Operatori i Sistemit të Shpërndarjes (OSSH) po ndjek me kujdes procesin e leximit të matësave, në kushtet kur vendi ndodhet në emergjence mjekësore Covid-19. Grupet e lexuesve janë njohur me grafikun e ndarjes së detyrave, duke patur si objektiv mbulimin e sa më shumë zonave. Sikurse shihet nga fotot e realizuara këto ditë, me masa mbrojtëse dhe pajisjet e punës, po vijon procesi i leximit të matësave, me qëllim realizimin e një shërbimi sa më cilësor të faturimit.
Shoqëria “Furnizuesi i Tregut të Lirë” SH.A./OSHEE Group (në vijim FTL SH.A), regjistruar në 30.03.2018 në Rregjistrin Tregtar të mbajtur pranë Qendrës Kombëtare të Biznesit me NUIS L81530029T, është krijuar nga Asamblea e Përgjithshme “OSHEE” SH.A. në zbatim të Urdhërit Nr. 157, datë 12.02.2018 të Ministrit të Energjisë dhe Industrisë “Mbi krijimin e tri shoqërive të kontrolluara nga Operatori i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike SH.A”.
Në qytetin e Vlorës, Operatori i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike ka përfunduar një investim të rëndësishëm, i cili përfshin ambientet e reja të Qendrës së Kujdesit ndaj Klientit si dhe sallën SCADA, të kontrollit të automatizuar. Ky investim ka krijuar tashmë mundësinë për të ofruar kushte dhe standarde dinjitoze shërbimi ndaj klientëve, si dhe një performacë më të mirë të vetë operatorit në drejtim të furnizimin me energji për konsumatorët.
Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë,
Belinda Balluku e shoqëruar nga kryetari i Bashkisë Vlorë, Dritan Leli dhe
Drejtori i Operatorit të Shpërndarjes së Energjisë Elektrike Vlorë, Erion
Osmanaj kanë inspektuar nga afër investimin e kryer.
Drejtori i OSHEE Vlorë, bëri të ditur se në
Vlorë janë 5 qendra të Kujdesit ndaj Klientit dhe performanca e tyre ka qenë e
kënaqshme. Gjatë vitit 2019 kanë marrë zgjidhje të gjitha çështjet dhe ankesat
e ardhura pranë këtyre Qendrave, ndërsa janë trajtuar edhe çështje apo ankesa
të mbartura gjatë viteve të mëparshme. “Kjo është qendra e re e Kujdesit ndaj
Klientit të kompanisë së re Furnizuesi i Shërbimit Universal. Është hera e
parë, që Vlora është e pajisur me sistemin elektronik të radhës, për të ofruar
një shërbim cilësor për klientët, bashkë me shërbimin online në kohë reale”,
tha Osmanaj.
Duke vlerësuar këtë investim, i cili
përmirëson kushtet dhe cilësinë e shërbimit ndaj qytetarëve, ministrja Balluku
tha se OSHEE duhet të vijojë investimet e nisura për të kaluar online akoma dhe
më shumë shërbime. “Tashmë të gjitha agjencitë, apo ndërmarrjet e varësisë së
Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë, por edhe ministritë e tjera, kanë
filluar të ofrojmë sa më shumë shërbime online, për t’i dhënë qytetarit lehtësi
më të madhe dhe për të shkurtuar kohën e shërbimit. OSHEE ka qenë një nga
nismëtaret e këtij procesi, kështu që ju i keni mësuar të parët qytetarët, sesi
aksesohen shërbimet online dhe duhet të vazhdoni ta bëni”, u shpreh Balluku.
Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë
inspektoi gjithashtu edhe ambientet e reja të dispecerisë SCADA. Aplikimi i
këtyre sistemeve bën të mundur mbledhjen e informacioneve në kohë reale dhe më
pas reagimin në distance, duke shkurtuar ndjeshëm kohën për riparimet e
defekteve që mund të shfaqen.
