Janar 2022, bizneset në rrjetin TM dalin në treg të lirë, Balluku: OSHEE garanton furnizimin me energji elektrike

Ministrja e Energjisë dhe Infrastrukturës Belinda Balluku gjatë seancës dëgjimore në kuvend ka deklaruar se në kuadër të liberalizimit të tregut të energjisë, nga janari i vitit 2022 do të dalin në tregun e lirë bizneset e lidhur në tensionin e mesëm.

Balluku tha se ky është një detyrim ligjor, por nga ana tjetër këto subjekte biznesi kanë mundësi të zgjedhin ofertuesit me çmimin më të ulët.

Sipas saj,   OSHEE përmes Furnizuesit të Tregut të Lirë, FTL ofron sot çmimin më të ulët të energjisë dhe për këtë shkak shumë prej klientëve të tensionit të lartë të cilët kanë dalë prej vitesh në tregun e lirë, janë afruar pranë OSHEE për të përfituar nga ofertat e saj të blerjes së energjisë.

“Dalja e biznesit 35 Kv në tregun e lirë është detyrim ligjor që rrjedh nga angazhimet tona në entitetet e Bashkimit Evropian sic është Sekretariati i Energjisë, por kemi qenë ne që e kemi shtyrë këtë proces për të mos i ekspozuar ata”.

Sipas saj, në janar 2022 është detyrimi i fundit ligjor që përdoruesit e tensionit të mesëm të dalin në treg të lirë. Referuar afateve të vendosur në reformën e liberalizimit, kjo kategori biznesesh duhet të kishin dalë në tregun e lirë në 2018.

“Kemi kaluar çdo limit për të mos ekspozuar bizneset shqiptare në tregun energjetik dhe i kemi mbajtur me çmimin e paracaktuar që OSHEE ofron”, u shpreh në komisionin kuvendor të Ekonomisë, ministrja Balluku.

Në respekt të ligjit, ministrja sqaroi se përdoruesit e rrjetit TM do të kenë mundësi ta zgjedhin vetë operatorin se ku do të furnizohen me energji elektrike dhe një nga këta është FTL me çmime konkurruese, pjesë e OSHEE Group.

“Ne po bëjmë gjithcka  për të garantuar energji dhe për të mbajtur brenda sistemit dhe tensionin e mesëm, por me dëshirën e tyre, jo si një detyrim për të qëndruar me ne”, përfundoi ministrja e Energjisë dhe e Infrastrukturës.