“Rimëkëmbja energjetike”, Çela: OSHEE 5,3 mld lekë investime në 2015
Administratori i OSHEE-së, z.Adrian Çela, gjatë konferencës “Rimëkëmbja e energjisë”. Sipas Çelës, u shpreh se për uljen e humbjeve në rrjet dhe rritjen e arkëtimeve, do të ketë shtrirje të sistemeve moderne matëse në të gjithë territorin.
Kreu i OSHEE-së informoi se qytetarët që sot përmes celularit, do të mund të paguajnë faturën e energjisë elektrike.
Po ashtu, ai bëri të ditur se shumë shpejt pagesa e faturës do të kryhet edhe përmes sporteleve të transferimit të parave si dhe nga dyqanet e shërbimit të telefonisë së celularëve, shërbime këto të ofruara me kosto zero për qyetarët.
Më poshtë gjeni fjalën e plotë të Administratorit të OSHEE, z.Adrian Çela
Rimëkëmbja energjetike
Fjala e Administratorit Adrian Çela
I nderuar Kryeministër,
Të nderuar ministra,
Të nderuar të pranishëm,
Po në këtë sallë, një muaj më parë u mblodhëm për të paraqitur rezultatet e vitit 2014 dhe sfidat me të cilat duhet të përballemi. Sot, konstatoj me kënaqësi se shifrat e muajit të parë të vitit 2015 tregojnë tashmë për konsolidimin e kulturës së ligjshmërisë në konsumin e energjisë elektrike.
Qytetarët po e kuptojnë çdo ditë e më shumë, se vetëm pagesa e rregullt e energjisë elektrike dhe shlyerja e detyrimeve të prapambetura mund të garantojnë një furnizim më cilësor dhe të sigurtë.
Niveli i humbjeve për muajin Janar u ul në 36.7%. Thënë ndryshe, 10.3% më pak humbje krahasuar me vitin e kaluar dhe 14.4% më pak se viti 2013. Pavarësisht temperaturave më të ulëta dhe konsumit më të madh, krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë, OSHEE ka mundur të reduktojë ndjeshëm shpërdorimin e energjisë.
Ky ritëm, na bën më besimplotë në objektivin tonë që nivelin vjetor të humbjeve për vitin 2015 ta reduktojmë në 31.8%.
Në muajin e parë të këtij viti është mundur të arkëtohen 6,11 miliardë lekë. Kjo do të thotë 57% më shumë të ardhura se sa një vit më parë dhe 128% më shumë se të njëjtin muaj të vitit 2013.
Objektivi ynë mbetet që vitin 2015 ta mbyllim me një shifër rekord prej 53 miliardë lekësh.
Skema lehtësuese e ofruar nga qeveria dhe kompania u ka ardhur në ndihmë mijëra familjeve shqiptare për shlyerjen e detyrimeve të prapambetura.
Që nga momenti kur nisi të zbatohej kjo skemë, rezulton të jenë lidhur 137,727 aktmarrëveshje mes kompanisë dhe konsumatorëve familjarë.
Vetëm gjatë muajt Janar janë firmosur mbi 72 mijë aktmarrëveshje. Kanë përfituar nga skema e reduktimit me 80% të kamatvonesës 43,592 familje dhe kanë lidhur aktmarrëveshje 4,827 familje në ndihmë ekonomike.
Beteja për këputjen e lidhjeve të paligjshme të energjisë ka dhënë efekt duke dyfishuar lidhjet e reja për këtë muaj krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.
Vetëm gjatë muajit janar 2015, kemi regjistruar 4.040 lidhje të reja nga 2426 në të njëjtën periudhë të vitit 2014.
Treguesit e arritur deri më tani nuk duhet aspak të na bëjnë të vetkënaqemi. Kemi hyrë në fazën më delikate dhe sfidat tashmë janë edhe më të mëdha.
Publiku duhet ta kuptojë, ka patur vërtet juridikisht një kontratë mes konsumatorit dhe kompanisë por prej shumë vitesh ajo ka mbetur vetëm në letër. Një kompani e cila ka toleruar që energjia të trajtohet si mall pa zot, nuk mundej kurrësesi të kujdesej për konsumatorët dhe tu përgjigjej atyre në mënyrën e duhur.
Nivelet alarmante të humbjeve dhe arkëtimeve në vitet e fundit, bënë që sot të trashëgojmë 80% të rrjetit të shpërndarjes të amortizuar.
Ulja e humbjeve, rritja e arkëtimeve, aktmarrëveshjeve dhe lidhjeve të reja faktojnë se tanimë qytetarët e kanë bërë zgjedhjen e tyre. Ata po shkëputen nga informaliteti duke u kthyer në binarët e ligjshmërisë.
E kanë kuptuar qartë se vetëm duke paguar energjinë mund të kenë një shërbim më cilësor.
