Me fondet e OSHEE, ka përfunduar investimi dhe është vënë në funksion linja e re TM prej 6 kV në qytetin e Vlorës.
Ky investim me vlerë 150 mijë USD prek 29 kabina dhe rrit cilësinë e furnizimit me energji elektrike për banorët e ish-komunës së Shushicës, fshatrat përreth, si Llakatund, etj.
Linja e re, e gjatë prej 5.9 KM është lidhur me N/st e Xhuherinës, tashmë të fuqizuar me transformator të ri 35/6kV, zëvendëson linjën e vjetër prej 30 KM, e lidhur me N/st Selenicës, duke shkurtuar distancën e lidhjes, me impakt: minizimin e defekteve dhe cilësi më e lartë furnizimi për banorët e Shushicës në Vlorë.
Golemi, zona më e populluar gjatë sezonit turistik, nuk do të vuajë më ndërprerjen e energjisë elektrike. Ka përfunduar rikonstruksioni i nënstacionit të Golemit 110/20kV, që jep siguri të plotë në furnizim me energji për të gjithë zonën nga Plepat deri në Shkëmbin e Kavajës në Golem. Jo vetëm ndërprerjet e energjisë, por edhe luhatjet e tensionit u kishin shkaktuar shpesh dëme në pajisje 9 mijë abonentëve. Vendosja e transformatorit të ri, me tre nivele tensioni, zgjidh edhe këtë problem, duke rritur cilësinë e parametrave të furnizimit me energji elektrike, me standarte të reja teknike. Furnizimi bëhet me fidera të rinj dalës 20kV dhe lidhja në unazë me fiderat nga Kavaja dhe Shkozeti, për t’i lehtësuar nga mbi ngarkesat. Ndërkohë ka nisur faza e dytë, ku investimi po shtrihet në gjithë zonën bregdetare nga Shkëmbi i Kavajës deri në Qerret. Ky investim që shkon në total 900 milionë lekë zhvillon një infrastrukture elektrike të përshtatshme për gjithë zonën bregdetare, që jo vetëm garanton një shërbim cilësor duke filluar nga ky sezon turisitk, por parashikon zhvillimin afatgjatë të Golemit si zonë turistike.
“Kjo është faza e parë e investimit. Ka nisur faza e dytë, 630 milionë lekë, ku bëjmë 6 fidera të rinj 20kV. 2 fiderat e parë mbarojnë në korrik dhe brenda vitit mbarojnë edhe të tjerët, që përfshijnë nga Rreth Plepat deri në plazhin e Qerretit.
Hyjnë në punë këto fidera dhe kalojnë për muze të vjetrit. Janë automatike, sistem skada, manovrohen dhe komandohen online, edhe nga Qendra në Tiranë. I gjithë investimi në total shkon 900 milionë lekë të reja. Ky investim përfshin 60 kabina, 36 km kabull dhe përfitojnë mbi 9000 abonentë. Përveç kësaj, në zonën e Kavajës dhe në fshatrat përreth kemi investuar dhe 2.6 milionë euro të tjerë. Banorët e zonës turistike dhe banorët e zonës së Golemit deri në plazhin e Qerretit nuk do të kenë më probleme me energjinë elektrike,” – shpjegoi investimin Administratori i OSHEE, Adrian Çela.
KM Rama: “Është një projekt kompleks, që ka gjithë ripërtëritjen e rrjetit të furnizimit me energji të zonës, por ka dhe gjithë ripërtëritjen e rrjetit të Ujësjellës- Kanalizimeve në gjithë zonën e plazhit. Plus kemi disa projekte të tjera që fillojnë futen tani për të rehabilituar gjithë rrugët midis godinave që janë në plazh, nga Durrësi deri në Golem në mënyrë që t’i japim atë energjinë e Rilindjes Urbane dhe të kemi një transformim rrënjësor nga pikëpamja e cilësisë së ambientit. 20 e kusur vite duke bërë turizëm me gropa septike dhe duke hedhur të gjithë ujërat e zeza në det, ka qenë një katastrofë. “
Administratori i komunës Golem: “Tensioni ka qenë i dobët në të gjithë zonën. Tani investimi ka një impakt të madh, do të zgjidhi një nga 3 hallet e mëdha që ka zona, zgjidh përfundimisht transmetimin e energjisë elektrike. Edhe impianti i ujërave të zeza është duke përfunduar, vetëm loti i fundit është, nga këtu tek fundi i plazhit deri te Përroi i Agait”.
KM Rama: “Rilindje në kuptimin e vërtetë të fjalës nga pikëpamja e infrastrukturës e energjisë dhe infrastrukturës së ujësjellës-kanalizimeve. Këtu as drita, as uji dhe ujërat e zeza derdheshin në det dhe në gropa septike. Sigurisht që ka kërkuar kohën e vetë. Ka dhe pak kohë që duhet të bëjnë durim njerëzit, sepse nuk mund të bëhen dot brenda ditës. Janë projekte që kanë pasur nevojë që të rishikohen nga e para. Janë investime që nuk janë bërë 40 vjet.”
Kryeministri Edi Rama, i shoqëruar nga Ministri i Energjetikes Gjiknuri dhe Administratori i Përgjithshëm i OSHEE Adrian Cela. ishte në nënstacionin e Radhimës dhe Orikumit, të rikonstruktuara me fondet e OSHEE.
Duke vizituar nënstacionin e vjetër, Çela tha se investimet nuk do të ndalen edhe në fshatra të tjera të zonës, duke mundësuar zëvendësimin e infrastrukturave energjitike të rënduara, me standarde të reja.
Ai gjithashtu u shpreh se linja e re e vënë në përdorim gjatë sezonit turistik të kaluar, bëri që për herë të parë të mos përjetohej një situatë problematike në furnizimin me energji elektrike.
“Eshtë investim i vitit 1971, duket në çfarë situate është. Kemi investuar 60 milionë lekë të reja, me të ardhura të kompanisë, ku kemi fuqizuar transformatorin dhe kemi fuqizuar 5 çela të reja automatike. Këto investime janë me fondet e kompanisë, për linjën 35 kW dhe kjo është faza e parë.”
Për transformatorin e ri të vënë në përdorim, Çela shpjegoi se garanton cilësinë e furnizimit dhe ul numrin e defekteve.
“Ky është investim i ri dhe transformatori i ri i fuqizuar që kemi vënë jashtë ,në të cilin kem i dhe një çelës rezervë që kur ka defekt njëri nga këta që furnizohet, kalohet te çela rezervë, pra, garanton cilësinë e furnizimit dhe ulet numri i defekteve.”
