Njësia e projekteve të huaja në OSHEE Group, në bashkëpunim me bankën KfË, do të nisë procedurën e prokurimit ndërkombëtar për projektin “Programi i investimeve në Shpërndarjen e Energjisë I”.
Ky projekt i vjen në ndihmë OSHEE Group, të forcojë strukturën organizative dhe funksionimin e tij, për të mbështetur zgjerimin dhe modernizimin e sistemit elektrik të Shqipërisë.
Kjo përpjekje trajton nevojën e vendit për infrastrukturë të përmirësuar të energjisë elektrike dhe efikasitet më të madh të energjisë, në kuadër të Programit të investimeve në Shpërndarjen e Energjisë I.
Programi pritet të përfundojë 3 komponentët e tij të parë deri në fund të vitit 2026, të cilët përfshijnë modernizimin e sistemit SCADA, përmirësimet në sistemet e shpërndarjes dhe dispecimet, ndërtimin e nënstacioneve të reja dhe zgjerimin e rrjetit të tensionit të mesëm.
OSHEE Group fton të gjitha kompanitë e interesuara të marrin pjesë në tenderin ndërkombëtar për projektin “Programi i investimeve në Shpërndarjen e Energjisë I”.
Klikoni këtu për të parë thirjen e hapur për procedurën e prokurimit ndërkombëtar
Nga data 1 shkurt 2025, mbi 1 milion abonentë që konsumojnë deri në 700 kWh dhe që përbëjnë 95% të abonentëve të OSHEE, do ta paguajnë më lirë energjinë elektrike.
Sipas vendimit që tashmë është aprovuar dhe nga Enti Rregullator i Energjisë, çmimi i energjisë elektrike në Republikën e Shqipërisë nga 9.5 lekë për kilovat orë do të shkojë në 8.5 lekë për kilovat-orë për fashën nga 1-700 kilovat orë dhe 9.5 lek për konsumin mbi 700 kilovat orë.
Në një konferencë të përbashkët për mediat, kryeministri Edi Rama së bashku me zv/kryeministren dhe njëherësh ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, deklaruan se kjo është ulja e parë e çmimit të energjisë elektrike pas 35 vitesh.
Kryeministri Rama theksoi se vendimi për uljen e çmimit të energjisë elektrike, erdhi si pasojë e një transformimi epokal të sektorit energjetik, rritjes së kapaciteteve prodhuese dhe menaxheriale të tij.
“E kemi gjetur sektorin në një katastrofë të nivelit botëror, të krahasueshme vetëm me vende që ne nuk e dimë ku janë, por që nuk kishte asnjë lidhje me Evropën ku jetojmë dhe ku niveli i humbjeve për shkak të vjedhjeve haptazi ditën për diell, me bekimin elektoral të qeverisë dhe patjetër edhe me ndihmën e injorancës dhe të paaftësisë qeverisëse, shkonte afro 50%”, u shpreh kryeminstri Edi Rama.
Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku sqaroi se “ulja e çmimit korrespondon me 3.1miliardë lekë në vit, që nga OSHE-ja, shkon në lehtësim për familjet shqiptare, ndërkohë që kursimi maksimal është për 1 abonent, rreth apo mbi 100 euro në vit”.
“Ne kemi arritur të konsolidojmë performancën e OSHEE duke pasur dy elementë të rëndësishëm, normën e arkëtimit gjithmonë në rritje dhe humbjet teknike, gjithmonë në ulje. Kjo na dha mundësi dhe hapësirë fiskale për uljen e çmimit”, u shpreh ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku.
Ministrja Balluku sqaroi se nuk bëhet fjalë për vendosjen e një fashe, pasi në të shkuarën në vitet 2005, 2006-2013, fasha e aplikuar për konsumin 201-300 kWh prekte vetëm 10.5% ose 120874 abonentë, ndërkohë që nga vendimi i ri përfitojnë 1 milion e 70 mijë abonentë.
