Drejtoria Rajonale e OSHEE Fier, përmes strukturës së verifikim matjes dhe ekipeve të posaçme task-forcë zbuluan dhe proceduan në polici 4 abonentë, me akuzën e vjedhjes së energjisë elektrike.
Skema e përdorur është ndërhyrja në matës (foto) dhe rilidhja e paligjshme.
Abonentët janë S.D, A.P dhe A.Z, ndërsa i 4-ti mundi të largohej duke përfituar nga errësira.
Për të katërt abonentët rëndon akuza në bazë të kodit penal, neni 137, sipas të cilit:
Çdo ndërhyrje tjetër e paligjshme dhe e paautorizuar në sistemin e matjes apo në rrjetin elektrik me qëllim përfitimi të paligjshëm, përbën vepër penale dhe dënohet me burgim deri në tre vjet.
Dosja me procedimet po shqyrtohet nga organet kompetente të hetimit, nga ku vendoset mbi masën e dënimit.

Kompania OSHEE ka mbyllur me bilanc pozitiv treguesit e performancës së 10-mujorit të këtij viti, të cilët në raport me një vit më parë shënojnë rezultate mjaft të mira.
Sipas të dhënave për humbjet në rrjetin energjetik, kemi shënuar një rekord historik me mesatare humbjesh nën 24% për vitin 2018.
Pra, po ta krahasojmë me të shkuarën, humbjet kanë qenë mbi 45% dhe ulja është drastike.
Theksojmë se si 10-mujor, humbjet zbritën në 23.7%, duke u reduktuar me 2.8% në raport me 10-mujorin 2017, si rezultat i investimeve përgjatë viteve 2016 – 2018 dhe menaxhimit e kontrolleve të vazhdueshme në terren.
Edhe niveli i Arkëtimeve ka ardhur duke u rritur si pasojë e konsolidimit të reformave të cilat po japin efektin e duhur.
Kështu, Arkëtimet si 10-mujor 2018 prekën 54.9 Miliardë Lekë, rritje kjo e ndjeshme, krahasuar me 10-mujorin 2017 me 3.1% ose 1.6 Miliardë Lekë më shumë.
Periudha e 10-mujorit 2018 shënon rritje të ndjeshme të arkëtimeve me vonesë deri ne 90 Ditë, krahasuar me 2017 me 4% ose 1.9 Miliardë Lekë më shumë. Kjo ka ardhur si pasojë e realizimit të planeve të punës, ndërgjegjësimit të klientëve për pagesat në kohë të faturave të energjisë elektrike.
Norma e Arkëtimit ndaj faturës pararendëse në 10-mujorin 2018 rezulton në masën 101.3%, e rritur prej 0.9% me 10-mujori 2017, si rezultat i:
• Rritjes së cilësisë së procesit të lexim/faturimit
• Vazhdimësisë së proceseve për uljen e borxhit & AKM
Cilësia e shërbimit – Në raport me një vit më parë, si 10-mujor, kemi 39.3% më pak ankesa.
Numri i ankesave të depozituara pranë Kujdesit ndaj Klientit
• 10-mujori 2018 33.534 Ankesa të Trajtuara
• 10-mujori 2017 55.282 Ankesa të Trajtuara
Në raport me numrin total të faturave që emeton OSHEE, pesha e ankesave nuk zë më tepër se 1%
Për vitin 2017, nga 55.282 mijë ankesa të depozituara, morën zgjidhje 44,075.
Ndërsa për 10 mujorin e 2018, nga 33.534 morën zgjidhje 37.656 Ankesa.
Në vitin 2018, zgjidhshmëria tejkaloi normën 100% (112%) pasi u trajtuan edhe raste të mbartura.
Për shkak të motit të keq me reshje bore dhe erë të fortë kryesisht në zonat malore, rrjeti elektrik i shpërndarjes ka pësuar defekte që kanë penalizuar abonentët me mungesë të energjisë elektrike.
OSHEE ka marrë të gjitha masat për situatën e krijuar nga moti i keq duke angazhuar në terren brigade të avarive të cilët janë pajisur me bazën materiale të nevojshme për riparimin e defekteve.
Rajoni më i prekur nga moti i keq ka qenë zona e Korçës ku janë konstatuar përcjellës të këputur të linjës 35 kV, thyerje izolatorësh , dëmtime kabllosh.
Si pasojë e terrenit malor, birgadat e punonjësve të OSHEE e kanë pasur të pamundur të ndërhyjnë në zonat e thella.
Me ndalimin e reshjeve dhe pastrimin e rrugëve nga borëpastrueset, ka rinisur sot herët puna në terren.