Për Kryeministrin Rama kapërcimet epokale në teknologji janë rezultat i reformës në energji. Kryeministri u shpreh se kontributet e konsumatorëve, po kthehen në investime për ta.” Të gjitha këto kapërcime epokale në teknologji janë rezultat i reformës në energji. Të gjitha këto janë kontribute të konsumatorëve që po kthehen në investime. Të gjitha këto investime do të garantojnë shërbimin cilësor me energji elektrike në të gjithë territorin e Republikës së Shqipërisë dhe ripërtëritjen e një rrjeti që në 85 % të tij është i moshës së elektrifikimit”, u shpreh administratori i OSHEE.
Nënstacioni i Radhimës, prodhim i vjetër i vitit 1971 dhe në gjendje tepër të rënduar, ishte ndër më problematikët në cilësinë e furnizimit me energji elektrike, në zonat turistike të Orikumit, Radhimës dhe fshatrat përreth saj si dhe Llogoranë, Bazën e Pashalimanit.
Sot, ky nënstacion, nyjë kritike në sistemin e shpërndarjes është tërësisht i rikonstruktuar, falë një investimi prej 60 milion lekësh të reja. Investimi ka bërë të mundur vendosjen e një transformatori të ri 35/10 KV me fuqi 10MVA me nivele tensioni të rregullueshme, me një rritje dyfish kapacitet si pasojë e rritjes së kërkesave për konsum me energji elektrike sidomos në sezonin veror.
Janë vendosur 5 çela të reja, prodhim i 2016-s, të cilat jo vetëm që garantojnë sigurinë maksimale të punonjësve gjatë kryerjes së operacioneve në punë, por rrisin njëkohësisht cilësinë e furnizimit me energji elektrike.
Paralelisht me Nënstacionin u rikonstrutuan linjat 35 kV të implementuara në vitet ’70.
Investimi për linjat Vlorë – Skelë – Ujë i Ftohtë – Rradhimë – Orikum arriti në një vlerë prej 65 milionë lekësh të reja.
Nënstacioni i ri i Dhërmiut
Për herë të parë në Dhërmi, në zonën më të frekuentuar turistike, është instaluar nënstacioni i ri energjetik 35/20/10kV, i cili i jep zgjidhje problemeve të shumta të furnizimit me energji për këtë zonë. Investimi me vlerë prej 140 milion lekësh u bë mbi një infrastrukturë (shtylla e përcjellës) të paprekur që prej vitit 1967. Nënstacioni garanton furnizimin me energji elektrike zonën e Palasës dhe të Dhërmiut.
“Investimin që kemi bërë në nënstacionin e ri në Dhërmi, për të garantuar furnizimin për zonën e Palasës dhe të Dhërmiut duke parë dhe në fokusin e investimeve të reja turistike që nisin në gjithë këtë zonë dhe rritet ngarkesa. Flasim për një linjë që ka qenë, kur kemi bërë investimin, kemi parë shtylla dhe përcjellës të vitit 1967. Pra, ishin të paprekura që nga viti 1967. Kemi bërë këtë investim që është 140 milion lekë të reja nga të ardhurat e kompanisë”, u shpreh Administratori i Përgjithshëm i OSHEE Çela.
Himara, Nenstacioni i levizshem
Për herë të parë, pas 25 vitesh Himara garantoi një sezon të suksesshëm turistik (2016) në furnizimin me energji elektrike. Kjo falë nënstacionit të ri dhe modern, të lëvizshëm, i montuar aktualisht në Himarë, investim me vlerë 200 milion lekë. Nënstacioni furnizon qytetin e Himarës, Qeparoin dhe zonën Dhërmi-Palasë.
Njëkohësisht me nënstacionin ka përfunduar edhe ndërtimi i linjës me nivele 35 dhe 20 kV nga Himara në Dhërmi (13 km me 45 shtylla), me vlerë investimi prej 247 milionë lekë.
Kryeministri Rama ishte për të parë nënstacionin së bashku me ministrin Gjiknuri dhe Administratorin e Përgjithshëm të OSHEE AdRian Cela.
Çela shpjegoi se nënstacioni i lëvizshëm, (portabël) është implementuar për herë të parë në Shqipëri dhe përbën një teknologji moderne.
“Këtu jemi për të inspektuar nënstacionin mobile që është implementuar për herë të parë në Shqipëri, është një teknologji e avancuar. Do ta vazhdojmë këtë lloj investimi që në zonat problematike mund të vendosim nënstacione të tilla, sepse kemi prokuruar 3 nënstacione të tilla dhe në zonën e Fushë-Krujës dhe në zona të tjera të Shqipërisë. Nënstacioni i ri që fillon investimi 10-20 kilovolt do të jetë më i madh dhe do ta spostojmë këtë nënstacion në një zonë tjetër problematike.”
Një godinë në rrënim, e mbuluar vazhdimisht nga uji ishte deri dje nënstacioni elektrik i Lezhës. I ndërtuar që në vitet ’60-të dhe i pozicionuar nën nivelin e detit, gjendej e përmbytur edhe në shiun më të parë dhe në nivelin më të ulët të operimit. Si pasojë, banorët e Lezhës kanë vuajtur mungesën për mbi 5 orë në ditë të energjisë elektrike. Rikonstruksioni i vetëm dhe i fundit i nënstacionit ishte bërë në vitin ’73-të. Për herë të parë, pas mbi katër dekadash, OSHEE investoi 1.9 milionë dollarë, duke garantuar sigurinë nga reshjet dhe furnizimin të pandërprerë me energji. Kryeministri Edi Rama, i shoqëruar nga Ministri i Energjisë, Damian Gjiknuri dhe Drejtori i OSHEE, Adrian Çela, inspektuan rivënien plotësisht në punë të nënstacionit.
“Stacioni i Lezhës është ndërtuar në vitet ’60-të dhe ristrukturimin e fundit e ka pasur në ’73-n. Çdo shi që binte, ky dilte jashtë funksionimit, se përmbytej nga uji. Ngelej i gjithë qyteti pa energji. Përveç kësaj përmbytej qyteti, sepse 4-5 hidrovoret që marrin energji nga këtu nuk furnizoheshin dhe dilnin jashtë pune. Këto janë çelat, prodhim i vitit 1970. Është investim 190 milionë lekë [të reja] nga të ardhurat e OSHEE-së. Kjo është faza e parë, sepse jemi në proces,” – u shpreh drejtori i OSHEE-së, Adrian Çela, duke shpjeguar rëndësinë e investimit jo vetëm për qytetin, por edhe për zonën turistike.
