Back
28 Gusht

Furnizuesi i Tregut të Lirë blen energji për muajin shtator 2023

Furnizuesi i Tregut të Lirë (FTL Sh.A), pjesë e OSHEE Group Sh.A, zhvilloi në datën 28.08.2023, në platformën online të blerjes së energjisë elektrike, procedurën “Blerje energjie për periudhën 01-30 shtator 2023”.

Pjesëmarrësit në procedurë ishin 10 shoqëri:

NOA ENERGY TRADE  SH.P.K.

ENER TRADE SH.P.K

EZ-5 ENERGY SH.P.K

FUTURE ENERFY TRADING AND EXCHANGE DINAMIC

 GSA SH.P.K

 AYEN ENERGY TRADING SH.A

 PROINFINIT CONSULTING SH.P.K

 GEN-I TIRANA SH.P.K

 AlbEsp TRADING & CONSULTING SH.P.K

 ReNRGY TRADING GROUP SH.P.K

Në këtë procedurë u kontraktua  sasia prej 5,040 MWh , me çmim 114.67 Eu/MWh dhe vlerë totale 577,936.80 Euro.

Shoqëria fituese u shpall  “NOA ENERGY TRADE”  SH.P.K..

09 Gusht

Investimi në NST Golem, kreu i OSHEE Group, Enea Karakaçi: Rrisim cilësinë e shërbimit në zonat turistike

Administratori i OSHEE Group, z.Enea Karakaçi, i shoqëruar nga administratori i OSSH, z.Blendian Dalipi dhe drejtori i drejtorisë së Tensionit të Lartë, z.Adriatik Kupi, inspektuan nga afër punimet për investimin e fuqizimit të nënstacionit 110/20/6 elektrik të Golemit, me anë të të cilit përmirësohet ndjeshëm cilësia e furnizimit me energji për të gjithë zonën e Kavajës, por dhe të Durrësit.

Kreu i OSHEE Group, z.Karakaçi  tha ndër të tjera se investimi në fjalë i përgjigjet nevojës në rritje për energji elektrike në bregdetin e Golemit dhe jo vetëm, dhe se janë marrë të gjitha masat e nevojshme për zonat turistike, sidomos aty ku sektori po zhvillohet me ritme të larta.

 “Ne po rivitalizojmë dhe një marrëveshje me qeverinë italiane, përsa i përket zonës nga Palasa në Dhërmi, që përfshin dhe Orikumin, të cilat kanë patur problematika ndër vite. Gjithashtu, jemi në process investimi për n/stacionin e ri në Velipojë. Të gjithë qytetarët duhet ta kuptojnë që strukturat e OSSH, OSHEE dhe FSHU janë aty dhe po ndjekin të gjitha mekanizmat që cilësia e shërbimit të jetë në rritje dhe stabël”, u shpreh administratori i OSHEE.

Nga ana e tij, administrtaori i OSSH, z.Dalipi, përmendi disa tregues të projektit, duke theksuar se, n/stacioni nuk i shërben vetëm Golemit, edhe zonave të tjera përreth, si Shkozetit në Durrës dhe NST Kavajë, pasi konsiderohet nyje për balancimin dhe operimin në kohë të rrjetit.

Vlera e investimit është rreth 2.4 milionë euro dhe synon shtimin e fuqisë me 40 MËA, impiant të dytë TM 20kV, etj. Investimi prek 25 mijë abonentë dhe sipas kreut të OSSH, pritet të përfundojë në fillim të vitit 2024.    

Duke marrë shkas nga dalja publike për mediat, administratori i OSHEE Group, z.Karakaçi i bëri apel qytetarëve që të jenë korrekt me pagesat e faturave të energjisë elektrike pasi çdo fond për kryerjen e investimeve,  vjen nga pagesat e tyre.

“Pavarësisht temperaturave të larta, zyrat e KNK janë të hapura deri në orën 20.00 sikurse i kemi patur dhe gjatë ditëve të diela javën e kaluar,  dhe po kështu do të vazhdojë dhe gjatë muajve gusht-shtator”, tha administratori i OSHEE Group.

02 Gusht

Intensifikohen kontrollet, OSSH luftë pa kompromis kundër abuzuesve të energjisë elektrike

Prej disa ditësh, OSSH ka intensifikuar kontrollet në terren, me qëllim reduktimin e humbjeve dhe disiplinimin e abonentëve.

