Back
23 Shtator

Administratori i OSHEE për TCH: Suksesi i reformës garantoi furnizimin me energji pavarësisht thatësirës

Administratori i Operatorit të Shpërndarjes së Energjisë Elektrike, OSHEE, z.Adrian Cela, në një intervistë dhënë TCH, ka deklaruar se suksesi i reformës për rimëkëmbjen e sektorit energjetik, garantoi furnizimin me energji në kushtet e një thatësire të paparashikuar.

Z.Cela ka garantuar vijimin e investimeve që kompania do të kryejë në rrjetin e shpërndarjes, pavarësisht shpenzimeve që u detyrua të bëjë kompania OSHEE për blerjen e energjisë në tregun ndërkombëtar.

E pyetur nga gazetarja e TCH, Administratori i OSHEE, tha se plani i investimeve parashikon përfundimin e ndërtimit të rrjetit të ri 20 kv në të gjithë hartën e bregdetit, me qëllim garantimin e furnizimit me energji pa ndërprerje të zonave turistike, jo vetëm gjatë sezonit të verës.

Lexoni më poshtë intervistën e plotë

TCH: Si u përballua furnizimi me energji elektrike gjatë sezonit turistik nga ana e kompanisë së Shpërndarjes?

Është i dyti radhazi që kompania OSHEE përballon me sukses sezonin turistik, por ky vit ka pasur përmirësim shumë më të dukshëm sa më parë. Mund të themi se ky sezon turistik është përballuar me sukses të plotë nga Operatori i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike (OSHEE) në të gjithë zonat, nga Velipoja deri në Jug. Kjo bazuar në shifrat e numrit të ndërprerjeve, kohës së rekuperimit të ndërprerjeve (flasim gjithmonë për ndërprerje të paparashikuara). Ju do të shihni se shifrat tregojnë për një përmirësim 50-70 përqind të këtyre treguesve që janë matës për performancën e kompanisë. Kjo është bërë në sajë të investimeve që kompania ka bërë në këto 2 vite dhe organizimit të strukturave të saj në mënyrë sa më efikase dhe për të qenë sa më pranë këtyre zonave, për tu garantuar pushuesve dhe operatorëve turistikë, një cilësi shërbimi të kënaqshme.

Kjo sdo të thotë se me këto përparime në 2 vjet është zgjidhur plotësisht situata dhe për sezonet e ardhshme. Ne kemi vënë re se në këto zona ka shtim të fuqisë së instaluar me hapjen e resorteve të reja turistike. Për këtë arsye, kemi marrë masa që vitin e ardhshëm të ofrojmë shërbim sa më cilësor duke investuar në instalimin e rrjetit të ri 20 kv nga Palasa deri në Qeparo për gjithë bregdetin. Po ashtu, do të fillojë së shpejti investimi për rrjetin 20 kv nga tuneli i Ujit të Ftohtë deri në Orikum, pra do të zëvendësohet i gjithë rrjeti i vjetër 10 dhe 6 kv i trashëguar për 40 vjet. Përfundojmë brenda vitit tjetër 2 nestacione të rinj, ai i Orikumit dhe Himarës. Gjithashtu kemi parashikuar investim në zonën e Velipojës për të fuqizuar nstacionin dhe të shtrojmë rrjetin 20 kv. Kjo zonë kishte mbetur më pak prapa në raport me investimet në zonat e tjera turistike. Në Shëngjin, me investimet e realizuara për shtrimin e rrjetit 20 kv dhe në nstacion, situata ishte mjaft e mirë gjatë këtij sezoni turistik. Në Golem kemi bërë investime në nstacion dhe kanë filluar investimet dhe në fidera që përfundojnë pranverën e ardhshme. Pra, me gjithë këtë panoramë, dua të them se ne patëm sukses në këtë sezon, por ajo që është e rëndësishme kemi bërë investime për ti paraprirë situatës së furnizimit dhe në sezonet e ardhshme. Do të thotë se investimet që po kryhen në këto zona turistike të garantojnë një shërbim cilësor të furnizimit me energji. Një zonë që ka marrë përparësi në planin e investimeve të kompanisë në zonat turistike është zona e Gjirit të Lalzit. Aty trashëgojmë një rrjet të vjetër, për këtë arsye i kemi paraprirë situatës duke investuar për shtrimin e rrjetit 20 kV. Brenda një periudhe më pak se 18- mujore dhe kjo zonë do të ketë infrastrukturë të re të rrjetit të shpërndarjes njësoj si zonat e tjera turistike.