Duhet të jemi të vetdijshëm se marrëdhënia mes konsumatorëve dhe Operatorit të Shpërndarjes së Energjisë Elektrike nuk duhet kurrësesi të jetë e njëanshme. Ai qytetar që paguan rregullisht kërkon të ketë energji, kërkon ta ketë energjinë në fuqinë e duhur. OSHEE duhet dhe do ti përgjigjet detyrimeve që ka ndaj qytetarëve.
Gjatë ditëve të fundit morëm vendimin për ti dhënë fund padrejtësisë së bërë ndaj mijëra abonentëve. Qeveria e kaluar dhe administratori i caktuar prej saj në krye të OSHEE-së, zgjodhën të mbyllnin sytë përballë një vendimi të marrë prej Entit Rregullator të Energjisë në vitin 2010.
Ne zgjodhëm të rrimë në krah të qytetarëve. Morëm vendimin për ti dhënë konsumatorëve të drejtat që u takojnë duke anuluar në sistem 54 mijë raste faturash me emërtimin “dëm ekonomik” dhe “energji e pamatur”. Fatura në vlerën totale 4.1 miliardë lekë që kishin një shtrirje nga tetori 2008 deri në prill 2011.
Paralelisht me vendosmërinë e palëkundur për të mos toleruar vjedhjen e asnjë kilovati energji, OSHEE ka një plan të qartë investimesh. Një plan i cili synon pikërisht të garantojë një furnizim gjithnjë e më cilësor dhe të sigurtë.
Po u ofrojmë qytetarëve një kontratë të re. Një kontratë përmes të cilës do të dëshmojmë se me të njëjtën shpejtësi me të cilën ata i përgjigjen rivendosjes së ligjshmërisë në konsumin e energjisë elektrike, edhe OSHEE do tu dalë zot detyrimeve të saja.
Me fondet e përbashkëta të projektit të Bankës Botërore dhe OSHEE-së parashikohet që këtë vit të investojmë 4,46 miliard lekë. Do mund të kryejmë sistemimin e rrjetit të tensionit të ulët për 20 mijë klientë, instalimin e 40 mijë matësave inteligjent, 150 kilometër linja kabëll ABC, rikonstruktim dhe ndërtim të 180 kabinave, 15 fidra të tensionit të mesëm.
Me fondet e saj, OSHEE-ja do të investojë 5,3 miliardë lekë të tjera. Do të fuqizohen dhe rikonstruktohen 15 nënstacione, rikonstruksion i linjave të tensionit të mesëm 35 kV, rrjet shpërndarës 20 kV, kabina transformatorësh dhe rikonstruksion rrjetit 10/6 kV.
Në bashkëpunim me USAID kemi patur mundësinë të eksperimentojmë një projekt pilot për kontrollin e fiderave. Verifikimi i konsumatorëve, konstatimi i rasteve të vjedhjeve, pastrimi i rrjetit nga lidhjet e parregullta dhe stabilizimi i ngarkesës në transformator bën që humbjet të uleshin në këtë fider nga 51% në 32%.
Këtë projekt pilot, tanimë do ta shtrijmë në të gjithë territorin. Do të marrim në kontroll fiderat në çdo zonë. Do të ketë një bilanc të detajuar të energjisë së futur, asaj të faturuar dhe humbjeve. Punonjës konkret të OSHEE-së do të jenë përgjegjës për çdo fider. Do të ketë një sistem performance, kush nuk arrin objektivin për uljen e humbjeve, do ti lërë vendin dikujt që di dhe dëshiron ta bëjë këtë punë më mirë.
Kemi programuar dy zona pilot në Tiranë dhe Durrës ku do të mund të vendosim 10 mijë matësa inteligjent. Janë zona të cilat rezulton se kanë humbjet më të mëdha të energjisë elektrike. Një test paraprak për të arritur gradualisht në objektivin e deklaruar që brenda disa vitesh të kemi shtrirjen e këtyre sistemeve moderne të matjes tek të gjithë konsumatorët.
Operatori i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike do ta transformojë plotësisht shërbimin e Kujdesit ndaj Klientit.
Do të përdorim teknologjinë për të thjeshtuar dhe bërë sa më transparente procedurat e depozitimit dhe shqyrtimit të ankesave. Përmes instalimit të një aplikacioni online, çdo qytetar do mund të ndjekë statusin e ankesës nga shtëpia, biznesi apo zyra.
Qytetarëve do tu vihen në dispozicion forma alternative për pagesën e detyrimeve të energjisë elektrike; përmes bankës, shërbimit celular, pikave të transfertës së parave apo dyqaneve në qendrat tregtare.
Nga kontaktet e përditshme me qytetarët kuptoj se po ecim në rrugën e duhur. OSHEE nuk mund dhe nuk do të shihet më si kompania që abuzon me konsumatorët e saj.
Do punojmë me vendosmëri që çdo qytetar ta ndjejë veten pjesë të suksesit të Operatorit të Shpërndarjes së Energjisë Elektrike.
Faleminderit