Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë Belinda Balluku dhe Administratori i Kompanisë OSHEE Adrian Çela inspektuan disa nga zyrat e kujdesit të klientit të OSHEE në qytetin bregdetar të Durrësit.
Administratori i OSHEE e njohu nga afër ministren me treguesit e performancës së këtij rajoni, të cilat kanë ardhur duke u përmirësuar vit pas viti.
Konkretisht, gjatë vitit 2018, në rajonion e Durrësi ankesat për faturat e energjisë u ulën me 40% krahasuar me vitin 2017, ndërsa ankesat në raport me totalin e faturave të lëshuara kanë një peshë prej 0.5% në vit.
Në rajonin Durrës, OSHEE ofron shërbim përmes 8 qendrave të Kujdesit
ndaj Klientit ku 21 specialistë pritës dhe 26 arkëtarë ofrojnë shërbim në sportele për 47100 abonentë në muaj.
Katër prej këtyre qendrave, tyre operojnë me sistem monitorimi online dhe menaxhim rradhe.
Rreth 21 specialistë pritës dhe 26 arkëtarë punojnë në sportelet e Kujdesit ndaj Klientit. Tre janë shërbimet bazë: pagesat, kërkesa dhe ankesa.
Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë ka zhvilluar sot paradite një tryezë teknike me institucionet e fushës së energjisë për të diskutuar problematikën që lidhet me teknologjinë e fotovoltaikëve për vetëkonsum. Në këtë tryezë merrnin pjesë përfaqësues dhe ekspertë të MIE, OSHEE, OST dhe KESH.
Që prej miratimit të ligjit “Për nxitjen e përdorimit të energjisë nga burimet e rinovueshme”, MIE është përballur me problematika që vijnë si rezultat i implementimit të një teknologjie të re për Shqipërinë përsa i përket paneleve voltaike, teknologji e re në kuptimin e akomodimit të tyre në rrjetin e shpërndarjes.
Duke çelur tryezën e diskutimit, ministrja Belinda Balluku është shprehur: “MIE respekton dhe mbështet përpjekjet për të zhvilluar teknologjinë solare për prodhimin e energjisë elektrike si një praktikë e re që në 10 vjeçarin e fundit ka gjetur zhvillim në shumë vende evropiane por edhe në gjithë botën. Instalimi i sistemeve të tilla në përputhje me ligjin është i mirëpritur, por kërkon gjithashtu vëmendje të veçantë teknike me qëllim respektimin e kodit të shpërndarjes”.
Sipas ministres shqetësimi i grupit të interesit për udhëzimin e ministrit që ende nuk ka dalë është absolutisht legjitim dhe kjo është arsyeja e mbledhjes së kësaj tryeze. “Përmes një bisede teknike duhet të qartësojmë se kush janë problematikat, të cilat kanë sjellë këtë vonesë, por që praktikisht nuk është një vonesë, është kohë që ne kemi marrë në dispozicion për të dhënë zgjidhjen më të mirë dhe çfarë është më e rëndësishme një zgjidhje afatgjatë këtij problemi, pra jo një zgjidhje momentale, rast pas rasti”, ka thënë ministrja Balluku.
Ajo ka vijuar duke theksuar: “Është totalisht implementimi i një politike të re të energjetikës, e cila po merr kohën e vet, pasi është një ndryshim total në mentalitetin e sjelljes së konsumatorit. Sot konsumatori do të kthehet në një prodhues dhe ky është një ekuilibër i cili duhet mbajtur pa asnjë gabim deri në fund”.
