
Digjitalizimi i shërbimeve për klientët, OSHEE Group prezanton aplikacionin e ri

Aplikacioni i ri i OSHEE Group është hapi i radhës që po zbatojmë në kuadër të digjitalizimit të shërbimit për klientët.
Aplikacioni OSHEE është projektuar për të ofruar një shumëllojshmëri funksionalitetesh, që u mundësojnë konsumatorëve të kryejnë operacione të ndryshme në mënyrë të thjeshtë, të shpejtë dhe transparente.
Ky aplikacion mund të shkarkohet lehtësisht nga çdo aparat celular në Play Store apo App Store dhe klientët mund të marrin shërbimet e dëshiruara.
Klientët mund t’i shohin faturat e tyre mujore, si edhe të kryejnë pagesat direkt nga aplikacioni, pa patur nevojën të shkojnë në zyrat KNK. Në çdo kohë mund të kontrollojnë dhe të vërtetojnë debinë në sistem, për t’u siguruar që janë në rregull me pagesat dhe për të shmangur ndërprerjen e furnizimit me energji elektrike; si edhe të lidhin një akmarrëveshje për t’i paguar me këste detyrimet e prapambetura. Dyshimin për keqfaturim, klienti mund ta përcjellë fare thjesht online, në web ose në aplikacion. Pas përfundimit të ankesës ose kërkesës, klienti mer një kod, me të cilin mund të ndjekë ecurinë e procesit, deri në marrjen e përgjigjes përfundimtare.
Prioritetet e aplikacionit
Klientët mund të marrin njoftime të rëndësishme për ndërprerjet e planifikuara, mirëmbajtjet apo ndryshimet në shërbime, përmes informacioneve të dërguara direkt në aplikacion.
Në rast se hasin ndonjë problem me furnizimin e energjisë elektrike, mbifaturim apo ankesa të tjera, klientët mund të raportojnë menjëherë dhe të marrin informacione mbi statusin e zgjidhjes së problemit.
Po ashtu, klientët mund të kontaktojnë me shërbimin e klientit në çdo moment përmes aplikacionit për çdo pyetje apo problem të mundshëm.
Përmes aplikacionit, klientët mund t’i gjejnë lehtësisht pikat më të afërta të shërbimit OSHEE, për çdo nevojë pranie fizike.
Vetëm online
Është e rëndësishme të nënvizojmë se prej datës 15 tetor, vërtetimi i debive dhe aplikimi për lidhje të re të energjisë për fuqi të kërkuara deri në 20Kw, do të ofrohen vetëm online. Kjo masë nxit përdorimin e platformave tona, rrit transparencën, ndan përgjegjësitë mes palëve, shmang burokracitë dhe eviton veprimet abuzive.
Në çdo rast, klientët mund të konsultohen për veprimet që duan të ndërmarin me specialistët tanë kudo që ndodhen në qëndrat e Kujdesit ndaj Klientit. Në rang vendi numërohen rreth 100 pika shërbimi, që janë të hapura çdo ditë nga ora 08:00 deri në 20:00 (e diela, pushim).
Dokumentacioni
Risi në marrëdhënien me klientët tanë është reduktimi i dokumentacionit, duke e lehtësuar më tej procesin e hapjes së kontratës së furnizimit me energji elektrike, me fuqi të instaluar deri në 20Kw.
Klienti mund të aplikojë me formular vetëdeklarimi, i cili zëvendëson një sërë dokumentash, tashmë të panevojshëm, si:
- Genplani i vendodhjes
- Deklaratë instaluesi
- Protokoll tokëzimi
- Fotokopje e çertifikatës së regjistrimit
Më parë, këto dokumente ishin të detyrueshme, por tashmë nuk e kuzhtëzojnë më procesin, pasi janë lënë në vullnetin e lirë të aplikantit gjatë plotësimit të vetëdeklarimit.
Për të gjitha sa më lart, duhet mbajtur parasysh faktin se: shërbimet online përmes web-it të oshee.al dhe aplikacionit, u jepen vetëm titullarëve të kontratës, të cilët zotërojnë username dhe password për të hyrë në sistem.