Back
16 Shtator

Skemat lehtësuese për shlyerjen e detyrimeve të prapambetura, mbi 8300 klientë lidhën aktmarrëveshje me FSHU

Skemat lehtësuese për shlyerjen me këste të detyrimeve të prapambetura të energjisë elektrike janë pritur shumë mirë nga klientët e OSHEE GROUP Sh.A, ku gjatë vitit të fundit, mbi 8,300 debitorë lidhën aktmarrëveshje për pagesën e faturave të prapambetura me FSHU Sh.A. (Furnizuesi i Shërbimit Universal).

Të dhënat dëshmojnë interesin e lartë dhe besimin që kategori të ndryshëm klientësh kanë ndaj skemave, si mundësi reale për të përfituar.

Numrin më të lartë të aktmarrëveshjeve të firmosura gjatë periudhës 2024-2025 i përkasin klientëve familjarë.

Deri më 2 shtator 2025, janë lidhur afro 7083 aktmarrëveshje mes klientëve debitorë familjarë dhe kompanisë OSHEE Grup, prej tyre 4,780 klientë familjarë kanë përfituar ulje të kamatës deri në 70%, duke paguar njëherësh të gjithë detyrimin e akumuluar ndaj OSHEE.

Në kategorinë e abonentëve jofamiljarë, përfshirë bizneset e vogla, janë shënuar gjithashtu rezultate pozitive, ku 1,234 klientë jofamiljarë u bënë pjesë e skemave lehtësuese të AKM-ve gjatë vitit të fundit.

Nga këta, 887 klientë kanë përfituar reduktim të kamatës prej 50%, ndërsa 34 klientë kanë paguar plotësisht detyrimet dhe kanë përfituar reduktim 100% të kamatëvonesës.

Skemat e reja të miratuara nga OSHEE Group ofrojnë mundësi për shlyerjen e detyrimeve të akumuluara deri në 31 dhjetor 2023, duke u fokusuar në mbështetjen e familjeve në nevojë dhe biznesit të vogël.

Klientët përfitues të skemave lehtësuese, paguajnë debinë me këste fikse mujore, krahas faturës korente të konsumit të energjisë elektrike.

 Kush janë përfituesit?

Aktmarrëveshjet përfshijnë: klientët familjarë me ndihmë ekonomike, pensionistët kryefamiljarë dhe personat me status të veçantë, të cilët mund t’i shlyejnë detyrimet me këste fikse mujore që nisin nga 1,200 lekë.

Klientët e tjerë familjarë do të përfitojnë këste fikse mujore që nisin  nga 2,800 lekë.

Për të ruajtur një standard të përballueshëm aq sa dhe të drejtë, numri maksimal i kësteve do të jetë jo më shumë se 240 këste.

Në çdo rast klienti ka të drejtë të zgjedhë një këst pagese, me vlerë më të lartë se vlera minimale, duke iu përmbajtur kushtit prej maksimumi 240 këstesh

Klientët jofamiljarë (privat, buxhetorë dhe jobuxhetorë), do të paguajnë me këste të përcaktuara në bazë të shumës së detyrimit, si me poshtë.

Skema familjare me vlerë 1,200 lekë përfshin klientët përfitues të ndihmës ekonomike, pensionistët kryefamiljarë dhe klientët që trajtohen me status të veçantë.

OSHEE Group ka miratuar gjithashtu reduktime të kamatëvonesave për klientët që zgjedhin shlyerjen e të gjithë detyrimit me një këst të vetëm:

 Klientët familjarë përfitojnë reduktim në masën 70% të kamatëvonesës.

Klientët jofamiljarë (ne kategorine privat, buxhetorë dhe jobuxhetorë), përfitojnë reduktim në masën 50%.

Biznesi i vogël, përfiton falje të plotë (100%) të kamatëvonesës, nëse likuidon të gjithë detyrimin menjëherë.

21 Korrik

OSHEE Group miraton skemat lehtësuese për shlyerjen e faturave të papaguara deri në 31 dhjetor 2023

Operatori i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike (OSHEE Group) ka miratuar skema të reja lehtësuese (aktmarrëveshje) për shlyerjen me këste të detyrimeve të prapambetura nga faturat e energjisë elektrike. 

Përmes aktmarrëveshjeve, OSHEE Group ofron mundësinë e pagesës së detyrimeve të akumuluara deri në 31 dhjetor 2023, duke mbështetur shtresat më të ndjeshme dhe biznesin e vogël. Skemat lehtësuese janë hartuar me kujdes të veçantë për t’u ardhur në ndihmë atyre familjeve dhe bizneseve që ndodhen në kushte më të vështira ekonomike, duke mundësuar një rrugë të drejtë dhe të realizueshme drejt shlyerjes së detyrimeve.