TCH: Kompania OSHEE shpenzoi 90 mln euro për blerjen e energjisë në periudhën qershor-shtator, për shkak të thatësirës së pazakontë që përjetoi vendi ynë A do të ketë impakt te investimet?

Është e vërtetë se kompania OSHEE ka kontraktuar për periudhën 1 Qershor-30 Shtator, gati 90 mln euro përfshi dhe TVSH për importin e energjisë. Sepse për shkak të mungesës së reshjeve e prurjeve të këtij 8 mujori që është fakt jo vetëm për Shqipërinë por dhe rajonin, KESH nuk mund të garantonte kontratën që ka me OSHEE për furnizimin e sasisë për klientët e rregulluar. OSHEE duke qenë se e ka detyrim të garantojë furnizimin me energji për të gjithë klientët fundorë, është detyruar të blejë në tregun e lirë. Kjo e ka detyruar OSHEE të shpenzojë atë fond të përcaktuar për investime. Por dua të theksoj 2 momente: 1-performanca e mirë e OSHEE në këto 30 muaj, që me nisjen e reformës së energjisë, ka bërë të mundur uljen e nivelit të humbjeve dhe rritjen e nivelit të arkëtimeve. 2. Po të mos ishim në këto nivele, dhe ky fond që është përballuar tërësisht nga të ardhurat e kompanisë, në një moment tjetër sdo kishte qenë i mundur. Investime do të vazhdojnë pasi nuk ka rrugë tjetër për arritjen e synimeve që kompania i ka vënë vetes, për realizimin e treguesve të performancës sic janë ulja e nivelit të humbjeve dhe rritja e nivelit të arkëtimeve.

TCH: Pse ka një rënie e ritmit të humbjeve?

Kur nisi reforma e rimëkëmbjes së energjisë, niveli i humbjeve ishte mbi 40 përqind, sigurisht niveli i abuzimit ishte aq i madh sa hapat e parë janë më të ndjeshëm. Vjet niveli i humbjeve në rrjet u mbyll në shifrën 28 përqind, projeksioni për këtë vit është për tu mbyllur në nivelin 26 përqind. Mund të kemi një lëvizje të vogël për shkak të efektit që mund të na sjellin rezultatet e muajit Qershor ku për herë të parë që nga nisja e reformës, nuk u arrit nivel i kënaqshëm në humbjet teknike dhe arkëtimet për shkak se kompania pati një administrim të përkohshëm, por projeksioni ynë është niveli 26 përqind i reduktimit të humbjeve.
Niveli i abuzimit tashmë kërkon investime të cilat do të sjellin efekt jo vetëm në nivelin e humbjeve teknike, por dhe në ato jo teknike. Ne kemi zona rurale që kanë rrjet të amortizuar të shpërndarjes, duhet investuar në rrjetin e tensionit të mesëm, të ulët, në kabllot ABC, në sistemin e matjes, instalimin e matësave. Ne kemi nisur dhe një proces të përditësimit të të dhënave dhe një nga përfitimet prej këtij procesi është lidhja e abonentit me matësin përkatës për të kuptuar sa lloj matësash kemi. Pasi ska pasur asnjëherë inventar të saktë për matësat dhe cilët janë matësat që duhen ndryshuar. Na ka rezultuar se janë 500 mijë matësa, nuk është shifër e konfirmuar, por po flasim për një shifër në raport me 1.2 mln abonentë. Pra janë investime që duhen bërë dhe këto do të sjellin rezultate.

Ne kemi filluar investimet në matjen e bilancit të energjisë, në nivel kabine e fider sepse dhe këto do na japin efektin e nivelit të humbjeve. Është llogaritur që kjo kompani duhet të realizojë rreth 350 mln euro investime në vit për të arritur treguesit e performancës, në 5 vjet.