 Nga kontrollet e ushtruara kryesisht në zonat turistike ku vërehet shtim i konsumit të energjisë si pasojë e rritjes së numrit të pushuesve, grupet e kontrollit të OSSH kanë konstatuar disa raste të lidhjeve të paligjshme konkretisht: në një pallat shumëkatësh në Shëngjin të Lezhës; 3 subjekte “hotel resort” në bregdet, 2 në Shëngjin dhe një në Golem; si dhe një resort në zonën e Saukut në Tiranë si dhe plot raste të tjera etj.  Pas konstatimit të rasteve të vjedhjes së energjisë, strukturat e Operatorit të Sistemit të Shpërndarjes, OSSH, kanë kryer denoncimet në polici, duke vënë para përgjegjësisë personat përkatës.

OSSH thekson se do të vazhdojë pa asnjë kompromis luftën kundër vjedhjes së energjisë elektrike, me qëllim formalizimin dhe vendosjen e plotë të shtetit ligjor në sektorin energjetik.

Kontrollet e strukturave të OSSH kundër abuzuesve të energjisë elektrike do të vijojnë dhe në ditët në vazhdim, për të prerë lidhjet e paligjshme që shkaktojnë humbje në rrjetin elektrik, por dhe për të mos lejuar uljen e cilësisë së furnizimit me energji elektrike, si pasojë e vjedhjes së energjisë.

OSSH i bën thirrje abonentëve të distancohen nga abuzimi me energjinë elektrike dhe të denoncojnë çdo rast në numrin e cel: 069 414 1001, whatsapp/viber.

27 Korrik

FSHU me qendrat e Kujdesit Ndaj Klientit – me kapacitet të plotë në shërbim të klientëve edhe gjatë sezonit turistik

Klientët e Furnizuesit të Shërbimit Universal, edhe gjatë këti sezoni turistik, i kanë të hapura sportelet çdo ditë të javës, nga e hëna në të shtunë, ora 08:00 – 20:00. Gjithashtu, edhe ditën e diel, datë 30.07.2023, të gjitha sportelet e KNK-ve do të jenë të hapura për të gjithë klientët. Ashtu si në çdo periudhë tjetër të vitit, edhe përgjatë këtij sezoni, FSHU sh.a., pjesë e OSHEE Group sh.a. po punon me kapacitete dhe orare të plota, për t’iu shërbyer të gjithë abonentëve në mbarë vendin. Në rreth 100 qendrat e Kujdesit Ndaj Klientit, të shtrira në të gjithë Shqipërinë, abonentët e FSHU-së kanë mundësi të paguajnë faturën mujore të konsumit të energjisë elektrike në pikën e tyre më të afërt të KNK-së apo edhe në çdo pikë tjetër alternative. Sportelet e Kujdesit Ndaj Klientit janë në disozicion të abonentëve për t’iu përgjigjur çdo lloj kërkese apo ankese në lidhje me furizimin me energji elektrike. Po ashtu, dy numrat për informacion të Call Center: 042274141 / 044401414 janë në dispozicion të çdo klienti çdo ditë të javës, nga ora 08:00 – 22:00.

21 Korrik

Furnizuesi i Tregut të Lirë blen energji për muajin gusht 2023

Furnizuesi i Tregut të Lirë (FTL Sh.A), pjesë e OSHEE Group Sh.A, zhvilloi në datë  20-21.07.2023 në platformën online të blerjes së energjisë elektrike, procedurën “Blerje Energjie për periudhen 01-31 Gusht 2023“.

Pjesëmarrësit në procedurë ishin 8 shoqëri:

 NOA ENERGY TRADE  SH.P.K.

FUTURE ENERGY TRADING AND EXCHANGE DINAMICS SH.P.K.

GSK SH.P.K

AYEN ENERGY TRADING SH.A.

GSA SH.P.K

EZ-5 ENERGY TRADING SH.P.K.

ENER TRADE  SH.P.K

ReNRGY TRADING GROUP  SH.P.K

U sigurua sasia prej 4,464 MËh , me çmim 110.70 Eu/MWh dhe vlerë totale 494,164.80 Euro.

Shoqëria fituese u shpall  “NOA ENERGY TRADE”  SH.P.K.

21 Korrik

Ministrja Belinda Balluku takim me drejtues të OSHEE Group për masat e sezonit turistik dhe ecuria e 6-mujorit

Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, njëkohësisht zv/kryeministre, znj.Belinda Balluku, zhvilloi një takim me drejtuesit e OSHEE Group, Administratorin e OSHEE Group Sh.a., Enea Karakaçi, Administratorin e FSHU, Elton Sevrani, Administratorin e OSSH, Blendian Dalipi dhe drejtorët rajonalë të OSSH, ku në fokus ishin masat e marra për mbarëvajtjen e sezonit turistik dhe analiza e treguesve të performancës për 6-mujorin.