Sipas informacionit të orës 10:00 të dispecerisë së tensionit të mesëm dhe të ulët në kompaninë OSHEE, është normalizuar situata e furnizimit me energji në zonën e Dardhës, Voskopojës, Fushë-Maliq, Podgorie, Sheqeras, Bitinckë, Komuna Qendër.
Gjithashtu energji ka marrë dogana Kapshticë si dhe është vendosur në punë linja 35 kV Maliq-Lozhan që kishte përcjellës 35 kV të keputur.
Është normalizuar furnizimi me energji i nënstacionit Lozhan dhe kanë marrë energji komuna Moglicë dhe Hecet (Strelca, Verba).
Me përmirësimin e motit, vijon puna në terren e brigadave të OSHEE-së për evidentimin dhe eleminimin e defekteve në rrjetin e tensionit të mesëm dhe të ulët si dhe në kabina.
Aktualisht janë pa energji pjesërisht fshatrat: Stravaj,
Mjeshovë, Cakran, Kumë, Lekbibaj, Fajza, Kacinar, Luf,
Vithkuq, Trebinjë, Miras, Progër, Velçan, Lozhan, Voskop, Liqenas, Hocisht, Ploçisht, Drenovë.
Operatori i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike, OSHEE, ka vënë në funksion sistemin e ri SCADA, me anë të së cilës Dispeceria Qendrore e Tensionit të Lartë e kompanisë monitoron online rrjetin elektrik të shpërndarjes së energjisë elektrike.
Me një fond prej 187 Milionë Lekë, ky sistem smart është instaluar në sallën e Dispecerisë Qendore të Tensionit të lartë, në Server Room-in e dedikuar, si dhe në 5 N/Stacionet kryesore të Tiranës (Selita, Tirana1, Tirana Qendër, Farkë, Traktora) të cilat operojnë online përmes kësaj platforme.
Kryeministri Edi Rama i shoqëruar nga ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë Damian Gjiknuri dhe Administratori i kompanisë OSHEE Adrian Çela kanë inspektuar Sallën e re të Dispecerisë qendore të Tensionit të Lartë e cila ndodhet në godinën e re të Operatorit të Shpërndarjes së Energjisë Elektrike, OSHEE.
Administratori i OSHEE ka shpjeguar për të ftuarit se deri dje sinjalizimi i defekteve kryhej përmes telefonatave.
Kurse sot, me sistemin e ri SCADA, konstatohet dhe riparohet në kohë të shpejtë defekti në fider, pa qenë nevoja të stakohet energjia në kabinë, gjë që më parë shkaktonte mungesë energjie dhe në zona ku nuk ishin prekur nga defekti.
“Sistemi SCADA i ri monitoron sot online 6 nënstacionet më të rëndësishme dhe ditë pas dite do të shtohet numri i tyre.
Deri në fund të muajit dhjetor, kemi menduar të përfshijmë në rrjetin online të menaxhimit, 12 nënstacione”, tha Administratori Çela.
Në fjalën e tij,administratori i OSHEE-së ka theksuar se përveç N/Stacioneve, OSHEE ka investuar në modernizimin (automatizimin) e 100 kabinave në Tiranë, Durrës dhe Vlorë, të lidhura online me qendrat dispeçer të drejtorive rajonale përkatëse.
“Në vitin 2019, operimi me Sistemin SCADA do të shtrihet edhe më gjerë, ku në Tiranë do të kemi 200 kabina të automatizuara nga 30 që janë sot.
Në sistem smart do të përfshihen edhe kabinat e rajoneve të tjera, paralelisht duke modernizuar qendrat përkatës të dispecerive”, tha Çela.
Administratori i OSHEE u ka prezantuar të ftuarve dhe këndin e muzeut të kompanisë në të cilën janë ekspozuar asete të OSHEE të cilat kanë qenë në funksion të rrjetit deri 2-3 vite më parë
Këto pajisje, sic janë transformatorët, datojnë prej më shumë se 70 vitesh duke faktuar vjetërsinë e rrjetit të shpërndarjes dhe mungesën e investimeve ndër vite, gjë që kanë penalizuar qytetarët me kufizime të gjata të energjisë elektrike gjatë ditës.
Transformatori që gjendet në ambientet e muzeut, është marrë në Kuçovë dhe daton prej vitit 1939 dhe është zëvendësuar në 2016.
Deri në 2016 kabina punonte me atë transformator.
“Këtu kemi pajisje të disa nënstacioneve, prodhim rus i vitit 1953 dhe nënstacioni në Kombinat akoma punon me këto pajisje.