22 Shtator

Fshin kilovatët në matës, arrestohet elektricisti dhe abonentja

Drejtuesit e OSHEE, Njësia Tirana 1, kallëzuan sot në Polici, pranë sektori i krimit ekonomik, elektricistin Boris Tola.
Ky i fundit, më 10 shtator, pas dakordësisë me abonenten, heq matësin nga boksi dhe fshin kilovatët e konsumuar.
Ne polici është proceduar edhe abonentja, si bashkëpunëtore në krim, ku rezulton debitor ndaj OSHEE prej disa muajsh.
Rasti u zbulua sot gjatë kontrollit në zonën “Rruga Fortuzi”, Tiranë.
Gjatë marrjes në pyetje, palët e kanë pranuar veprimin e jashtëligjshëm.
Sakaq, nga kontrollet e vazhdueshme, vetëm në Tiranë, janë regjistruar në 3 muajt e fundit mbi 60 raste të vjedhjes së energjisë elektrike.
Rasti i fundit, ishte zbulimi i një vile 3-katëshe, me aktivitet bar-lokal në katin e parë, e cila furnizohej duke vjedhur energji përmes një linje të dytë jashtë matësit.
Abonenti Mustafa K. u procedua për tu ndjekur nga organet e hetimit.

18 Shtator

Zhduk matësin, OSHEE Fier kallëzon abonenten, raste edhe në Librazhd

Një abonente nga Fieri kishte hequr metesin duke e fshehur ate, veprim i cili eshte konstatuar nga grupet e OSHEE, te cilet e kallëzuan ate ne Polici.
Aksionet per vjedhjen e energjisë vijojnë normalisht, ku ne Fier, p.sh., janë konstatuar disa raste. Aksione të përqëndruara ka patur edhe në zonën e Librazhdit.
Konkretisht në Fier, abonentja Bajame G., zhduku matesin e energjise dhe për këtë arsye u denoncua.
Të tjera raste si: Qemal K., nuk kishte kontrate dhe u gjet i lidhur me energji, duke mos patur as matës; Çobo B., procedim për rilidhje të paligjshme; si dhe Lulzim T., u kap në flagrancë duke vjedhur energjinë elektrike.
Po nga Fieri regjistrohet nje incident i shentuar, ku për shkak të detyrës goditet elektricisti Indrit M. Punonjësi ka asistuar në kontrollet e natës per vjedhjen e energjisë nga abonentët, në fshatin Radostinë.
Në Librazhd, zonë nën administrim nga Drejtoria Rajonale OSHEE Elbasan, janë zbuluar raste të vjedhjes së energjisë elektrike, ku konkretisht:
Ilmi B., Altin S., Gentian S., dhe Alil A., u kapën me rilidhje të paligjshme të energjisë. Policia, në vendngjarje, kreu veprimet, kurse materialet i kaluan prokurorisë.

15 Shtator

Vlorë , drejtuesit e OSHEE denoncojnë babain e elektricistit, në Velipojë shoqërohet pronari i resortit

Operatori i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike, OSHEE vijon normalisht aksionet e prerjeve ndaj debitorëve, duke patur ne fokus vjedhësit e energjisë elektrike.
Në 24 orët e fundit janë regjistruar disa procedime penale në rajone si Vlorë e Shkodër.
Kështu, OSHEE Vlore ka denoncuar në polici babain e elektricistit i cili vidhte energji me linjë të dytë jashtë sistemit të matjes në Lagjen “Pavarësia”.
Në rajonin Shkodër janë shënuar disa raste, si:
Frrok G. dhe Besnik S., abonentë familjarë, për cënim të matësit; në Lezhë Sander S. dhe në Bushat abonenti Mark N.
Në Velipojë është shoqëruar nga policia abonenti R.Nikolli pronar i një kompleksi shërbimi, me akuzën e cënimit të matësit dhe manipulim të dhënash.
OSHEE bën me dije se vjedhja e energjisë elektrike është vepër penale dhe ndëshkohet deri në 3 vjet heqje lirie.

14 Shtator

Prokurimi i energjisë, brenda Tetorit me sistem online

Operatori i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike, OSHEE, do të realizojë brenda muajit tetor blerjen e energjisë përmes platformës së prokurimit online.

Drejtori i Shitjes dhe Tregtimit të energjisë në OSHEE, Elton Sevrani, gjatë një interviste dhënë gazetarit të TCH, Donald Jorgoni, shpjegoi se jemi në fazën finale të prezantimit të kësaj platforme.

“OSHEE ka disa muaj që ka hapur procedurën për krijimin e një platforme online.