Në fillim të analizës, znj.Balluku prezantoi administratorin e ri të OSHEE Group Sh.A, z.Enea Karakaçi, duke vlerësuar punën e tij si menaxher dhe bashkëpunëtor prej vitesh në ministrinë e Energjisë dhe njohës i mirë i sektorit energjetik.

Ministrja Balluku tha se zgjedhja e Karakaçit në këtë pozicion, si drejtues i një nga ndërmarrjeve më të mëdha energjetike, tregon që vëmendja qëndron me OSHEE-në si zakonisht.

Balluku theksoi se megjithëse dhe kompanitë e tjera energjetike kanë peshë të madhe sic është KESH dhe OST ku nuk do të mungojnë investimet,  OSHEE-ja dhe bijat e saj mbeten një nga pjesët kyç të sektorit duke qenë se janë ata që përballen direkt me klientin tonë, me abonentin.

“Keni kaluar një periudhë jo të lehtë, përsa i përket riorganizimit. Jeni një nga ndërmarrjet që jeni për t’u marrë shembull përsa i përket përafrimit me kërkesat e Bashkimit Europian.

Me të gjitha këto ndryshime dhe sfida të sektorit, duke nisur nga kriza energjetike e 2022-it, edhe duke vazhduar më pas me të gjitha sfidat e reja që na presin, duhet thënë që OSHEE-ja, OSSH-ja, FTL-ja dhe FSHU-ja, që të gjitha kanë nevojë për një riorganizim të fuqishëm, për një frymëmarrje të re, për një ritëm të ri, gjë të cilën unë besoj që Enea, bashkë me Blendianin, bashkë me Tonin dhe gjithë të tjerët do ja dalin me shumë sukses.

Sidomos në rastin e Eneas që vjen nga Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, i qartë për të gjitha synimet, politikat, strategjitë tona për vazhdimësinë, unë jam e sigurtë që nuk do të ketë as ekuivoke, as nuk do jeni të paqartë për çka kërkohet në të ardhmen”, u shpreh ministrja Balluku.

Sipas saj, me rritjen e fluksit të turistëve në zonat turistike, kërkohet vëmendje e shtuar nga të gjithë drejtuesit rajonalë të OSSH dhe punonjësit e sektorit për të monitoruar situatën dhe shmangur problemet që mund të shkaktojë mbingarkesa e rrjetit.

“Kemi një fluks ekspansional të turistëve tashmë. Ka zona, qytete bregdetare kryesisht, duke nisur nga Velipoja dhe duke përfunduar poshtë në Ksamil, të cilët bëhen mikpritës të shumëfishit të numrit të banorëve që kanë zakonisht. Diçka që e bën sifiduese ofrimin e shërbimit nga ana jonë.

Dhe, komponenti i dytë me të cilin po përballemi këto ditë, por që nga çfarë më rezulton mua nga të gjithë të dhënat që do kemi do të na shoqërojë gjatë gjithë verës, janë temperatura ekstremisht të larta, të cilat padyshim krijojnë probleme teknike.

E kemi pasur këtë sfidë gjatë javës së fundit, por këtu gjej rastin, pavarësisht se nuk janë këtu me ne, të falënderoj edhe grupet e OST-së, të Operatorit të Transmetimit, për të gjithë bashkëpunimin e shkëlqyer që kanë pasur me OSSH-në javën e fundit dhe për të gjithë masat që janë marrë për të mitiguar problemin sa më shpejt dhe për ti pasur kohët e shkëputjeve sa më të shkurtra”, theksoi ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë znj.Belinda Balluku.

Në fjalën e saj, ministrja Balluku u ndal dhe tek performanca e OSHEE Group, për 6-mujorin e parë të vitit 2023, tek targetet dhe treguesit të cilët duhet të përmirësohen në të gjitha rastet.

Por, sipas Ballukut, prioritet mbeten operimet e sigurta dhe të vazhdueshme brenda këtij sezoni veror me dy komponentë sfidues, numrin shumë të lartë të turistëve në vend dhe temperaturat shumë të larta, , përsa i përket stinës së verës.

“Ne kemi 1100 punonjës në dispozicion për të gjitha zonat bregdetare të cilët, jo vetëm mundohen që të zgjidhin problematikat të cilat ndodhin, por nga ana tjetër mundohen dhe që ti paraprin ato, pa arritur në ndërprerje, por dhe në rastet kur ne kemi ndërprerje të gjitha këto grupe që ndodhen në terren mundohen që ta rikthejnë shërbimin sa më shpejt e mundur. Duhet të na mirëkuptoni edhe ngarkesën edhe përsa i përket të temperaturave të larta të cilat ndikojnë në operimet e nënstacioneve tona”, tha ministrja Balluku.

