Back
02 Qershor

Impianti i parë fotovoltaik lundrues në Shqipëri fillon operimet tregtare, Balluku: Arritje e madhe, dy burime energjie brenda së njëjtës hapësirë

Pas përfundimit me sukses të fazës së zbatimit dhe lidhjen me rrjetin kombëtar të energjisë elektrike, njësia e parë e Impiantit Fotovoltaik Lundrues të Banjës ka filluar me sukses operimet tregtare. Impianti po prodhon energji të rinovueshme dhe ajo po futet në rrjetin shqiptar të energjisë.

Projekti ndodhet në rezervuarin e Banjës, ku Statkraft operon Hidrocentralin e Banjës me kapacitet të instaluar 72 MW. Impianti Fotovoltaik Lundrues i Banjës është një projekt inovativ kërkim-zhvillimi me kapacitet të planifikuar të instaluar prej 2 MWp.

Njësia e parë e këtij impianti, që përbehet nga 1536 panele diellore, ka kapacitet të instaluar prej 0.5 MWp dhe mbulon një sipërfaqe afërsisht 4,000 m2. Veç kësaj, 160 panele të njëjtë janë vendosur në tokë për krahasim dhe dokumentim të efektit ftohës në panelet lundruese. Projekti planifikon të vazhdoje me fazën e dytë të zbatimit gjatë gjysmës së dytë të vitit 2021, kur do të instalohen edhe tre njësi të tjera lundruese, me kapacitet të instaluar shtesë prej 1.5 MWp.

Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, e shoqëruar nga ambasadori i Norvegjisë në vendin tonë, Jens Erik Grøndahl, si dhe përfaqësues të kompanisë Statkraft kanw inspektuar nga afër projektin e implementuar në hidrocentralin e Banjës.

Ministrja Balluku e cilësoi këtë projekt si një risi ku brenda së njëjtës hapësirë kemi një integrim të dy burimeve të rinovueshme të energjisë.

“Ky është një projekt, që shkon në linjë me strategjinë e qeverisë për diversifikimin e burimeve të energjisë elektrike të rinovueshme, pasi në Republikën e Shqipërisë ne prodhojmë vetëm energji të rinovueshme. Kjo është diçka për t’u shënuar, është një ditë shumë e rëndësishme për mua si ministre e Energjisë, padyshim për ju si ekipi i suksesshëm i Statkraftit, për ambasadorin që besoj ndihet krenar sot që një kompani shumë e rëndësishme nga vendi i tij arrin dhe dorëzon një projekt me vlera për të gjithë Europën, pasi strategjia e diversifikimit, apo rritja e kapaciteteve të energjisë së rinovueshme është një trend europian dhe një kërkesë e Bashkimit Europian. Shqipëria ka fatin pasi është një kampione e prodhimit të energjisë të rinovueshme, duke qenë se e gjithë energjia që prodhohet në republikën tonë vjen nga burime të rinovueshme.”, tha Balluku.

“Shqipëria është një vend me prodhim të lartë të energjisë nga burimet ujore, ngjashëm me Norvegjinë, kjo ka qenë një nga arsyet e interesit tonë për të investuar në vend si pjesë e zgjerimit ndërkombëtar. Sot shohim që Shqipëria mund të luajë një rol kyç si nyje e energjisë së rinovueshme në rajonin e Ballkanit Perëndimor. Përvoja jonë prej më shumë se një dekadë në Shqipëri ka treguar se është e mundur të arrihen suksese në fushën e energjive të rinovueshme në vend, dhe arritjet tona janë mundësuar falë një bashkëpunimi të ngushtë me autoritetet shqiptare. Jemi krenarë të njoftojmë se kemi përmbyllur me sukses fazën e parë të një tjetër projekti inovativ në energjinë e rinovueshme në Shqipëri, me fillimin e prodhimit të energjisë diellore nga Impianti Fotovoltaik Lundrues i Banjës.” tha Time Iyer Utne, Zv. Presidente e Statkraft, Përgjegjëse për Azinë Jugore dhe Europën Juglindore.