Jemi duke testuar platformën me të gjithë subjektet pjesëmarrëse në tregun e energjisë, rreth 12, për të parë si do funksionojë kjo platformë.

Brenda muajit tetor, të detyruar dhe nga vendimi i fundit i ERE ne do të realizojmë blerjen e energjisë me platformën online”, ka deklaruar Sevrani.
Lidhur me procedurat e funksionit të kësaj platforme, drejtori i shitjes dhe tregtimit të energjisë ka shpjeguar se, të gjithë subjektet do të dërgojnë ofertat e tyre pas njoftimit nga

OSHEE të publikuar në kalendarin mujor e vjetor që do jetë në ëebsite e saj.

“Brenda një kohe shumë të shkurtër ne do të kemi ofertat që shpresojmë se do të jenë më efikase dhe më të shpejta dhe me cmim më të mirë se procedurat që ne realizojmë sot”, nënvizon drejtori i shitjes dhe tregtimit të energjisë në OSHEE, Elton Sevrani.

Në planet afatgjatë, platforma online e blerjes së energjisë elektrike, do ti mundësojë kompanisë OSHEE, si pjesëmarrëse në bursën ndërkombëtare, të

tërheqë më shumë ofertues dhe nga tregjet ndërkombëtare.

12 Shtator

Programi i Qeverisë për sektorin energjetik!

Qeveria do të synojë zhvillimin e mëtejshëm të sektorit elektroenergjetik, nisur edhe nga konsolidimi i një reforme e cila ka dhënë rezultate, duke konsoliduar qëndrueshmërinë financiare, operacionale dhe teknike me synim plotësimin e kërkesës në rritje për energji brenda vendit, duke pasur si prioritet integrimin e tregut vendas të energjisë në tregjet rajonale dhe ato europiane, dhe duke ulur varësinë nga importi.

Thatësira e tejzgjatur e këtij viti, me keqja e 10 viteve te fundit, ishte një “stres test” i kaluar me sukses. Ndryshe nga më parë kur gjithçka shkarkohej tek Buxheti i Shtetit, këtë herë kompanitë e sektorit arritën të menaxhonin vet situatën e paparashikueshme, duke reduktuar në mënyrë drastike nevojën për injektim parash nga qeveria ne vlera minimale. Mos harrojmë që vite më parë Buxheti i Shtetit hiqte paratë nga investimet etj, vetëm e vetëm që të sigurohej furnizimi me energji elektrike. Kriza tregoi që reforma energjetike ka dhënë rezultat. Nuk themi se jemi aty ku duhet po dha rezultat sepse përballoi financiarisht krizën më të vështirë të 10 viteve të fundit pa krijuar stres të rëndë financiar dhe të vinte në dyshim stabilitetin financiar të vendit.

Qeveria do të synojë thellimin e reformës dhe vazhdimin e programit të investimeve, për të garantuar sigurinë dhe cilësinë e furnizimit përmes:
• rritjes së kapaciteteve gjeneruese;
• diversifikimit të burimeve (ujore dhe me erë);
• rritjes së kapaciteteve transmetuese ndërkufitare e brenda vendit;
• vazhdimin e procesit të ndarjes së OSHEE sipas ligjit të sektorit të energjisë elektrike;
• ulje të vazhdueshme të humbjeve në rrjetin e shpërndarjes, garantimin e aksesit për burimet e reja dhe zhvillimin e tyre;
• krijimin e bursës dhe tregut të organizuar të energjisë;
• forcimin e pavarësisë së rregullatorit;
• integrimin e tregut me Kosovës dhe atë rajonal;
• përafrimin e plotë të të gjithë legjislacionit të sektorit me atë europian;
• stimulim të investimeve;
• vazhdim të betejës pa kompromis me korrupsionin dhe vjedhjen e energjisë elektrike.

Në katër vitet e ardhshme do të investohen 170 milionë euro për forcimin e kapaciteteve gjeneruese dhe sigurinë e digave të administruara nga shoqëria KESH sha.

Në transmetim do të realizohen 160 milionë euro investime ku ndër më kryesori është ai i ndërtimit të linjës së 400 kV mes Shqipërisë dhe Maqedonisë e cila mbyll ciklin e lidhjeve interkonektive me vendet fqinje. Rrëzon të gjitha ato hamendje që thonë që Shqipëria s’ka përfituar, përkundrazi këto para janë të përfituara nga Shqipëria dhe Maqedonia për këtë projekt. Mbyllet cikli i interkonektivitetit, pra Shqipëria do të ketë një rrjet të lidhur me Malin e Zi, Greqinë, Kosovën dhe Maqedoninë. Gjë që do të krijojë premisat e nevojshme që të eksportohet teprica e mundshme që mund të vijë nga rritja e prodhimit të energjisë në Shqipëri.