Krahas risjelljes në standarde pune të nënstacionit, u vendosën pajisjet e reja për 21 fidrat që lidhen me nënstacionin. Ndërkohë 1 milionë dollarë janë duke u investuar për ndërtimin e dy fiderave të rinj 10 kV për Shëngjinin, që do të lidhen me nënstacionin e Lezhës. Investimi do të përfundojë para sezonit turistik dhe së bashku me dy fiderat ekzistues, Shëngjini, i cili katërfishohet gjatë sezonit veror, ofron siguri të plotë në furnizimin normal me energji. Një investim shumë i rëndësishëm është edhe investimi 1 milionë euro që fillon në prill, për sigurinë dhe mirëfunksionimin e linjave elektrike në Zejmen, ku aktualisht si pasojë e amortizimit të rrjetit, 70% e energjisë humb në rrjet. Në Lezhë, OSHEE ka investuar 4 milionë dollarë, për të rritur cilësinë e furnizimit me energji elektrike dhe mirëfunksionimin në linjat të furnizimit me energji të 5 hidrovorëve të zonës.
“Janë 26 çela të reja automatike dhe dy fidera të rinj që shkojnë drejt Shëngjinit. Me këtë investim, edhe Shëngjini për 10-15 vitet e ardhshme është i garantuar për çdo lloj ngarkese. Kemi investuar tani, vetëm në Lezhë, 4 milion euro. Në prill fillon në Zejmen, 1 milionë euro investimi tjetër, për të gjithë rrjetin e Zejmenit,” – tha drejtori OSHEE.
OSHEE, për herë të parë po ndjek një plan ambicioz investimesh nga të ardhurat e saj, falë reformës dhe mirëmenaxhimit të sektorit. Reforma të vështira, nënvizoi Kryeministri, të cilat po rehabilitojnë dhe rivitalizojnë sektorin.
“Falë reformës, falë faktit që nga gjysma që paguante edhe për gjysmën që vidhte kaluam në një fazë të re, ku të gjithë janë të vetëdijshëm dhe kontribuojnë, jo vetëm që nuk harxhojmë 150 milionë dollarë çdo vit, për të mbushur gropën e vjedhjeve, që të ndezim dritat, por, përkundrazi, kemi filluar të investojmë. Me këtë investim këtu në Lezhë i jepet zgjidhje një problemi gangrenë 25 vjet. Por do vazhdojmë edhe në zonën e Zejmenit, që mbetet akoma një pikë e dobët dhe pastaj për gjithë Bashkinë e re të Lezhës, nga ky aspekt problemi është i zgjidhur. Ndërkohë do të vrazhdojmë të rrisim cilësinë e furnizimit në mënyrë që edhe përsa i përket turizmit, Shëngjini, më në fund, pas 20 e ca vitesh të funksionojë normalisht si një zonë turistike. Është kjo rruga për të bërë shtet dhe është kjo mënyra sesi reforma të dhimbshme, të lodhshme, me kosto, japin rezultatin e tyre. Operacione që japin rezultat. Ky është një operacion i suksesshëm që tani, por na mundëson të fillojmë të rehabilitojmë organizmin komplet të bllokuar nga kanceri i kaq shumë viteve rrumpallë dhe hajdutëri,” – u shpreh Kryeministri.
Ministri Gjiknuri nënvizoi se është kryer niveli më i madh i investimeve në sektorin elektroenergjitik. Ndërkohë investimet që janë në proces dhe ato që pritet të nisin do të kthejnë këtë sektor, tha Gjiknuri, në gjenerator zhvillimi për vendin.
“Stabiliteti financiar na ka krijuar mundësi që të vazhdojmë të investojmë në përmirësimin e furnizimit me energji elektrike. Ky është një shembull konkret se çdo të thotë një investim, i cili mund të ndryshojë totalisht cilësinë e furnizimit për gjithë zonën e Lezhës, aq shumë problematike sa herë që kishte shi dhe përmbytje. Ky vit është viti më i madh i investimeve në sektorin elektroenergjitik që është parë ndonjëherë, aq më tepër i bërë në kushte kur kemi pasur një krizë nga pikëpamja e motit, ku sistemi as nuk kolapsoi, siguruam furnizimin me energji. Mbi të gjitha, për shkak të mirëmenaxhimit po investohet në përmbushje të objektivave që ne i kemi vënë vetes, që të stabilizojmë përfundimisht sektorin elektroenergjitik, për ta kthyer atë në një gjenerator zhvillimi për gjithë vendin, për shoqërinë shqiptare,” – u shpreh Gjiknuri.
Përfaqësuesit e Ministrisë së Energjisë dhe Industrisë ashtu sikurse edhe Operatorit të Shpërndarjes së Energjisë Elektrike zhvilluan sot një takim informues dhe konsultues me bizneset që kanë detyrimin për të dalë në tregun e lirë të energjisë.
Në mbështetje të ligjit të ri për sektorin e energjisë elektrike, OSHEE ka evidentuar 73 subjekte të lidhura në rrjetin 35 kV të cilat duhet të respektojnë këtë detyrim për të gjetur mundësinë alternative të furnizimit dhe shkeputur nga operatori publik.
Aktualisht ka përfunduar procesi i instalimit të matësave në këto subjekte dhe po vazhdon miratimi i kuadrit ligjor e rregullator të nevojshëm që këto biznese të mund të furnizohen në tregun e lirë.
Gjatë diskutimeve që u realizuan, Ministria e Energjisë dhe Industrisë pranoi kërkesën e këtyre bizneseve për tu dhënë pak më shumë kohë në dispozicion për shkëputjen nga OSHEE. Afati i mundshëm i përfundimit të të gjithë këtij procesi do të jetë data 30 Qershor 2017. Ligji përcakton gjithashtu afatin dy mujor në të cilin këtyre subjekteve u garantohet furnizimi nga OSHEE në cilësinë e furnizuesit të mundësisë së fundit.
Ministri i Energjisë dhe Industrisë z.Damian Gjiknuri bashkë me administratorët e OSHEE-së, KESH-it dhe OST-së realizuan një bashkëbisedim me gazetarët referuar treguesve të sektorit elektroenergjitik për vitin 2016.
Ministri Gjiknuri deklaroi se raportet e fundit të institucioneve prestigjoze ndërkombëtare si Fondi Monetar Ndërkombëtar, Banka Botërore apo agjenci të njohura si “Standart & Poor’s” dhe “Moody’s” e kanë konsideruar reformën në sektorin elektroenergjitik shumë të suksesshme.
“Hapat e ndërmarra kanë krijuar një efekt pozitiv në financat publike duke e çliruar Buxhetin e Shtetit nga barra e rëndë e këtij sektori që rrezikonte të fundoste financat publike. Vetëm gjatë tre viteve të fundit janë paguar 23 miliard lekë në tatim/taksa si kontribut direkt në Buxhetin e Shtetit. Ndërkaq, 135 milion Euro është efekti pozitiv indirekt në Buxhet përmes reduktimit të mbështetjes buxhetore për sektorin dhe çlirimin e garancive sovrane në 2013-2017”, u shpreh Gjiknuri.