Kush janë përfituesit?

Aktmarrëveshjet përfshijnë: klientët familjarë me ndihmë ekonomike, pensionistët kryefamiljarë dhe personat me status të veçantë, të cilët mund t’i shlyejnë detyrimet me këste fikse mujore që nisin nga 1,200 lekë.

Klientët e tjerë familjarë do të përfitojnë këste fikse mujore që nisin  nga 2,800 lekë.

Për të ruajtur një standard të përballueshëm aq sa dhe të drejtë, numri maksimal i kësteve do të jetë jo më shumë se 240 këste. Në çdo rast klienti ka të drejtë të zgjedhë një këst pagese, me vlerë më të lartë se vlera minimale, duke iu përmbajtur kushtit prej maksimumi 240 këstesh.

Klientët jofamiljarë (privat, buxhetorë dhe jobuxhetorë), do të paguajnë me këste të përcaktuara në bazë të shumës së detyrimit, si me poshtë.

  Skema për Klientët Jofamiljarë, 2025
Numri i kësteveVlera e detyrimit
24 këste100,000 – 500,000 lekë
48 këste500,001 – 1,000,000 lekë
60 këste1,000,001 – 5,000,000 lekë
84 këste5,000,001 – 10,000,000 lekë
120 këstembi 10,000,000 lekë

Reduktimi i kamatëvonesave

OSHEE Group ka miratuar gjithashtu reduktime të kamatëvonesave për klientët që zgjedhin shlyerjen e të gjithë detyrimit me një këst të vetëm:

  • Klientët familjarë përfitojnë reduktim në masën 70% të kamatëvonesës.
  • Klientët jofamiljarë (buxhetorë dhe jobuxhetorë), përfitojnë reduktim në masën 50%.
  • Biznesi i vogël, përfiton falje të plotë (100%) të kamatëvonesës, nëse likuidon të gjithë detyrimin menjëherë.

Kushtet për Pjesëmarrje në Skemat Lehtësuese dhe Rregullat e Zbatimit

Për të përfituar nga skemat lehtësuese të miratuara nga OSHEE Group, klientët debitorë duhet t’i kenë shlyer detyrimet e vitit 2024 dhe në vijim, përpara nënshkrimit të marrëveshjes për detyrimet e prapambetura deri më 31 dhjetor 2023.

Me nënshkrimin e marrëveshjes, klienti duhet të kryejë pagesën e këstit të parë brenda 7 ditëve kalendarike dhe më pas të vijojë me pagesa mujore të rregullta deri në shlyerjen e plotë të detyrimit.

Këto masa përfaqësojnë një shprehje konkrete të angazhimit social të OSHEE Group për të mbështetur qytetarët në përballimin e vështirësive financiare dhe për të krijuar një marrëdhënie më të drejtë dhe të qëndrueshme me klientët.

Njëkohësisht, përmes zbatimit të këtyre skemave, synohet të forcohet edhe qëndrueshmëria financiare e kompanisë, si një parakusht për ofrimin e shërbimeve të sigurta dhe cilësore në të ardhmen.

Vendimi për këto skema u miratua nga Këshilli Mbikëqyrës i OSHEE Group, pas shqyrtimit të propozimit të paraqitur nga administratori Enea Karakaçi, në zbatim të vendimit nr. 4876/4, datë 16.07.2025, të Asamblesë së Përgjithshme të Aksionarit, “Mbi miratimin e Skemave të Marrëveshjeve për pagesën me këste (ose një këst) të detyrimeve të prapambetura të klientëve debitorë për kategorinë familjare/jofamiljare gjatë vitit 2025”.

OSHEE Group fton të gjithë klientët debitorë të përfitojnë nga skemat lehtësuese, duke u paraqitur pranë qendrave të Kujdesit ndaj Klientit të FSHU-së, pjesë e OSHEE Group, për të lidhur aktmarrëveshjen përkatëse sipas kategorisë së tyre.

14 Korrik

Paligjshmëria në fushën e ndërtimit, OSHEE forcon kontrollet për hapjen e kontratës së furnizimit me energji elektrike

OSHEE shpreh angazhimin e saj të plotë për të kontribuar në aksionin e nisur nga Qeveria Shqiptare kundër paligjshmërisë në fushën e ndërtimit, si pjesë e një përpjekjeje të përbashkët institucionale.

Operatori i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike është i vendosur të forcojë kontrollin dhe të ndalojë çdo lidhje të re me rrjetin elektrik për ndërtimet që nuk përmbushin kriteret ligjore.