Vendimi për uljen e çmimit të energjisë hyn në fuqi për periudhën 1 shkurt deri në 31 dhjetor 2025.
OSHEE Group më pranë qytetarëve, tashmë me një shërbim 24 orë përmes Call Center-it.
Zv/kryeministrja dhe ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, e shoqëruar nga administratori i OSHEE group, Enea Karakaçi, vlerësoi nismën e re të ndërmarrë nga kompania për të qenë në shërbim të qytetarit 24 orë, në 7 ditë të javës.
Ministrja Balluku ftoi qytetarët t’i drejtohen Call Center-it të marrin çdo informacion që iu nevojitet, për të bërë një kërkesë, për të adresuar një ankesë, ose për të raportuar mungesën e energjisë.
“Ajo që është më e rëndësishme për funksionimin e shërbimit, është modernizimi më tej i Call Center-it, duke monitoruar dhe regjistruar kohën e pritjes së klientit”, tha ministrja Balluku.
Zv/kryeministrja Balluku nënvizoi rëndësinë e transparencës së shërbimit ndaj klientit, që gjithçka ata thonë të regjistrohet e të mbetet në arkivat tona, për t’u dhënë zgjidhje problematikave të adresuara.
Balluku ka reaguar dhe për lajmin e shpërndarë nga disa media për rritje të çmimit të energjisë për furrat e bukës.
Ajo theksoi se Drejtoria e Tatimeve po kryen kontrolle, për të parë, nëse aplikohet çmim abuziv i bukës për shkak të sistemit të ri të tarifimit të konsumit të energjisë për këtë kategori.
“Qeveria ka vendosur ta subvencionojë energjinë për furrat e bukës. Sa u përket ëmbëltoreve, kemi faturuar 9.5 lekë për kilovat orë, gjithashtu një çmim i subvencionuar; ndërkohë për bar-kafetë e kemi vendosur 12 lekë, duke krijuar një treg i cili favorizon bukëpjekësit dhe duke u dhënë mundësinë edhe dy njësive të tjera, bukës dhe ëmbëltores e bar kafesë, që të kenë çmime favorizuese”, tha Balluku.
Nga ana tjetër, zv/kryeministrja Balluku tha se prej kohësh po punohet me OSHEE-KESH-OST- për të vlerësuar një ulje të energjisë elektrike, duke nisur nga 1 janari i vitit 2025.
“Jemi në punë e sipër, në analizë e sipër, por jemi të sigurt që do t’ia dalim, që duke optimizuar proceset teknike dhe financiare të kompanive tona, ne të kemi mundësi nga 1 janari t’iu ofrojmë qytetarëve shqiptarë një çmim më të mirë për energjinë elektrike”, u shpreh ajo.
Administratori i OSHEE Group Enea Karakaçi u ndal tek ecuria e shërbimit Call Center për 24 orë, ku vetëm në ditët e para u regjistruan 50 telefonata, çka tregoi se ka interes nga qytetarët.
“Ne kemi depozituar kërkesën pranë AKEP-it për marrjen e një numri 3 shifror për të qenë më i aksesueshëm për klientin. Nga ana e specialistëve tanë është shkurtuar koha e pritjes së klientit në telefonatë, pasi dhe eleminimi i avarive në terren është reduktuar, çka ka ndihmuar Call Center të informojë sa më shpejt për situatën e defekteve”, u shpreh administratori i OSHEE Group Enea Karakaçi.
Me digjitalizimin e disa shërbimeve, çdo klient i OSHEE që ka akses në internet, mund të shmangë paraqitjen në sportelet e Kujdesit të Klientit, duke evituar kohën e gjatë dhe burokracitë.
Administratori i OSHEE Group Enea Karakaçi tha se nga data 15 tetor, është rritur fluksi i aplikimeve për dy shërbimet online që ofrohen përmes aplikacionit të OSHEE-së dhe faqes zyrtare të kompanisë në internet.