“Kjo ditë shënon një arritje të madhe për Statkraftin në Shqipëri dhe një hap më tej në transformimin drejt energjive të rinovueshme nëpërmjet zgjidhjeve inovative. Pas fillimit të operimeve tregtare në hidrocentralet e Banjës dhe Moglicës, po shohim mundësitë për t’i optimizuar më tej këto asete të energjisë së rinovueshme. Impianti Fotovoltaik Lundrues i Banjës është një shembull konkret i integrimit të burimeve të ndryshme të energjisë së rinovueshme” tha Rigela Gegprifti, Drejtore e Përgjithshme e Statkraft në Shqipëri.

Statkraft është e pranishme në Shqipëri nga viti 2007. Shqipëria është nga vendet me përqindje më të lartë të prodhimit të energjisë së rinovueshme në Evropën Juglindore. Hidroenergjia përbën pjesën më të madhe të prodhimit të energjisë në Shqipëri, me rreth 95% të kapacitetit te instaluar. Veç kësaj, Shqipëria është nder vendet e para në Europë për numrin e orëve me diell në vit, që paraqet një potencial të rëndësishëm për zhvillimin e energjisë diellore dhe përshtatet më së miri me kapacitetin ekzistues të hidroenergjisë.

24 Maj

Rikonstruktohet NST Hoxharë në Fier, Balluku: Investimi i OSSH me vlerë për zhvillimin e zonës, përmirësim rrënjësor i cilësisë së furnizimit me energji

Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë Belinda Balluku vizitoi nga afër investimin e kryer në nënstacionin elektrik të Hoxharës me fondet e Operatorit të Sistemit të Shpërndarjes. Balluku vlerësoi investimet e realizuara në këtë nënstacion cka kanë bërë të mundur që me dyfishimin e kapaciteteve, të përmirësohet rrënjësisht cilësia e furnizimit me energji elektrike.

“Ky është nënstacioni elektrik i Hoxharës në Fier, tashmë i transformuar rrënjësisht dhe me kapacitete të dyfishuara, në sajë të investimeve të realizuara, në funksion të zhvillimit të mëtejshëm ekonomik të zonës, si dhe cilësisë më të mirë furnizimi me energji elektrike për afro 20 mijë banorët”, u shpreh ministrja Balluku në prononcimin e saj.

31 Mars

OSSH rrjet të ri elektrik në Bërdicë, Rama: Transformimi rrënjësor, mungesë investimesh që nga koha e elektrifikimit

Kryeministri Rama ka inspektuar nga afër investimet e OSHEE-së në Bërdicë, Shkodër ku po punohet për ndërtimin e rrjetit të ulët me ABC linja. Gjithashtu OSSH po synon kalimin e tensionit të mesëm dhe atij të mesëm e të ulët në rrjetin e ri 20 kV investim i cili mbyllet brenda 102 ditëve. Kryeministri Rama tha se në raport me çfarë duhet të jetë ka ende shumë për të bërë, sepse kur morën detyrën, OSHEE ishte gropë e madhe dhe të gjithë këto linja ishin në mëshirë të fatit që nga koha e elektrifikimit, por se në raport me ku ishte, ndryshimi është nata me ditën.

Janë gati 1.3 milionë dollar të investuara në këtë projekt, nga i cili përfitojnë rreth 4000 qytetarë të zonës. Tre degëzimet e reja shpërndajnë energji në të gjithë zonën, teksa projekti siguron shpërndarje më të mirë të energjisë.

25 Mars

Kompania franceze do të ndërtojë parkun fotovoltaik të Spitallës, Balluku: Gur kilometrik për sektorin elektroenergjetik

Kompania franceze “Voltalia” ka fituar garën për të ndërtuar parkun fotovoltaik të Spitallës, me ofertën 29.89 euro për megavat. Ajo ishte në garë me kompaninë kineze, “Universe Energy”, e cila ofroi çmimin 46 euro për megavat.

Ministrja Belinda Balluku e cilësoi këtë hap, si një gur kilometrik në sektorin elektroenergjetik dhe një hap më pranë vizionit dhe synimit për ta bërë Shqipërinë eksportuese të energjisë së rinovueshme.

Në garë ishin 5 kompani të mëdha që dhanë ofertat e tyre për ndërtimin e parkut fotovoltaik të Spitallës dhe dy prej tyre kaluan fazat e kualifikimit, një franceze dhe një kineze, që përmbushën kushtet.

