OSHEE, 47.5 milion lekë investime për rrjetin në Qytetin Studenti

DSC_1914

Zv.ministri i Energjisë dhe Industrisë Z. Ilir Bejtja shoqëruar nga administrator i OSHEE-së Z.Adrian Çela inspektuan fillimin e fazës së investimeve për rrjetin e shpërndarjes në Qytetin Studenti në Tiranë.

 

OSHEE ka planifikuar investimin e 47.5 milion lekëve për rikonstruksionin e plotë të 10 kabinave ekzistuese dhe ndërtimin e dy kabinave të reja.

 

Ndërkaq, do të bëhet kalimi nga rrjeti 6 kV i N/Stacionit Traktora 35/110 kV i dhe në rrjetin 20 kV i N/Stacionit Traktora 35/110 kV. Gjithashtu, do të eleminohen të gjithë linjat ajrore të rrjetit 6 kV që janë aktualisht në Qytet Studenti.

“Është pjesë e të gjitha investimeve që Operatori i Shpërndarjes po kryen jo vetëm në qytetin e Tiranës por në të gjithë vendin. Vetëm për qytetin e Tiranës janë rreth 2.5 miliard lekë investime që janë në proces në zona të ndryshme. Në Qytetin Studenti investimi nuk ka të bëjë me logjikën e mëparshme për ndërhyrje në zonat me humbje dhe vjedhje të mëdha të energjisë. Kjo është një zonë që e paguan në mënyrë të rregullt energjinë, por këtu kemi një rrjet shumë të vjetër të shpërndarjes, i ndërtuar që në vitet 60’. Janë mbi 2500 abonentë që përfitojnë nga këto investime që do të kryhen”, u shpreh z. Çela.

Sipas tij, investimi do të ndikojë në përmirësimin e cilësisë së furnizimit, minimizimin e defekteve dhe kohës për riparimin e këtyre defekteve.

Ndërkaq, zv.ministri Ilir Bejtja deklaroi se kompania dhe ministria kanë ndjekur politikën që jo vetëm të luftohen lidhjet e paligjshme, vjedhjet apo mospagesa, por ti kthehemi konsumatorit me investime. Sipas tij, janë pagesat e energjisë që tanimë po mundësojnë kryerjen e investimeve të munguara.

“Ne nuk kemi objektiv thjesht të rrisim fitimet e kompanisë, të shlyejmë detyrimet e të tjera si këto por në rradhë të parë të garantojmë se ky sistem do ta furnizojë energjinë siç e kërkojnë konsumatorët. Megjithë kakofoninë e krijuar gjatë këtyre ditëve, është mirë që njerëzit ta dinë se ky sektor erdhi nga kolapsi dhe tanimë po kthehet në një sistem që vetmbahet, financohet, investon, rrit cilësinë e investimit dhe nuk mobilizon asnjë qindarkë nga Buxheti i Shtetit. Ishin 150 deri 170 milion euro në vit humbje nga sistemi energjitik dhe tanimë ato para mund të përdoren kudo në sektorët e ekonomisë”, u shpreh z. Bejtja.

Investimi në Qytetin Studenti pritet të përfundojë brenda tre muajsh nga data e nisjes së punimeve dhe do të përmirësojë ndjeshëm cilësinë e furnizimit me energji.