Qeveria do të vijojë me procesin e ndarjes së funksioneve të shpërndarjes dhe furnizimit të energjisë në OSHEE duke krijuar dy shoqëri më vete me synim përmirësimin e shërbimet e furnizimit për qytetaret dhe kanalizimin e investimeve ne shpërndarje.

Në këtë sektor pritet të realizohet një total investimesh prej rreth 520 milionë eurosh, pjesa dërrmuese të cilave me fondet e vet kompanisë. Pjesë e kësaj pakete investimesh do të jenë edhe projektet me Bankën Botërore, Bankën gjermane KfW për sistemin Scada dhe leximin e matësave Smart. Jam i bindur që sistemi i shpërndarjes shqiptare rinovohet në nivelin 60-70% të tij. Brenda tarifave aktuale, me planet aktuale të performancës dhe me reduktimin e mëtejshëm të humbjeve ne kemi mundësi që në pjesën më të madhe të gjithë ultësirës perëndimore dhe në qendrat kryesore ne të kemi energji si çdo vend tjetër europian dhe njerëzit këto gjëra po i shohin përditë.

Do të nxitet rritja e prodhimit të energjisë prej burimeve të rinovueshme për të siguruar një zhvillim të qëndrueshëm me qëllim rritjen e diversifikimit të burimeve nga energjitë alternative dhe miqësore me mjedisin si dhe implementimin e skemave të reja të matjes neto të energjisë nga impiantet e prodhimit të energjisë diellore dhe me erë për të gjithë vetprodhuesit, konsumatorë familjarë apo biznese.

Do të vazhdojnë investimet private në energji. Do të krijojmë kushtet që këto investime të vazhdojnë të progresojnë, sepse këto investime kanë progresuar edhe në këto vite për shkak të rritjes së likuiditetit në sektorin e energjisë elektrike. Jam i bindur që në vitin 2021, Shqipëria do të ketë edhe 300 mega të tjerë të instaluar dhe këto nga investime të huaja dhe të vendit. Shumë shpejt do të përfundojë edhe procedura për Kalivaçin, ashtu siç edhe shumë koncesionarë të tjerë të cilët me investimet e tyre dhe me riskun e tyre pa kërkuar garanci për blerjet e energjisë do të shtojnë investimet e huaja, por mbi të gjitha do të rrisin prodhimin e energjisë elektrike në Shqipëri.

Kjo do të bëjë që Shqipëria përveç prodhimit të saj hidro do të ketë edhe prodhimin e energjisë nga energjia diellore dhe era. Tashmë kemi një plan të miratuar, kemi një tarifë të miratuar, kanë filluar aplikimet e para dhe shumë shpejt do të organizojmë edhe ankandin më të madh sëbashku me Bankën për Rindërtim dhe Zhvillim për të ngritur impiantin më të madh fotovoltaik që është bërë ndonjëherë në Shqipëri dhe synojmë të paktën 30 megavat, i cili do të integrohet me rrjetin energjetik shqiptar. Në planin kombëtar dhe që është i financueshëm sepse ka një tarifë të rregulluar parashikohen edhe 30 megavat me erë. Do të thotë që Shqipëria fillon edhe me këto energji alternative për të diversifikuar portofolin e saj.

Në sektorin e energjive të rinovueshme, investimet e pritshme në ngritjen e impianteve të gjenerimit të energjisë nga burimet diellore janë rreth 150 milion Euro, ku deri në 2020 do të instalohen rreth 50 MV me tarifë të rregulluar. Nga burimet me energjinë e erës, investimet e pritshme do të jenë afërsisht rreth 60 milion Euro, ku deri në 2020 do të instalohen 30 MW me tarifë të rregulluar.