Më tej të gjithë të pranishmit në tryezë kanë dhënë mendimin e tyre për problematikën e fotovoltaikëve:
ILIR BEJTJA Zëvendësministër MIE
Një shqetësim që ne kemi pasur gjatë gjithë kësaj kohe përgatitore ka qenë edhe fakti që pjesa më e madhe e klientëve tanë autoprodhues në të ardhmen, janë pjesë e tregut të rregulluar, që nuk është një treg i liberalizuar. Kjo ka pasur vështirësitë e veta dhe na është dashur të studiojmë edhe modele të tjera, të cilat kanë raste të ngjashme si i yni. Deri tani jemi duke studiuar dy modele net billing, netimi në sasi apo netimi në vlerë, i cili edhe ky do të kërkojë të marrë në konsideratë qoftë ndryshimin në kosto për prodhimin e kësaj energjie, ashtu edhe tregun fundor të rregulluar që ne kemi.
GJERGJI SIMAKU Drejtor i Drejtorisë së Politikave dhe Strategjive të Zhvillimit të Industrisë dhe Energjisë
MIE ka punuar gjatë këtyre 2 viteve që nga dalja e ligjit dhe e ka konsideruar këtë teknologji si një risi që po futet për herë të parë në vendin tonë, e cila sigurisht do të paraqiste problematika. Vonesa e vetme ka ardhur si rezultat i ratifikimit të të gjithë problematikave me operatorët për të gjetur një emërues të përbashkët dhe për të bërë më të mirën për konsumatorët. Është hera e parë që konsumatori sillet si prodhues, më saktë si vetëprodhues. Kjo tregon se nuk jemi të orientuar vetëm tek energjitë klasike hidro, por kemi filluar në masë diversifikimin e burimeve energjetike.
AGIM BREGASI Drejtor i Drejtorisë së Programeve të Zhvillimit në Fushën e Energjisë dhe Efiçencën e Energjisë
Pas daljes së ligjit për energjitë e rinovueshme pati një interes të madh nga bizneset, por edhe familjarë për të implementuar këtë teknologji me idenë jo vetëm për të diversifikuar burimet e energjisë, por edhe për të patur përfitime reale nga kjo lloj teknologjie. Në draftet që ne kemi përpunuar e diskutuar janë patur në kujdes të gjitha problemet qoftë të përputhjes me ligjin, por sidomos për të mbrojtur konsumatorin që nga entuziazmi për të patur pavarësi në furnizimin me energji elektrike, por edhe për të bërë biznes për të shitur energji mund të investojnë pa kriter dhe pastaj do mbeten para situatave që nuk do kenë ku ta çojnë këtë energji.
PETRAQ LIKA Drejtor Teknik OSHEE
Fillimisht dua të transmetoj gjendjen aktuale të rrjetit të shpërndarjes së OSHEE-së, i cili operon mbi një licencë të caktuar. Mund t’ju them që është një rrjet relativisht i vjetër, në një moshë mesatare prej 40 vjet, e dominon rrjetit ajror. 82% të gjithë gjatësisë është rrjet ajror që është shumë i influencuar nga ndryshimet klimaterike. Njëkohësisht mund t’ju them që edhe në bazë të normave të Komunitetit Europian janë disa tregues të cilët neve i referohemi. Por kjo nuk do të thotë që ne si shpërndarës të energjisë eklektike të mos përqafojmë iniciativat që i njeh dhe përcakton ligji saktësisht por dhe “best practices” të Komunitetit Europian.
SKERDI DRENOVA Drejtor OST
Çdo individ duhet të lidhi kontratë mirëmbajtje me kompanitë, të cilat duhet të jenë të licnesuara për mirëmbajtjen dhe kontrollin e të gjithë këtyre prodhuesve të cilët mund të jenë të vegjël ose pak më të mëdhenj. Pse? Sepse kemi të bëjmë me një sistem delikat si nga pikëpamja teknike ashtu dhe nga pikëpamja e sigurisë. Dhe vetëm me anë të kompanive që do jenë të specializuara, të cilat do çertifikojnë dhe do kontrollojnë në mënyrë periodike sipas protokolleve kushtet që do vendosen nga OSHEE do të bëjë të mundur që rrjeti të jetë i sigurtë, duke shmangur çdo defekt teknik por njëkohësisht jemi në një sistem operimi i cili nuk do krijojë probleme në të ardhmen.