Sipas tij, në 2016 niveli i humbjeve u reduktua në shifrën rekord prej 28.04% ndërsa në vitin 2013 u gjet jo pak por 45%. Operatori i Shpërndarjes arkëtoi për vitet 2015-2016 shumën totale prej 126 miliard lek ndërsa tre vite më parë mblidheshin vetëm 38,3 miliard. Arkëtimi i faturave korente nga 66.7% që ishte në 2013, vitin e fundit u arrit në 86.6%. Totali i arkëtimeve për vitin 2016 përfshirë edhe kamatat arrin në 93.8%.
Rezultati ekonomik vjetor për OSHEE-në u mbyll pozitiv me 11.5 miliard lekë, Korporata Elektroenergjitike Shqiptare me bilanc pozitiv vjetor prej 1.7 miliard lekësh dhe Operatori i Sistemit të Transmetimit 1 miliard lek.
Në tre vitet e fundit, KESH, OST dhe OSHEE kanë investuar në sektor një shumë prej 45.6 miliard lekësh ndërsa për vitin 2017 plani i investimit arrin në 24 miliard lek.
Detyrimet e të tretëve ndaj OSHEE-së, pra rekuperimi i gjendjes së debisë përfshirë kamatat ka ardhur në rënie. Nëse në vitin 2013 ato ishin 117.8 miliard lekë, në vitin e fundit u mbyllën me 105.2 miliard lekë.
Borxhi i OSHEE-së ndaj KESH, OST dhe palëve të tjera të treat nga 99.9 miliard lekë që ishte në vitin 2013 është ulur tashmë në 93.6 miliard lekë.
Nëse në vitin 2013 shpenzoheshin 151 milion euro për mbulimin e humbjeve me blerje energjie nga importi, në vitin e fundit kjo është reduktuart në 61 milion euro.
Ndërkaq, KESH shpenzoi 12 milion euro më pak për blerje energjie nga importi krahasuar me vitin 2015 dhe 34 milion euro më pak se mesatarja e 5 viteve të fundi. Korporata Elektroenergjitike rriti gjithashtu me 22 milion euro të ardhurat nga eksporti krahasuar me 2015 dhe 41 milion euro krahasuar me mesataren e 5 viteve të fundit.
Normat e interesit të KESH-it për stokun e borxhit të trashëguar u ulën nga 6.58 % që ishte në 2013 tashmë në 3.94%.
Referuar përfituesve të skemave lehtësuese të shlyrjes së borxheve të prapambetura, deri më tani kanë përfituar 332 000 abonentë nga reduktimi deri në zerim të plotë të kamatëvonesës. Vlera e përfituar prej tyre deri më tani është 147 milion USD për periudhën 2014-2016. Deri në Qershor 2017 pritet të përfitojnë edhe 68000 abonentë duke e çuar shumën totale të detyrimeve të falura në 230 milion
Fjala e Kryeministrit Edi Rama në takimin për thellimin e reformës në energji dhe lehtësimin e mëtejshëm të detyrimeve të konsumatorëve:
Përshëndetje të gjithëve!
Me lejoni t’ ju them që në fillim se rezultatet në sektorin energjetik, unë nuk i shoh si arsye për të qenë të kënaqur, por si një motivim për të bërë shumë më tepër.
Nuk ka vend për të qenë të kënaqur. Nëse i shikojmë shifrat dhe faktet e ndryshimeve në raport me nga ku u nisëm, patjetër që është bërë një punë kolosale dhe janë vendosur themelet e një shteti që funksionon për njeriun e zakonshëm. Por, nëse i matim rezultatet me xhepin tuaj, me arkën e familjes së zakonshme, me ambiciet, dëshirat, shpresat e prindërve për fëmijët e tyre, atëherë jemi shumë larg. Prandaj duhet të punojmë ditë-natë me kokën ulur përpara jush.
Duke iu kthyer kamatëvonesave, ju të gjithë e mbani mend që, kur nisi kjo reformë, kundërshtarët e reformës nga të katër anët vunë kujën, “falni kamatëvonesat”. Nëse ne do të kishim falur kamatëvonesat që në momentin e parë, reforma do të kishte dështuar dhe ne do të kishim dështuar në një nga aspektet më të rëndësishme të projektit tonë për të bërë shtet. Kjo sepse nuk do të lidhej lehtësimi i vazhdueshëm i konsumatorëve të energjisë me korrektesën e tyre ndaj shtetit që duam të bëjmë. Shtetit që duam të bëjmë jo për vete, por për fëmijët tanë. Jo për ne qeveritarët, se, nëse do shikonim në mënyrë cinike interesin tonë, ashtu siç e kanë parë paraardhësit tanë në 20 e ca vjet, më mirë pa shtet, sesa me shtet! Kur ka shtet, shteti i vë kufirin te thana, në radhë të parë, atyre që ushtrojnë pushtet dhe iu krijon mundësi të barabarta në raport me ligjin atyre që janë pa pushtet.
Sot, ne kemi 453 000 konsumatorë që kanë aktmarrëveshje me shtetin dhe që janë në një marrëdhënie reciprociteti me kompaninë. Konsumatorët që kanë nënshkruar aktmarrëveshje i përgjigjen kompanisë sipas detyrimeve të tyre dhe kompania ua kthen dhe do t’ua kthejë vijimësisht, duke ua lehtësuar barrën e së shkuarës, që është barrë e përbashkët. Nuk është thjeshtë barra e njerëzve që kishin miliona për të paguar, por edhe barra e një pushteti që kupton se ato para të papaguara vinin edhe si rezultat i mungesës së shtetit dhe i qeverive që i shkelnin syrin njerëzve për vota, duke iu thënë “mos e paguaj, më jep votën”. Në fund e dërrmuan dhe e kalbën shtetin shqiptar.
Natyrisht, nëse do të shohim plagët që ka ende Shqipëria, nëse do numërojmë plagët që kanë sot familjet shqiptare, nuk ka diskutim që çka mbetet për të kuruar dhe për të shëruar është shumë më tepër se çfarë është kuruar dhe çfarë është shëruar. Por s’ka njeri të arsyeshëm, besoj unë, që i kërkon një qeverie që në tre vjet e pak të bëjë natën-ditë, në kuptimin e plagëve të hapura dhe të thelluara në 25 vjet.
Ju jeni dëshmitarë të zerimit të kamatëvonesave për të gjithë pensionistët kryefamiljarë, për të gjithë konsumatorët që kanë vazhduar të jenë korrektë me shtetin dhe që nuk e bënë këtë gjë që ditën e parë, kur u ofrua aktmarrëveshja. Ata që e bënë në fillim, përfituan që në fillim dhe përfituan pak më shumë. Ata që e bënë më pas, përfituan më pak sesa ta kishin bërë në fillim, por tanimë janë të lehtësuar që kamatëvonesat dhe lehtësimi do vazhdojë.