Nga ana tjetër, ministrja Balluku i bëri apel dhe qytetarëve që të jenë të kujdesshëm në përdorimin e energjisë elektrike, duke minimizuar konsumin e panevojshëm.

“E kemi shumë të qartë që këto temperatura duhen patjetër shoqëruar me përdorimin e kondicionerit dhe gjithçka tjetër që e lehtëson situatën, megjithatë ju lutem efiçenca energjetike është ajo çfarë na ndihmoi dhe çfarë na shpëtoi në 2022-in, kështu që edhe entitetet private që operojnë në fushën e shërbimeve, hoteleri restorante etj, por edhe vetë qytetarët pra individët, abonentët duhet të jenë shumë të kujdesshëm për të ruajtur sa më shumë energjinë elektrike.

Sigurisht do të përdorni atë që është e nevojshme në këto kushte atmosferike, por nga ana tjetër gjithçka që është e panevojshme nuk duhet përdorur. Për ta pasur energjinë, e kemi thënë dhe në 2022-in, duhet ta ruajmë”, tha Balluku.

Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, znj.Belinda Balluku, deklaroi gjatë fjalës së saj se Shqipëria ka disponibilitet të plotë të sasive energjetike dhe përsa i përket situatës së prodhimit, ky është një nga vitet më të mirë që ne kemi.

Në fjalën e tij, administratori i OSHEE, Enea Karakaçi tha se OSHEE do të vijojë të çojë përpara reformat dhe masat e marra ndër vite, më e rëndësishmja ndarja e funksioneve, si një kërkesë dhe direktivë e Sekretariatit të Energjisë.

“OSHEE group do të jetë dhe do  të ketë në fokus çuarjen përpara të direktivave dhe vizionit të qeverisë duke patur në fokus elementin kryesor dhe bazik që është shërbimi sa më i mirë dhe në kohë për qytetarët dhe biznesin dhe modernizimi i kompanisë drejt hapjes së tregut, burime të rinovueshme të energjisë, dhe normalisht dhe klientevë që janë në tregun e lirë dhe që furnizohen nga FTL me cmime konkurruese në treg”, tha administratori i OSHEE, Karakaçi.

Ndërsa administratori i OSSH, Blendian Dalipi, tha ndër të tjera në fjalën e tij se për 6-mujorin e parë të vitit 2023, fokus ka qenë realizimi i targetit të humbjeve, ku deri në fund të majit niveli i humbjeve ështe realizuar në masën 20.5 % , krahasuar kjo me të njëjtën periudhë të një viti më parë ështe 1.4 % më pak se treguesi i humbjeve të vitit të kaluar.

“Një vëmendje e shtuar duhet për 6 mujorin e dytë të vitit, në mënyrë që këta tregues të vazhdojnë të përmirësohen edhe më shumë sidomos në ato rajone ku ky tregues është më i lartë, (p.sh disa rajone në zonat e veriut dhe disa agjenci brenda zonave të jugut).

Për këtë periudhë janë shtuar kontrollet ndaj paligjshmërisë, verifikimet në sistemet e matjes, ku në terren, sidomos në zonat bregdetare po operojmë me fokus të shtuar për mirëmenaxhimin e kërkesës për energji elektrike në mënyrë të pandërprerë dhe me parametra cilësorë të gjithë konsumatorët dhe ndërhyrjen me kontrolle dhe masa aty ku ka abuzime me energjinë elektrike”, tha administratori i OSSH, Blendian Dalipi.

26 Qershor

Furnizuesi i Tregut të Lirë blen energji për muajin korrik 2023

Në datë  26.06.2023,  në platformën online të blerjes së energjisë elektrike u zhvillua procedura “Blerje Energjie për periudhen 01-31 Korrik 2023 “.

 Pjesëmarrësit në procedurë ishin 10 shoqëri:

 NOA ENERGY TRADE  SH.P.K.

EZ-5 ENERGY SH.P.K.

GSA SH.P.K

ENER TRADE  SH.P.K

FUTURE ENERGY TRADING AND EXCHANGE DINAMICS SH.P.K

RENRGY TRADING GROUP SH.P.K.

ALBESP TRADING & CONSULTING  SH.P.K

GSK  SH.P.K

 AYEN ENERGY TRADING  SH.A.