Brenda fundit të këtij viti fillon puna për ndërtimin e nënstacionit të ri.
Pjesa më e madhe e pajisjeve më të reja janë kineze, prodhim i viteve ’70.
Ne kemi ende matësa të këtij prodhimi që po i zëvendësojmë.
Ky është sistemi që kemi gjetur deri para 3-4 viteve dhe këto pajisje deri para 3-4 viteve ishin ende në punë”, ka shpjeguar Administratori i OSHEE-së, Adrian Çela.
Më pas, kryeministri Rama, ministri Gjiknuri dhe Administratori Çela kanë vizituar dhe sportelin e pritjes së ankesave të abonentëve, ku qytetarët mund ti drejtohen Operatorit të Shpërndarjes së Energjisë, për raste që nuk kanë gjetur zgjidhje në zyrat e Kujdesit të Klientit në zonat e tyre të banimit.
Administratori i OSHEE ka theksuar se për akomodimin e punonjësve, kompania shpenzonte më parë rreth 420 mijë euro në vit qera për 2 godina që shërbenin si zyra, ambiente aspak të përshtatshme për aktivitetin e kompanisë.
Gjithashtu në godinat e vjetra, kompania nuk kishte as Server dhe as ambiente pritjeje për publikun, madje as Arshivë.
Të ftuarit kanë inspektuar dhe sallën e mbledhjes e cila është ndërtuar me të gjithë parametrat bashkëkohorë.

Operatori i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike, OSHEE, ka përmirësuar cilësinë e shërbimit ndaj klientit, çka ka sjellë një reduktim të numrit të ankesave të depozituara në adresë të kompanisë, por edhe normë zgjidhshmërie të lartë.
Duke iu referuar të dhenave të fundit, në raport me një vit më parë, si 9-mujor, në vitin 2018 vërehet një trend pozitiv i uljes së numrit, konkretisht kemi 32.8% më pak ankesa.
Sic shihet dhe nga të dhënat e tabelës (ne attach tabela), për periudhën 9-mujore të 2018 numri i ankesave të depozituara pranë qendrave të Kujdesit ndaj Klientit apo në Departamentin e Marrëdhënieve me Klientin (përmes protokollit), janë 31.699, ndërsa për të njëjtën periudhë, pra në 2017, u trajtuan 45.289 ankesa.
Nga të dhënat e analizuara prej Departamentit të Marrëdhënieve me Klientin (DMK) pranë OSHEE Sh.A, mesatarja e ankesave mujore në raport me numrin total të faturave që emetohen nga OSHEE, është në nivelin 0.25%.
Një tregues i rritjes së performancës së shërbimit ndaj klientit është dhe zgjidhshmëria maksimale e ankesave të raportuara.
Për 9-mujorin e vitit 2017, morën zgjidhje rreth 30437 nga 45.289 që ishin raportuar pranë OSHEE, ndërsa për 2018-n, kanë marrë zgjidhje rreth 32.786 ankesa, përfshi brenda saj dhe ankesat e akumuluara (shih tabelen).
Totali i ankesave në raport me numrin e faturave të gjerenuara përgjatë një viti nuk zë një peshë më shumë se 1%.
Së fundmi, OSHEE ka nisur të operojë përmes sistemit të ri të “menaxhimit të klientëve” në disa rajone të vendit, dhe pritet të kompletohet në të gjitha degët brenda muajit nëntor.
Ky sistem ka disa avantazhe, si rrit kontrollin dhe standardin e procesit të leximit dhe përshpejton në kohe dhe cilësi zgjidhjen e kërkesë/ankesës.
Ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë Damian Gjiknuri inspektoi zyrën e Kujdesit ndaj Klientit të Operatorit të Shpërndarjes së Energjisë Elektrike në qytetin e Kukësit.
“Jemi këtu tek zyrat e shërbimit të klientit të Operatorit të Shpërndarjes. Një zyrë model nga pikëpamja e infrastrukturës.
Me informacionet që kam edhe nga drejtuesit e operatorit në qarkun Kukës, edhe qarku Kukës që përgjithësisht ka qenë problematik në të kaluarën, ka përmirësime të dukshme përsa i përket arkëtimeve dhe uljes së humbjeve”, theksoi ministri Gjiknuri.
Më tej, ai u ndal tek statistikat e publikuara për rezultatet e 9-Mujorit të OSHEE-së duke nënvizuar se vazhdon konsolidimi në uljen e humbjeve dhe rritjen e arkëtimeve.