Të jeni të bindur se ne jemi shumë të vetëdijshëm edhe për atë barrën që përmendi këtu një zonjë. Është shumë e rëndë, pavarësisht se është më e lehtë seç ishte. Të jeni e sigurt që ajo do të lehtësohet më tutje. Për një arsye shumë të thjeshtë, sepse mundësitë do të jenë më të mëdha. Kjo nuk është çështje dëshirash. Nëse ka një njeri në Shqipëri që do donte t’i rriste pensionet më tepër, t’i rriste rrogat më tepër, t’i zeronte të gjitha detyrimet e të shkuarës që sot, jam unë. Por, nga ana tjetër, kjo lidhet me mundësitë. Sa më shumë të jemi të gjithë, sipas peshës, seriozë me shtetin, aq më shumë shteti do të ketë mundësinë të jetë i vëmendshëm dhe social.
Nuk mund të ketë shtet social se duhen vota. Nuk ndërtohet shteti social, duke mbajtur fjalime kundër çdo reforme dhe duke iu rrotulluar thikën në plagë më të varfërve dhe atyre që kanë më pak, duke iu thënë se “faji pse ju jeni në këtë gjendje është i atyre që sot drejtojnë”. “Po të isha unë”, – thotë X-i apo Y-i, – “ju do ishit ohu ku…”
Në fakt, X-i, Y-i dhe Z-a nuk kanë asgjë në dorë, prandaj edhe premtojnë çfarë të munden. Duan thjesht të marrin disa vota dhe të sigurojnë rrogën e tyre, të sigurojnë karrigen e tyre në parlament dhe të sigurojnë se mund të vazhdojnë të bëjnë punët e tyre, por jo punën tuaj. Punën tuaj dhe punën e të gjithë atyre që sot kanë nevojë për shumë më tepër, e bëjmë vetëm ne. Sepse jemi këtu! Sepse kemi një histori! Sepse kemi një libër të shkruar në 25 vjet!
Pse nuk e bënë më përpara? Këtu ishin! Të gjithë ata që flasin sot dhe ju tregojnë sesa shumë po vuani, sa dhimbje e halle keni, sa të varfër jeni e sa e sa kështu e ashtu…, jo vetëm që ishin këtu, por e kanë pasur mundësinë të tregonin me vepra sesa shumë e vrasin mendjen për ju dhe sesa shumë bëjnë për ju. Por nuk e bënë!
Kompania ka bërë një progres shumë të madh, por është ende larg së përmbushuri detyrimin e plotë ndaj atyre që tanimë paguajnë. Unë marr shumë mesazhe nga njerëz që thonë “na the paguani, ku është shërbimi? Pse më ndërpriten dritat? Pse më vjen një faturë e padrejtë?”
Kanë shumë të drejtë. Por duhet edhe të kuptohet që gjithë lehtësimi vjen nga kontributet. Deri dje, atyre që pagunin, iu merrej dyfish. Iu merrej për energjinë, iu merrej edhe nga taksat. Në vend të bëheshin shkolla, spitale, rrugë e të tjera, 150 milion dollarë shkonin për të mbushur gropën që hapej e thellohej çdo vit, nga vjedhja dhe nga humbjet në një rrjet. Një rrjet të shpërndarjes së energjisë elektrike, që e gjetëm në mbi 80% të tij në moshën e elektrifikimit. Qëkur u vunë shtyllat e elektrifikimit të Shqipërisë, nuk u zëvendësuan më.
Ka pasur ndërprerje, patjetër. Por këtë vit, megjithëse ishte një vit i jashtëzakonshëm nga pikëpamja e klimës, nga pikëpamja statistikore-sasiore, kanë qenë ndërprerjet më të pakta në 26 vjet. Ky nuk është ngushëllim për ata që iu ndërpritet energjia. Në zonat e thella ka ende shumë probleme, sepse rrjeti është komplet i amortizuar. Mjafton një erë të përmbysë një shtyllë. Duhet shkuar, duhet riparuar etj., por janë orë të tëra që shkojnë.
Nga ana tjetër, leximi i faturave mbetet akoma problematik. Por kush mund të thotë sot, se nuk është një ndryshim themelor që nuk ka më aforfe! Kush mund të thotë sot, se nuk është një ndryshim themelor që në 99% të rasteve, fatura është korrekte!
Vërtet njerëzve që janë jashtë, vazhdojnë iu vijnë fatura, ndërkohë që shtëpia është e mbyllur, por sepse akoma sistemi nuk është i plotë. Për të ndërtuar një shtëpi pa leje, duhen vite. Po për të ndërtuar një shtet, që u kthye në një territor ku kush ishte kurajoz për të mos respektuar ligjin, përfitonte dhe kush e respektonte ligjin, shkelej me këmbë? Mjaftojnë tre vjet e pak? Nuk ka si të mjaftojnë. Por ky nuk është justifikim.
Unë jam shumë i interesuar, vazhdimisht, për përmirësimin e vazhdueshëm të shërbimit. Tani ka filluar projekti i leximit kompjuterik të faturave në Tiranë, por kjo është e lidhur edhe me regjistrimin e popullsisë. Një shtet që nuk di sa njerëz ka dhe se ku i ka, çfarë shteti është! 25 vjet, shteti shqiptar nuk numëroi dot kurrë shqiptarët! Kjo bën që të mos të jesh në gjendje të japësh shërbime cilësore për të gjithë aty ku janë. Kjo bën që t’ia çosh faturën dikujt, edhe kur ai s’është më aty, etj..
Brenda vitit, leximi i faturës do të jetë kudo, jo më siç i duan sytë dhe siç ia kërkon xhepi një lexuesi që kërkon para e në bazë të ryshfetit, bën faturën, por siç e lexon kompjuteri. Po punohet edhe për të vendosur një mesatare të konsumit të të gjithëve dhe leximi të bëhet jo më çdo muaj, por 4 herë në vit. Që do të thotë një lehtësim shumë i madh dhe nga ana tjetër, një tjetër goditje e fortë e sistemit të ri që po ndërtohet ndaj korrupsionit.
Në bazë të leximit do bëhet pastaj balancimi. Nëse mesatarja që ti ke paguar në një rast është më e lartë sesa ke konsumuar, ato para do të të ulen nga fatura e ardhshme. Nëse është më shumë, do të të rriten në faturën e ardhshme. Por e gjitha do jetë me kompjuter, jo me sy.
