Investimet në Elbasan, Bejtja e Çela: Në 2016 planifikohen 300 milion lekë investime

CELA

 

Zv.ministri i Energjisë dhe Industrisë Ilir Bejtja shoqëruar nga Administratori i OSHEE-së Adrian Çela inspektuan investimet e përfunduara dhe ato në proces në rajonin e Elbasanit.

Gjatë vitit 2015 në këtë rajon janë kryer 99 milion lekë investime ndërsa për vitin 2016 është planifikuar që vlera e investimeve të arrijë në 300 milion lekë.

“Investimet kanë për qëllim jo vetëm uljen e humbjeve që është nga synimet kryesore të kompanisë por edhe përmirësimin e cilësisë së furnizimit për qytetarët. Kompania është përqëndruar në investime në zonat problematike por pa lënë asnjëherë jashtë vëmendjes ato zona që janë me tregues të mirë, ku popullsia dhe abonentët i përgjigjen korrekt pagesës së energjisë elektrike”, u shpreh administrator i OSHEE-së, Çela.

Në qytetin e Elbasanit ka përfunduar tanimë rikonstruksioni i rrjetit të tensionit të ulët me sistem kabllor ABC të 16 kabinave. Ky investim ka bërë të mundur kthimin nga përcjellësa ajrore në sistem kabllor ABC, çka ka rritur ndjeshëm cilësinë e furnizimit me energji për konsumatorët.

Brenda muajit Prill në qytetin e Elbasanit përfundon rikonstrusioni i tensionit të ulët me ballo ABC dhe 44 kabina të tjera. Në zonat periferike është ndërhyrë në rrjetin e shpërndarjes në fshatrat Bodurr, Mamel, Gjonme, Letan përmes 2 kabinave të reja.

Në qytetin e Peqinit ka mbaruar rikonstruksioni i rrjetit të tensionit të ulët me sistem kabllor ABC për 19 kabina. Në Gramsh është rikonstruktuar rrjeti dhe 4 kabina ndërsa po ndërtohen edhe 3 kabina të tjera në zonat periferike të qytetit. Investimet po prekin edhe Librazhdin ku po punohet për rikonstruksionin e 2 fiderave problematike të cilët shtrihen në zona malore me kushte përgjithësisht të vështira atmosferike.

“Në këtë rrugë që kemi nisur nuk ka kthim prapa dhe qytetarët do të na mirëkuptojnë nëse ne nuk arrijmë dot ti ezaurojmë brenda vitit të gjitha problemet që mund të kemi”, theksoi administrori i OSHEE-së.

Ndërkaq, zv.ministri Bejtja deklaroi se OSHEE planifikon të investojë për vitin 2016 shumën prej 15.7 miliard lekësh në të gjithë territorin.

“Çdo gjë që jemi duke bërë synon në rradhë të parë përmirësimin e cilësisë dhe ti përgjigjemi asaj sjelljeje shembullore të qytetarëve që është një nxitje për ne. Ata jo vetëm që kanë paguar detyrimet e energjisë dhe nuk kanë vjedhur atë por kanë qenë të vëmendshëm edhe ndaj atyre që vjedhin. Nuk janë vetëm punonjësit tanë që zbulojnë abuzuesit e energjisë por edhe ata që paguajnë e kanë kuptuar tashmë se çdo vjedhje e dëm shkon në kurriz të të gjithë konsumatorëve”, nënvizoi Bejtja.

Nga investimet e kryera deri më tani në rajonin e Elbasanit rezulton të jenë vendosur 500 shtylla të reja; 100 kilometër përcjellës ABC në tensionin e ulët; 150 kilometër linjë ajrore me përcjellës në tension të mesëm dhe të ulët; 102 kabina të rikonstruktuara apo të reja. 20 mijë abonentë kanë përfituar një cilësi më të mirë shërbimi, ulje defektesh në rrjetin energjitik.