“Me hapjen e këtij ankandi, kemi ecur me mbështetjen shumë të vyer të BERZH, për të sjellë një rezultat sa më transparent. Pasi është mbyll afati i dorëzimit të ofertave në 1 shkurt, ne kemi pasur mundësi të shohim ofertat nga 5 kompani të mëdha me eksperiencë në botë. këto ankande shteti nuk angazhohen për të vënë në dispozicion tokën, por janë investitorët që e sjellin paketën, dhe në një garë të pastër shpallim fituesin”, tha ministrja Belinda Balluku.

70% e energjisë që do të prodhohet në parkun fotovoltaik të Spitallës do të blihet nga OSSH, me një çmim të favorshëm dhe 30 megavat do të jetë në treg të lirë, duke përdorur bursën e ngritur.

24 Mars

OSSH: Eleminohen 87 % e avarive në rajonin e Burrelit, Bulqiza vetëm një fider me defekt

Operatori i Sistemit të Shpërndarjes po ndjek me vëmendje situatën e furnizimit me energji elektrike në vend dhe problematikat në rrjetin e shpërndarjes të shkaktuara nga moti i keq që ka përfshirë vendin tonë prej datës 22 mars.
Me marrjen e informacionit për ndryshim të kushteve klimatike, OSSH në bazë të planit të masave organizative që ka të bëjë me shëndetin e sigurinë, ka njoftuar 72 orë përpara 11 rajonet e saj në vend për të organizuar punën në terren me qëllim elimiminin e defekteve në kohë sa më të shpejtë.
Nisur me problematikën në një prej rajoneve, Bulqizë, ky rajon ishte ndër më të prekurit nga defektet që në orët e para të mëngjesit të datës 22 mars si pasojë e reshjeve të borës dhe stuhisë së erës ku u raportuan defekte në linjën e tensionit të mesëm e të ulët kryesisht në zonat rurale dhe rurale të thella.
Nisur dhe nga vështirësia e punës në terren, brenda 48 orëve, megjithë vështirësitë e terrenit si pasojë e rrugëve të bllokuara nga bora, janë riparuar afro 87 % e defekteve në rajonin e Bulqizës, Burrelit, Rrëshenit e Peshkopisë.
Në ndihmë të ekipeve të brigadave të avarisë së OSSH #Burrel, u angazhuan dhe forcat e pushtetit vendor të këtij rajoni, të cilët ndihmuan me mjetet e tyre duke zhbllokuar rrugët.
Aktualisht, janë riparuar 350 kilometra linjë TL, TM dhe TU dhe gjatë ditës së sotme ka vijuar puna sërish për riparimin e defekteve kryesisht në degëzime që ndodhen në zonat e thella rurale.
Situata e furnizimit me energji elektrike është futur në dinamikën normale dhe OSSH thekson se nuk ka asnjë problematikë në organizimin e punës së brigadave të avarisë në terren por cdo vonesë në riparimin e defekteve lidhet me vështirësitë e terrenit në të cilët janë konstatuar defektet.
Puna në terren e brigadave të avarisë vijon me intensitet për rikthimin e energjisë tek të gjithë abonentët.

17 Shkurt

Humbin jetën në krye të detyrës 2 elektricistë në Gjirokastër, Balluku: Jemi pranë familjarëve, OSHEE e OST shpërblim për punonjësit

Me keqardhje dhe dhimbje të thellë njoftojmë humbjen e dy pjesëtarëve të vyer të ekipit tonë të madh të OSHEE, të cilët kanë humbur jetën në krye të detyrës gjatë orëve të fundit të ditës së djeshme.
Ismet Isaraj, 64 vjeç dhe Selfo Kallfa, 52 vjeç, me detyre elektricistë në Degën Rajonale të OSHEE Gjirokastër, janë nisur për të lokalizuar defektin e linjës 6 KV të fiderit radiostacion në nënstacionin Gjirokastër.
Pas ndërprerjes së komunikimit mes tyre dhe qendrës, janë njoftuar menjëherë Forcat e Rendit dhe më pas Forcat e Specializuara Polumbare bënë të mundur gjetjen e trupave. Ismeti ka qenë 22 vite pjese e familjes së OSHEE dhe Selfo 34, pasi e kish nisur punën në moshën 18 vjeçare aq sa është sot i biri Fabiani. OSHEE do të kujdeset për familjet e dy punonjësve të rënë në krye të detyrës. Ne jemi të gjithë pranë tyre në këto momente tragjike dhe të dhimbshme. Respekt për heroizmin e treguar nga punonjësit e OSHEE dhe OST në çdo moment të kësaj jave sfiduese, të cilët kanë punuar me vetëmohim në kushte ekstreme të ndikuara nga moti, për të minimizuar dhe për të riparuar sa më shpejt defektet elektrike për të mos
lenë askënd pa energji. Kam kërkuar nga drejtuesit e OSHEE dhe drejtuesi i OST të paraqesin pranë Këshillit Mbikëqyrës, kërkesën për shpërblim të punonjësve të këtyre dy ndërmarrjeve për të gjithëpunën e palodhur që kanë kryer gjatë këtyre ditëve sfiduese në kushtet e motit ekstrem.