“Nga data 15 tetor janë tërhequr online 2100 vërtetime debie dhe janë depozituar rreth 600 aplikime për lidhje të re të energjisë.
Edhe në këtë pikë, roli i Call Center-it është i rëndësishëm pasi orienton klientët drejt faqes zyrtare të kompanisë dhe aplikacionit të OSHEE për shërbimet digjitale”, shtoi administratori Karakaçi.
Stafi i Call Center është trajnuar për t’iu përgjigjur saktë e me korrektesë problematikave që referohen përmes numrit të telefonit, 042274141 dhe chatbox-it, ose adresave të kontaktit: ankesajuaj@oshee.al dhe kujdesi_abonentit@oshee.al
Aplikacioni i ri i OSHEE Group është hapi i radhës që po zbatojmë në kuadër të digjitalizimit të shërbimit për klientët.
Aplikacioni OSHEE është projektuar për të ofruar një shumëllojshmëri funksionalitetesh, që u mundësojnë konsumatorëve të kryejnë operacione të ndryshme në mënyrë të thjeshtë, të shpejtë dhe transparente.
Ky aplikacion mund të shkarkohet lehtësisht nga çdo aparat celular në Play Store apo App Store dhe klientët mund të marrin shërbimet e dëshiruara.
Klientët mund t’i shohin faturat e tyre mujore, si edhe të kryejnë pagesat direkt nga aplikacioni, pa patur nevojën të shkojnë në zyrat KNK. Në çdo kohë mund të kontrollojnë dhe të vërtetojnë debinë në sistem, për t’u siguruar që janë në rregull me pagesat dhe për të shmangur ndërprerjen e furnizimit me energji elektrike; si edhe të lidhin një akmarrëveshje për t’i paguar me këste detyrimet e prapambetura. Dyshimin për keqfaturim, klienti mund ta përcjellë fare thjesht online, në web ose në aplikacion. Pas përfundimit të ankesës ose kërkesës, klienti mer një kod, me të cilin mund të ndjekë ecurinë e procesit, deri në marrjen e përgjigjes përfundimtare.
Prioritetet e aplikacionit
Klientët mund të marrin njoftime të rëndësishme për ndërprerjet e planifikuara, mirëmbajtjet apo ndryshimet në shërbime, përmes informacioneve të dërguara direkt në aplikacion.
Në rast se hasin ndonjë problem me furnizimin e energjisë elektrike, mbifaturim apo ankesa të tjera, klientët mund të raportojnë menjëherë dhe të marrin informacione mbi statusin e zgjidhjes së problemit.
Po ashtu, klientët mund të kontaktojnë me shërbimin e klientit në çdo moment përmes aplikacionit për çdo pyetje apo problem të mundshëm.
Përmes aplikacionit, klientët mund t’i gjejnë lehtësisht pikat më të afërta të shërbimit OSHEE, për çdo nevojë pranie fizike.
Vetëm online
Është e rëndësishme të nënvizojmë se prej datës 15 tetor, vërtetimi i debive dhe aplikimi për lidhje të re të energjisë për fuqi të kërkuara deri në 20Kw, do të ofrohen vetëm online. Kjo masë nxit përdorimin e platformave tona, rrit transparencën, ndan përgjegjësitë mes palëve, shmang burokracitë dhe eviton veprimet abuzive.
Në çdo rast, klientët mund të konsultohen për veprimet që duan të ndërmarin me specialistët tanë kudo që ndodhen në qëndrat e Kujdesit ndaj Klientit. Në rang vendi numërohen rreth 100 pika shërbimi, që janë të hapura çdo ditë nga ora 08:00 deri në 20:00 (e diela, pushim).
Dokumentacioni
Risi në marrëdhënien me klientët tanë është reduktimi i dokumentacionit, duke e lehtësuar më tej procesin e hapjes së kontratës së furnizimit me energji elektrike, me fuqi të instaluar deri në 20Kw.
