OSHEE hedh poshtë akuzat e PD: Deputeti Kapurani jo debitor

 

Operatori i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike hedh poshtë akuzat e ngritura sot publikisht nga Partia Demokratike përmes deputetes Albana Vokshi.


Sa i takon kontratës së një biznesi që i referohet në deklaratë Partia Demokratike, OSHEE deklaron se kjo kontratë ka qenë pjesë e listës së debitorëve kryesore që është dërguar për ndërprerjen e energjisë elektrike.

Rajoni i Korçës në bashkëpunim me Drejtorinë e Tensionit të Lartë ka bërë ndërprerjen e klientit nga nënstacioni që në datën 29 dhjetor 2014.

Në datën 9 janar, klienti është verifikuar sërish dhe energjia në këtë subjekt vazhdon të jetë e ndërprerë deri në likujdimin e plotë të detyrimeve.

Operatori i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike i bën thirrje Partisë Demokratike që ta lërë të rimëkëmbet kompaninë që ajo vet rrënoi për tetë vitet e qeverisjes së saj.

 

Reagimi i dytë i OSHEE, si përgjigje ndaj akuzave të Partisë Demokratike

Operatori i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike (OSHEE) sqaron sërish opinionin publik dhe përsërit faktin se fabrikës së tullave që përmendi sot PD në akuzën e saj i janë prerë dritat qysh në dhjetor dhe nuk do t’i lidhen deri në nënshkrimin e marrëveshjes me OSHEE – praktikë kjo e rregullt ligjore e kompanisë për të gjithë debitorët.

 Ndërsa deputeti Piro Kapurani nuk rezulton debitor i OSHEE dhe as rezulton të ketë qenë i tillë më parë.

 Nëse fabrika në fjalë është e vëllezërve të zotit Kapurani, ndërprerja e dritave njësoj si për gjithë të tjerët tregon se OSHEE ka filluar të shpëtojë nga influenca politike e së shkuarës dhe përpara ligjit janë të gjithë të barabartë!