Marrë me shkurtime nga fjala e Ministrit z.Damian Gjiknuri gjatë prezantimit të programit qeverisës për Infrastrukturën dhe Energjinë në seancën e sotme parlamentare

21 Gusht

7-mujori, OSHEE: Rriten arkëtimet, ulen humbjet dhe borxhi i keq

Operatori i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike (OSHEE) publikon treguesit operativ të aktivitetit të 7-Mujorit 2017. Të dhënat krahasimore me të njëjtën periudhë të një viti më parë tregojnë për vazhdimësinë e ecurisë pozitive në drejtim të rritjes së arkëtimeve dhe reduktimit të nivelit të humbjeve.

Për periudhën Janar-Korrik 2017, OSHEE ka rritur me 4.2% arkëtimet nga faturat e energjisë krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë duke mbledhur 37.1 miliardë lekë. Rritja e nivelit të arkëtimit vjen si rezultat i ndërgjegjësimit të konsumatorëve për të shlyer detyrimet brenda afateve kontraktuale. Norma e arkëtimit ndaj faturës pararendëse është rritur me 3.6% duke arritur në 98.8%. Theksojmë se 4 vjet më parë ishte rreth 73%!

Sasia e energjisë së shitur rezulton me një rritje në masën 2.9% çka është bërë e mundur nga rritja e kontrolleve në terren dhe ulja e abuzimit.

OSHEE vazhdon të ulë gjithashtu edhe nivelin e humbjeve (teknike dhe jo teknike) në rrjet. Falë investimeve në rrjetin e tensionit të mesëm dhe të ulët, humbjet për 7-Mujorin 2017 kanë arritur në 28.1% çka përbën 0.5% më pak se e njëjta periudhë e vitit 2016.

Ecuria pozitive vihet re edhe në treguesin e reduktimit të nivelit të borxhit të keq i cili në fund të Korrikut 2017 ka zbritur në 49.7 miliardë lekë (pa kamatat). Më parë, ky borxh i krijuar në periudhën 2007-2014 arrinte në 67.8 miliardë lekë.

Nënvizojmë se, si për Arkëtimet, ashtu dhe për nivelin e Humbjeve, siç paraqitet nga tabela më poshtë, OSHEE ka tregues negativë në muajin Qershor, kur administrohej përkohësisht nga drejtorit teknik.

Nënshkrimi i aktmarrëveshjeve me abonentët debitorë, për pagesat me këste të detyrimeve, ka ndikuar pozitivisht në bilancin e kompanisë. Deri në më tani, janë rreth 390 mijë aktmarrëveshje të lidhura mes OSHEE dhe abonentëve familjar dhe privat, ku fal pagesës së borxheve me këste, kemi një reduktim të detyrimeve për 7-Mujorin 2017 me afro 1.7 miliardë lekë.

Ecuria krahasimore e nivelit të humbjeve

7-Mujori 2013
45.1%

7-Mujori 2014
39.8%

7-Mujori 2015
32.1%

7-Mujori 2016
28.6%

7-Mujori 2017
28.1%

Ecuria krahasimore e nivelit të arkëtimeve

7-Mujori 2013
22.1 miliardë lekë

7-Mujori 2014
26.4 miliardë lekë

7-Mujori 2015
39.4 miliardë lekë

7-Mujori 2016
35.6 miliardë lekë

7-Mujori 2017
37.1 miliardë lekë

.Humbjet

Muaji Njesia 2016 2017 2017 vs 2016
Janar % 34.7% 33.5% -1.2%
Shkurt % 29.0% 27.6% -1.4%
Mars % 29.9% 28.7% -1.3%
Prill % 26.1% 25.82% -0.3%
Maj % 27.0% 25.9% -1.1%
Qershor % 24.4% 28.1% 3.8%
Korrik % 25.97% 24.69% -1.3%

Total 7Mujori % 28.55% 28.08% -0.5%

Arkëtimet Total

Muaji 2016 2017 2017 vs 2016
Janar 5,500,506 5,670,000 3.08%
Shkurt 5,369,530 5,601,988 4.33%
Mars 5,359,217 5,831,491 8.81%
Prill 5,105,759 5,038,018 -1.33%
Maj 4,920,953 5,328,851 8.29%
Qershor 4,577,557 4,464,443 -2.47%
Korrik 4,741,724 5,133,311 8.26%