Klienti mund të aplikojë me formular vetëdeklarimi, i cili zëvendëson një sërë dokumentash, tashmë të panevojshëm, si:
Genplani i vendodhjes
Deklaratë instaluesi
Protokoll tokëzimi
Fotokopje e çertifikatës së regjistrimit
Më parë, këto dokumente ishin të detyrueshme, por tashmë nuk e kuzhtëzojnë më procesin, pasi janë lënë në vullnetin e lirë të aplikantit gjatë plotësimit të vetëdeklarimit.
Për të gjitha sa më lart, duhet mbajtur parasysh faktin se: shërbimet online përmes web-it të oshee.al dhe aplikacionit, u jepen vetëm titullarëve të kontratës, të cilët zotërojnë username dhe password për të hyrë në sistem.
OSHEE Group Sh.A. dhe BERZH kanë shpallur hapjen e garës për ndërtimin e Nënstacionit 110/20kV Qendër Tiranë.
Detajet e njoftimit për zhvillimin e procedurës së hapur ndërkombëtare janë publikuar në faqet zyrtare të internetit të institucioneve përkatëse, sipas të cilit ftohen shoqëritë e interesuara të sjellin ofertat për realizimin e projektit strategjik.
Ndërtimi i nënstacionit vjen si fazë përfundimtare pas vlerësimeve të shumta nga konsulentë ndërkombëtarë dhe si fryt i bashkëpunimit të ngushtë mes drejtuesve të grupit OSHEE dhe institucionit të njohur financiar: Banka Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim.
Realizimi i investimit vjen në kuadër të Marrëveshjes së Kredisë, të firmosur nga OSHEE Group, dhe Marrëveshjes së Garancisë. të aprovuar nga qeveria shqiptare.
Nënstacioni “Qendër” parashikohet të jetë një vepër bashkëkohore, i ndërtuar nëntokë dhe me parametra të sigurtë të furnizimit me energji elektrike, përmes tre transformatorëve me fuqi 40/50MVA, që do t’u shërbejë rreth 140 mijë banorëve të kryeqytetit. Referuar afateve në marrëveshje, punimet për ndërtimin e nënstacionit përfundojnë në vitin 2028.
Ofrimi i një rrjeti cilësor të shpërndarjes së energjisë elektrike në zonat e reja të banimit është në fokus të investimeve që po zbaton kompania OSHEE përmes Operatorit të Sistemit të Shpërndarjes, OSSH.
Një ndër to është dhe Petrela, e cila po zhvillohet me ritme të shpejta.
Ky rajon, i cili shtrihet në juglindje të Tiranës, vitet e fundit ka pritur vizitorë të shumtë, si rezultat i zhvillimit të agroturizmit.
Investimi i OSSH në zonën e Petrelës, ka në fokus ndërtimin e 11 kabinave të reja dhe shtrimin e 24 km linjë tension i mesëm dhe tension i ulët ABC.
Ky projekt që pritet të përfundojë para afatevetë caktuara, do të përmirësojë ndjeshëm cilësinë e furnizimit me energji elektrike dhe do ti mundësojë bizneseve të zonës, zgjerimin e kapaciteteve akomoduese.
Përfitues të investimit janë 2400 banorë dhe biznese në fshatrat Mullet, Daias, Hekal, Mangull, Gurë dhe Barbas, pjesë të njësisë administrive Petrelë.
OSHEE, përmes shumë investimeve që po kryen aktualisht, po i jep zgjidhje klientëve tanë për të patur furnizim me energji elektrike brenda standardit bashkëkohor.
Një prej këtyre zonave ku është ndërhyrë nga ana e OSSH, është dhe zona e Kasharit, ku 1000 banorë të fshatrave Mazrek dhe Gjokaj, tashmë furnizohen me rrjetin e ri 20kV, përmes kabinave të ndërtuara, shtyllave dhe linjave me kabull ABC.
