
Skemat lehtësuese për shlyerjen e detyrimeve të prapambetura, mbi 8300 klientë lidhën aktmarrëveshje me FSHU
Skemat lehtësuese për shlyerjen me këste të detyrimeve të prapambetura të energjisë elektrike janë pritur shumë mirë nga klientët e OSHEE GROUP Sh.A, ku gjatë vitit të fundit, mbi 8,300 debitorë lidhën aktmarrëveshje për pagesën e faturave të prapambetura me FSHU Sh.A. (Furnizuesi i Shërbimit Universal).
Të dhënat dëshmojnë interesin e lartë dhe besimin që kategori të ndryshëm klientësh kanë ndaj skemave, si mundësi reale për të përfituar.
Numrin më të lartë të aktmarrëveshjeve të firmosura gjatë periudhës 2024-2025 i përkasin klientëve familjarë.
Deri më 2 shtator 2025, janë lidhur afro 7083 aktmarrëveshje mes klientëve debitorë familjarë dhe kompanisë OSHEE Grup, prej tyre 4,780 klientë familjarë kanë përfituar ulje të kamatës deri në 70%, duke paguar njëherësh të gjithë detyrimin e akumuluar ndaj OSHEE.
Në kategorinë e abonentëve jofamiljarë, përfshirë bizneset e vogla, janë shënuar gjithashtu rezultate pozitive, ku 1,234 klientë jofamiljarë u bënë pjesë e skemave lehtësuese të AKM-ve gjatë vitit të fundit.
Nga këta, 887 klientë kanë përfituar reduktim të kamatës prej 50%, ndërsa 34 klientë kanë paguar plotësisht detyrimet dhe kanë përfituar reduktim 100% të kamatëvonesës.
Skemat e reja të miratuara nga OSHEE Group ofrojnë mundësi për shlyerjen e detyrimeve të akumuluara deri në 31 dhjetor 2023, duke u fokusuar në mbështetjen e familjeve në nevojë dhe biznesit të vogël.
Klientët përfitues të skemave lehtësuese, paguajnë debinë me këste fikse mujore, krahas faturës korente të konsumit të energjisë elektrike.
Kush janë përfituesit?
Aktmarrëveshjet përfshijnë: klientët familjarë me ndihmë ekonomike, pensionistët kryefamiljarë dhe personat me status të veçantë, të cilët mund t’i shlyejnë detyrimet me këste fikse mujore që nisin nga 1,200 lekë.
Klientët e tjerë familjarë do të përfitojnë këste fikse mujore që nisin nga 2,800 lekë.
Për të ruajtur një standard të përballueshëm aq sa dhe të drejtë, numri maksimal i kësteve do të jetë jo më shumë se 240 këste.
Në çdo rast klienti ka të drejtë të zgjedhë një këst pagese, me vlerë më të lartë se vlera minimale, duke iu përmbajtur kushtit prej maksimumi 240 këstesh
Klientët jofamiljarë (privat, buxhetorë dhe jobuxhetorë), do të paguajnë me këste të përcaktuara në bazë të shumës së detyrimit, si me poshtë.
Skema familjare me vlerë 1,200 lekë përfshin klientët përfitues të ndihmës ekonomike, pensionistët kryefamiljarë dhe klientët që trajtohen me status të veçantë.
OSHEE Group ka miratuar gjithashtu reduktime të kamatëvonesave për klientët që zgjedhin shlyerjen e të gjithë detyrimit me një këst të vetëm:
Klientët familjarë përfitojnë reduktim në masën 70% të kamatëvonesës.
Klientët jofamiljarë (ne kategorine privat, buxhetorë dhe jobuxhetorë), përfitojnë reduktim në masën 50%.
Biznesi i vogël, përfiton falje të plotë (100%) të kamatëvonesës, nëse likuidon të gjithë detyrimin menjëherë.