Të gjitha kërkesat për lidhje të reja do të shqyrtohen me kujdes, për të garantuar respektimin e plotë të legjislacionit dhe për të shmangur çdo përpjekje për të anashkaluar ligjin.

OSHEE nuk do të pranojë kërkesa për lidhje me energji elektrike për ndërtesa pa leje ndërtimi ose për ato që nuk kanë respektuar kushtet e përcaktuara në lejen përkatëse.

OSHEE mbetet e angazhuar të veprojë në përputhje me ligjin dhe të kontribuojë për një mjedis të ndërtuar në mënyrë të sigurt, të ligjshëm dhe në funksion të interesit të qytetarëve.

13 Korrik

Nga 21 korriku nis aplikimi për Aktmarrëveshjet, OSHEE: Përfshihen detyrimet e prapambetura deri më 31 dhjetor 2023, ja kush përfiton

Duke nisur nga data 21 korrik 2025, Operator i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike do të zbatojë një skemë të re lehtësuese për abonentët debitorë, e cila synon të ndihmojë qytetarët dhe bizneset të shlyejnë detyrimet e prapambetura deri në 31 dhjetor të vitit 2023, përmes pagesës me këste dhe reduktimit të ndjeshëm të kamatëvonesave.

Në një intervistë të dhënë nër media, administratori i OSHEE Group, Enea Karakaçi, theksoi se kjo nismë ka për qëllim krijimin e kushteve të favorshme për ata që kanë borxhe të akumuluara deri më 31 dhjetor 2023.

Abonentët që përfitojnë nga ky program mund të kenë ulje të kamatëvonesave që variojnë nga 50 deri në 100 për qind, në varësi të marrëveshjes që lidhin me OSHEE.

Skema është e vlefshme për një gamë të gjerë abonentësh, përfshirë familjarët, pensionistët, shtresat në nevojë, dhe subjektet e biznesit, përfshirë edhe biznesin e vogël.

 Për të përfituar nga skemat e aktmarrëveshjeve, abonentët duhet të kenë shlyer detyrimet për vitin 2024 dhe për muajt e parë të vitit 2025.

Ata që kanë borxhe të reja gjatë kësaj periudhe duhet t’i shlyejnë ato para se të aplikojnë për aktmarrëveshjen.

“Qytetarët që janë në rregull me pagesat e viteve të fundit do të kenë mundësi të marrin më shumë lehtësi për borxhet e mëparshme,” shtoi Karakaçi.

Investimet në infrastrukturën energjitike

Përveç lehtësirave për qytetarët dhe bizneset, OSHEE është duke realizuar investime të mëdha në infrastrukturën energjetike, për të përballuar kërkesat e sezonit turistik, i cili është gjithmonë nën presion në periudhën e verës.

 Administratori Karakaçi njoftoi se aktualisht po bëhen investime të rëndësishme në zonat bregdetare dhe malore, duke përfshirë Himarën, Livadhin, Jalën, Dhërmiun, Ksamilin, Spillen dhe Velipojën.

Në zonat e Himarës dhe Livadhit, do të instalohen 12 kabina të reja elektrike, që do të kontribuojnë në përmirësimin e furnizimit me energji dhe eliminimin e problematikave të mundshme.

 Po ashtu, janë duke u realizuar linja kabllore nëntokësore në zonën e Dhërmiut dhe linja të reja kabllore në Ksamil, për të siguruar furnizim të pandërprerë me energji.

Në vitin 2025, OSHEE ka në plan një investim të rëndësishëm që do të shtrihet nga Boga deri në Lëpushë dhe Theth, me qëllim që të mbështesë zhvillimin e turizmit dhe të ofrojë një infrastrukturë energjetike më të qëndrueshme për zonat malore.

24 Qershor

Nënstacioni i ri në Xarrë investim strategjik për furnizimin me energji të jugut, OSHEE shton kapacitetet 8-fish më shumë për zonat turistike

Në një nga zonat më të zhvilluara turistike në jug të vendit, OSHEE Group ka nisur një investim energjetik të rëndësishëm, ndërtimin e nënstacionit të ri elektrik në Xarrë, që pritet të jetë funksional brenda tremujorit të parë të vitit 2026, përpara afatit zyrtar të përfundimit.

Punimet për ndërtimin e këtij objekti strategjik nisën në janar 2024 dhe janë pjesë e një programi më të gjerë të Operatorit të Sistemit të Shpërndarjes (OSSH) për përmirësimin e infrastrukturës energjetike në jug të Shqipërisë.

