OSHEE: Falja e kamatave, një tjetër shans deri në qershor për abonentët korrekt

cela

Administratori i OSHEE, Adrian Çela i shoqëruar nga ministri i Energjisë Damian Gjiknuri dhe kryeministri Edi Rama, zhvilluan një takim me familjet përfituese të skemave sociale për shlyerjen e debisë dhe reduktimin e kamatvonesave në Tiranë.

Gjatë fjalës së tij, ministri Gjiknuri u shpreh se Operatori i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike ka qenë dhe do të jetë i gatshëm që të ofrojë lehtësi dhe skema të herë pas hershme të cilat në çdo rast do të inkurajojnë vetëm ata qytetarë korrekt që respektojnë pagesën e faturës mujore ashtu sikurse këstin e aktmarrëveshjes së nënshkruar për borxhin e vjetër.

Ndërsa Administratori i OSHEE, Adrian Çela tha mes të tjerave në fjalën e tij se janë 332,000 abonentë që kanë përfituar deri më tani nga reduktimi deri në zerim të plotë i kamatëvonesës dhe fshirja e faturimeve abuzive të periudhës 2008-2011. Vlera totale e përfituar nga këta qytetarë për periudhën nga Dhjetori 2014 deri në Dhjetor 2016 ka arritur në 147 milion USD. Janë edhe 68 mijë abonentë të tjerë që nëse do të dëshmojnë korrektësi në pagesën e faturave mujore dhe kësteve të aktmarrëveshjeve mund të përfitojnë në muajt e ardhshëm një tjetër shumë prej 84 milion USD.

Më poshtë fjala e Administratorit të kompanisë OSHEE, Adrian Çela

Së pari gjej rastin të ju falenderoj për pjesëmarrjen. Zgjodhem ditën e sotme për të bashkëbiseduar me abonentë që kategorizohen kryesisht tek shtresat në nevojë dhe pjesë e skemës së ndihmës ekonomike. Janë disa dhjetra mes qindra mijëra përfituesve të skemave lehtësuese të shlyerjes së borxheve të prapambetura të energjisë elektrike. Gjithashtu, janë pjesë e skemave tanimë të prezantuara për reduktimin deri në zerim të vlerës së kamatëvonesave.

Ju shpreh vlerësimin tim për mbështetjen që i keni thënë rimëkëmbjes së sektorit elektroenergjitik dhe gatishmërinë tuaj për tu bërë pjesë e ligjshmërisë. Natyrisht, ju bëni pjesë në ato kategori sociale të cilat për shkak të nivelit të ulët të të ardhurave e kanë patur dhe vazhdojnë ta kenë të vështirë pagesën e faturave të energjisë elektrike. E pikërisht për këtë shkak, bëhet edhe më e vlerësueshme përpjekja juaj për tu treguar sa më korrekt me detyrimet ndaj Operatorit të Shpërndarjes së Energjisë Elektrike.

Këtë gatishmëri tuajën, OSHEE e ka “shpërblyer” me reduktimin deri në zerim të detyrimit që ju kishit në formën e kamatëvonesës. Ju jeni shembulli më i mirë i asaj çka duhet të bëjnë të gjithë, të jenë korrekt e të paguajnë për atë që konsumojnë. Askush nuk duhet të paguajë edhe për ata që vjedhin. Natyrisht, ata që deri dje e vidhnin energjinë elektrike është e natyrshme që sot ndjehen keq. Ky nuk është problemi ynë. Ata janë thjesht pakica gjithnjë e më e vogël pasi shumica e qytetarëve të ndershëm respektojnë detyrimin dhe paguajnë faturën e asaj që konsumojnë.

Nga koha kur ne nisëm operacionin për rikthimin e ligjshmërisë në energji 453,555 familje dhe biznese debitore kanë firmosur aktmarrëveshje duke shlyer me këste borxhet e akumuluara të energjisë.

Nuk duhet ta harrojmë se ishte ky administrim i ri i kompanisë që bëri realitet fshirjen e rreth 54 mijë faturave abuzive të lëshuara në dëm të qytetarëve gjatë periudhës 2008-2011. Shuma e përfituar nga qytetarët në këtë rast ishte 30 milion USD.

Pavarësisht se nuk është detyra e OSHEE-së të bëjë politikat sociale, nisur nga problematikat me të cilat ndeshen kryesisht familjet në nevojë në Shqipëri, ne kemi qenë të gatshëm tu gjendemi pranë.

Skemat e para të reduktimit të kamatave u aplikuan me reduktimin 70% deri 80% të vlerës së kamatës me pagesën e plotë të borxhit dhe rezulton se prej tyre përfituan 220 mijë abonentë në një vlerë totale prej rreth 46 milion USD.

OSHEE po vazhdon të zbatojë skemat e reja të reduktimit të kamatave deri në zerimin e plotë të saj për 126 000 abonentë të tjetë.

Deri më tani, janë 24615 familje në nevojë dhe pensionistë kryefamiljarë që kanë përfituar nga zerimi i kamatëvonesës me një vlerë prej 37 milion USD. Gjithashtu janë 33812 konsumatorë të tjerë familjarë që e kanë përfituar reduktimin në vlerë totale prej 34 milion USD.

Thënë në mënyrë më të përmbledhur, janë 332,000 abonentë që kanë përfituar deri më tani nga reduktimi deri në zerim të plotë i kamatëvonesës dhe fshirja e faturimeve abuzive të periudhës 2008-2011. Vlera totale e përfituar nga këta qytetarë për periudhën Dhjetor 2014 – Dhjetor 2016 ka arritur në 147 milion USD. Ndërkaq, pritet që deri në Qershor 2017 të përfitojnë edhe 68,000 abonentë të mbetur duke e çuar shumën totale të detyrimeve të zbritura për abonentët në 230 milion USD.

Kompania ka qenë dhe do të jetë e gatshme që të ofrojë lehtësi dhe skema të herë pas hershme të cilat në çdo rast do të inkurajojnë vetëm ata qytetarë korrekt që respektojnë pagesën e faturës mujore të energjisë ashtu sikurse këstin e aktmarrëveshjes së nënshkruar për borxhin e vjetër.

takimi