ELTON SEVRANI Drejtor i Divizionit Tregtar OSHEE
Problematika ka, por besoj se ne duhet t’i japim frymë pozitive diskutimit, sepse OSHEE në funksionet e tij ka mbi 10 vjet që është mësuar me risi dhe me zhvillimet që kërkon koha, ashtu sikurse edhe komuniteti ndërkombëtar i energjisë ku ne kërkojmë të aderojmë. OSHEE në funksionin e furnizuesit të shërbimit universal duhet të sigurojë energjinë më të lirë, më ekonomike dhe më efiçente për të pasur një furnizim të garantuar të të gjithë klientëve që aderojnë në këtë rrjet. Eksperienca ka treguar që vendimarrje të shpejta, pa një studim fizibiliteti të elementëve teknikë dhe të efekteve të ardhshme si në elementët e rrjetit ashtu dhe në elementët financiarë, kanë sjellë problematika me të cilat ne ndeshemi edhe sot pas 10 vitesh operimi të këtyre gjeneruesve të mëdhenj në treg.
Në mbyllje të tryezës ministrja Balluku është shprehur se MIE dhe agjencitë e sektorit të energjisë po bëjnë një punë shumë serioze dhe në ditët në vazhdim është planifikuar të organizohet edhe një interpelancë përmes platformës së bashkëqeverisjes shqiperiaqeduam.al, në të cilën kanë ardhur disa kërkesa nga grupet e interesit, për të sqaruar të gjithë problematikën që ekziston si dhe për ta reflektuar atë në zgjidhjen sa më optimale të mundshme.
Kryeministri Edi Rama i shoqëruar nga ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku kanë inspektuar rrjetin e ri të shpërndarjes në zonën e Zejmenit, Lezhë.
Faza e parë e këtij investimi sapo ka përfunduar dhe përfshin rikonstruksionin e rrjetit të tensionit të mesëm me gjatësi rreth 65 km, si dhe të rrjetit të tensionit të ulët.
Përmes këtij investimi nga OSHEE prej 85 milionë lekësh u vendosën 150 shtylla të reja, 10 kabina të reja, ndërrim rrjeti me cilësi të lartë, duke rritur sigurinë e furnizimit me energji elektrike për zonën.
“Faza e parë e investimit që OSHEE ka ndërmarrë në zonën e Zejmenit prek 12 000 banorë në 6 fshatra, kap shifrën 85 milionë,” – tha ministrja Balluku.
Investimi i fundit në këtë zonë, ashtu si në shumë zona të tjera në Shqipëri, është bërë në vitin 1971.
“Jo vetëm këtu, por në shumë zona, investimet e fundit janë bërë në fazën e elektrifikimit dhe faktikisht sistemi është sistemi i kohës së elektrifikimit, prandaj edhe një erë të fryjë, borë po e po, këputen linjat dhe duhet filluar nga e para”, – tha Kryeministri Rama.
Me përfundimin e fazës së parë pritet të nisë faza e dytë për këtë zonë, e cila parashikohet të ketë një vlerë rreth 60 milionë lekë të reja.
“Faza e dytë e investimit do të mbyllet brenda muajit mars, sepse planifikojmë që të gjitha rikonstruksionet të përfundojnë para fillimit të sezonit të verës” – u shpreh ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Balluku.
Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, znj. Belinda Balluku dhe Sekretari i Përgjithshëm i Energy Charter z.Urban Rusnák kanë zhvilluar një takim me drejtuesit e lartë të kompanisë OSHEE.
Administratori i kompanisë, z.Adrian Çela, ka prezantuar gjatë takimit investimet e OSHEE dhe projektet në vazhdim që pritet të implementohen në sektorin energjetik, kryesisht për sistemin SMART.
Të ftuarit janë njohur nga afër dhe me sallën e SCADA, ku janë instaluar pajisjet që monitorojnë në kohë reale rrjetin elektrik: nënstacionet, kabinat, përfshi edhe monitorimin online të HEC-ve.
