Back

Rilindja e infrastrukturës energjetike në Golem

Golemi, zona më e populluar gjatë sezonit turistik, nuk do të vuajë më ndërprerjen e energjisë elektrike. Ka përfunduar rikonstruksioni i nënstacionit të Golemit 110/20kV, që jep siguri të plotë në furnizim me energji për të gjithë zonën nga Plepat deri në Shkëmbin e Kavajës në Golem. Jo vetëm ndërprerjet e energjisë, por edhe luhatjet e tensionit u kishin shkaktuar shpesh dëme në pajisje 9 mijë abonentëve. Vendosja e transformatorit të ri, me tre nivele tensioni, zgjidh edhe këtë problem, duke rritur cilësinë e parametrave të furnizimit me energji elektrike, me standarte të reja teknike. Furnizimi bëhet me fidera të rinj dalës 20kV dhe lidhja në unazë me fiderat nga Kavaja dhe Shkozeti, për t’i lehtësuar nga mbi ngarkesat. Ndërkohë ka nisur faza e dytë, ku investimi po shtrihet në gjithë zonën bregdetare nga Shkëmbi i Kavajës deri në Qerret. Ky investim që shkon në total 900 milionë lekë zhvillon një infrastrukture elektrike të përshtatshme për gjithë zonën bregdetare, që jo vetëm garanton një shërbim cilësor duke filluar nga ky sezon turisitk, por parashikon zhvillimin afatgjatë të Golemit si zonë turistike.

“Kjo është faza e parë e investimit. Ka nisur faza e dytë, 630 milionë lekë, ku bëjmë 6 fidera të rinj 20kV. 2 fiderat e parë mbarojnë në korrik dhe brenda vitit mbarojnë edhe të tjerët, që përfshijnë nga Rreth Plepat deri në plazhin e Qerretit.
Hyjnë në punë këto fidera dhe kalojnë për muze të vjetrit. Janë automatike, sistem skada, manovrohen dhe komandohen online, edhe nga Qendra në Tiranë. I gjithë investimi në total shkon 900 milionë lekë të reja. Ky investim përfshin 60 kabina, 36 km kabull dhe përfitojnë mbi 9000 abonentë. Përveç kësaj, në zonën e Kavajës dhe në fshatrat përreth kemi investuar dhe 2.6 milionë euro të tjerë. Banorët e zonës turistike dhe banorët e zonës së Golemit deri në plazhin e Qerretit nuk do të kenë më probleme me energjinë elektrike,” – shpjegoi investimin Administratori i OSHEE, Adrian Çela.

KM Rama: “Është një projekt kompleks, që ka gjithë ripërtëritjen e rrjetit të furnizimit me energji të zonës, por ka dhe gjithë ripërtëritjen e rrjetit të Ujësjellës- Kanalizimeve në gjithë zonën e plazhit. Plus kemi disa projekte të tjera që fillojnë futen tani për të rehabilituar gjithë rrugët midis godinave që janë në plazh, nga Durrësi deri në Golem në mënyrë që t’i japim atë energjinë e Rilindjes Urbane dhe të kemi një transformim rrënjësor nga pikëpamja e cilësisë së ambientit. 20 e kusur vite duke bërë turizëm me gropa septike dhe duke hedhur të gjithë ujërat e zeza në det, ka qenë një katastrofë. “

Administratori i komunës Golem: “Tensioni ka qenë i dobët në të gjithë zonën. Tani investimi ka një impakt të madh, do të zgjidhi një nga 3 hallet e mëdha që ka zona, zgjidh përfundimisht transmetimin e energjisë elektrike. Edhe impianti i ujërave të zeza është duke përfunduar, vetëm loti i fundit është, nga këtu tek fundi i plazhit deri te Përroi i Agait”.

KM Rama: “Rilindje në kuptimin e vërtetë të fjalës nga pikëpamja e infrastrukturës e energjisë dhe infrastrukturës së ujësjellës-kanalizimeve. Këtu as drita, as uji dhe ujërat e zeza derdheshin në det dhe në gropa septike. Sigurisht që ka kërkuar kohën e vetë. Ka dhe pak kohë që duhet të bëjnë durim njerëzit, sepse nuk mund të bëhen dot brenda ditës. Janë projekte që kanë pasur nevojë që të rishikohen nga e para. Janë investime që nuk janë bërë 40 vjet.”