NATYREENERGY  SH.P.K

U sigurua sasia prej 3,720 MWh, me cmim 112 Eu/MWh dhe vlerë totale 416,640.00 Euro.

 Shoqëria fituese u shpall shoqëria  “NOA ENERGY TRADE”  SH.P.K.

23 Qershor

Bordi i ERE miraton çmimin e shitjes së energjisë për klientët në tensionin 35 kV

Bordi i Entit Rregullator të Energjisë, ERE, miratoi javën e kaluar gjatë mbledhjeve të zhvilluara në datat 19 dhe 23 qershor, çmimin e shitjes së energjisë elektrike nga Furnizuesi i Mundësisë së Fundit për konsumatorët e lidhur në tensionin 35, për muajin Maj 2023.

Sipas vendimit të bordit të ERE, çmimi i shitjes së energjisë është 16.41 Leke/kËh për klientët e lidhur në nivelin e tensionit 35 kV.

06 Qershor

Nënshkruhet marrëveshja e bashkëpunimit financiar mes Shqipërisë, Gjermanisë dhe Francës

Ministrja e Energjisë Belinda Balluku, në prani të Sekretarit të shtetit të Gjermanisë, Niels Annen, firmosi marrëveshjen e bashkëpunimit financiar mes Shqipërisë, Gjermanisë dhe Francës sa i takon mbështetjes së reformës në sektorin energjetik shqiptar.

“Sot partnerët tanë, që na kanë qëndruar në krah gjatë realizimit të kësaj reforme sfiduese, kanë vlerësuar angazhimin e Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë, si dhe të ndërmarrjeve shtetërore të sektorit energjetik, për këtë arritje të shënuar, reformë që ka sjell transparencë në sektorin elektro energjetik , ashtu dhe si ka përafruar këtë sektor me kërkesat dhe parametrat e BE. Qeveria Shqiptare mbetet e vendosur për të vijuar transformimin e këtij sektori duke përmirësuar në vijimësi treguesit”, tha ndër të tjera në fjalën e saj ministrja Balluku.

Më poshtë fjala e plotë e ministres Balluku gjatë nënshkrimit të marrëveshjes së bashkëpunimit financiar mes Shqipërisë, Gjermanisë dhe Francës:

Përshëndetje të gjithëve.

Shumë kënaqësi që të mblidhemi këtu sot. Po diskutoja edhe me Sekretarin e Shtetit Annen, se padyshim reforma në sektorin elektro energjetik për qeverinë shqiptare është një nga krenaritë më të mëdha që ne mbartim. Një reformë e cila ka nisur në vitin 2018 dhe sigurisht që përveç vështirësive që ka pasur për realizimin e saj në këtë periudhë 5 vjeçare na është dashur të përballemi dhe me sfida që nuk kanë lidhje me sektorin energjetik, siç ishte pandemia dhe më pas kriza ekonomike botërore. Kështu që është kënaqësi që të jem këtu së bashku me të gjithë ju dhe jeni që të gjithë kontributorë seriozë të sektorit dhe të reformës, por nga ana tjetër dua ti uroj mirëseardhjen Sekretarit të Shtetit Annen, i cili ndodhet këtu në Tiranë për herë të parë dhe sapo ka arritur dhe nuk ka pasur kohë të shikoj qytetin tonë, kështu që do ti kërkoja ambasadorit dhe mikut tim të dashur Peter që ti japë mundësinë që të shikoj kryeqytetin e Shqipërisë, sepse me të vërtetë ja vlen të njihesh nga afër me Tiranën. Ne do të kemi edhe evente të tjera nesër shumë të rëndësishëm, por po fokusohem tek eventi sotëm.

Sot jemi këtu për të nënshkruar një marrëveshje financiare, e cila do të kontribuojë në fazën e dytë për mbështetjen e sektorit elektroenergjetik shqiptar, i cili në vitin e fundit është përballur me një sfidë shumë të vështirë atë të krizës ekonomike, e cila sigurisht erdhi dhe nga kriza energjetike, duke pasur parasysh agresionin rus në Ukrainë gjatë vitit 2022 dhe duke pasur parasysh që Shqipëria është një vend që prodhon 100% energji të rinovueshme, por nga ana tjetër është në varësi të hidrocentraleve. Ne na është dashur vitin e kaluar që të importojmë sasi të rëndësishëm për të mos pasur ndërprerje të energjisë për të gjithë abonentët tanë, kështu që kemi qenë të ekspozuar ndaj çmimeve të çmendura të tregut elektro energjetik mbarë botëror. Këtë e kujtoj gjithmonë, pasi nuk besoj që do ketë një nivel tjetër historik të çmimit, 31 gusht i 2022-shit u mbyll me 1000 euro mbi të shitjes së megavat/orë.