Administratori i OSHEE i ka shpjeguar ministres Balluku dhe kreut të Energy Charter z.Urban Rusnák, sistemin e ri të billing-ut, platformë kjo që shpejton dhe zgjidh në kohë kërkesat dhe shërbimin ndaj klientit në lidhje me faturimin, pagesat etj.
Ministrja Balluku tha se “nga takimi në OSHEE, besoj i kemi dhënë z. Rusnák shijen më të mirë të të gjithë përpjekjeve dhe të gjitha arritjeve që Shqipëria ka bërë në fushën e energjisë”.
Ndërsa Sekretari i Përgjithshëm të Energy Charter z.Urban Rusnák u shpreh i befasuar me kapacitetet e OSHEE dhe vlerësoi bashkëpunimin që sipas tij do të jetë mjaft i suksesshëm gjatë këtij viti.


Operatori i Sistemit të Shpërndarjes (OSHEE Sh.A) prezantoi sot të dhënat kryesore të aktivitetit për vitin 2018.
Sipas Administratorit, z.Adrian Çela, në tërësi kompania ka performuar pozitivisht, duke arritur objektivat, pavarësisht vështirësive të shumta.
Niveli i humbjeve zbriti në 23.96%, nga 26.4 që ishte në vitin 2017. “Nëse bëjmë një krahasim me gjendjen e mëparshme të 4 viteve, ku humbjet ishin 37.8%, rezultati i ditëve të sotme është fal punës së vazhdueshme, plot sakrifica, miremanxhimit dhe vendosmërisë për të futur në shinat e stabilitetit një kompani që ishtë në kolaps, pothuajse e falimentuar. Sot, OSHEE është në gjendje të investojë, të paguajë taksat dhe të shlyejë borxhin, për shkak të reduktimit të humbjeve dhe rritjes së arkëtimeve”, tha z.Çela në konferencën për mediat.
Niveli i arkëtimeve nga shitja e energjisë për 2018-n arriti në 65.7 miliardë lekë, ose 2 miliardë më tepër se viti 2017, duke tejkaluar kështu dhe rezultatin e vitit 2015, kur nisi reforma dhe pati fluks të hyrash. Kujtojmë se në vitin 2014, arkëtimet ishin rreth 49.1 miliardë lekë.
Rritja e arkëtimeve i ka mundësuar kompanisë të financojë ato projekte në drejtim të përmirësimit të cilësisë së shërbimit.
“Gjithnjë është diskutuar, ndoshta me të drejtë, çështja e mbifaturimit, por so që flasim kemi tregues në ulje të numrit të ankesave, gati në përgjysmim”, u shpreh administratori i OSHEE-së.
Në vitin 2018, u regjistruan 39,394 ankesa, nga 62,507 të vitit 2017, pra me një rënie prej 37%, çka provon ecurinë dhe rritjen e cilësisë në shërbim dhe faturim. Zgjidhshmëria per vitin 2018 është 102.5%.
Nga totali i ankesave prej 39,394 të regjistruar në 2018, rezulton se 25481 ankesa i takojnë faturave të këtij viti, duke zënë një peshë ndaj totalit jo më shumë se 0.2%.
OSHEE do të vijojë me planin e investimeve për të përmirësuar më tej cilësinë e furnizimit me energji elektrike. Gjatë periudhës 2015-2018, janë investuar afro 33 miliardë lekë, ndërsa plani për 2019-n është në afro 8.5 miliardë lekë.
“Kemi analizuar disa tregues (bazuar mbi standarde të njohuara), sipas të cilëve rezulton se numri i ndërprerjeve, numri i defekteve, kohëzgjatja e mungesës së energjisë, etj, në tërësi kanë pëzuar përmirësim me 60%”, u shpreh administratori i OSHEE, z.Çela. Sipas tij, zhvillimi pozitiv në sektorin e turizmit dhe ndikimi i tij në ekonomi sezonin e kaluar, erdhi, ndër të tjera, edhe prej faktotrit “investime në rrjetin elektrik të zonave bregdetare”.