Është shumë e rëndësishme që të kuptohet se në këtë rrugë do të jemi në gjendje të vazhdojmë të lehtësojmë ata që janë më në nevojë. Do jemi në gjendje të vazhdojmë të lehtësojmë të gjithë ata që kanë detyrime të së kaluarës. Do jemi në gjendje të shkojmë drejt përmbushjes së një objektivi, uljen e TVSH-së së energjisë. Por kjo kërkon që ta kemi të gjithë sistemin të ndërtuar, të kontrolluar dhe të kontrollueshëm, jo vetëm prej nesh, por edhe nga qytetarët.
Ne sot kemi ardhur në kushtet kur borxhin e kemi vënë në kontroll dhe kemi filluar ta ulim, ndërkohë që rrogat i rrisim, pensionet i rrisim, investimet i rrisim. Në vitin 2013, ne ishim në buzë të humnerës. Në shtator kur morëm qeverinë, rrezikonim në nëntor-dhjetor të mos paguanim dot rrogat dhe pensionet. Sepse shkon e lidhet laku në fyt me politikën “shkelja syrin njërit, mos e paguaj energjinë”, “shkelja syrin tjetrit, mos i paguaj taksat”, “lëri këtu të na vjedhin, sepse këta na japin votat”, “lëri ata atje t’i fusin kontrabandë mallrat, se ata na financojnë fushatën” etj.. Atëherë ku t’i gjejmë paratë, t’i marrim borxh?! Është njësoj sikur një familje t’i thotë vetvetes se nuk ’kemi pse shkojmë në punë sot dhe njëri shkon luan bixhoz, tjetri bën xhiro, tjetri pi birra, kryefamiljari vazhdon merr borxh tek komshinjtë. Vjen një ditë që shtëpia bie. Kështu ishte Shqipëria që trashëguam.
Sot jemi në kushtet kur jemi angazhuar në një Program të ri Kombëtar “Një miliardë” investime për infrastrukturë rrugore, infrastrukturë shkollore, infrastrukturë shëndetësore.
Kur flitet për pensionistët, nuk duhet harruar kurrë që për pensionistët, pensioni është shumë i rëndësishëm, por e ardhmja e nipave dhe mbesave është si drita e syve të tyre. Sa më shumë të bëjmë për nipat e për mbesat, aq më shumë kemi bërë për gjyshërit dhe gjyshet. Sa më shumë ne të jemi seriozë me ju dhe ju me ne, në raportin e detyrimeve, aq më shumë Shqipëria e nipave dhe mbesave tuaj do të jetë Shqipëria që meritonit ju për jetën e vështirë dhe punën e palodhur të shumë dekadave, por që për njëmijenjë arsye, nuk ndodhi.
Nëse ne do të vazhdonim me historinë që trashëguam dhe nëse Shqipëria do të vazhdonte me politikanët që iu tregojnë shqiptarëve ato që ju vijnë si të ëmbla në vesh dhe refuzojnë ilaçin e hidhur të të vërtetës, edhe nipat dhe mbesat tuaja do të detyrohen të jetojnë si për fat të keq keni jetuar ju në gjithë këto vite.
Programi do të bëjë që ne të investojmë fuqimisht, sepse nuk kemi nevojë më të çojmë paratë e taksave për të kompensuar vjedhjet. Nuk kemi nevojë më t’i çojmë paratë e kontributeve tuaja, për të mbuluar plagët e thella dhe për të kuruar kancerin me aspirina, por kemi gjithë mundësitë që t’i adresojmë gjërat në funksion të përmirësimit rrënjësor të jetës në vitet që vijnë, duke vazhduar të bëjmë shtet. Vetëm kështu gjërat do të vijnë duke u përmirësuar realisht.
Edhe vetë Reforma në Drejtësi nuk është për ne, në kuptimin në interesin tonë. Është për ju!
Drejtësia e re nuk na duhet thjesht për disa pushtetarë të korruptuar që duhet të marrin ndëshkim, por na duhet në radhë të parë, për çdo qytetar që te dera e gjykatës duhet të marrë drejtësinë që i takon dhe jo të hajë çekiçin kokës nga gjykatësi, sepse nuk kishte para të paguante për drejtësinë. Ndërkohë që dikush tjetër ia bleu përmes gjykatësit drejtësinë. Është një reformë themelore që shkon në funksion të të bërit shtet dhe që kalon përmes Vettingut.
Vettingu nuk është as për mua, as për ambasadorin amerikan, as për Prokurorin e Përgjithshëm, as për një “X” apo për një “Y” tjetër. Vettingu është për njerëzit e zakonshëm të këtij vendi, që, më në fund, të çlirohen nga kthetrat e prokurorëve dhe gjykatësve të korruptuar, që i morën frymën këtij populli, 25 vjet.
Miqtë e mi, unë dëgjova shumë falenderime këtu. Në fakt, kujt nuk i pëlqejnë fjalët e mira dhe falenderimet. Por e vërteta është se nuk keni asnjë arsye të më falënderoni mua. Duhet të jeni të vetëdijshëm se, nëse po bëhen disa gjëra që nuk u bënë në 25 vjet, këto vijnë si rezultat i vendimit sovran të shumicës së popullit, që na dha ne mandatin për të bërë këto reforma të thella, të dhimbshme. Janë operacione që kanë dhimbje, kanë kosto, por që janë të domosdoshme.
Nga ana tjetër, vijnë edhe si rezultat i një fakti të thjeshtë që këto reforma kanë vizion. Ky vizion buron nga domosdoshmëria e brendshme e kësaj shoqërie, prej kaq shumë vitesh, për t’iu dhënë fëmijëve një atdhe që i ka rrënjët te mirëqenia dhe jo thjesht te toka. Unë ju siguroj se më shumë do të bëjmë.
Në 1 mars ju do të merrni pension më të lartë. Ata që kontribuojnë për shtetin do të marrin pension më të lartë. Kjo do të ndikojë edhe tek ata që punojnë në privat. Ashtu sikundër, kjo do të lidhet me vazhdimin e vendosur të kërkesës që, nëse ne i kërkojmë një pensionisti apo një punonjësi të thjeshtë, korrektesë në pagesën e detyrimeve, ata që fitojnë më shumë në këtë vend, sipërmarrësit e mëdhenj, – që janë përfituesit më të mëdhenj edhe nga puna e tyre, por edhe nga oportunitetet e këtij vendi, – të paguajnë deri në qindarkën e fundit detyrimet e tyre.
Jemi duke zhvilluar një fazë të re të operacionit tonë kundër informalitetit.
Nuk do të falim asnjë qindarkë që ju takon juve, i takon fëmijëve tanë, të shkojë në xhepat e atyre që janë më të pasur si rezultat i evazionit, i shmangies së taksave dhe informalitetit.