Ky takim i sotëm është një moment i mirë për të reflektuar dhe për të bërë një bilanc real të reformës së sektorit elektro energjetik shqiptar, që edhe me mbështetjen e Gjermanisë dhe të Francës, përmes institucioneve tyre financiare këtu në vendin tonë KfË-së dhe AFD-së, por edhe mbështetjen dhe do të thoja të gjitha përpjekjet e ambasadorëve të Gjermanisë dhe të Francës ka pësuar një transformim rrënjësor gjatë viteve të fundit. Kjo reformë i ka hapur rrugën zbatimit të politikave dhe të projekteve të reja, dhe projekte të cilat unë do ti quaja inovative në fushën e energjive të rinovueshme, efiçencës së energjisë dhe rimodelimit të tregut të brendshëm vendas.

Reforma në sektorin elektro energjetik ka qenë një ndër proceset më sfiduese, por proces që dua ta quaj të mirë arritur dhe që Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë së bashku me ndërmarrjet dhe sektorët që ka, ka realizuar në këto 5 vite. Kjo reformë ka nisur në vitin 2018, ashtu siç unë thashë, dhe ka qenë një proces i ndërlikuar, i vështirë dhe me plot sfida. Ndihma e partnerëve të huaj ka qenë e vyer dhe jo pa qëllim për realizimin e kësaj reforme u zgjodh instrumenti i huamarrjes bazuar në politika. Pra, një instrument ky i cili detyron dhe palën shqiptare që të performonte në mënyrën e duhur për të pasur mundësi dhe për të tërhequr trançet e kësaj kredie dhe sigurisht ky instrument dha rezultate të mirëfillta që sot janë të prekshme, duke e përgatitur tregun tonë për integrim në tregjet rajonale edhe ato europiane.

Pavarësisht të gjitha sfidave dhe vështirësive me të cilat u përballëm gjatë pandemisë dhe më pas gjatë  krizës energjetike të vitit 2022, të cilat na kanë detyruar të marrim vendime të vështira në lidhje me kufizimin e investimeve publike në sektor, apo ndoshta ngadalësuan disa në proceset e reformës, sot pa frikë mund të themi se Shqipëria i ka bërë detyrat e shtëpisë ashtu siç duhet.

Ndër objektivat kryesore të reformës së sektorit ka qenë ndarja e Operatorit të Shpërndarjes së Energjisë Elektrike ose ndryshe quajtur ‘unbundling’. ‘Unbundling’ ka qenë sfida ime e parë e vitit 2019, të gjithë drejtuesit që janë këtu të sektorit e mbajnë mend mirë të gjithë punën që kemi bërë, përpjekjet. Mënyra sesi jemi ulur në tryeza në mënyrë konstruktive për të diskutuar me njëri-tjetrin, por nganjëherë edhe duke u përplasur me financuesit dhe partnerët tanë, pasi ishte një reformë e cila kërkonte ndryshimin e një mentaliteti të tërë të operimit, por që ashtu siç unë premtova në vitin 2019 ndoshta me hapa më të ngadaltë, por të sigurtë, ne ia dolëm dhe sot mund të themi padyshim që ajo që ne kemi premtuar, pra ndarjen e shërbimit të shpërndarjes nga aktivitetet e tjera që lidhen me furnizimin dhe çektimin e energjisë elektrike, duke garantuar pavarësi të operatorit të shpërndarjes dhe ndarje të qartë të aktiviteteve komerciale nga ato jo komerciale, ne të gjitha këto i kemi arritur.

Ky proces është realizuar në 1 janar të vitit 2020 dhe sigurisht është plotësuar deri në fillim të vitit 2023, duke arritur dhe duke bërë edhe aktet e fundit ligjore të cilat kornizojnë të gjithë këtë proces.

Gjithashtu,  një gur kilometrik për të cilin ne ndihemi krenarë, është ai që kemi vendosur në Prillin e 2023, me krijimin e Bursës së Energjisë, e cila ka qenë me të vërtetë edhe ky një proces i komplikuar. Ka qenë një proces që ka dashur vëmendjen maksimale të Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë, por nga ana tjetër ka pasur edhe mbështetjen e partnerëve tanë hap pas hapi gjatë gjithë këtij procesi. Dhe sigurisht, bursa energjetike shqiptare do të jetë një garantues i zhvillimit energjetik dhe sigurisht tregtimit të lirë, transparent dhe të drejt të energjisë elektrike në Republikën e Shqipërisë, por nga ana tjetër ne duhet të themi se sot ALPEX numëron 9 operatorë të regjistruar si anëtarë të bursës, ndërkohë që 16 operatorë janë në fazën e vlerësimit dhe 4 institucione bankare kanë shprehur interes për t’u anëtarësuar.

