Back

Faturimi dhe humbjet, OSHEE hedh poshtë spekulimet: Bilanci 4-Mujor

Operatori i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike hedh poshtë spekulimet e ditëve të fundit në disa portale, rreth procesit të faturimit në kushtet e pandemisë COVID 19 dhe treguesit të humbjeve në rrjet. Artikuj të cilët të nxitur nga interesa politike apo edhe ekonomike kanë synuar të dëmtojnë imazhin e OSHEE në publik. Treguesit e 4-Mujorit të parë 2020 konfirmojnë se pavarësisht situatës së krijuar nga pandemia COVID-19, Operatori i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike ka garantuar: a) furnizimin me energji pa ndërprerje për të gjithë konsumatorët; b) faturimin e saktë pavarësisht kushteve të izolimit të lëvizjes; c) krijimin e lehtësirave për abonentët duke u falur vlera të konsiderueshme të borxhit të mbartur dhe c) mbajtjen në kontroll të objektivave vjetore për uljen e humbjeve/rritjen e arkëtimeve. Përtej kushteve të vështira të krijuara nga mungesa e prodhimit në Kaskadën e Drinit dhe thatësira e tejzgjatur përgjatë 2018-2019, OSHEE ka mundur të sigurojë energjinë e nevojshme nga importi pa rënduar Buxhetin e Shtetit. Kompania ka optimizuar procedurat dhe në 4 muajt e parë të vitit ka blerë energjinë me çmime 20 deri 24 euro/Mwh më të lira se një vit më parë. Nëse në Mars-Prill 2019 u shpenzuan 31,6 milion Euro për energji nga importi, në periudhën Mars deri 12 Prill 2020 janë shpenzuar vetëm 9.9 milion euro. Mbyllja e aktivitetit të biznesit për periudhën e pandemisë testoi gjithashtu gadishmërinë e OSHEE për të përballuar rritjen e fluksit të energjisë së konsumuar nga abonentët familjarë. Paçka se sasia e energjisë së konsumuar nga familjarët u rrit ndjeshëm, gjendja e gadishmërisë së rrjetit mundësoi shmangien e defekteve dhe sigurinë e furnizimit me energji. Bazuar mbi vendimin e Entit Rregullator të Energjisë u bë i mundur edhe procesi i saktë dhe i drejtë i faturimit në kushtet e izolimit të lëvizjes në të gjithë territorin. OSHEE garanton se asnjë abonent familjar apo biznes nuk është mbifaturuar, përkundrazi, zbatimi i faturimit me vlerë reference për rreth 20% të abonentëve gjatë muajit Mars ka bërë që ata të faturohen më pak se sa konsumi real. Nga faturimi i muajit Prill është garantuar rakordimi i konsumit faktik dy mujor, të çdo abonenti me atë që raportohet dhe fotografohet në matësin e tij nga punonjësi i OSHEE. Numri i ankesave të abonentëve për mbifaturim për 3-mujorin 2020 ka pësuar ulje me 28% krahasuar me një vit më parë. Ankesat për faturimin e muajit Mars janë vetëm 0,3% e faturave të lëshuara nga Operatori i Shpërndarjes për atë muaj. Në përmbushje të paketës së ndihmës së qeverisë në kushtet e pandemisë COVID 19, OSHEE mori vendimin për faljen e kamatëvonesave të krijuara deri në 31 Dhjetor të vitit 2019. Vendimi mundësoi faljen e rreth 135 milion USD për 27,568 abonentë, prej të cilëve 205,228 janë familjarë dhe 22,340 konsumator biznes. Procesi i përfitimit vazhdon edhe aktualisht ndërsa i vetmi kusht është që abonenti të paraqitet në OSHEE për të amenduar aktmarrëveshjen dhe zyrtarizuar faljen e kamatës. Të dhënat si 4-mujor dëshmojnë se Operatori i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike ka mbajtur nën kontroll nivelin e humbjeve, edhe pse në kushtet e emergjencës së shkaktuar nga pandemia. Në këtë periudhë, humbjet në shpërndarje rezultuan 24.3%, pothuajse e njëjta vlerë me atë të një viti më parë. OSHEE mbetet e përkushtuar në realizimin e objektivit të vitit 2020 për reduktimin e nivelit të humbjeve totale nën 21%.