Administratori z.Adrian Çela iu përgjigj interesimit të medias në lidhje me “rishikimin e objektivave të projektit për rimëkëmbjen e sektorit të energjisë”, ndërmjet OSHEE dhe Bankës Botërore, sipas të cilit, niveli i humbjeve duhet të reduktohen në 16.5% brenda vitit 2021.
OSHEE Sh.A është duke ndjekur me përparësi furnizimin me energji elektrike të të gjithë konsumatorëve nëpërmjet rrjetit shpërndarës të energjisë elektrike.
Prej disa ditësh, vendi është përfshirë nga moti i keq me reshje bore, duke atakuar nyjet kritike të rrjetit, kryesisht atë rural të thellë.
Përmes 1700 punonjësve në gatishmëri, arritëm në 24 orët e fundit të përmiresojmë situatën e furnizimit me 75%, duke rikthyer energjinë elektrike për 16574 abonentë në rang vendi, kryesisht rural.
Librazhdi
Aktualisht situata paraqitet e stabilizuar, por shqetësim për OSHEE vijojnë të mbeten fshatrat e thellë të Librazhdit.
Këto zona shtrihen në terrene të vështira, malore dhe larg qendrës. Rrugët janë të pakalueshme, magjithatë OSHEE ka dërguar elektricistët me këmbë drejt zonave si Stebleva, Qarrisht, Kostenje, etj, rrjeti elektrik i të cilava, me vjetërsi prej 60 km, është dëmtuar prej borës, me përcjellësa të këputur, traversa të thyer dhe shtylla të rënë.
Brigadat e OSHEE janë terren dhe pritet përmirësim i situatës për 250 abonentët (nga 4500 që kanë këto fshatra).
Kompania OSHEE ofron sportelet e saj të shërbimit të Kujdesit ndaj Klientit, në të cilat gjenden posterat dhe fletëpalosje me informacionet e nevojshme mbi procesin e rinovimit të kartave të identitetit që po implementohet nga Ministria e Brendshme.
Ky institucion ka sqaruar se për kartën e identitetit nuk nevojitet asnjë dokument me përjashtim të kuponit, i cili blihet pranë sporteleve të Postës Shqiptare dhe vetë paraqitja fizike e personit në momentin e aplikimit.
Për pajisjen me pasaportë, dokumentet janë thjesht formulari i Policisë, i cili bën identifikimin e shtetasit, kopje e kuponit për t’u pajisur me pasaportë dhe paraqitja në sportelet e kompanisë “Aleat” për të bërë aplikimin dhe më pas për t’u pajisur me pasaportë dhe me kartë.
Gjatë tre viteve fundit në fokusin e përgjegjesive sociale të kompanisë OSHEE ka qenë kategoria e familjeve të prekur nga fenomeni i gjakmarrjes, kryesisht fëmijët dhe gratë e këtyre familjeve, duke ndihmuar me mjete mësimore, veshmbathje, dhurata, për fëmijët e moshës 5-12 vjeç.
E shoqëruar nga deputeti socialist I qarkut Shkodër Ditmir Bushati, në emër të kompanisë, drejtoresha e kabinetit në kompaninë OSHEE, Albana Ferraj, ka marrë pjesë në aktivitetin festiv me fëmijët në nevojë dhe familjet e ngujuara në Shkodër.
Drejtoresha e kabinetit në kompaninë OSHEE, Albana Ferraj, u shpreh se OSHEE ka ndërmarrë disa nisma për këto familje, ku ndër kryesoret ka qenë punësimi i grave kryefamiljare në Shkodër, duke mundesuar disi rritjen e te ardhurave ekonomike (5 raste), furnizmi pa ndërprerje me energji elektrike familjeve, në kushtet e pamundësisë për pagesen e faturave, duke shpresuar ne te ardhmen një zgjidhje me klauzolë ligjore.
