Back

Programi i Qeverisë për sektorin energjetik!

Qeveria do të synojë zhvillimin e mëtejshëm të sektorit elektroenergjetik, nisur edhe nga konsolidimi i një reforme e cila ka dhënë rezultate, duke konsoliduar qëndrueshmërinë financiare, operacionale dhe teknike me synim plotësimin e kërkesës në rritje për energji brenda vendit, duke pasur si prioritet integrimin e tregut vendas të energjisë në tregjet rajonale dhe ato europiane, dhe duke ulur varësinë nga importi.

Thatësira e tejzgjatur e këtij viti, me keqja e 10 viteve te fundit, ishte një “stres test” i kaluar me sukses. Ndryshe nga më parë kur gjithçka shkarkohej tek Buxheti i Shtetit, këtë herë kompanitë e sektorit arritën të menaxhonin vet situatën e paparashikueshme, duke reduktuar në mënyrë drastike nevojën për injektim parash nga qeveria ne vlera minimale. Mos harrojmë që vite më parë Buxheti i Shtetit hiqte paratë nga investimet etj, vetëm e vetëm që të sigurohej furnizimi me energji elektrike. Kriza tregoi që reforma energjetike ka dhënë rezultat. Nuk themi se jemi aty ku duhet po dha rezultat sepse përballoi financiarisht krizën më të vështirë të 10 viteve të fundit pa krijuar stres të rëndë financiar dhe të vinte në dyshim stabilitetin financiar të vendit.

Qeveria do të synojë thellimin e reformës dhe vazhdimin e programit të investimeve, për të garantuar sigurinë dhe cilësinë e furnizimit përmes:
• rritjes së kapaciteteve gjeneruese;
• diversifikimit të burimeve (ujore dhe me erë);
• rritjes së kapaciteteve transmetuese ndërkufitare e brenda vendit;
• vazhdimin e procesit të ndarjes së OSHEE sipas ligjit të sektorit të energjisë elektrike;
• ulje të vazhdueshme të humbjeve në rrjetin e shpërndarjes, garantimin e aksesit për burimet e reja dhe zhvillimin e tyre;
• krijimin e bursës dhe tregut të organizuar të energjisë;
• forcimin e pavarësisë së rregullatorit;
• integrimin e tregut me Kosovës dhe atë rajonal;
• përafrimin e plotë të të gjithë legjislacionit të sektorit me atë europian;
• stimulim të investimeve;
• vazhdim të betejës pa kompromis me korrupsionin dhe vjedhjen e energjisë elektrike.

Në katër vitet e ardhshme do të investohen 170 milionë euro për forcimin e kapaciteteve gjeneruese dhe sigurinë e digave të administruara nga shoqëria KESH sha.

Në transmetim do të realizohen 160 milionë euro investime ku ndër më kryesori është ai i ndërtimit të linjës së 400 kV mes Shqipërisë dhe Maqedonisë e cila mbyll ciklin e lidhjeve interkonektive me vendet fqinje. Rrëzon të gjitha ato hamendje që thonë që Shqipëria s’ka përfituar, përkundrazi këto para janë të përfituara nga Shqipëria dhe Maqedonia për këtë projekt. Mbyllet cikli i interkonektivitetit, pra Shqipëria do të ketë një rrjet të lidhur me Malin e Zi, Greqinë, Kosovën dhe Maqedoninë. Gjë që do të krijojë premisat e nevojshme që të eksportohet teprica e mundshme që mund të vijë nga rritja e prodhimit të energjisë në Shqipëri.

Qeveria do të vijojë me procesin e ndarjes së funksioneve të shpërndarjes dhe furnizimit të energjisë në OSHEE duke krijuar dy shoqëri më vete me synim përmirësimin e shërbimet e furnizimit për qytetaret dhe kanalizimin e investimeve ne shpërndarje.

Në këtë sektor pritet të realizohet një total investimesh prej rreth 520 milionë eurosh, pjesa dërrmuese të cilave me fondet e vet kompanisë. Pjesë e kësaj pakete investimesh do të jenë edhe projektet me Bankën Botërore, Bankën gjermane KfW për sistemin Scada dhe leximin e matësave Smart. Jam i bindur që sistemi i shpërndarjes shqiptare rinovohet në nivelin 60-70% të tij. Brenda tarifave aktuale, me planet aktuale të performancës dhe me reduktimin e mëtejshëm të humbjeve ne kemi mundësi që në pjesën më të madhe të gjithë ultësirës perëndimore dhe në qendrat kryesore ne të kemi energji si çdo vend tjetër europian dhe njerëzit këto gjëra po i shohin përditë.

Do të nxitet rritja e prodhimit të energjisë prej burimeve të rinovueshme për të siguruar një zhvillim të qëndrueshëm me qëllim rritjen e diversifikimit të burimeve nga energjitë alternative dhe miqësore me mjedisin si dhe implementimin e skemave të reja të matjes neto të energjisë nga impiantet e prodhimit të energjisë diellore dhe me erë për të gjithë vetprodhuesit, konsumatorë familjarë apo biznese.

Do të vazhdojnë investimet private në energji. Do të krijojmë kushtet që këto investime të vazhdojnë të progresojnë, sepse këto investime kanë progresuar edhe në këto vite për shkak të rritjes së likuiditetit në sektorin e energjisë elektrike. Jam i bindur që në vitin 2021, Shqipëria do të ketë edhe 300 mega të tjerë të instaluar dhe këto nga investime të huaja dhe të vendit. Shumë shpejt do të përfundojë edhe procedura për Kalivaçin, ashtu siç edhe shumë koncesionarë të tjerë të cilët me investimet e tyre dhe me riskun e tyre pa kërkuar garanci për blerjet e energjisë do të shtojnë investimet e huaja, por mbi të gjitha do të rrisin prodhimin e energjisë elektrike në Shqipëri.

Kjo do të bëjë që Shqipëria përveç prodhimit të saj hidro do të ketë edhe prodhimin e energjisë nga energjia diellore dhe era. Tashmë kemi një plan të miratuar, kemi një tarifë të miratuar, kanë filluar aplikimet e para dhe shumë shpejt do të organizojmë edhe ankandin më të madh sëbashku me Bankën për Rindërtim dhe Zhvillim për të ngritur impiantin më të madh fotovoltaik që është bërë ndonjëherë në Shqipëri dhe synojmë të paktën 30 megavat, i cili do të integrohet me rrjetin energjetik shqiptar. Në planin kombëtar dhe që është i financueshëm sepse ka një tarifë të rregulluar parashikohen edhe 30 megavat me erë. Do të thotë që Shqipëria fillon edhe me këto energji alternative për të diversifikuar portofolin e saj.

Në sektorin e energjive të rinovueshme, investimet e pritshme në ngritjen e impianteve të gjenerimit të energjisë nga burimet diellore janë rreth 150 milion Euro, ku deri në 2020 do të instalohen rreth 50 MV me tarifë të rregulluar. Nga burimet me energjinë e erës, investimet e pritshme do të jenë afërsisht rreth 60 milion Euro, ku deri në 2020 do të instalohen 30 MW me tarifë të rregulluar.

Marrë me shkurtime nga fjala e Ministrit z.Damian Gjiknuri gjatë prezantimit të programit qeverisës për Infrastrukturën dhe Energjinë në seancën e sotme parlamentare