Ministrja Balluku tha se bashkëpunimi midis të
gjithë operatorëve, që kontribuojnë në fushën e energjisë, me qëllim rritjen e
performancës, duke garantuar një reagim të shpejtë ndaj çdo defekti që shfaqet,
është një prej synimeve kryesore.
“Fakti, që ju dhe OST jeni të lidhur me SCADA,
krijon një interaktivitet dhe eficencë maksimale. Bashkërendimi i të gjithë
aktorëve, që kontribuojnë në fushën e energjisë është synimi që ne kemi.
Bashkëveprimi i të gjithë aktorëve përmes sistemeve elektronike është shumë i
rëndësishëm, shkurton kohë, na jep mundësi që të ndërhyjmë shumë shpejt dhe
padyshim bën që abonenti të mos ndjejë defektet, që deri dje zgjasin edhe për
orë të tëra”, theksoi ministrja Balluku.
Kryetari i Bashkisë së Vlorës, Dritan Leli ka
vlerësuar investimet e kryera nga OSHEE në Vlorë, duke theksuar se ato janë një
ndihmë e madhe për zhvillimin e qytetit. “Komplimentet e mia për këtë sistem
fantastik të menaxhimit të furnizimit me energji elektrike në të gjithë
territorin e Vlorës. Në momentin, që çdo gjë është e kontrolluar nga një pult
komandimi, absolutisht është një garanci më shumë për t’i shërbyer klientëve,
që janë abonentët familjarë, por mbi të gjitha, ajo që është synimi i të
gjithëve është turizmi”, është shprehur kryebashkiaku Leli.
Një tjetër n/stacion rrit sigurinë e furnizimit me energji elektrike, falë investimit të #OSSH, pjesë e OSHEE Group📌
Në Nst Farkë 110/20kV përfundoi me sukses procesi i vendosjes së transformatorit të ri 40/50 MVA, i cili zëvendësoi transformatorin me fuqi 25MVA, pra rritëm me dyfish kapacitetin. Punimet u kryen gjatë natës nga Drejtoria e Tensionit të Lartë dhe u morën masat e nevojshme duke evituar stakimin e energjisë. Investimi përmirëson ndjeshëm cilësinë e furnizimit me energji elektrike për një pjesë të madhe të abonentëve të lidhur me rrjetin e ri 20kV, në zona si:
Qytetit Studenti, Vilat Gjermane, Kolonia Gjermani, Rezidencat Amerikane, zona pranë NST Traktora, zona e Selitës, Kodra e Diellit, Liqeni i Thatë, Kopshti Zoologjik, Lundër dhe Fari tek Liqeni.
Pritet që mbulimi me energji të përfshijë edhe zonën tek Teatri Veror, Korpusi i Universitetit deri te “Rruga e Elbasanit”
Departamenti i Kontrollit dhe Rikuperimit të Humbjeve,
strukturë brenda Operatorit të Sistemit të Shpërndarjes (OSSH Sh.A), është duke
ushtruar kontrolle përmes 12 grupeve në të gjithë vendin.
“Në fokus të punës është zbulimi i vjedhjes së
energjisë elektrike dhe rikuperimi i humbjeve në sistemin shpërndarës”,
deklaroi Armand Zhuka, drejtori i departamentit.
Si rezultat i kontrolleve në muajin janar, janë
zbuluar dhe proceduar 42 abonentë për vjedhje të energjisë elektrike, përmes
skemave të ndryshme, si furnizim me linjë të dytë, konsum energjia pa kontratë
dhe ndërhyrje në #matës. 10 abonentë rezultuan konsumatorë privatë, pra
biznese. Bazuar mbi provat, abuzimi është kryer në bashkëpunim me elektricistët,
por edhe në kushtet e neglizhencës, ndaj OSSH mori masa për 6 punonjës.
Struktura e Kontrollit dhe Rikuperimit të Humbjeve
është njësi e posaçme për realizimin e operacioneve në terren kundër abuzuesve
me ligjin dhe nuk ka qëllim në vetvete procedimin (nga policia gjyqësore), por
tashmë me miratim nga ERE (Enti Rregullator i Energjisë), “faturimin” e kilovatëve
të vjedhur/humbur.