Përpara Vitit të Ri, pensionistet morën 60 mijë lekë. Kjo ishte shprehje e vetëdijes se, pavarësisht se kemi dashur e jemi përpjekur të bëjmë maksimumin për ta, sado të bëjmë ne, nuk lahemi dot, -nuk lahet dot ky shtet e jo ne, – nuk arrijmë të përmbushim nevojat, ashtu siç pensionistët meritojnë. Por duke iu dhënë 60 mijë lekë, si asnjëherë tjetër më parë, ka një rëndësi themelore të kuptohet si fryt i kësaj përpjekjeje. Duke bërë shtet, bëjmë më shumë ekonomi dhe secili merr më shumë pjesë në rritjen e kësaj ekonomie. Unë nuk dua që ai shpërblim i fundvitit të shkojë duke u ulur. Unë dua që të mbetet po aq dhe që të mbetet po aq, na duhet të vazhdojmë të jemi seriozë, korrektë në çdo detyrim.
Mesazhi, për të gjithë ata që kanë detyrime të prapambetura nga e shkuara për kompaninë dhe që po vazhdojnë me korrektesë të paguajnë detyrimet, është se më herët se vonë, ne do të vazhdojmë t’i lehtësojmë. Gjithnjë e më pak do të shkojë duke mbetur barra e së shkuarës, për shkak të lehtësimeve.
Shumë faleminderit!
Fjala e Administratorit te OSHEE, Adrian Cela
Së pari gjej rastin të ju falenderoj për pjesëmarrjen. Zgjodhem ditën e sotme për të bashkëbiseduar me abonentë që kategorizohen kryesisht tek shtresat në nevojë dhe pjesë e skemës së ndihmës ekonomike. Janë disa dhjetra mes qindra mijëra përfituesve të skemave lehtësuese të shlyerjes së borxheve të prapambetura të energjisë elektrike. Gjithashtu, janë pjesë e skemave tanimë të prezantuara për reduktimin deri në zerim të vlerës së kamatëvonesave.
Ju shpreh vlerësimin tim për mbështetjen që i keni thënë rimëkëmbjes së sektorit elektroenergjitik dhe gatishmërinë tuaj për tu bërë pjesë e ligjshmërisë. Natyrisht, ju bëni pjesë në ato kategori sociale të cilat për shkak të nivelit të ulët të të ardhurave e kanë patur dhe vazhdojnë ta kenë të vështirë pagesën e faturave të energjisë elektrike. E pikërisht për këtë shkak, bëhet edhe më e vlerësueshme përpjekja juaj për tu treguar sa më korrekt me detyrimet ndaj Operatorit të Shpërndarjes së Energjisë Elektrike.
Këtë gatishmëri tuajën, OSHEE e ka “shpërblyer” me reduktimin deri në zerim të detyrimit që ju kishit në formën e kamatëvonesës. Ju jeni shembulli më i mirë i asaj çka duhet të bëjnë të gjithë, të jenë korrekt e të paguajnë për atë që konsumojnë. Askush nuk duhet të paguajë edhe për ata që vjedhin. Natyrisht, ata që deri dje e vidhnin energjinë elektrike është e natyrshme që sot ndjehen keq. Ky nuk është problemi ynë. Ata janë thjesht pakica gjithnjë e më e vogël pasi shumica e qytetarëve të ndershëm respektojnë detyrimin dhe paguajnë faturën e asaj që konsumojnë.
Nga koha kur ne nisëm operacionin për rikthimin e ligjshmërisë në energji 453,555 familje dhe biznese debitore kanë firmosur aktmarrëveshje duke shlyer me këste borxhet e akumuluara të energjisë.
Nuk duhet ta harrojmë se ishte ky administrim i ri i kompanisë që bëri realitet fshirjen e rreth 54 mijë faturave abuzive të lëshuara në dëm të qytetarëve gjatë periudhës 2008-2011. Shuma e përfituar nga qytetarët në këtë rast ishte 30 milion USD.
Pavarësisht se nuk është detyra e OSHEE-së të bëjë politikat sociale, nisur nga problematikat me të cilat ndeshen kryesisht familjet në nevojë në Shqipëri, ne kemi qenë të gatshëm tu gjendemi pranë.
Skemat e para të reduktimit të kamatave u aplikuan me reduktimin 70% deri 80% të vlerës së kamatës me pagesën e plotë të borxhit dhe rezulton se prej tyre përfituan 220 mijë abonentë në një vlerë totale prej rreth 46 milion USD.
OSHEE po vazhdon të zbatojë skemat e reja të reduktimit të kamatave deri në zerimin e plotë të saj për 126 000 abonentë të tjetë.
Deri më tani, janë 24615 familje në nevojë dhe pensionistë kryefamiljarë që kanë përfituar nga zerimi i kamatëvonesës me një vlerë prej 37 milion USD. Gjithashtu janë 33812 konsumatorë të tjerë familjarë që e kanë përfituar reduktimin në vlerë totale prej 34 milion USD.
Thënë në mënyrë më të përmbledhur, janë 332,000 abonentë që kanë përfituar deri më tani nga reduktimi deri në zerim të plotë i kamatëvonesës dhe fshirja e faturimeve abuzive të periudhës 2008-2011. Vlera totale e përfituar nga këta qytetarë për periudhën Dhjetor 2014 – Dhjetor 2016 ka arritur në 147 milion USD. Ndërkaq, pritet që deri në Qershor 2017 të përfitojnë edhe 68,000 abonentë të mbetur duke e çuar shumën totale të detyrimeve të zbritura për abonentët në 230 milion USD.
Kompania ka qenë dhe do të jetë e gatshme që të ofrojë lehtësi dhe skema të herë pas hershme të cilat në çdo rast do të inkurajojnë vetëm ata qytetarë korrekt që respektojnë pagesën e faturës mujore të energjisë ashtu sikurse këstin e aktmarrëveshjes së nënshkruar për borxhin e vjetër.
Administratori i OSHEE, Adrian Çela i shoqëruar nga ministri i Energjisë Damian Gjiknuri dhe kryeministri Edi Rama, zhvilluan një takim me familjet përfituese të skemave sociale për shlyerjen e debisë dhe reduktimin e kamatvonesave në Tiranë.
Gjatë fjalës së tij, ministri Gjiknuri u shpreh se Operatori i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike ka qenë dhe do të jetë i gatshëm që të ofrojë lehtësi dhe skema të herë pas hershme të cilat në çdo rast do të inkurajojnë vetëm ata qytetarë korrekt që respektojnë pagesën e faturës mujore ashtu sikurse këstin e aktmarrëveshjes së nënshkruar për borxhin e vjetër.