03 Shkurt

Riparohet avaria në fiderin Kelmend të NST Vukpalaj, rikthehet energjia në Lepushë dhe Vermosh

Pas 10 ditësh punë intensive nga grupi i avarisë së OSSH Shkodër, mbrëmë është rikthyer energjia elektrike në zonën e Lepushës dhe Vermoshit.

Në datën 24 janar fideri Kelmend i NST Vukpalaj me gjatësi 120 kilometra pësoi avari për shkak të goditjes nga orteku.

Për pasojë u konstatuan thyerje të 7 shtyllave elektrike të tensionit të mesëm dhe mbi 30 traversa TM duke lënë pa energji zonën e Lepushës dhe Vermoshit.

Nisur nga situata e krijuar, OSSH Shkodër mori masa duke angazhuar në terren një grup prej 10 punonjësish të cilët punuan gjatë gjithë këtyre ditëve në kushte të vështira për të risjellë energjinë tek të gjithë abonentët e prekur nga defekti.

Si pasojë e motit të keq me reshje intensive të borës dhe orteqet e rëna gjatë atyre ditëve, rruga nga Gropat e Selcës deri në Qafën e Bordolecit ishte bllokuar.

Punonjësit e OSSH Shkodër u detyruan të transportonin në këmbë bazën materiale si traversat e tensionit të mesëm, për riparimin e defektit.

Në zonat ku rruga ishte e lirë, OSSH riparoi defektin brenda pak orëve duke mos lënë asnjë zonë pa furnizim me energji elektrike.

Vetëm mbrëmjen e djeshme, 2 shkurt u bë e mundur riparimi i plotë i defektit dhe fideri Kelmend i NST Vukpalaj u vu në punë me kapacitet të plotë.

Që nga mbrëmja e djeshme të gjitha zonat furnizohen rregullisht me energji, ndonëse rruga nga Gropat e Selcës deri në Qafën e Bordolecit vijon të jetë e bllokuar nga bora e rënë gjatë këtyre ditëve.

Grupet e avarisë së OSSH janë në terren për tju përgjigjur cdo situate që mund të krijohet në rrjetin e shpërndarjes

29 Janar

Balluku-Jahaj inspektojnë punimet në Kombinat: Rrjeti i ri 20 kV do të rrisë cilësinë e furnizimit me energji

Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë Belinda Balluku e shoqëruar nga drejtori i OSSH Tiranë, pjesë e OSHEE Group inspektuan punimet në zonën e Kombinatit ku po instalohet rrjeti i ri 20kV.

Gjatë fjalës së saj, ministrja Balluku tha se me zhvillimin e zonës së Kombinatit është rritur kërkesa për cilësi të furnizimit me energji elektrike.

“Kombinati është një zonë e zgjeruar ndjeshëm, me ndërtime të reja dhe numër të lartë banorësh të cilët kanë rritur kërkesën për cilësi furnizimi me energji. Dhe ne i jemi përgjigjur në kohë”, tha ministrja Balluku.

Kurse drejtori i OSSH Tiranë, Klevis Jahaj tha se janë marrë të gjitha masat gjatë kësaj periudhe për menaxhimin e mbingarkesës.

“Rrjeti aktual 6 kilovoltsh, për shkak të amortizimit dhe kapacitetit të ulët, do të zëvendësohet me rrjetin e ri 20 kilovoltsh, i cili do të ndikojë jo vetëm në cilësinë e furnizimit për të gjithë abonentët, por do të rrisë edhe sigurinë energjetike”, tha Jahaj.