Gjatë inspektimit të punimeve, zv/kryeministrja, njëherësh ministre e Infrastrukturës dhe energjisë, Belinda Balluku, e shoqëruar nga administratori i OSSH-së, Blendian Dalipi, theksoi rëndësinë e këtij investimi jo vetëm për njësitë e shërbimit dhe bizneset gjatë sezonit turistik, por dhe për zhvillimin e bujqësisë në këtë zonë.

“Ne duhet të kuptojmë që e gjithë zona e jugut tashmë është një zonë e cila e shumëfishon numrin e banorëve nga maji deri në tetor. Nga ana tjetër, është një zonë e rëndësishme edhe përsa i përket bujqësisë këtu dhe ne e kemi diskutuar nga fillimi që energjia në këtë zonë nuk duhet vetëm për banorët dhe flasim për 7 mijë abonentë që përfitojnë nga ky projekt. Këtu përfitojnë të gjithë njësitë turistike qofshin këto hoteleri, restorante, por edhe të gjitha njësitë e bujqësisë të ngritura në zonë”, nënvizoi Balluku.

Referuar sezonit turistik dhe furnizimit me energji elektrike, ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë theksoi se deri më tani situata ka qenë në normalitet të plotë, pa problematika, ndërkohë që edhe për javët në vijim, kur pritet të jetë edhe piku i sezonit turistik, janë marrë masat për të garantuar një shërbim sa më cilësor.

“Performanca gjatë kësaj vere ka qenë shumë e mirë. Akoma nuk kemi ardhur në pikun e sezonit, ndaj edhe ne jemi duke u përgatitur për korrikun dhe për gushtin, duke qenë se edhe të gjitha të dhënat që marrim nga njësitë turistike janë që do ketë një rritje me 20-30% të volumeve krahasuar me një vit më parë. Por ne jemi në pozita shumë më të mira se në 2024, që ka qenë një vit i mirë për përballimin e kërkesës me energji elektrike. Na duhet vëmendje e shtuar tek sistemi energjetik në këto momente qoftë linjat e transmetimit, qoftë edhe ato të shpërndarjes ku ndodhemi sot. Bashkëpunimi midis OST-së dhe OSSH-së është shumë i rëndësishëm”, tha Balluku.

Me fondet e OSSH, NST i Xarrës 110/20 kV ka një fuqi të instaluar prej 50 megavoltamperësh (MVA), duke zëvendësuar nënstacionin ekzistues të Livadhjasë, ndërtuar në vitin 1966.

Administratori i OSSH-së Blendian Dalipi tha se dalja nga një infrastrukturë e tejkaluar nga koha, drejt një rrjeti modern do të sjellë një 8-fishim të kapacitetit për zonën dhe do të rritë në mënyrë drastike sigurinë dhe qëndrueshmërinë e furnizimit me energji elektrike.

 “Ky është një nënstacion parësor që do të furnizojë në të ardhmen gjithë zonën e Ksamilit. Do të realizojmë një lidhje unazore me linjat e ardhura nga nënstacioni i Sarandës, duke rritur kapacitetet e rrjetit dhe duke shmangur ndërprerjet,” tha Dalipi.

Nënstacioni i ri elektrik në zonën e Xarrës  do të ndikojë gjithashtu edhe në uljen e nivelit të humbjeve në rrjet.

Ndërtimi i nënstacionit të Xarrës është pjesë e një rrjeti të ri investimesh në jugun e Shqipërisë.

Në Vlorë, po ndërtohet nënstacioni i Akërnisë, i cili do të mbulojë me kapacitet të plotë zonat e Zvërnecit, Nartës dhe deri te Uji i Ftohtë e aeroporti i ri.

 Investimi do të shoqërohet me linja të reja për të përballuar ngarkesën dhe për të shmangur problemet me furnizimin.

Në zonën Orikum–Radhimë po finalizohen dy fidera të rinj, të cilët do të hyjnë në punë brenda këtij muaji, duke zëvendësuar linjat ajrore ekzistuese.

Në vijën bregdetare nga Palasa në Himarë, po realizohet kalimi i rrjetit nga linja ajrore në rrjet kabllor në pjesën më të madhe të zonës.

Ky investim pritet të përfundojë brenda qershorit, ndërsa fshatrat përreth do të përfshihen në fazat e ardhshme brenda kësaj vere.

Qendra e Himarës, Livadhe dhe Jala po kalojnë në rrjet tërësisht kabllor, ndërsa në fshatin Qeparo është përfunduar rrjeti i ri dhe janë instaluar linjat ABC, të cilat sigurojnë tension stabil dhe furnizim të pandërprerë.