Ndërsa Administratori i OSHEE, Adrian Çela tha mes të tjerave në fjalën e tij se janë 332,000 abonentë që kanë përfituar deri më tani nga reduktimi deri në zerim të plotë i kamatëvonesës dhe fshirja e faturimeve abuzive të periudhës 2008-2011. Vlera totale e përfituar nga këta qytetarë për periudhën nga Dhjetori 2014 deri në Dhjetor 2016 ka arritur në 147 milion USD. Janë edhe 68 mijë abonentë të tjerë që nëse do të dëshmojnë korrektësi në pagesën e faturave mujore dhe kësteve të aktmarrëveshjeve mund të përfitojnë në muajt e ardhshëm një tjetër shumë prej 84 milion USD.
Më poshtë fjala e Administratorit të kompanisë OSHEE, Adrian Çela
Së pari gjej rastin të ju falenderoj për pjesëmarrjen. Zgjodhem ditën e sotme për të bashkëbiseduar me abonentë që kategorizohen kryesisht tek shtresat në nevojë dhe pjesë e skemës së ndihmës ekonomike. Janë disa dhjetra mes qindra mijëra përfituesve të skemave lehtësuese të shlyerjes së borxheve të prapambetura të energjisë elektrike. Gjithashtu, janë pjesë e skemave tanimë të prezantuara për reduktimin deri në zerim të vlerës së kamatëvonesave.
Ju shpreh vlerësimin tim për mbështetjen që i keni thënë rimëkëmbjes së sektorit elektroenergjitik dhe gatishmërinë tuaj për tu bërë pjesë e ligjshmërisë. Natyrisht, ju bëni pjesë në ato kategori sociale të cilat për shkak të nivelit të ulët të të ardhurave e kanë patur dhe vazhdojnë ta kenë të vështirë pagesën e faturave të energjisë elektrike. E pikërisht për këtë shkak, bëhet edhe më e vlerësueshme përpjekja juaj për tu treguar sa më korrekt me detyrimet ndaj Operatorit të Shpërndarjes së Energjisë Elektrike.
Këtë gatishmëri tuajën, OSHEE e ka “shpërblyer” me reduktimin deri në zerim të detyrimit që ju kishit në formën e kamatëvonesës. Ju jeni shembulli më i mirë i asaj çka duhet të bëjnë të gjithë, të jenë korrekt e të paguajnë për atë që konsumojnë. Askush nuk duhet të paguajë edhe për ata që vjedhin. Natyrisht, ata që deri dje e vidhnin energjinë elektrike është e natyrshme që sot ndjehen keq. Ky nuk është problemi ynë. Ata janë thjesht pakica gjithnjë e më e vogël pasi shumica e qytetarëve të ndershëm respektojnë detyrimin dhe paguajnë faturën e asaj që konsumojnë.
Nga koha kur ne nisëm operacionin për rikthimin e ligjshmërisë në energji 453,555 familje dhe biznese debitore kanë firmosur aktmarrëveshje duke shlyer me këste borxhet e akumuluara të energjisë.
Nuk duhet ta harrojmë se ishte ky administrim i ri i kompanisë që bëri realitet fshirjen e rreth 54 mijë faturave abuzive të lëshuara në dëm të qytetarëve gjatë periudhës 2008-2011. Shuma e përfituar nga qytetarët në këtë rast ishte 30 milion USD.
Pavarësisht se nuk është detyra e OSHEE-së të bëjë politikat sociale, nisur nga problematikat me të cilat ndeshen kryesisht familjet në nevojë në Shqipëri, ne kemi qenë të gatshëm tu gjendemi pranë.
Skemat e para të reduktimit të kamatave u aplikuan me reduktimin 70% deri 80% të vlerës së kamatës me pagesën e plotë të borxhit dhe rezulton se prej tyre përfituan 220 mijë abonentë në një vlerë totale prej rreth 46 milion USD.
OSHEE po vazhdon të zbatojë skemat e reja të reduktimit të kamatave deri në zerimin e plotë të saj për 126 000 abonentë të tjetë.
Deri më tani, janë 24615 familje në nevojë dhe pensionistë kryefamiljarë që kanë përfituar nga zerimi i kamatëvonesës me një vlerë prej 37 milion USD. Gjithashtu janë 33812 konsumatorë të tjerë familjarë që e kanë përfituar reduktimin në vlerë totale prej 34 milion USD.
Thënë në mënyrë më të përmbledhur, janë 332,000 abonentë që kanë përfituar deri më tani nga reduktimi deri në zerim të plotë i kamatëvonesës dhe fshirja e faturimeve abuzive të periudhës 2008-2011. Vlera totale e përfituar nga këta qytetarë për periudhën Dhjetor 2014 – Dhjetor 2016 ka arritur në 147 milion USD. Ndërkaq, pritet që deri në Qershor 2017 të përfitojnë edhe 68,000 abonentë të mbetur duke e çuar shumën totale të detyrimeve të zbritura për abonentët në 230 milion USD.
Kompania ka qenë dhe do të jetë e gatshme që të ofrojë lehtësi dhe skema të herë pas hershme të cilat në çdo rast do të inkurajojnë vetëm ata qytetarë korrekt që respektojnë pagesën e faturës mujore të energjisë ashtu sikurse këstin e aktmarrëveshjes së nënshkruar për borxhin e vjetër.
Prej disa javësh OSHEE është duke vendosur në zbatim projektin smart të “Telekomandimit të kabinave në distancë”, i cili ka nisur në Tiranë, Durrës dhe Vlorë.
Janë 90 kabina dhe projekti do të zgjerohet në të gjithë vendin.
Synimi i këtij projekti është minimizimi i kohës së defektit, ku përmes telekomandimit nga dispeceria, kryhet në distancë manovrimi i kabinës, duke e lidhur në formë unaze me kabinën tjetër.
Për Tiranën janë 30 kabina në zona të ndryshme, për punimet e të cilave media është njoftuar për stakimet.
Më poshtë foto e dy kabinave në “Jordan Misja” dhe “Materniteti i Vjetër”, si ishin dhe si kanë ndryshuar
Përfaqësues të Ministrisë së Energjisë e Industrisë dhe drejtuesit e Operatorit të Shpërndarjes së Energjisë Elektrike zhvilluan sot një takim konsultativ me grupet e interesit në kuadër të prezantimit të draftit të rregullores së re për procedurat e blerjes së energjisë elektrike për mbulimin e humbjeve në rrjetet e shpërndarjes dhe transmetimit. Qëllimi i kësaj rregulloreje është përcaktimi i procedurave transparente, eficente dhe praktike për kompanitë e energjisë elektrike për blerjen e energjisë elektrike nga tregtarët; sigurimi i blerjes i blerjes së energjisë elektrike me çmime sa më të ulëta; nxitja e pjesëmarrjes së tregtarëve në procesin e blerjes së energjisë elektrike; nxitja e konkurencës në procesin e blerjes së energjisë elektrike dhe sigurimi i transparencës e një trajtimi të barabartë për të gjithë tregtarët dhe pjesëmarrësit në procedurat e blerjes së energjisë elektrike.