Situata e furnizimit me energji elektrike, OSHEE: Ja masat e ndërmarra në terren
Operatori i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike (OSHEE) njofton se pas ndërhyrjeve intensive në terren në 48 orët e fundit, me synim, eleminimin e avarive të shkaktuara nga reshjet e dendura të shiut dhe stuhitë, aktualisht është normalizuar situata në 90 përqind të këtyre zonave.)
Nga 76 fidra të dëmtuar si pasojë e motit të keq dhe shkarkimeve atmosferike në rrjet, mëngjesin e ditës së martë rezultojnë me defekt vetëm 8 fidra, për të cilët po punohet në terren me qëllim rikthimin e energjisë elektrike tek të gjithë abonentët.
Gjithsej, janë rreth 5 mijë abonente që nuk furnizohen me energji elektrike për shkak të defektit në këto 8 fidra, ose sa 0.6% e totalit të abonentëve të OSHEE.
Informacion mbi dëmet që shkaktuan shirat
Moti i keq, me reshje shiu dhe shkarkimet atmosferike shkaktuan dëmtime të rënda në linjat 35 kv, duke sjellë ndërprerje të energjisë elektrike në zonat bregdetare në jug të vendit, si dhe në disa zona në segmentin Tiranë-Durrës.
Avaritë kryesore u shfaqën të shtunën e kaluar, ku për shkak të motit të rënduar, disa linja u dëmtuan, ndërsa një pjesë u stakuan nga vetë OSHEE si masë sigurie ndaj popullatës.
Gjithashtu, po të shtunën, u dëmtua transformatori i nënstacionit Himarë, duke e rënduar më tej situatën.
Energjia mungoi deri më mbrëmje! Të dielën në mëngjes u dogj linja 35 kv Radhimë-Orikum, duke lënë pa drita zonën përreth.
Zona e Orikumit tashmë është stabilizuar dhe i gjithë bregdeti, Himarë-Dhërmi-Palasë-Orikum është në kushte normale të furnizimit me energji elektrike.
Gjatë mëngjesit të sotëm, rreth orës 07:50 është normalizuar situata e furnizimit me energji elektrike në Malësinë e Madhe.
Në këtë zonë, si pasojë e motit të keq u dëmtua transformatori në n/stacionin Vukpalaj. Pasi u zëvendësua me një transformator të ri, mëngjesin e sotëm u furnizuan normalisht me energji zonat e Kelmendit, Kastratit dhe Gruemirës.
Nga shkarkimet atmosferike në rrjetin elektrik, si pasojë e motit të keq gjatë fundjavës, 7 fshatra në Skrapar vijojnë të kenë probleme me energjinë.
Grupet e punës së OSHEE po punojnë në terren për normalizimin e situatës dhe rikthimin e energjisë elektrike tek të gjithë abonentët.
OSHEE nuk ka kryer asnjë kufizim të programuar të energjisë elektrike, përjashtuar rastet e remonteve të OST-së gjatë të cilave është i detyrueshëm kufizimi duke lajmëruar konsumatorin paraprakisht për orët dhe ditët.
Në vijim të planit të investimeve që po ndërmerr kompania, OSHEE ka analizuar me rëndësi zonat emergjente se ku do të ndërhyhet në rrjet.
Në aksin Dhërmi-Himarë-Borsh do të shpenzohen rreth 7 milionë dollarë për linja të reja dhe pajisje përkatëse.
OSHEE do të nisë ndërtimin e dy N/stacioneve në Orikum dhe Himarë, me ndihmën e donatorëve të huaj: gjermanët e KfW dhe Kooperacionit Italian.
*të gjithë informacionin mbi furnizimin me energji elektrike e gjeni tek: https://oshee.al/category/njoftime/