Reagim i OSHEE lidhur me kronikën e transmetuar mbrëmjen e kaluar në emisionin “STOP” në TV Klan

fotooo

Operatori i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike (OSHEE) është njohur me përmbajtjen e kronikës së raportuar mbrëmjen e kaluar në emisionin investigativ “STOP” në televizionin Klan.

Sipas këtij raportimi dyshohet të jetë kryer një veprim i kundraligjshëm nga shtetasi E.V me detyrë, punonjës i sigurisë së një kompanie private, në shërbim të Qendrës së Kujdesit ndaj Klientit, Kinostudio-Tiranë.

OSHEE dëshiron të sqarojë opinionin publik se ka marrë masën e pezullimit të menjëhershëm nga detyra për:

E.V me detyrë, punonjës i sigurisë (nga kompani private) – aktualisht është shoqëruar nga Policia e Shtetit
E.M me detyrë drejtues i Qendrës së Kujdesit ndaj Klientit, Kinostudio-Tiranë
M.B me detyrë specialiste e Kujdesit ndaj Klientit, Kinostudio-Tiranë

Ndërkaq, OSHEE i është drejtuar strukturave ligjzbatuese duke ju kërkuar që të hetojnë dhe zbardhin plotësisht përmbajtjen e kësaj videoje të regjistruar nga emisioni investigativ “STOP”.

Pamjet filmike tregojnë qartë se kemi të bëjmë me një procedurë të manipuluar nga sekseri (roja e sigurisë private) përmes dokumentacioneve dhe vërtetimeve (ku dyshohen të falsifikuara) në mënyrë që abonenti të përfshihej në skemën lehtësuese të pagesës mujore të këstit 1200/muaj, si “invalid”.

Kriteret për të përfituar nga skemat lehtësuese janë bërë publike dhe seti i dokumentacionit që kërkohet nga OSHEE lëshohet nga institucione të tjera!!

Sqarojmë gjithashtu se, produkti i Aktmarrëveshjes për kategoritë e konsumatorëve të cilët mbajnë statusin e ndihmës ekonomike, status të veçantë dhe pensionistit parashikon që reduktimi i kamatës kundrejt pagesës së një vlere në masën 20 lekë realizohet vetëm në rastet që klienti paguan rregullisht detyrimet e këstit prej 1200 lekë dhe faturës për një periudhë që aktualisht është minimalisht 6 muaj, deri në 12 muaj.

Veprimet e realizimit te reduktimit të kamatëvonesës realizohen në fund periudhe 6-mujore deri në 1-vjeçare, pas një analize të detajuar të ecurisë së aktmarrëveshjeve individuale.
Nënvizojmë që në muajin janar 2017 do të realizohet autorizimi i reduktimit të kamatës nga strukturat përgjegjëse në drejtori qendrore të mbledhjes së debisë për aktmarrëveshje të lidhura gjatë vitit 2016.

OSHEE falënderon me këtë rast gazetarët e emisionit “STOP” për denoncimin e bërë dhe inkurajon çdo media apo qytetar që të raportojë çdo lloj abuzimi që lidhet me punonjësit e kësaj kompanie.

Operatori i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike mbetet i vendosur për të ndëshkuar çdo sjellje abuzive të çdo punonjësi të kompanisë që provohet të ketë vepruar në kundërshtim me ligjin.

Për hir të transparencës ndaj opinionit publik, OSHEE sqaron se:

Askush nuk mundet të fshijë të dhëna në sistem apo/dhe t’i manipulojë ato, pasi aksesi është tejet i kufizuar, me kode dhe lë gjurmë për çdo veprim të kryer.

Sistemi është i sigurt, i monitoruar në çdo kohë, përfshi edhe personat e autorizuar, sipas procedurave strikte.

Në çdo kohë, OSHEE kryen kontrollet nëpërmjet strukturave kompetente për të ruajtur, shmangur dhe/ose gjetjen e rasteve abuzive nga abonentë apo punonjës të kompanisë.