Gjatë inspektimit të përfundimit të punimeve të realizuara, drejtori i OSSH Tiranë, Darling Hoxha, u shpreh se rrjeti i ri tension i mesëm, i jep mundësinë 40 subjekteve private të zonës të furnizohen me 20kV, nga 6kV që e kanë aktualisht.
Drejtori i OSSH Tiranë u shpreh ndër të tjera se, “përmes shumë investimeve që po kryejmë aktualisht, i dhamë zgjidhje klientëve tanë për të patur furnizim me energji elektrike brenda standardit bashkëkohor”.
Investimi rrit me trefish cilësinë e furnizimit me energji elektrike, përmes 9 kabinave të reja, dhe garanton qëndrueshmëri pasi bashkon dy anët e rrjetit kabllor 20kV me nënstacionet Vorë dhe Kashar.
Stafet e reja të sektorit energjetik do të kenë mundësi të trajnohen përmes Akademisë së Energjisë e cila pritet të hapë dyert së shpejti.
Nisma e re u prezantua nga zëvendëskryeministrja, njëherësh ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku gjatë vizitës së saj në Shkollën Teknike Elektrike “Gjergji Canco” në Tiranë.
Ministrja Balluku theksoi se Akademia e Energjisë, ka në fokus zhvillimin dhe formimin e brezit të ardhshëm të profesionistëve në sektorin e energjisë.
Balluku nënvizoi se në këtë Akademi, synohet të përgatiten të gjitha stafet që do të kontribuojnë në sektorin energjitik, përfshirë OSHEE-në, Operatorin e Transmetimit OST, apo edhe KESH.
“Shqipëria është duke zhvilluar burime alternative për të mos qenë në varësi totale të flukseve hidrike, duke zhvilluar kështu edhe panele fotovoltaike përmes ankandeve fotovoltaike apo edhe ankandeve eolike.
Shqipëria është futur në rrugën e inovacionit dhe përdorimi i hidrogjenit apo burime të tjera alternative të qëndrueshme si gazi i lëngshëm, bazuar në teknologji që sigurojnë emetime sa më të ulëta, do të jenë zgjidhje për prodhimin vendas, pasi Shqipëria synon që në 2030 të kthehet në një vend eksportues neto”, u shpreh Balluku.
Sipas saj, ky plan, pa dyshim kërkon kolonën më të rëndësishme që ka çdo sektor, që janë burimet njerëzore, që janë aseti më i çmuar edhe për fushën e energjisë.
“Për këtë aryse prej disa kohësh, kemi nisur një reformë të thellë sa i përket ngritjes së kapaciteteve njerëzore në OSHEE grup, si kompania më e madhe energjetike që ne kemi”, tha ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku.
Ministrja theksoi se vitin e kaluar u lançua nga OSHEE një thirje për moshat nga 18-25 vjeç, të cilët mund të ishin teknik, elektricist, apo inxhinier elektrik.
Balluku theksoi se nevoja e aftësimit të brezit të ri erdhi si pasojë e konstatimit të moshës mesatare 50 vjeç të ekspertëve teknik, elektricist dhe inxhinierë në OSHEE.
Administratori i OSHEE-së, Enea Karakaçi u shpreh se kompania OSHEE i ka të gjithë resuerset për hapjen e Akademisë së Energjisë, pasi ka dhe numrin më të madh të profesionistëve të fushës.
“Akademia do të ndahet në tre drejtime. Do të ofrojë trajnimet për stafin e ri në kompaninë OSHEE, do të bashkëpunojë me shkollat profesionale me module të posaçme ku nxënësit të vijnë të bëjnë praktikë pranë OSHEE.
