Back
20 Nëntor

Moti i keq, OSHEE: Stabilizohet situata e furnizimit me energji elektrike

Kompania e Shpërndarjes së Energjisë, OSHEE, po ndjek me vëmendje situatën e krijuar në rrjetin e shpërndarjes si pasojë e motit të keq që ka përfshirë mbarë vendin.

Për menaxhimin sa më të mirë të iituatës, janë angazhuar në terren rreth 2 mijë punonjës nga 11 rajonet për të riparuar në kohë defektet e shkaktuara nga moti i keq.

Prioritet kanë qenë hidrovoret dhe furnizimi me energji i tyre pandërprerë.

Si pasojë e motit të keq, disa rajone si Shkodra, Lezha, Vlora, Kruja e Berati patën probleme në rrjetin e shpërndarjes, kryesisht në zonat rurale ku linjat janë ajrore që shtrihen në terren të vështirë malor.

Theksojmë se shumica e fiderave jaën stakuar si masë sigurie.

Megjithë kushtet e këqija të motit, brigadat tona të avarisë nuk kanë ndaluar punën në terren dhe brenda një harku kohor të shkurtër, defektet janë riparuar në masën 85 %.

Brigadat e OSHEE vijojnë punën në terren deri në riparimin e plotë të avarive dhe rikthimin e energjisë tek të gjithë abonentët.

11 Nëntor

OSHEE investon në fuqizimin e NST Lushnje, Balluku: Garantojmë furnizimin pavarësisht krizës

Me fondet e OSHEE prej 60 mln lekë, ka përfunduar investimi në NST Lushnje, një nyjë e rëndësishme e sistemit energjetik në rajonin e Jugperëndimit, i cili daton që në vitin 1972.

Në këtë nënstacion nuk ishin kryer më parë ndërhyrje kapitale, çka kishte krijuar problematika në furnizimin me energji elektrike për të gjithë zonën.

 Ministrja e Energjisë Belinda Balluku e shoqëruar nga administratori i OSSH Blendian Dalipi,  drejtori i Drejtorisë së Tensionit të Lartë në OSSH, Adriatik Kupi, inspektuan nga afër investimet që kanë prekur pothuajse të gjithë panelet e tij, mbrojtja, kontrolli dhe komandimi.

Në fjalën e saj, ministrja Balluku theksoi se megjithë krizën energjetike dhe vështirësitë që përballoi sistemi energjetik me situatën e pandemisë, investimet nuk janë ndërprerë, por do të vazhdojnë të kryhen.

Balluku tha se me ndërhyrjet kapitale të kryera, synohet ulja e nivelit të humbjeve në rrjet dhe gjithashtu furnizimi cilësor me energji elektrike, jo vetëm për qytetin e Lushnjes por dhe rajonin e Divjakës.

Ministrja Balluku theksoi se në kushtet aktuale kur qeveria po synon që, çmimet e larta të energjisë që blihet nga importi të mos prekin xhepin e konsumatorit, kërkohet menaxhim i mirë dhe shtim i kapaciteteve të punonjësve të OSSH për të kompensuar mungesën e investimeve që duhet të bëheshin para se të shfaqej kriza globale energjetike.

“ Investimet kanë qenë shumë tëe reduktuara për shkak të krizës, por nga ana tjetër na duhet të investojmë për uljen e humbjeve në rrjet me qëllim që të arrijmë targetin e parashikuar poshtë 19 përqind, me qëllim që të përfitojmë sa më shumë sasitë e kursimit që na duhen”, u shpreh ministrja e Energjisë, Belinda Balluku.

Ministrja Balluku tha gjithashtu se, me strategjinë e re të OSSH për vitin 2023 parashikohet që të vazhdojnë investimet në zonat rurale dhe në bregdet duke u përgatitur për sezonin turistik, por dhe për të garantuar furnizim pa ndërprerë për abonentët.

Balluku tha se investimi në NST Lushnje do të garantojë jo vetëm një furnizim cilësor për abonentët përmes rrjetit të ri 20Kv por  ky nënstacion luan një rol të rëndësishëm për të gjithë rajonin jugor, si nyjë e rëndësishme e sistemit energjetik.

Ndërsa drejtori i OSSH Blendian Dalipi nënvizoi se investimi në NST i Lushnjes përfshin vendosjen e një trakti të ri transformatori dhe investime në pjesët sekondare që ka të bëjë me panelet e mbrojtjes, kontrollit dhe komandimit.

Dalipi tha se aparashikohet që përvec qytetit të Lushnjes, edhe zonat rurale të përfshihen në furnizimin me rrjetin e tensionit 20Kv.