Operatori i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike ka përmbyllur të dhënat e treguesve kryesore ekonomiko/financiar për vitin 2019, i cili konsiderohet si më i vështiri, për shkak të thatësirës së tejzgjatur që çoi në mungesën e prodhimit nga HEC-et e Kaskadës së Drinit dhe ato private.
Kostoja e pashmangshme e mbulimit me energji importi të prodhimit të munguar ashtu sikurse ekzekutimi i detyrimeve në zbatim të vendimeve të gjykatave kanë sjellë përkeqësimin e rezultatit vjetor financiar të kompanisë por nuk kanë cënuar objektivat e vendosura në raport me reduktimin e humbjeve, rritjen e arkëtimeve dhe kontributin në Buxhetin e Shtetit përmes tatim/taksave.
Humbjet në rrjetin e shpërndarjes në vitin 2019 zbritën në 21.7% (kur objektivi i BB është 23%) ndërsa një vit më parë ato ishin 23.9%. Arkëtimet pritet të arrijnë 97% të vlerës së faturuar çka përbën rritje me 2% prej parashikimit në Buxhet dhe në Planin e Rimëkëmbjes së sektorit elektroenergjetik.
Të ardhurat nga shitja e energjisë për vitin 2019 rezultojnë me një rritje prej 2% ose në vlerë rreth 1.3 miliard lek krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.
Gjatë këtij viti, Operatori i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike ka paguar 8.1 miliard Lek Buxhetit të Shtetit përmes tatim/taksave. Brenda kësaj shume është edhe tatim-fitimi për vitet e mëparshme në vlerën 3.3 miliard lek.
OSHEE ka likujduar në këtë vit 100% të faturave korente ndaj Korporatës Elektroenergjetike, Operatorit të Sistemit të Transmetimit dhe Postës Shqiptare. Gjithashtu, është likujduar shuma prej 1.2 miliard Lek si pagesë për detyrimet e vjetra të trashëguara ndaj Korporatës Elektroenergjetike Shqiptare.
Në sajë të disiplinës financiare, OSHEE ka mundësuar edhe kryerjen e investimeve të domosdoshme për të garantuar sigurinë dhe qëndrueshmërinë e rrjetit të shpërndarjes.
Përtej arritjes së këtyre objektivave, Operatori i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike pritet të dalë për vitin 2019 me një rezultat financiar negativ prej 7.4 miliard lekësh.
Kjo shifër reflekton pashmangshmërisht angazhimin e Operatorit të Shpërndarjes për: a) garantimin e furnizimit të vazhdueshëm me energji të konsumatorëve pavarësisht thatësirës; b) menaxhimin e situatës financiare pa rënduar mbi Buxhetin e Shtetit; c) mbajtjen e pandryshuar të tarifave të energjisë elektrike për konsumatorët final.
Gjatë 2019, shpenzimet për blerje energjie rezultuan 8.9 miliard Lekë më shumë se 2018. Pamundësia e Korporatës Elektroenergjetike për të prodhuar energji nga Kaskada e Drinit, detyroi OSHEE-në që këtë sasi që do duhej ta blinte me 1.5 Lek/kWh, ta siguronte nga importi me çmim mesatar prej 9.2 Lek/kWh. Në këto kushte, fatura e OSHEE për të garantuar furnizimin pa ndërprerje me energji për konsumatorët arriti për këtë vit në shifrën rekord prej 350 milion eurosh.
Ndryshimi i kontratës së KESH me OSHEE gjatë vitit 2019 e rëndoi edhe më shumë pozitën financiare të kompanisë. Sipas kontratës së mëparshme, KESH kompensonte Operatorin e Shpërndarjes në rastet kur ishte në pamundësi për të kryer furnizimin me energji në sasinë e kontraktuar përmes Kaskadës së Drinit. Me kontratën e ndryshuar, e gjithë barra financiare e garantimit të energjisë së munguar përballohet nga OSHEE pa kompensim prej KESH.