Total 7-Mujori 35,575,247 37,068,102 4.20%

01 Maj

Rama falënderon punonjësit e OSHEE për 1 Majin: Kompania u shndërrua nga një ushtri militantësh në kompani moderne

rama

1 Maji, edhe pse ditë pushimi dedikuar Ditës Ndërkombëtare të Punëtorëve, nuk është e tillë për ekipin teknik të OSHEE-së në Tiranë. 30 punonjësit e Brigadës së Tensionit të Lartë vazhdojnë edhe sot, remontin e linjës Lanabregas–nënstacioni i Pallatit te Kongreseve, e ndërtuar në vitin ’84. Kjo linjë prej 8.5 kilometra, ku 90% është ajrore, është një prej nyjeve të rëndësishme në sistemin e shpërndarjes së energjisë elektrike për Tiranën. Amortizimi e bën mirëmbajtjen të nevojshme për parandalimin e defekteve të mundshme. Kryeministri Edi Rama ishte mes tyre, për t’i falënderuar për punën e përkushtuar në shërbim të qytetit, i shoqëruar nga ministrja e Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, Olta Xhaxhçka dhe Administratori i Përgjithshëm i OSHEE, Ardian Çela.
Nga mungesa ndër vite e investimeve, rrjeti elektrik i vendit në pjesën më të madhe të tij është pothuaj i njëjti që prej ndërtimit në vitin 1974. OSHEE, falë performancës pozitive të sektorit në dy vitet e fundit, ka rritur investimet në rrjet, por edhe për mirëmbajtjen e rrjetit ekzistues për të shmangur defektet dhe ndërprerjen e energjisë. Aktualisht, 830 punonjës janë duke operuar në të gjithë territorin e vendit për kryerjen e remonteve. Investimet në remont kanë përfshirë gjithë zonën bregdetare, nga Velipoja në Sarandë.
“Kjo është një nga linjat kryesore për qytetin e Tiranës. Është linja e vitit ‘84. Po e bëjmë me fuqinë punëtore të OSHEE. Bën pjesë në programin e remonteve, që kap vlerën e 2 miliardë lekë, të ardhura të kompanisë, për të gjithë vendin. Në gjithë territorin e Shqipërisë janë 830 punonjës që po bëjnë remonte. Aktualisht jemi duke bërë remontet e zonës bregdetare, në mënyrë që me fillimin e sezonit turistik të jemi të gatshëm. Për pjesën tjetër të vendit brenda tetorit t’i kemi përfunduar këto remonte. Në sajë të këtyre remonteve, ne kemi ulur me 50% numrin e defekteve dhe me 80% është ulur numri i ndërprerjeve,” – informoi mbi rezultatet e deritanishme, administratori Çela.

OSHEE, theksoi Çela, ka ndjekur po ashtu një strategji të re për rekrutimin, trajtimin financiar dhe kujdesin ndaj punonjësve. Në viti 2017, për të dytin vit aplikohet sigurimi në punë i punonjësve, falë kontratave të lidhura me kompani sigurimi.