Në Borsh, ku verën e kaluar u shfaqën vështirësi, punimet po përfundojnë përpara afatit, duke premtuar një situatë krejtësisht më të mirë për këtë sezon.

Po ashtu, ka nisur ndërtimi i nënstacionit të ri në Bunec, që do të rrisë ndjeshëm garancinë e furnizimit për Sarandën dhe Borshin në vitet në vijim.

Në Sarandë, janë rikonstruktuar dy fidera kryesorë për të mbuluar nevojat e përdoruesve ekzistues dhe atyre të rinj që kërkojnë lidhje me rrjetin.

Zona e Ksamilit, që më parë furnizohej nga vetëm një linjë 20 kV, do të përfitojë gjithashtu nga zgjerimi dhe shtimi i kapaciteteve të rrjetit, për të përballuar fluksin e turistëve dhe konsumatorëve sezonalë.

26 Prill

Velipojë, drejt përfundimit investimi në nënstacionin e ri energjetik. Do të përmirësojë cilësinë e furnizimit gjatë sezonit turistik

Nënstacioni i ri elektrik me kapacitet 50 MVA në Velipojë, investim me fondet e Operatorit të Shpërndarjes së Energjisë, do të përmirësojë ndjeshëm furnizimin me energji elektrike në zonat me ngarkesë të lartë gjatë sezonit turistik.

Kryeministri Edi Rama, i shoqëruar nga administratori i përgjithshëm i OSSH-së, Bledian Dalipi, inspektuan nga afër punimet në nënstacion të cilat janë drejt përfundimit.

Sipas Ramës, nënstacioni do të sigurojë kapacitete të mjaftueshme për furnizimin me energji të zonës, në funksion të kërkesave sezonale dhe zhvillimeve të pritshme në fushën e hotelerisë.

“Ky projekt do të jetë një faktor kyç për zhvillimin ekonomik të Velipojës dhe përmirësimin e cilësisë së shërbimeve në këtë destinacion turistik”, u shpreh kryeministri Rama.

Administratori i OSSH-së, Bledian Dalipi tha se, deri para katër vitesh zona furnizohej nga një nënstacion i ndërtuar në vitin 1985 me kapacitet 10 MVA.

Sipas tij, me nënstacionin e ri, Velipoja do të lidhet me rrjetin 20 kV dhe do të ketë një furnizim më të qëndrueshëm me energji elektrike.

“Ky investim do të jetë një parapërgatitje për zhvillimin e zonës për shumë vite të ardhshme, duke garantuar furnizim të qëndrueshëm me energji elektrike”, theksoi administratori i OSSH, Blendian Dalipi duke shtuar se punimet pritet të përfundojnë brenda muajit qershor.

Kreu i OSSH, nënvizoi se, në kuadër të të njëjtit program investimesh është planifikuar ndërtimi i një nënstacioni të ri edhe në Shëngjin, për të mbështetur kërkesat në rritje në sektorin e turizmit.

OSSH po zhvillon edhe projekte për përmirësimin e infrastrukturës energjetike në zonat malore.
Një linjë 35 kV është në ndërtim nga nënstacioni i Koplikut drejt Bogës, dhe është parashikuar zgjerimi i rrjetit edhe në drejtim të Lëpushës dhe Tamarës.

18 Prill

Zgjerimi dhe përmirësimi i sistemit elektrik, OSHEE publikon Planin e marrjes së tokës dhe kompensimit (PMTK) për NST e ri  Kamëz dhe ndërhyrjen në 41 nënstacione të rrjetit të shpërndarjes

Operatori Shqiptar i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike (OSHEE sh.a.) dhe Banka Gjermane për Zhvillim  (KfW) kanë nënshkruar një marrëveshje financimi për zbatimin e “Programit të Investimeve Shpërndarja e Energjisë Elektrike I” (më tej “Projekti”).

Projekti për zgjerimin dhe përmirësimin e sistemeve elektrike në Tiranë dhe Durrës kërkon marrjen e tokës dhe ndikon në përdorimin ekzistues të tokës ndaj në vitin 2021, u hartua një kuadër për marrjen e tokës, zhvendosjes dhe kompensimit.

Ky kuadër i Politikës të Risistemitmit  (KMTRK/KPR) qartëson parimet dhe të drejtat e zhvendosjes sipas standardeve ndërkombëtare, përmes një plani për marrjen e Tokës dhe Kompensimi (PMTK).

Dokumenti i PMTK identifikon, vlerëson dhe trajton ndikimet e marrjes së tokës dhe ndryshimeve të përdorimit të tokës të shkaktuara nga zgjerimi dhe përmirësimi i sistemit elektrik në qarqet Tiranë dhe Durrës në Shqipëri.