Dy element të tjerë, që nuk kanë lidhje me aktivitetin ekonomik të vitit 2019, kanë shkaktuar rritje të zërit të shpenzimeve operative dhe rrjedhimisht dhe përkeqësimin e rezultatit financiar vjetor.
Së pari, shpenzimi në shumën prej 2.3 miliard lekësh që përbën një detyrim të trashëguar, i cili do paguhet nga OSHEE përgjatë 22 viteve. Vlera është kamatvonesë që KESH i kishte llogaritur Operatorit të Shpërndarjes për fatura të papaguara të energjisë që para vitit 2015 nga CEZ Shpërndarje. Ky pretendim i trashëguar ka qenë objekt i shqyrtimit nga gjykata. Arritja e një dakordësie me mirëkuptim mes KESH dhe OSHEE për këtë mosmarrëveshje ishte një kusht i vendosur nga Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH). Moszgjidhja e këtij konflikti pengonte disbursimin e kredisë prej 218 milion eurosh që BERZH firmosi me KESH për ristrukturimin e portofolit të kredive afatshkurtra. Dy shoqëritë publike OSHEE dhe KESH u dakordësuan ta zgjidhin me mirëkuptim konfliktin dhe kjo shumë detyrimi reflektohet në rezultatin financiar të këtij viti në zërin e shpenzimeve.
Së dyti, 1.2 miliard lekë shpenzime me të cilat OSHEE është përballur në zbatim të vendimeve të marra nga gjykatat, të cilat kanë trajtuar padi të depozituara ndër vite ndaj kompanisë. Në vlerësimin e OSHEE, një pjesë dërrmuese e këtyre vendimeve janë absurde, të pa mbështetura në ligj e madje kanë detyruar kompaninë të kryejë pagesat e menjëhershme pas vendimeve të shkallës së parë, pa pritur shqyrtimet e shkallëve të tjera gjyqësore të apelimit.
Përkundër sa aludohet në artikujt e publikuar në disa media, në zbatim të planit për menaxhimin e situatës së thatësirës së tejzgjatur, OSHEE ka mbajtur nën kontroll rigoroz të gjitha llojet e shpenzimeve të tjera operative përfshirë paga, shpërblime, karburant, kancelari, qira, një pjesë e të cilave vitet e fundit kanë ardhur duke u ulur në vlerë.
OSHEE fton cilindo të
interesuar të njihet me zërat e bilancit financiar, sikurse ka vepruar
gjithnjë në kuadër të transparencës.
OSHEE Sh.A është duke ndjekur
me përparësi furnizimin me energji elektrike të të gjithë konsumatorëve dhe në
terren grupet e punës janë duke punuar për eliminimin e defekteve të shfaqura
gjatë dy ditëve të fundit prej motit të keq, kryesisht me erëra të forta (vlerë
maksimale 108 km/h) dhe ulje temperaturash deri në 10 gradë Celsius.
Sa më lartë, OSHEE ka vendosur
në gadishmëri rreth 2200 punonjës, të
shpërndarë në nyjët kritike të rrjetit elektrik, duke nisur nga nënstacionet,
linjat 35kV, e deri në nivel kabinash dhe kabull TU.
Aktualisht situata paraqitet e
stabilizuar, falë reagimit në kohë të brigadave të terrenit për riparimin e
defekteve. Energjia është rikthyer për 97%
të abonentevë në zonat me defekte, në raport me 24 orët e fundit.
Nga raportimi i fundit,
problematika shfaqen kryesisht në pjesën verilindore të vendit si Has e Tropojë,
si dhe në Pukë e Laç. Në Tiranë, grupet e punës janë duke riparuar avarinë në
fiderin 327 të Nst Selitë, proces i cili po zhvillohet në kushte jo të favorshme,
pasi mbi rrjetin elektrik tension i mesëm është ndërtuar një pallat. (foto).