30 Dhjetor

OSSH në gatishmëri të plotë, bora pengesë për eliminimin e avarive në zonat malore

Prej disa ditësh vendi është përfshirë nga një mot i keq, shoqëruar me reshje të dendura shiu dhe bore, kryesisht në zonat malore.


Nisur nga parashikimi i motit, OSSH më herët organizoi dhe ngriti grupet e gatishmërisë në të gjithë vendin, duke përforcuar personelin dhe bazën materiale të nevojshme.


Pavarësisht masave, koha e keqe ka penguar stafet tona të reagojnë më shpejtë për normalizimin e situatës.

Problematika janë shfaqur kryesisht në zona të thella rurale, ku gjatësia e rrjetit arrin deri 60 km, sidomos në veri të vendit.


Dëbora është bërë pengesë për kalimin e bazës materiale, pasi rrjeti elektrik kalon në terrene të vështira, si në Valbonë, Lekbibaj, Lëpushë, Kelmend, etj.


Sikurse ju kemi përcjellë përmes fotove situatën e vështirë, dëmet janë kryesisht te përcjellësit, izolatorët dhe shtyllat, pra në rrjetin ajror që kalon përmes relieveve malore.


Petraq Lika, administrator i OSSH Sh.A, thotë për mediat se, “nga brigadat e terrenit po punohet me intensitet të lartë për riparimin e defekteve të mbetura.

Vështirësi në riparimin e defekteve paraqitet në zonat rurale, ku kryesisht janë linja ajrore, gjë që sjell dhe vonesa në zgjidhjen e problemit për shkak të terrenit të vështirë”.

Afro 90% e defekteve janë në zona rurale, ku 70% janë në zona “rurale të thella”.


Aktualisht rajonet më të prekura nga defektet janë Shkodra, Kukësi, Vlora, Burreli dhe Bajram Curri.

03 Nëntor

Shqipëria ngjitet me 30 vende në renditjen globale për qëndrueshmërinë energjetike, Balluku: Vlerësim i rëndësishëm për progresin e bërë

Shqipëria ngjitet me 30 vende në renditjen globale për qëndrueshmërinë energjetike, Balluku: Vlerësim i rëndësishëm për progresin e bërë Shqipëria shënon një progres të rëndësishëm në renditjen globale për qëndrueshmërinë energjetike. Në indeksin e publikuar për vitin 2020 nga ana e Këshillit Botëror të Energjisë, Shqipëria renditet në vendin e 43 mes 108 shteteve, duke fituar 30 pozicione në krahasim me vitin e kaluar.

“World Energy Trilemma Index” mat qëndrueshmërinë energjike të një shteti, duke u bazuar në tre shtylla kryesore: sigurinë energjetike, barazinë dhe qëndrueshmërinë ambientale. Në indeksin e këtij viti, Shqipëria renditet e para mes vendeve të rajonit, ndërkohë që pozicionohet në vend të 4-t në glob në drejtim të qëndrueshmërisë ambientale, duke u renditur pas Zvicrës, Suedisë dhe Norvegjisë.

Përmes një postimi në rrjetet sociale, Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, e cilëson këtë vlerësim si një moment krenarie, e cila reflekton dukshëm progresin që ka bërë vendi ynë në këtë sektor.

“Një vlerësim që na bën krenarë. Shqipëria renditet e para, mes vendeve të rajonit, në indeksin i cili pasqyron renditjen globale të qëndrueshmërisë energjetike, publikuar nga Këshilli Botëror i Energjisë. Kemi rikuperuar 30 pozicione krahasuar me një vit më parë, duke shënuar një progres të dukshëm. Shqipëria renditet në vendin e 43 në botë ndër 108 ekonomi, teksa pozicionohemi në vendin e 4 në glob në drejtim të qëndrueshmërisë ambientale. “World Energy Trilemma Index” mat qëndrueshmërinë energjetike të një shteti duke u bazuar në tri shtylla kryesore: sigurinë energjetike, barazinë dhe qëndrueshmërinë ambientale”, shkruan ministrja Balluku në rrjetin social.

Sipas raportit, Shqipëria merr më shumë pikë në drejtim të qëndrueshmërisë ambientale dhe në atë të barazisë. Në indeksin e Këshillit Botëror të Energjisë për vitin 2020, Zvicra renditet e para e ndjekur nga Suedia dhe Danimarka.