PMTK është përgatitur në përputhje me standardet ndërkombëtare, veçanërisht kërkesat ligjore  dhe procedurale për shpronësimin në Shqipëri dhe Udhëzimet e Qëndrueshmërisë 2022 të KfW-së.

PMTK përcakton objektivat, parimet, kriteret e përshtatshmërisë dhe mekanizmat për të kompensuar  njerëzit e prekur për humbjet e tokës, aseteve dhe mjeteve të jetesës në lidhje me projektin.

Ai bazohet në  një studim bazë gjithëpërfshirës që përfshin një regjistrim të të gjithë personave të prekur nga projekti (PAP),  një inventar dhe vlerësim të të gjitha humbjeve dhe një anketë socio-ekonomike për të kuptuar jetesën dhe  nivelet e cenueshmërisë.

 LACP është përpunuar bazuar në konsultimet të ngushta me të gjithë PAP-të dhe  do të organizohet publikimi dhe konsultimi i tij në publik pas miratimit nga OSHEE dhe KfW.

LACP më tej  identifikon të gjitha palët e interesuara, ofron rezultatet e konsultimeve dhe angazhimeve të kryera deri më sot dhe përshkruan dispozitat për angazhimin e palëve të interesuara gjatë zbatimit të LACP, si dhe monitorimin dhe vlerësimin.

Ai përshkruan më tej Mekanizmin e Rregullimit të Ankesave (GRM) përmes të cilit PAP mund të shprehin shqetësimet, ankesat dhe ankesat e tyre dhe nëpërmjet të cilit OSHEE vlerëson  dhe trajton këto ankesa.

LACP është mjeti për të menaxhuar me pjesëmarrje procesin e  kompensimit dhe restaurimit të jetesës dhe për të shmangur konfliktet e mundshme që mund të pengojnë  zbatimin e qetë dhe të suksesshëm të projektit.

Në programin e investimeve të OSHEE, është planifikuar ndërtimi dhe funksionimi i një nënstacioni të ri në Kamëz me rrugë aksesi e cila kërkon marrjne e përhershme të 3,860 m2 tokë, ndërtimi dhe funksionimi i 41 nënstacioneve shpërndarëse të cilat shkaktojnë nevojën për të marrë në mënyrë të përhershme tokë me një sipërfaqe totale prej 1,024  m2.

Gjithashtu, shtrimi i 33.5 km kabllo nëntokësore që kërkon një kanal 1 m të gjerë, duke nënkuptuar se afërsisht 33,500  m2 tokë.

Duke qenë se kabllot do të vendosen brenda rrugëve ekzistuese, ndikimi në përdorimin e ardhshëm të tokës prek vetëm autoritetet që  administrojnë këto rrugë.

Gjeni në link më poshtë, dokumentacionin në anglisht dhe shqip

10 Prill

Rikonstruktohet nënstacioni i Kuçovës, Balluku-Dalipi inspektojnë punimet: Rritet cilësia e furnizimit, përfitojnë mbi 15 mijë abonentë

Zv/kryeministrja dhe ministja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, së bashku me administratorin e OSSH, Blendian Dalipaj ndoqën nga afër ecurinë e punimeve për rikonstruksionin e NST Kuçovë.

Ky nënstacion është ndërtuar në vitin 1956 dhe me pajisje të po të njëjtës periudhë të cilat ndikojnë direkt në cilësinë e shërbimit ndaj abonentëve.

Deri tani janë investuar 65% e punimeve, ndërsa nënstacioni i ri do t’i shërbejë më shumë se 15 mijë banorëve të zonës, si dhe do të ketë fidera të dedikuar edhe për bazën ushtarake të aviacionit si dhe puset e naftës.

Investimi i nisur parashikon jo vetëm rikonstruksionin e plotë, por edhe rritjen e kapaciteteve.

“Pas fuqizimit nënstacioni do të kalojë nga 40 mega fuqi të instaluar që ka sot në afro 100 mega, pra 2.5 herë më shumë kapacitete për të furnizuar zonën dhe i shtohet dhe një nivel i ri tensioni që është niveli 20 kilovolt. Kemi dy linja 35 kilovoltshe.

Ndërkohë nga vetë nënstacioni kemi gati 17 fidera që furnizojnë gjithë Kuçovën me fshatrat përreth. Janë dhe dy linjat e tjera 110 kilovolt që janë linja totalisht të reja që vijnë nga Cërriku dhe nga Jagodina.