“Janë zëvendësuar çelat e reja në sallën e  komandës dhe po shkojmë drejt qëllimit final që ka OSSH në këtë rajon, kalimi nga nivel tensioni 6 kV në 20 kV. Mund të themi se tani qyteti i Lushnjes pothuajse furnizohet me tension 20kV kv përmes fiderave dalëse të këtij nënstacioni dhe dalëngadalë do të kalojmë dhe në zonat periferike dhe fshatrat përreth”, u shpreh drejtori i OSSH Blendian Dalipi.

10 Nëntor

Shkodër, hapet pika e 100-të e Kujdesit të Klientit, FSHU më pranë abonentit me shërbime

Furnizuesi i Shërbimit Universal, FSHU Sh.A, pjesë e OSHEE Group, ka hapur pikën e saj të 100-të të Kujdesit të Klientit (KNK) në qytetin e Shkodrës.

Kjo qendër e re e KNK-së do të jetë e hapur 12 orë në ditë (hënë-shtunë), për t’i ardhur në ndihmë abonentëve me shërbime, kërkesa apo ankesa, si dhe informacione në rast nevoje.

Sikurse të gjitha pikat e tjera të Kujdesit të Klientit, shërbimet tona janë të disponueshme gjatë gjithë javës, me përjashtim të së dielës.

100 qendrat e Kujdesit të Klientit, në të gjithë Shqipërinë i shërbejnë afro 1.2 milionë abonentëve të cilët kanë kontratë furnizimi me FSHU.

Në krahasim me vitin 2013, kur numëroheshin 49 KNK, viti 2022 mbyllet me dyfishin e qendrave të hapura në të gjithë Shqipërinë.

Rritja e cilësisë së shërbimit ndaj abonentit është prioritet i kompanisë OSHEE  Group Sh.A dhe ofrimi i shërbimeve sa më pranë abonentëve është tregues i performancës së mirë që kompania po tregon nga viti në vit.

Megjithëse në situatë jo të mirë si pasojë e krizës globale, OSHEE do të vijojë investimet si në drejtim të furnizimit cilësor me energji elektrike, ashtu dhe në shërbime.

08 Tetor

Vendimi i fundit, ERE shtyn zbatimin e fashës 800kW për abonentët familjarë

Bordi  i ERE vendosi të premten të lërë në fuqi për muajin tetor çmimin 9.5 lek të shitjes me pakicë të energjisë elektrike për klientët familjarë.

Ky vendim i ERE erdhi pas kërkesës së e kompanisë FSHU për  vlerësimin e situatës aktuale në lidhje me zbatimin e Vendimit Nr.242, datë 23.09.2022 të Entit Rregulltor të Energjisë për aplikimin e çmimit të energjisë të klientëve familjarë për konsumin mbi 800 kWh.

ERE thotë se pas vlerësimit të situatës, u konstatua se ekzistojnë mundësitë e rivlerësimit të këtij çmimi përsëringa KESH sh.a., bazuar në përmirësimin e treguesve tekniko-ekonomikë sikurse raportuar së fundmi, për muajin tetor 2022.

“Në kushtet që kosto e blerjes së energjsë elektrike të FSHU sh.a. në zbatim të VKM 456/2022 vijon të jetë ajo e miratuar nga Asembleja e Përgjithshme e Aksionarit të KESH sh.a. prej 2.6 lekë/kWh, për të gjithë konsumatorët të cilët shërbehen në kushtet e shërbimit universal, ERE vlerësoi përsëri kërkesën e FSHU sh.a., për ndryshimin e vendimit Nr. 242, datë 23.09.2022, “Mbi miratimin e çmimit të shitjes së energjisë elektrike prej 42 lekë/kWh për konsumin mbi 800 kËh/muaj për klientët familjarë për periudhën 1 tetor – 31 dhjetor 2022”, duke lënë në fuqi për muajin tetor 2022, çmimin e shitjes me pakicë të energjisë elektrike për klientët familjarë, në masën 9.5 lekë, siç miratuar me anë të vendimit Nr. 74/2022 të Bordit të ERE”, thuhet në njoftimin e ERE.

04 Tetor

Siguria në kabina, OSSH vijon kontrollet: Problem dëmtimi i dyerve nga endacakët

Dëmtimi i kabinave elektrike nga palë të treta vijon të mbetet shqetësim për Operatorin e Sistemit të Shpërndarjes, pavarësisht se masat e marra me investime kanë rritur sigurinë dhe reduktuar rastet e avarive.

Në 4 vitet e fundit, OSSH Tirana lidhi kontrata për rikonstruksionin e 500 kabinave, projekt, i cili nuk kishte qëllim zëvendësimin e pajisjeve elektrike, por edhe pjesën ndërtimore, përfshi këtu kyçjen e kabinave.