Drejtuesi i Operatorit të
Sistemit të Shpërndarjes. z. Petraq Lika deklaron se avaritë janë shfaqur në
zonat rurale (86% në rang vendi) për shkak të këputjes së përcjellësave, dëmtim
izolatorësh, kabllo, etj.
Lika thotë se falë masave të
marra në investime, mirëmbatje dhe organizim gadishmërie, kemi një përmirësim
të cilësisë së furnizimit me 25%, shkurtim
të kohës së riparimit dhe uljes së numrit të defekteve, në raport me një vit më
parë.
Operatori i Shpërndarjes së Energjisë
Elektrike dhe Operatori i Sistemit të Transmetimit, kanë hartuar planin e
gatishmërisë për të garantuar furnizim të pandërprerë me energji elektrike në
të gjithë territorin e vendit gjatë festës së fundvitit. Njëkohësisht janë
marrë masat e nevojshme për të ndërhyrë në çdo moment, për të riparuar çdo
defekt të mund të shfaqet.
Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë,
Belinda Balluku, ka mbledhur në një takim pune, drejtues qendrorë dhe rajonalë
të OSHEE dhe OST. Në këtë takim është prezantuar plani i masave të marra,
ndërkohë që ministrja ka kërkuar që të gjitha drejtoritë rajonale të kalojnë në
gjendje gatishmërie.
“Ne kërkojmë angazhimin tuaj maksimal për të
mos pasur ndërprerje të energjisë elektrike në asnjë pjesë të territorit.
Patjetër të 11 drejtoritë rajonale duhet të jenë në gjendje gatishmërie të
plotë dhe sigurisht në momentet kur do kemi avari apo kur do ketë shkëputje të
energjisë, e rëndësishme është kthimi në proceset e normalizimit në një kohë sa
më të shkurtër për të mos krijuar asnjë problem tek qytetarët”, u shpreh
Balluku.
Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë tha
se duhet pasur vëmendje e posaçme te institucionet e rëndësishme, si spitalet,
apo strukturat e tjera me rëndësi të veçantë.
“Ju keni detyrën për t’i akomoduar të gjithë
kërkesat e qytetarëve pa pasur humbje, apo defekte, të cilat mund të prishin
atmosferën e këtyre ditëve festive, apo mund të krijojë dhe problematika të
tjera pasi jeta vazhdon. Spitalet duhet të jenë absolutisht në qendër të
vëmendjes tonë dhe gjithçka tjetër e cila karakterizohet dhe quhet strukturë
kritike dhe strategjike”, nënvizoi Balluku.
Administratori i OSHEE, Adrian Çela bëri të
ditur se afro 1700 punonjës të kësaj kompanie janë në territor dhe që prej
festës së Krishtlindjeve kanë kaluar në gjendje gatishmërie.
“Është ngritur shtabi qendror në drejtorinë
qendrore dhe në çdo drejtori rajonale janë ngritur shtabet, të cilat raportojnë
në mënyrë periodike. Prej mëse 10 ditësh raportohet çdo një orë për situatën
teknike apo defekte të mundshme. Janë ngritur “call center” dhe po ashtu
dispecerite, në shërbim të qytetarëve, të cilat në këtë rast funksionojnë 24
orë. Kemi ngritur grupin e punës ku secili grup ka fiderat dhe kabinat e veta”,
sqaroi Çela.
Drejtor i Departamentit të Rrjetit të
Transmetimit të OST, Blendian Dalipi, theksoi se nga ana e OST ka përfunduar me
sukses remonti në linjat 110 kilovolt, ndërsa është hartuar një plan
bashkëpunimi së bashku me OSHEE, me qëllim reagimin e shpejtë nëse do të jetë e
nevojshme për të ndërhyrë në rast evidentimi të problematikave.
“Në të gjitha rajonet janë hartuar planet e
gatishmërisë, ku nëpërmjet grupeve të punës do të ndërhyhet në mënyrë shumë të
shpejtë dhe sa më efektive për të rikthyer furnizimin me energji në normalitet
tek konsumatorët. Janë mobilizuar të gjithë strukturat. Kemi përfunduar me
sukses të gjithë remontet në rrjetin tonë kryesisht rrjetet 110 kilovolt, aty
ku janë dhe më të ndjeshme përsa i përket furnizimit me energji elektrike të
përdoruesve”, u shpreh Dalipi.