Pra ky nënstacion, përveçse është një nënstacion që furnizon rajonin është edhe një garanci për furnizim të sigurtë të sistemit 110 kilovolt në tërësi”, tha Dalipi.

Edhe ky investim, jo vetëm që adreson kërkesat dhe flukset e sotme, por i përgjigjet edhe zhvillimeve të pritshme përmes zgjerimit të kapaciteteve.
Gjithashtu, në këtë projekt është parashikuar që pajisjet e deritanishme të nënstacionit t’i shtohen listës së objekteve të muzeut të energjisë, duke shërbyer si hapësira për tu vizituar kryesisht nga studentët dhe nxënësit.
“Ndërkohë që garantojmë operimet e aeroportit të Kuçovës nga ky nënstacion përfitojnë mbi 15 mijë abonentë të të gjithë zonës.

Do të ofrojmë jo vetëm shërbim më të mirë, por nga ana tjetër këtu arrijmë edhe një nga synimet që ne kemi që ka të bëjë me uljen e humbjeve.

Kur ne flasim për uljen e humbjeve, gjithmonë është e pakuptueshme ndoshta për qytetarët, por tashmë ka ardhur rasti që ta shpjegojmë këtë pse përfitojnë qytetarët nga uljet e humbjeve. Sigurisht përmirësohet cilësia e shërbimit, por nga ana tjetër vetëm 1% e uljes së humbjeve korrespondojnë në një kursim prej 8 milionë eurosh”, bëri të ditur Balluku.

Përmirësimi i performancës mbetet një ndër objektivat kryesore të investimeve të cilat i përgjigjen zhvillimit të zonës apo projekteve madhore që kanë ndikim në ekonominë e vendit.

“Synimi ynë kryesor është patjetër që ne të ofrojmë shërbim më cilësor, patjetër që të mos kemi ndërprerje, patjetër në zona të cilat po zhvillohen, siç është rasti i Kuçovës.

Këtu ku jemi ku është ndërtuar një aeroport ushtarak apo në rastin kur jemi afër zonës së Akërnisë në Vlorë, edhe atje kemi një nënstacion të ri që janë nënstacione që mbështesin zhvillimin ekonomik të vendit, zhvillimin e transportit në fusha të ndryshme, si atë hekurudhor nesër, apo të aeroporteve, aviacionit sot.

Nga ana tjetër, ajo që përfitojmë me këto nënstacione të reja është padyshim ulja e humbjeve, të cilat korrespondojnë në kursim të parave dhe si rrjedhojë ulje të çmimit për qytetarët”, tha Balluku.
Punimet për nënstacionin elektrik të Kuçovës pritet të përfundojnë në verën e këtij viti.

12 Mars

OSHEE GROUP-BERZH, firmoset Marrëveshja e Garancisë për stabilitetin financiar të sektorit

Operatori i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike GROUP (OSHEE GROUP) sh.a. dhe Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH) kanë nënshkruar më 10 mars 2025 Marrëveshjen e Huasë për “Projektin e Qëndrueshmërisë së OSHEE-së”.

Marrëveshja u firmos në Ministrinë e Financave nga administratori i grupit, z.Enea Karakaçi dhe përfaqësuesit e bankës, në prezencën e ministrit, z.Petrit Malaj.

Kjo hua është e garantuar nëpërmjet Marrëveshjes së Garancisë, nënshkruar midis Qeverisë së Republikës së Shqipërisë dhe Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH), e cila ka për qëllim garantimin e të gjitha detyrimeve që Operatori i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike (OSHEE GROUP) merr përsipër në kuadër të marrëveshjes së huasë.

Marrëveshja mundëson sigurimin e një huaje afatgjatë me kushte të favorshme në vlerën 45,750,000 Euro, e cila synon të rifinancojë kreditë ekzistuese overdraft me garanci shtetërore, marrë nga bankat e nivelit te dytë në vitin 2021, në periudhën e krizës energjitike në vend.

Me anë të kësaj marrëveshjeje, administratori i OSHEE GROUP z.Karakaçi deklaroi se “kompania forcon stabilitetin e saj financiar dhe optimizon strukturën e borxhit, duke siguruar burime financimi më pak të kushtueshme dhe më të qëndrueshme, për të mundësuar financimin e shpenzimeve të rëndësishme kapitale të gjelbërta e të rëndësishme, në zhvillimin, menaxhimin dhe efiçencën e rrjetit shpërndarës të energjisë elektrike në Shqipëri”.

Sipas z.Karakaçi, OSHEE Group dëshmon qartë faktin se tashmë, institucionet financiare ndërkombëtare e konsiderojnë një partner të sigurtë dhe me një qëndrueshmëri financiare në vitet në vijim.