Liberalizimi i tregut të energjisë elektrike ka qenë një tjetër kërkesë kryesore e partnerëve në bazë të direktivave përkatëse europiane, por edhe marrëveshjes për reformën e sektorit. Duke filluar nga 1 Janari i 2021 të gjithë konsumatorët e lidhur në 35 kilovoltsh, por edhe një pjesë e atyre të lidhur në 20 kilovoltshin kanë dalë dhe furnizohen në tregun e lirë. Gjithashtu edhe konsumatorët e lidhur në tensionin e mesëm janë njoftuar për daljen e tyre në tregun e lirë në janar të vitit 2022, por duke qenë se mbas 24 shkurtit të vitit 2022, ne kemi nisur që të përballemi me krizën ndërkombëtare energjetike, qeverisë shqiptare i është dashur që të ndërmarrë një veprim mbrojtës për bizneset e lidhura në tensionin e mesëm, duke qenë se flitej për më shumë se 7500 biznese dhe për të mos i ekspozuar ata në çmimet shumë të larta të tregut të vitit të kaluar. Kështu që duke konsideruar kontributin e rëndësishëm që këto biznese kanë në zhvillimin tonë ekonomik, qeveria shqiptare ka vendosur ti mbrojë ato deri në një vendim të dytë, por pa shkelur premtimet tona përsa i përket reformës elektro energjetike.

Një tjetër zhvillim shumë i rëndësishëm që lidhet me reformën është dhe amendimi dhe përafrimi me legjislacionin e BE-së, i ligjit për Burimet e Rinovueshme të Energjisë, i cili u miratua nga Kuvendi i Shqipërisë në mars të 2023, pra dy muaj më parë. Ky ligj është ndër instrumentet kryesor strategjike që do të garantojë përmbushjen e objektivave kombëtar energjetik, ekonomikë dhe mjedisor, përmes një sistemi efiçent dhe transparent të shfrytëzimit të burimeve energjetike në vend. Por një risi e këtij ligji është përcaktimi i masave mbështetëse në bazë të ankandeve konkurruese, si dhe tipologjinë e tyre bazuar në format e marrëveshjes për blerjen e energjisë, kontratës për diferencë dhe kontratës për prim. Kjo jo vetëm që adreson dhe plotëson një nga objektivat bazë të marrëveshjes për reformën e sektorit, por është dhe parakusht për krijimin e Operatorit të Energjive të Rinovueshme, i cili është një hap tjetër shumë i rëndësishëm në rimodelimin e tregut energjetik në vend.

Operatori i Energjisë së Rinovueshme do të jetë përgjegjës për administrimin e kontratave me prodhuesit me përparësi të energjisë nga burimet e rinovueshme, duke menaxhuar sasitë energjetike të gjeneruara dhe duke tregtuar ato në bursë, duke garantuar kështu efikasitet dhe duke aplikuar një metodologji shitblerje të energjisë e cila i përgjigjet sinjaleve dhe kërkesave të tregut. Në këtë bilanc nuk mund të rri pa përmendur edhe disa zhvillime të tjera po aq të rëndësishme për sektorin elektro energjetik. Vitin e shkuar kemi zhvilluar ankandin për parqet eolike, ankandi i parë, ku morën pjesë 16 kompani të huaja. Duhet thënë që ankandet që ne kemi zhvilluar, duke nisur nga ankandi i parë ai i parkut fotovoltaik të Karavastasë dhe pastaj të gjitha ankandet që janë zhvilluar në Republikën e Shqipërisë kanë qenë padyshim ndoshta edhe për shkak të emrit të madh të kompanisë së parë fituese, kompanisë franceze Voltalia, por edhe për shkak të të gjithë procesit që ne kemi bërë së bashku edhe me partnerët tanë të huaj, një proces transparent dhe një proces ku konkurrenca ka qenë e drejtë dhe e hapur, do të thoja që të gjitha ankandet pasuese kanë arritur që të jenë të suksesshme dhe me pjesëmarrje shumë të lartë të kompanive europiane dhe kompanive përgjithësisht të huaja, le të themi.