Sipas saj, gjatë vitit 2018, me mbështetjen e OSHEE, mësuesja e fëmijëve të ngujuar Liljana Luani promovoi studimin e saj “Mbi Fëmijët dhe Familjet e prekura nga fenomeni i Gjakmarrjes”, nga i cili dolën të dhëna mbi nevojat që ata kanë, çfarë duhet të bëjmë më tepër, kush është zgjidhja, etj,
Drejtoresha e kabinetit në OSHEE u shpreh se OSHEE do të vazhdojë mbështetjen sociale ndaj kësaj kategorie për periudhën 2018-2019.
“Projekti i ardhshëm konsiston në ngritjen e Qendrës funksionale dhe kompletimi i saj ne qytetin e Shkodres, në shërbim të fëmijëve në nevoje, duke u ofruar ndihmë në mësime, kurse te ndryshme dhe psikologë, pagesën e mësuesve, koordinatorëve dhe psikologët”, u shpreh drejtoresha Ferraj.
Përgjegjësia sociale e OSHEE është e shtrirë dhe në fusha të tjera, duke patur gjithnjë në fokus fëmijët:
Në 4 vite, kemi mbështetur financiarisht shtëpitë e pritjes së fëmijëve në Shkodër, Durrës, Berat, Vlorë, Sarandë, Fier, etj, duke u siguruar pajisje bazë (elktroshtëpiake, veshmbathje, etj) për një shërbim më të mirë ndaj fëmijëve të braktisur.
OSHEE do të vijojë të mbështesë grupet në nevojë dhe sektorët sociale jo vetëm si strategji e përgjegjësisë së koorporatës, por sepse energjia jonë prek çdo familje, individ, ambjent, pjesë e shoqërisë shqiptare duke lehtësuar dhe zbutur çdo problem të mundshëm.
Kompania OSHEE ka hartuar një plan masash për mbarëvajtjen e furnizimit me energji elektrike gjatë ditëve të festave .
Sipas udhëzimit të Administratorit të OSHEE, z. Adrian Çela, për sigurimin e furnizimit me energji elektrike janë angazhuar në terren brigada pune me punonjës nga 11 drejtoritë rajonale të OSHEE në vend.
Gjatë një dalje për mediat, Administratori i OSHEE u shpreh se strukturat e kompanisë do të zbatojnë planin e masave që aplikohet në cdo periudhë kur pritet fluks ngarkese në rrjet, siç është sezoni veror.
Në të gjitha rajonet e vendit janë vendosur në dispozicion të qytetarëve, numrat e telefonit për të raportuar çdo defekt që do të ndodhë në zonat e tyre të banimit.
Po ashtu, drejtoritë rajonale të OSHEE janë pajisur me bazë materiale të domosdoshme si kabëll, izolatorë, përcjellës, të cilët do të shërbejnë për eliminimin sa më shpejt të çdo avarie që mund të ndodhë në rrjet.
“OSHEE ka përgatitur një skemë për përballimin e ngarkesës së rrjetit, gjatë ditëve të festave.
Kemi mbi 1500 punonjës në terren, të shpërndarë në grupe, çdo qytet ka publikuar hartat dhe numrat e emergjencës, që janë në shërbim 24 orë për qytetet të ndryshme të vendit.
Risi e këtij viti, është se që pas çdo telefonate që do të vijë nga qytetarët për raportim defekti, qytetari do të rimerret në telefon pasi t’i jetë zgjidhur problemi për konfirmim.
I pyetur nga mediat për situatën e krijuar në Korçë ku mesnatën e 25 dhjetorit u dogj një transformator i nënstacionit Korçë që furnizonte disa lagje të qytetit dhe rrethinat e saj, administratori tha:
“Defekti në Korçë është një ndër ato raste që ndodh një në shumë vite, por që arriti të riparohej në kohë reale nga punonjësite e OSHEE-së, pavarësisht temperaturave disa gradë nën zero.
