Përfundon investimi 210 milion lekë për fuqizimin e nënstacionit Qendër Tiranë

celaZv.ministri i Energjisë dhe Industrisë Z.Ilir Bejtja dhe administrator i Operatorit të Shpërndarjes së Energjisë Elektrike Z.Adrian Çela inspektuan sot përfundimin e punës për fuqizimin e nënstacionit Qendër Tiranë 110/20 kV me fuqi 80 MVA.

Investimi në vlerën 210 milion lekë të reja nisi pesë muaj më parë dhe bën pjesë në planin e OSHEE-së për investimet e vitit 2015. Fuqizimi i nënstacionit ndikon drejtpërdrejtë duke përmirësuar cilësinë e furnizimit me energji elektrike për së paku 25 mijë abonentë në kryeqytet.

Zv.ministri Bejtja deklaroi se tanimë sektori energjitik është futur valën e investimeve në shpërndarje, transmetim por edhe gjenerim. Sipas tij, reformat e ndërmarra po japin efekt, kanë garantuar mbështetjen e qytetarëve por edhe të institucioneve ndërkombëtare si Fondi Monetar Ndërkombëtar dhe Banka Botërore.

“Dëshmi e këtij besimi është edhe financimi i ri që ne kemi marrë si sistem nëpërmjet marrëveshjes që firmosëm me qeverinë gjermane. Marrëveshje nga të cilat, në total për gjithë sistemin investimi shkon rreth 72 milion euro vetëm për vitin 2016. Do të jenë projekte që do të iniciohen në transmetim, në eficencë energjie, në siguri digash. Duhet të mos harrojmë edhe angazhimin e vet OSHEE-së për të investuar rreth 50 milion dollar në shpërndarje vetëm në vitin 2015”, u shpreh z.Bejtja.

“Ju e keni të qartë periudhën që u kalua ditët e vitit të ri, defektet e shumta dhe ngarkesat, sepse ky nënstacion nuk kishte këtë kapacitet dhe ishte jashtë funksionimi. E gjithë ngarkesa kalonte në tre nënstacione të tjera, që ishte i Zogut të Zi, i Autotraktorëve dhe i Selitës. Me përfundimin e punimeve do përmirësohet cilësia e furnizimit të qytetarëve dhe të gjithë abonentëve. Do jenë më të pakta, drejt minimizimit defektet për shkak të ngarkesës së energjisë elektrike”, sqaroi administrator i OSHEE-së, Çela.

Ai njoftoi se brenda Dhjetorit të ardhshëm do të përfundojë projekt-zbatimi në bashkëpunim me Bankën Botërore për një nënstacion të ri në qendër të Tiranës.

“Një investim që shkon rreth 8 milion euro. Është stacion nëntokësor, i blinduar, dixhital, pra është teknologjia e fundit më e avancuar. Me këtë nënstacion të ri që do të ndërtojmë, do të garantojmë për 30-40 vitet e ardhshme furnizimin me energji elektrike të gjithë qendrës së Tiranës. Pra, nuk do të jenë më ato probleme që kanë patur deri më tani qytetarët. Ne pretendojmë që deri në Dhjetor të marrë fund jo vetëm projekti, por edhe të shpallet gara. Do të duhen më pas 12 deri në 15 muaj që nënstacioni të jetë dorëzuar i përfunduar”, theksoi Çela.