Kështu që edhe në ankandin e parë për prodhimin eolik kanë marrë pjesë 16 kompani të huaja, 6 prej të cilave janë kualifikuar për të vijuar në fazën e dytë, atë të ofertës financiare, e cila ndryshe nga sa thonë këtu në fjalën time që është brenda këtij muaji, unë them që është nesër. Kështu që nesër ne do të kemi hapjen e 6 zarfeve për të marrë dhe për të pasur fituesin e ankandit të parë eolik këtu në Republikën e Shqipërisë. Gjithashtu siç përmenda ne quajmë një sukses shumë të madh jo vetëm për Shqipërinë, por edhe për rajonin dy ankandet fotovoltaike, të cilat janë zhvilluar me toka në zonën e Karavastasë dhe asaj të Spitallës. Përsa i përket parkut të parë, pra atij prej 140 mega ka nisur prej kohësh ndërtimi i tij dhe ne presim që të futemi në prodhim vitin që vjen. Në ndërkohë që parku i Spitallës është duke përgatitur gjithçka për hapjen e kantierit në zonë për parkun e dytë pra, atë 100 megavat.

Ndërkohë, kemi pasur dhe një interes të jashtëzakonshëm nga investitorë të huaj dhe vendas për të zhvilluar projekte fotovoltaike individuale, private, me fonde sigurisht të financuara nga banka të ndryshme dhe për shitje të energjisë në tregun e lirë.

Vetëm gjatë vitit 2022 sasia e aplikimeve në total arrin 1.7 gigavat, që unë shpresoj shumë që më shumë se 50% e tyre, pra e aplikimeve të arrijnë të realizohen sa më shpejt. Këto të dhëna dhe shifra flasin shumë qartë për rezultatet e përpjekjeve tona për ta bërë sektorin eficent, transparent, atraktiv dhe për të përthithur sa më shumë investime vendase dhe të huaja edhe nga sektori privat, jo vetëm pra nga injektimi buxhetor. Besoj se tashmë kemi kaluar fazën kritike, besoj se tashmë kemi krijuar një eksperiencë shumë të mirë përgjatë rrugëtimit të kësaj reforme dhe besoj që faza e dytë e kësaj reforme do të jetë një optimalizim i asaj çka kemi nisur për ta kthyer sektorin elektro energjetik shqiptar në një sektor i cili përmbush të gjitha kriteret dhe kushtet e operimit të Bashkimit Europian.

Qeveria Shqiptare është e vetëdijshme se sektori ka sfida shumë të mëdha përpara dhe nevoja për të arritur ku ne duam, por rëndësi ka që qeveria shqiptare është e angazhuar për të mbajtur premtimet e saj dhe për të vazhduar me të njëjtin ritëm përpara.

Gjej edhe njëherë rastin që të falenderoj të gjithë partnerët tanë për mbështetjen e pakursyer gjatë gjithë këtij 5 vjeçari dhe besoj që do të kemi të njëjtin bashkëpunim me njëri-tjetrin.

Ndaj ne sot me këtë marrëveshje financiare që nënshkruajmë për fazën e dytë të reformës së sektorit elektro energjetik kemi vendosur objektiva të reja që synojmë të arrijmë, një performancë më të mirë financiare të sektorit dhe kjo është pika kyçe të cilën ne duam të zgjidhim për ta kthyer sektorin në një sektor me performancë pozitive financiare. Patjetër rregullat dhe procedurat që garantojnë akses të barabartë, transparencë për të gjithë pjesëmarrësit e tregut dhe politika që na sjellin më afër me integrimin në rrjetet europiane.

Faleminderit edhe një herë për të gjithë kontributin tuaj dhe jam besimplotë se bashkëpunimi i shkëlqyer mes nesh dhe mbështetja juaj në vijim të këtij procesi nuk do të na mungojnë!

Shumë faleminderit!

26 Maj

Furnizuesi i Tregut të Lirë blen energji për muajin qershor 2023

Në datë 23-24.03.2023, Furnizuesi i Tregut të Lirë (pjesë e OSHEE Group Sh.A), në platformen online të blerjes së energjisë elektrike zhvilloi procedurën “Blerje Energjie për periudhën 01-30 qershor 2023”.

Pjesëmarrësit në procedurë ishin 7 shoqëri :

ENER TRADE SH.P.K.

 ReNRGY TRADING GROUP SH.P.K.

  EZ-5 ENERGY SH.P.K.

GSA SH.P.K.

AlbEsp TRADING & COSNULTING SH.P.K.

AYEN ENERGY TRADING SH.A.

U sigurua sasia prej 2,880 MWh , me  çmim 97.40 Eu/MWh , vlerë totale 280,512.00 Euro. Shoqëria fituese u shpall NOA ENERGY SH.P.K.