Punonjësit tanë janë për tu përshëndetur, pasi është një nga ato defekte që kërkon mbi 48 orë punë dhe që është zgjidhur në kohë reale, por ata kanë punuar gjatë gjithë natës, pavarësisht temeperaturave të ulëta.
Tashmë qyteti i Korçës dhe fshatrat përreth do të furnizohen me energji elektrike normalisht”, u shpreh Administratori i OSHEE.
Është firmosur sot në ambientet e kompanisë OSHEE, Marrëveshja e Bashkëpunimit me USAID me objekt: Asistencë Teknike për përmiresimin e performances dhe veprimtarise se OSHEE, në fokus Drejtoria Rajonale Shkodër, që do të ketë një shtrirje kohore 1-vjeçare.
Gradualisht, me zhvillimin e projektit, në bashkëpunim me kompanisë e njohur në fushën e konsulencës të kontraktuar nga USAID-i, “Tetra TeCH”, asistenca do të shtrihet edhe në rajonet e tjera të OSHEE.
Fushat e asistencës teknike
• Rritjen e eficencës menaxheriale të strukturave në terren
o Përmirësimi i leximit dhe faturimit
o Rritja e qëndrueshme e të ardhurave
o Krijimi i një strukture më eficiente dhe organizative
o Rritjen e përgjegjshmërisë të stafit në terren
• Përmirësim të proceseve në terren
o Përmirësim i planifikimt dhe monitorimit
o Cilësisa e të dhenave të klientëve
o Përditësimi i të dhenave
o Forcimi i funksioneve ligjore
“Marrëveshja me USAID në thelb synon forcimin menaxherial dhe përmirësimin e mëtejshëm të treguesve për rajonin Shkodër. Ne besojmë se ky bashkëpunim do të jetë frytdhënës, bazat e të cilit, pas Shkodrës do të shtrihet edhe në rajonet e tjera”, u shpreh Administratori i OSHEE z. Adrian Çela.
Rajoni i Shkodrës, ku përfshihen Shkodra, Kopliku, Puka dhe Lezha, ka potenciale për të përmirësuar më tej treguesit, dhe faktet tregojnë se:
• Në vitin 2013 niveli i humbjeve ishte 61.8%, ndërsa në 2014 kur nisi dhe reforma zbriti në 51.3%.
• Sot që flasim, në 2018-n, jemi në nivele 40%
Në kushtet kur, në rang vendi humbjet janë nën 24%, vlerësojmë se me angazhimin e ri të partnerëve në Shkodër, ky rajon do të na përmirësojë më tej treguesit.
Përfaqësuesja e USAID për Shqipërinë znj.Mikaela Meredith vlerësoi reformat e ndërmarra nga qeveria shqiptare në sektorin energjetik, “ku një nga treguesit e rritjes së performancës së kompanisë OSHEE, ulja e humbjeve, është rezultat i këtyre reformave, çka e kanë bërë sektorin shqiptar të energjisë më të përshtatshëm me atë evropian”.
“Për 12-15 muajt e ardhshëm, USAID do t’i japë asistencë teknike OSHEE në fusha si: leximi dhe faturimi, mbrojtjen dhe kontrollin e të ardhurave, planifikim dhe operim, si edhe strukturat e përmirësuara të menaxhimit dhe proceseve.
Këto janë benefite për qeverinë shqiptare që do të arrihen përmes nismave të menaxhimit dhe do ta vendosë OSHEE në rrugën e saj për stabilitet tregtar afatgjatë”, shtoi më tej Meredith.
“Këto zhvillime e kanë përgatitur sektorin energjetik shqiptar për një konkurrencë më të madhe në tregjet rajonale si dhe për një integrim që do të përmirësojnë sigurinë e furnizimit me energji, e cila është thelbësore për një rritje ekonomike afatgjatë dhe stabilitet social”, u shpreh përfaqësuesja e USAID.