“Ne patëm rastin të publikojmë edhe shifrat e fundit të 9-Mujorit të Operatorit të Shpërndarjes së Energjisë dhe rezultatet aty janë jashtëzakonisht të dukshme përsa i përket përmirësimit, duke shënuar një rekord historik me mesatare humbjesh nën 24% për vitin 2018. Pra, po ta krahasojmë me para disa vitesh humbjet kanë qenë mbi 45% dhe ulja është drastike. Jemi në një situatë krejt tjetër ku ne po synojmë standarde edhe më të larta. Edhe përsa i përket pikëpamjes së arkëtimit, Operatori i Shpërndarjes këtë vit prapë paraqitet me një performancë më të mire”, u shpreh Gjiknuri.
Në vlerësimin e ministrit, këto rezultate tregojnë se konsolidimi i reformave po jep efekt duke ulur humbjet, rritur arkëtimet dhe shëndoshur financiarisht kompanitë publike. Kjo sipas tij i ka bërë kompanitë të afta të përballojnë edhe sfida hidrike pa kërkuar të mbështeten nga Buxheti i Shtetit siç ndodhte më parë.

Skema më e përdorur është manipulimi i matesit përmes sistemit “urë”, pra kalimi i telit blu (shih fotot) në pozicion të tillë që matësi të regjistrojë 80% më pak konsum.
Gjatë kontrolleve në javën parë të tetorit u zbuluan 11 raste. Bie në sy fakti se vjedhja e energjisë elektrike ka ndodhur në objekte që ndodhen në qender të Tiranës (rr.Elbasanit, ish-Bllok, 21 Dhjetori, etj.)
Mes të proceduarve është një subjekt privat (furre buke), i cili kishte manipuluar matësin.
“Kontrollet vijojnë normalisht dhe nuk tolerojmë askënd. I bëjmë apel abonenteve të zgjedhin rrugën ligjore, pagesën e faturave (në pamundësi, skemat me këste), dhe jo të abuzojne”, tha z. Klevis Jahaj, drejtor i Drejtorisë Rajonale OSHEE Tiranë.
Në zbatim të nenit 137 te Kodit Penal ndëshkohen ata persona që:
Vjedhin energjinë elektrike dhe dëmtojnë matësin. “Çdo ndërhyrje tjetër e paligjshme dhe e paautorizuar në sistemin e matjes apo në rrjetin elektrik me qëllim përfitimi të paligjshëm, përbën vepër penale dhe dënohet me burgim deri në tre vjet”, thuhet në nenin 137.
Bordi i Entit Rregullator të Energjisë miratoi sot, dt 11 tetor, dy vendime që sanksionojnë transferimin e dy licencave nga kompania mëmë OSHEE tek dy prej kompanive të reja.
Bëhet fjalë për transferimin e licencës së furnizmit të energjisë elektrike dhe detyrimit të shpërbimit universal të furnizimit të energjisë elektrikë të shoqërisë Operatori i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike sha tek shoqeria “Furnizuesi i Shërbimit Universa” sha e vlefshme deri më datë 8 korrik 2021.
ERE në bazë të kërkesës së OSHEE dhe Operatorit të Sistemit të Shpërndarjes ka miratuar transferimin e licencës së operimit të sistemit te shpërndarjes së energjisë elektrike nga kompania e parë tek e dyta.
Kjo licence ka vlefshmëri te saj deri më 27 tetor 2044.
Republika e Shqipërisë
Operatori Shpërndarjes Energjisë Elektrike OSHEE SH.A.
4 Tetor 2018
Republika e Shqiperisë
Operatori Shpërndarjes Energjisë Elektrike (OSHEE sh.a.)
Projekti i Rimëkëmbjes Energjitike
Komponenti 2
Ftesë për Ofertë
për
“Rehabilitimin e 3 Nënstacioneve Egzistuese/F&V për Pajisjet dhe Punimet Civile”
IBRD Loan: 8429-AL
Project ID No. 144029
(IFB-PRP-S&I-ICB-2/3)
1. Republika e Shqiperisë ka marrë një kredi nga Banka Ndërkombëtare për Rindërtim dhe Zhvillim për mbulimin e kostove të “Projektit për Rimëkëmbjen Energjitike “/Komponenti 2 “Përmirësimi i Infrastuktures së Shpërndarjes” dhe një pjesë të kësaj kredie do e perdorë për pagesën e marrëveshjes(ve) që do rezultojë nga kjo Ftesë për Ofertë: “Rehabilitimi i 3 Nënstacioneve Egzistuese/F&V për Paisjet dhe Punimet Civile”/ (IFB-PRP-S&I-ICB-2/3).