Në mbyllje të takimit, ministrja Belinda
Balluku, si dhe drejtuesit e dy operatorëve të energjisë, përcollën urimet e
tyre për festën e fundit, për punonjësit e këtyre agjencive, por edhe të gjithë
shqiptarët.
“Aksesi i Sipërmarrjeve në Energjinë Elektrike – Lehtësirat dhe problematikat”, ishte tema e takimit të organizuar nga Operatori i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike me përfaqësues të biznesit, donatorë dhe partnerë ndërkombëtarë, që asistojnë dhe monitorojnë punën e OSHEE. Në takim merrnin pjesë edhe ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku dhe ministri i Shtetit për Mbrojtjen e Sipërmarrjes, Eduard Shalsi.
Duke bërë një prezantim të punës dhe arritjeve të deritanishme administratori i OSHEE, Adrian Çela tha se në 5 vitet e fundit, janë investuar në total afro 280 milionë euro, të cilat janë shtrirë në nënstacionet, rrjetin shpërndarës të energjisë elektrike, kabinat, sistemin e matjes apo monitorimit duke përmirësuar ndjeshëm treguesit e cilësisë së furnizimit me energji elektrike. Sa i takon sipërmarrjeve, Çela theksoi se ka pasur një reduktim të procedurave që duhet të aplikojë një biznes për lidhjen e furnizimit me energji, duke shtuar se ka ende shumë për të bërë.
Referuar procedurave për lidhjet e reja, afati për aksesin e bizneseve në rrjetin elektrik, është reduktuar në 60 ditë dhe është hequr detyrimi i vërtetimit te Inspektoriati Shtetëror Teknik dhe Industrial (ISHTI).Afatet dhe Procedurat
“Kemi rritur efiçencën duke reduktuar numrin e procedurave, që një biznes duhet të aplikojë për të marrë lidhjen e energjisë elektrike. Në rast se në vitin 2015 ishin 9 deri në 10 procedura, prej mëse një viti ne kemi vetëm 4 procedura. Biznesi, për të marrë lidhjen e energjisë elektrike mund të bëj vetëm këto katër procedura dhe mund të aplikojë edhe përmes sistemit on-line që ne kemi instaluar”, u shpreh Çela.
Ministrja Belinda Balluku, në fjalën e saj, nënvizoi faktin se reforma e nisur në sistemin energjetik, është një ndër reformat kryesore të ndërmarra gjatë këtyre viteve, duke theksuar se procesi i njohur si “Unbundling”, ose ndarja dhe kalimi i OSHEE në 3 kompani, do të sigurojë jo vetëm përmbushjen e detyrimeve ndërkombëtare që vendi jonë ka ndërmarrë por nga ana tjetër do të sjellë edhe liberalizim të tregut të energjisë elektrike në Shqipëri.
“Në kuadër të reformës së energjisë janë marrë disa vendime të rëndësishme gjatë vitit 2019. Një nga më të rëndësishmit është aprovimi në muajin maj nga Këshilli i Ministrave i Bursës Shqiptare Energjetike dhe ndarja e Operatorit të Shpërndarjes së Energjisë Elektrike. Vazhdojmë sot, duke punuar me hap të sigurt përpara, por dhe me ritme të shpejta për këtë ndarje të plotë ligjore dhe funksionale të OSHEE-së. Shërbimet e ofruara prej saj do të jepen nga tre kompani bija, që do të krijohen si pasojë e ndarjes së operatorit. Këto kompani janë përkatësisht Operatori i Sistemit të Shpërndarjes, Furnizuesi i Shërbimit Universal dhe Furnizuesi i Tregut të Lirë”, ka thënë ministrja Balluku.