Do të bashkëpunohet gjithashtu dhe me universitetet për të thithur inxhinierët më të mirë“, theksoi administratori i kompanisë OSHEE Enea Karakaçi, i cili nënvizoi ndër të tjera se Akademia do të japë certifikata përkatëse për nxënësit pjesëmarrës.
Si pasojë e motit të keq me reshje dhe stuhi ere, që përfshiu vendin në orët e para të mëngjesit, defektet në rrjet prekën më shumë zonat e Ultësirës Perëndimore. Ndërkohë vijon puna në terren për eleminimin e të gjithë avarive dhe rikthimin e energjisë elektrike te të gjithë abonentët.
Më poshtë harta me numrat e kontaktit, për të raportuar çdo problematikë në furnizimin me energji elektrike.
Në kuadër të zbatimit të ligjit dhe luftës kundër informalitetit, strukturat e OSSH, bazuar mbi analizat e riskut, kanë ushtruar mbi 12 mijë kontrolle gjatë 7 muajve të fundit, tek subjektet që paraqesin mundësi abuzimi me energjinë elektrike.
Sipas të dhënave nga Departamenti i Kontrollit dhe Rikuperimit të Humbjeve DKRH, nga këto kontrolle janë konstatuar vjedhje të energjisë elektrike në 32 subjekte të cilat janë proceduar në polici për shkelje të ligjit të energjisë.
Gjithashtu nga kontrollet e ushtruara në mbarë vendin, 42 subjekte nuk tarifoheshin në bazë të aktivitetit që ushtronin, bazuar në rregulloren e ERE.
Nga inspektimet në terren u identifikuan rreth 15 mln kilovat të pamatura të cilat iu faturuan abuzusuesve.
Kontrollet e OSSH-së kanë për qëllim disiplinimin e të gjithë abonentëve, duke respektuar ligjin, me synim trajtimin e barabartë dhe ndërgjegjësimin e klientëve se “vjedhja e energjisë” mund të jetë rrugë e shkurtër, por e gabuar dhe me pasoja ligjore, ku askush nuk do të tolerohet.
Operatori i Sistemit Shpërndarjes u bën apel klientëve/subjekteve të mos bien pre e skemave mashtruese të ndërhyrjes në matës apo furnizimit me linjë të dytë jashtë matjes, pasi do të përballen me forcën e ligjit pa asnjë kompromis.
Nëse je klient i rregullt dhe respekton ligjet, kontribuo të luftojmë së bashku rastet e vjedhjes së energjisë, duke denoncuar në numrin e Cel: 069 414 1001 whatsapp/viber.
Zona bregdetare e Shëngjinit do të ketë shumë shpejt furnizim cilësor me energji elektrike pa ndërprerje, pas përfundimit të ndërtimit të rrjetitvtë ri 20kV.
Rritja e shpejtë e investimeve në këtë zonë, shtimi i kapaciteteve të hotelerisë kanë rritur kërkesën për furnizim cilësor me energji, ndaj OSHEE group I është përgjigjur nevojës për zhvillimin e zonës.
Projekti përfshin ndërtimin e afro 20km linjë kabllore 20kV dhe 23 kabinave me parametra modernë që do të ofrojnë standard të lartë në furnizimin me energji për të gjithë abonentët e zonës turistike të Shëngjinit.
Nga investimi i ri përfitojnë afro 20 mijë banorë dhe punimet po ecin me ritëm të kënaqshëm.
Rrjeti i ri 20Kv do ti japë fund ndërprerjeve të shpeshta të energjisë në zonën e Shëngjinit si pasojë e defekteve të shpeshta, shkaktuar jo vetëm nga amortizimi i rrjetit të vjetër por dhe mbingarkesa e konsumit të energjisë elektrike gjatë sezonit turistik.
Gjithashtu, me ndërtimin e linjës së re kabllore, OSSH synon të ulë humbjet në rrjet dhe të përmirësojë parametrat e sigurisë teknike duke ofruar nivel të lartë standardi bashkohor.