitet e fundit ato kanë qenë të përqendruar në zonat rurale, të cilat ka qenë zona që ka pasur më shumë nevojë për t’u investuar, por sigurisht pa lenë jashtë vëmendjes dhe qytetet.