Kjo nismë është pjesë e angazhimit të Qeverisë Shqiptare dhe BERZH-it, për të mbështetur sektorin energjetik dhe për të garantuar një menaxhim më efikas të burimeve financiare, duke rritur qëndrueshmërinë operacionale të OSHEE GROUP dhe duke përmirësuar shërbimet ndaj qytetarëve.

04 Mars

Aplikimi i çmimit të ri të energjisë, Balluku me drejtuesit e OSHEE Group: Garantojmë proces korrekt të leximit të matësit

Zv/kryeministrja dhe ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, znj.Belinda Balluku e shoqëruar nga administratori i OSHEE GROUP, z.Enea Karakaçi dhe administratori  i OSSH, z.Blendian Dalipi, ndoqën nga afër procesin e leximit të konsumit në matësat e energjisë elektrike, te një bllok pallatesh në Tiranë.

Sipas vendimit të ERE, më datë 1 shkurt ka nisur zbatimi i aplikimit për tarifat e reja të energjisë elektrike për konsumatorët familjarë. Çmimi i ri bazohet në dy kategori konsumi:

  • 8,5 lekë për kilovat për abonentët që konsumojnë deri në 700 kilovatorë
  • 9,5 lekë për të gjithë ata që e kalojnë fashën e konsumit

Administratori i OSHEE Group Enea Karakaçi tha se procesi i leximit të matësit konsiderohet mjaft i rëndësishëm, prandaj dhe OSHEE Group ka ndërmarrë një sërë masash me qëllim për të garantuar një faturim sa më korrekt dhe në kohë për çdo abonent.

“Kemi nxjerrë një urdhër të posaçëm ku kemi referuar të gjitha dinamikat e procesit të leximit, datat përkatëse kur fillon dhe mbaron, në mënyrë që periudha e konsumit të jetë 30 ditë.

Çdo konsum mbi 700 kilovat do t’i regjistrohen të dhënat në sistemin e faturimit, bazuar edhe mbi foto nga çasti i leximit, për të qenë sa më të saktë dhe transparentë me klientët për çdo ankesë që mund të kenë”, nënvizoi administratori i OSHEE Group, Enea Karakaçi.

Administratori i Operatorit të Sistemit të Shpërndarjes, Blendian Dalipi theksoi rëndësinë e transparencës për lexim të sigurt të konsumit të energjisë.

“Nga ky muaj e në vazhdim janë shtuar filtrat për leximin e faturimit. Që do të thotë, në rast se një fotografim i aparatit matës nuk është i qartë nga operatorët në sistem ky lexim nuk kalon për faturim, por i kërkohet edhe një herë lexuesit të rikthehet dhe ta riverifikojë. Fotot që dërgohen në sistem, bashkë me gjeolocation, duhet të jenë 100% të sigurta që të konfirmojmë që leximi i matësit korrespondon me leximin e sistemit”.

Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, znj.Belinda Balluku tha se muaji shkurt, është muaji i parë që aplikohet çmimi sipas kategorisë së konsumit, duke vënë theksin tek rëndësia e procesit të leximit me qëllim që ai të jetë sa më i drejtë.

“Arsyeja pse ne vendosëm që të aplikonim një çmim më të ulët sipas kategorive të konsumit, 8,5 lekë për konsumin nga 0 deri në 700 kilovat-orë është sepse kërkojmë që të sensibilizojmë të gjithë popullatën, të gjithë familjarët të cilët përfitojnë nga kjo paketë mbi 1 milion abonentë, që energjia është një mall shumë i rëndësishëm, i cili edhe duhet kursyer.

Patjetër përdorimi i tij është i domosdoshëm në jetën e përditshme, por kursimi është akoma më i rëndësishëm për shkak edhe të të gjitha kushteve që ne kemi, hidrocentraleve, varësisë nga moti”, nënvizoi Balluku.

Ky është muaji i parë që ne do të aplikojmë çmimin, por nga ana tjetër e gjithë procedura është e dizenjuar nga fillimi deri në fund që të jetë transparente.

Nga ulja e çmimit të energjisë me gati 10,5% përfitojnë afro 1 milion abonentë familjarë në të gjithë vendin.

Në të gjithë vendin OSSH numëron 870 punonjës me detyrën e lexuesit të matësit të energjisë. Në janar të këtij viti OSHEE shpalli 120 vende vakante në këtë pozicion, ku afati i aplikimit ishte data 5 shkurt. Në këtë thirrje, pranë kompanisë janë paraqitur 542 aplikime.