“Diversifikimi i burimeve të rinovueshme për qeverinë shqiptare është një nga pikat më të rëndësishme të politikave të zhvillimit. Ndaj duhet gjetur një balancë mes aksesit në rrjet, por një aksesi të ligjshëm, një aksesi, i cili kërkon të paguhet për aq sa sasi energjie sa hidhet në rrjet, pa abuzuar me lekët e konsumatorëve, pasi mos harrojmë që ato lekë, që ne u kthejmë HEC-eve të vogla janë lekët e konsumatorëve shqiptarë, të investuar në ndërmarrjen energjetike dhe nuk është diçka që mund të vazhdojë pafundësisht. Të gjitha këto balanca do të shikohen dhe do të kontrollohen”, është shprehur ministrja Balluku.
Sa i takon muajve në vijim, ministrja bëri të ditur se është duke u punuar për hartimin e një baze të mirë ligjore, ndërsa e vuri theksin edhe tek nevoja e ndryshimit të Kodit të Shpërndarjes dhe Kodit të Matjes, të cilët janë dy materiale të miratuara në vitin 2008 dhe tashmë duhet të përshtaten me ndryshimet e reja që ka pësuar sektori.
Ministri Eduard Shalsi nga ana e tij e vendosi theksin tek komunikimi, veçanërisht mes autoriteteve shtetërore dhe biznesit, teksa solli në vëmendje se në sajë të dialogut dhe komunikimit mes palëve u bë i mundur edhe miratimi i udhëzimit për prodhuesit fotovoltaik për vetëkonsum.
“Ka një meritë të jashtëzakonshme ministrja aktuale, sepse në muajt mars, prill dhe maj vendosi një urë komunikimi me biznesin si asnjëherë më parë. Pika që unë dua të nënvizoj sot, që e konsideroj shumë të rëndësishme edhe nga pozicioni si Ministër për Mbrojtjen e Sipërmarrjes, është komunikimi. Komunikimi me sipërmarrjen private, komunikimi mes agjencive shtetërore, komunikim edhe midis sipërmarrjeve private. Nëse sot kemi një udhëzim dhe kemi një zgjidhje është falë atij urdhri dhe atij komunikimi intensiv. Gjëja e dytë shumë e rëndësishme, është forcimi institucional. Vij me qejf në këtë institucion, në OSHEE, sepse më pëlqejnë shumë premisat e institucionit, mjedisi i institucionit, logjistika dhe sistemet. Pa mjedise, pa logjistikë, pa programe, sepse sot jetojmë në kohën e revolucionit dixhital, nuk mund të ketë forcim forcim institucional. Dhe sfida e tretë që kemi përpara, janë kapacitetet njerëzore”, ka thënë ministri Shalsi.
Takimi ka vijuar me diskutimet e përfaqësuesve të biznesit, të cilët kanë vlerësuar punën e bërë deri tani për reformimin e sistemit energjetik në vend dhe lehtësimin e procedurave të ndryshme nga ana e OSHEE.
Administratori i Konfindustria, Gjergj Buxhuku vlerësoi përformancën e OSHEE, e pasqyruar edhe në raportin e publikuar nga “Doing Business”, si dhe investimet e bëra në sektor, ndërsa u ndal te ndërtimi i hidrocentraleve të vogla.
“Politika e ndërtimit masiv të HEC-ve të vogla, përveç shkatërrimit kolosal të mjedisit, që është kosto e madhe, përbën edhe një barrë financiare në kushtet e sotme. Pra në qoftë se paguan 40 milionë euro OSHEE-ja, atëherë praktikisht në qoftë se këto do ktheheshin në investime brenda OSHEE-së mund të shndërroheshin edhe në një mundësi për ulje çmimi. Propozimi im është që Qeveria shqiptare nuk duhet të mbështes më me subvencione indirekte ndërtimin e hidrocentraleve, siç e bën sot. Pra do ndërtohen ato hidrocentrale të cilat justifikojnë veten e tyre nga pikëpamja ekonomike ku të futet dhe kosto e mjedisit e llogaritur saktësisht”, deklaroi Buxhuku.