Shqipëria është ndër të pakta vende në botë e cila prodhon 100% energji të rinovueshme. Në muajin korrik të këtij viti, Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë nënshkroi marrëveshjen me kompaninë Voltalia, e cila u përzgjodh fituese përmes një ankandi tejet transparent, për ndërtimin e parkut fotovoltaik të Karavastasë. Një park i cili do të ketë një kapacitet të instaluar prej 140 megavat energji dhe që do të prodhojë po ashtu energji të rinovueshme. Realizimi i këtij projekti do të jetë një tjetër hap i rëndësishëm në drejtim të rritjes së sigurisë energjetike dhe diversifikimit të burimeve energjetike, çka është dhe një ndër prioritetet e programit qeverisës.

Shumë shpejt do të hapet gara edhe për ndërtimin e një parku tjetër fotovoltaik në zonën e Spitallës duke hedhur kështu hapa të rëndësishëm drejt objektivit për diversifikimin e burimeve të energjisë.

Shqipëria shënon një progres të rëndësishëm në renditjen globale për qëndrueshmërinë energjetike. Në
indeksin e publikuar për vitin 2020 nga ana e Këshillit Botëror të Energjisë, Shqipëria renditet në vendin
e 43 mes 108 shteteve, duke fituar 30 pozicione në krahasim me vitin e kaluar.
“World Energy Trilemma Index” mat qëndrueshmërinë energjike të një shteti, duke u bazuar në tre
shtylla kryesore: sigurinë energjetike, barazinë dhe qëndrueshmërinë ambientale. Në indeksin e këtij
viti, Shqipëria renditet e para mes vendeve të rajonit, ndërkohë që pozicionohet në vend të 4-t në glob
në drejtim të qëndrueshmërisë ambientale, duke u renditur pas Zvicrës, Suedisë dhe Norvegjisë.
Përmes një postimi në rrjetet sociale, Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, e cilëson
këtë vlerësim si një moment krenarie, e cila reflekton dukshëm progresin që ka bërë vendi ynë në këtë
sektor.
“Një vlerësim që na bën krenarë. Shqipëria renditet e para, mes vendeve të rajonit, në indeksin i cili
pasqyron renditjen globale të qëndrueshmërisë energjetike, publikuar nga Këshilli Botëror i Energjisë.
Kemi rikuperuar 30 pozicione krahasuar me një vit më parë, duke shënuar një progres të dukshëm.
Shqipëria renditet në vendin e 43 në botë ndër 108 ekonomi, teksa pozicionohemi në vendin e 4 në glob
në drejtim të qëndrueshmërisë ambientale. “World Energy Trilemma Index” mat qëndrueshmërinë
energjetike të një shteti duke u bazuar në tri shtylla kryesore: sigurinë energjetike, barazinë dhe
qëndrueshmërinë ambientale”, shkruan ministrja Balluku në rrjetin social.
Sipas raportit, Shqipëria merr më shumë pikë në drejtim të qëndrueshmërisë ambientale dhe në atë të
barazisë. Në indeksin e Këshillit Botëror të Energjisë për vitin 2020, Zvicra renditet e para e ndjekur nga
Suedia dhe Danimarka.
Shqipëria është ndër të pakta vende në botë e cila prodhon 100% energji të rinovueshme. Në muajin
korrik të këtij viti, Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë nënshkroi marrëveshjen me kompaninë
Voltalia, e cila u përzgjodh fituese përmes një ankandi tejet transparent, për ndërtimin e parkut
fotovoltaik të Karavastasë. Një park i cili do të ketë një kapacitet të instaluar prej 140 megavat energji
dhe që do të prodhojë po ashtu energji të rinovueshme. Realizimi i këtij projekti do të jetë një tjetër hap
i rëndësishëm në drejtim të rritjes së sigurisë energjetike dhe diversifikimit të burimeve energjetike, çka
është dhe një ndër prioritetet e programit qeverisës.
Shumë shpejt do të hapet gara edhe për ndërtimin e një parku tjetër fotovoltaik në zonën e Spitallës
duke hedhur kështu hapa të rëndësishëm drejt objektivit për diversifikimin e burimeve të energjisë.