“Është vitit i dytë që të gjithë punonjësit e terrenit, mbi 3500 punonjës sigurohen ndaj aksidenteve që ndodhin në punë. Kompania i mbulon të gjitha shërbimet mjekësore, brenda dhe jashtë vendit, për rastet kur punonjësit janë aksidentuar në punë. Bëmë sistemimin dhe rritjen e pagave të të gjithë punonjësve në terren, ku paga minimale nga 250 mijë lekë [të vjetra] për punonjësit e pakualifikuar kaloi në 350 mijë lekë dhe për gjithë stafin teknik të mesëm shkoi në 550 mijë lekë. Kemi trajnuar mbi 5500 punonjës. Kemi rekrutuar vetëm gjatë vitit 2016, mbi 82 inxhinierë elektrikë.”
Ndryshimi i modelit të administrimit, investimet në rrjet, qasja e re në trajtimin e burimeve njerëzore, sipas Kryeministrit Rama, po e shndërrojnë OSHEE në një kompani moderne. Po ashtu, Kryeministri garantoi vazhdimin e masave të qeverisë në mbështetje të kategorive të ndryshme sociale.
“Për familjet që janë në ndihmë ekonomike, ne bëjmë një kompensim të plotë të të gjithë diferencës pas heqjes së fashës mbrojtëse. Është 19 milionë dollarë në vit nga buxheti i shtetit që shkon për këto familje dhe për gjithë kategoritë e tjera, të cilat prezumohet të mbroheshin nga fasha 300 k/W. Sot, askush nga ata nuk ndjen rritje të çmimit të energjisë, ndërkohë për fasha të tjera, çmimi i energjisë është ulur. Janë bërë zerime kamat vonesash masivisht, duke kontribuar të gjithë sëbashku që të bëhen të gjithë investime të mëdha dhe të fillojë ripërtëritja e një rrjeti shumë të vjetër. Për ne është shumë e rëndësishme që kompania të vazhdojë të përmirësojë standardet dhe të gjitha nivelet e trajtimit të punonjësve në funksion të përmirësimit të cilësisë dhe të vazhdojë të transformohet nga një ushtri militantësh që thjesht ushqeheshin, duke mos ofruar dot kompania asnjë lloj shërbimi, në një kompani moderne që duhet të jetë akoma më shumë, një nga krenaritë e vendit tonë.”
Ministrja e Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, Olta Xhaçka falenderoi punonjësit e OSHEE, por edhe të gjithë ata që sot janë në krye të detyrës, duke siguruar se akoma më shumë do të bëhen në mbështetje e mbrojtje të punës së tyre, si dhe të kategorive të tjera vulnerabël.
“Dua të falënderoj të gjithë këta punonjës që bëjnë një punë të jashtëzakonshme, edhe sot që është ditë pushimi për gjithë të tjerët. Edhe ne në Ministrinë e Mirëqenies Sociale dhe Rinisë kemi bërë shumë. Kemi ofruar kompensimin e energjisë elektrike për 90 mijë pensionistë. Ka shumë punë për të bërë edhe për kategori të tjera në nevojë. Edhe me Inspektoratin e Punës kemi arritur që aksidentet në punë të ulen në masën 50%. Ne jemi shumë të angazhuar që në mandatin tjetër të arrijmë t’i shtrijmë këto arritje edhe shumë më tepër, edhe në kategori të tjera.”

25 Prill

Reduktohet tarifa për objektet e kultit fetar

oshee

Hyn në fuqi vendimi i datës 6 shkurt 2017, i Bordit të Entit Rregullator të Energjisë (ERE), në lidhje me reduktimin e tarifës së energjisë elektrike për objektet e kultit, nga 14 në 9.5 lek/kilovat.

Në muajin shtator 2016, Komiteti Shtetëror për Kultet kishte paraqitur kërkesën mbi mundësinë e ndryshimit të tarifës së energjisë elektrike për bashkësitë fetare, e cila u pasua me rekomandimet pro reduktimit të tarifës nga komisionet parlamentare të Ekonomisë dhe asaj të Veprimtarisë Prodhuese.

Më 22 dhjetor 2016, Bordi i ERE-s, mori vendimin për: “Fillimin e procedurave për rishikimin e çmimit të shitjes së energjisë elektrike nga Furnizuesi Universal për kategorinë Klient – Objekte Kulti/Bashkësi Fetare”.

Pas më shumë se 3 muajsh procedura, më 6 shkurt 2017, ERE vendos uljen e tarifave me mbi 32% për objektet e kultit.

Tashmë, tarifa e re, prej 9.5 lekë, ka vlefshmëri nga data 1 prill deri më 31 dhjetor 2017, ku në periudhën e fundvitit, ERE rishikon tarifat për operatorët dhe abonentët.

Nga të dhënat, mësohen sa janë rreth 800 objekte kulti fetar (kisha, xhamia, etj)

22 Prill

Firmat private dëmtojnë kabllot e OSHEE, kompania apel për respektim të kushteve teknike gjatë punimeve

featured avari
OSHEE është dëmtuar sot në dy raste nga kompani private të kontraktuara për punë publike (Bulevardi i Ri dhe Ujësjellës Kanalizime).

Konkretisht, është dëmtuar fidri A8, duke lënë pjeserisht pa energji elektrike një pjesë të zones së Paskuqanit, Kamzës, etj.
Fidri tjetër i dëmtuar është F5, për pasojë, kanë mbetur pa energji një pjesë e krahut të djathtë të autostradës (ne drejtim te Durresit), nga mbikalimi deri te QTU.

Aktualisht, brigadat e OSHEE janë duke punuar për riparimin e defekteve, në dy pjesët e dëmtuara.
Kompania përsërit apelin ndaj firmave private për më shumë kujdes në respektimin e kushteve teknike të operimit.