Investimet e realizuara në sektorin energjetik po japin rezultatet e parashikuara. Vlerësimi është bërë nga Banka Botërore, në “Raportin e Statusit të Zbatimit dhe Rezultateve”, publikuar në 14 nëntor 2019, ku vlerëson ecurinë e projektit për rimëkëmbjen e sektorit energjetik në Shqipëri. Në raportin në fjalë, sa i takon Projektit të Rimëkëmbjes së Energjisë (PRP), Banka Botërore ka ndryshuar vlerësimin për Shqipërinë si në nivelin e arritjes së objektivave ashtu edhe në zbatimin e përgjithshëm të projektit.
Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku ju referua këtij raporti të parë pozitiv pas atij të vitit 2018, gjatë një inspektimi të kryer në kantierin e nënstacionit të Kombinatit. E shoqëruar nga Administratori i OSHEE, Adrian Çela, ministrja është njohur nga afër me ecurinë e punimeve në këtë vepër të rëndësishme për furnizimin me energji elektrike të qytetarëve, ndërsa ka theksuar se vlerësimi pozitiv i Bankës Botërore është tregues i punës edhe angazhimit të të gjithë strukturave në vend për të transformuar rrënjësisht sektorin elektroenergjitik.
“Në raportin e fundit, të dalë në 14 nëntor, pas shumë kohësh Banka Botërore ka bërë një raport pozitiv për të gjithë treguesit e Shqipërisë në fushën e energjetikës, për përmirësimin e saj dhe për impenjimin e të gjithë aktorëve, përsa i përket investimeve të reja, ndryshimit të kuadrit ligjor, apo dhe të gjitha angazhimeve që qeveria ka marrë. Ky është një fakt shumë i rëndësishëm, pasi Banka Botërore është një nga partnerët tanë në mbështetjen e rikuperimit të të gjithë problematikës, që ne kemi pasur në rrjetin elektrik, qoftë në atë të tensionit të mesëm dhe tensionit të ulët”, u shpreh ministrja Balluku.
Ministrja tha se treguesit flasin për një reduktim të nivelit të humbjes dhe përmirësim në cilësinë e furnizimit të abonentëve, teksa shtoi se investimet në energjetikë do të jenë në vëmendje edhe për vitin që vjen.
“Puna vazhdon, shërbimi do përmirësohet, të gjitha parametrat që ne kemi premtuar se do të arrijmë përsa i përket uljes së humbjeve në rrjet, ashtu dhe përmirësimit të cilësisë dhe të ofrimit të shërbimit 24 orë për të gjithë abonentët, janë shumë pranë. Praktikisht, tashmë kemi kaluar më shumë se gjysmën e rrugës dhe çdo ditë numrat tregojnë që shërbimi përmirësohet, humbjet ulen dhe jemi në kohë dhe në afate me çfarë kemi premtuar”, nënvizoi ministrja Balluku.
Nga ana e tij, administratori Çela bëri të ditur detaje të investimit që po bëhet në nënstacionin e Kombinatit, i cili pritet të jetë plotësisht në funksion në pranverën e vitit të ardhshëm.
“Kjo zonë, diku në periudhën maj-qershor do të jetë totalisht në shfrytëzim si nënstacioni i ri dhe 10 fiderat dhe ajo që është e rëndësishme, me nënstacionin është menduar dhe perspektiva. Do të montohen 22 çela, duke bërë që të gjitha zhvillimet e mëvonshme që do të ketë kjo zonë ne i paraprimë me këtë investim. Përfundimisht kjo zonë nuk do ketë më problematika për furnizimin me energji elektrike. Nga ana tjetër, ne na ndihmon edhe me uljen e nivelit të humbjeve dhe në përmirësimin e cilësisë së furnizimit”, nënvizoi Çela.
Investimi në nënstacionin e Kombinatit parashikon zëvendësimin e të gjithë fiderave, ndërtimin e afro 100 kabinave të reja elektrike, si dhe shtrirjen e afro 100 kilometra kabull ABC dhe tension i mesëm.