Investime për rritjen e sigurisë në kabina, por edhe në bokset kolektive të pallateve janë kryer të gjithë vendin, por, siç raportohet, vijojnë rastet e dëmtimit për asrye të ndryshme.

Kryesisht lidhen me aspektin e vjedhjes së metaleve që ndodhen në pjesët përbërëse të pajisjeve elektrike, të cilat shiten për skrap.

OSHEE ka marë masat për kyçjen e të gjitha kabinave, duke mbajtur procesverbal për çdo rast dëmtimi.

Nuk janë të pakët rastet e dëmtimit të kabinave nga endacakët, të cilët hapin derën duke dëmtuar drynin dhe duke injoruar tabelën me shënimin në hyrje “rrezik vdekje, tension i lartë”.

Ditët e fundit, drejtoria rajonale e OSSH Tiranë po ushtron një kontroll të imtësishëm, me qëllim mbylljen e dyerve të kabinave dhe sistemimin e bokseve në palLate.

Sigurimi i derës së kabinës është në foKus të drejtorisë teknike, për parandalimin e dëmtimit të pajisjeve, apo dhe individit, jeta e të cilit rrezikohet në prani të pajisjeve elektrike.

Rasti i fundit, jo më larg se para dy ditësh, u desh ndihma e policisë së shtetit për të nxjerrë nga kabina një endacak, i cili e kishte kthyer ambientin në vend qëndrimi.

Ishte hera e tretë, tregon Rezart Isufi, drejtor i Tiranës, që kabina dëmtohej nga i njëjti person, pavarësisht vendosjes së bravës dhe elementëve të sigurisë, prandaj u desh ndërhyrja e policisë.

Apelit për bashkëpunim për rastet e konstatimit të kabinave apo bokseve me dyer të hapura, konsumatorët i janë përgjigjur pozitivisht, duke raportuar në kohë reale, kurse reagimi nga ana e OSSH ka qenë i menjëhershëm: mbajtja e procesverbalit me foto, marrja e masave tekniko-organizative dhe vendosja e pajisjeve të sigurisë.

Procesi i rritjes së sigurisë në kabina, duke kyçur dyert dhe vendosur tabelat me shënimet përkatëse është një proces i vazhdueshëm, për aq kohë sa persona të papërgjegjshëm i dëmtojnë ato, duke rrezikuar madje dhe jetët e tyre.

28 Shtator

Humbjet 2022, gushti regjistron nivelin rekord nën 17%, Tirana dhe Durrësi bashkë te 15%

Performanca e rrjetit të shpërndarjes si pasojë e investimeve të kryera dhe organizimit në terren, paraqitet pozitive, si në aspektin e furnizimit, ashtu dhe te niveli i humbjeve.

Treguesit e nivelit të humbjeve si 8-mujor 2022, kanë zbritur afër 20%, kurse vetëm në muajin gusht regjistroi nivelin më të ulët historik, nën 17%.

Ermal Murati, Drejtor i Departamentit të Matjes, Bilancit dhe Suportit të Tregut në OSSH, tregon se rezultatet e mësipërme janë arritur falë punës së përditshme, si në aspektin e transformit të rrjetit elektrik përmes investimeve, ashtu edhe kontrolleve të vazhdueshme ndaj abuzuesve të energjisë, rritjes së faturimit dhe organizimit të aktivitetit dhe stafit në terren.

Para nisjes së reformës, në 2013, niveli i humbjeve ishte 45%, madje ne disa muaj të caktuar arrinte deri ne 50%, ndërsa sot objektivat e OSSH, pjesë e OSHEE Group, janë për ulje të humbjeve nën 20% deri në fund të 2022-it.

Reduktimi i humbjeve, ka sjellë për pasojë dhe më shumë eficencë në shpenzime, faturim cilësor dhe drejtësi për abonentët korrektë që paguajnë faturën korente në raport me abuzuesit.

Murati nënvizon faktin se rajonet Tiranë dhe Durrës, të cilat kanë peshë 50% në konsumin total të energjisë elektrike, paraqesin një nivel humbjesh rreth 15%, standard suksesi ky që po ndiqet edhe nga rajonet e tjera, si rasti i Shkodrës, ku nga 60%, sot ka zbritur nën 28%, si kurrë më parë.

24 Shtator

Abonentët familjarë, vendimi i ERE për fashën 800kW

DEKLARATA E PLOTË E ERE, DT 23 Shtator 2022

Në mbledhjen e sotme të Bordit të Entit Rregullator të Energjisë elektrike, ndër të tjera u shqyrtua kërkesa e shoqërisë FSHU sh.a lidhur me kostot që duhet të përfshihen në llogaritjen e çmimit me pakicë të energjisë për klientët familjarë me konsum mbi 800 kWh në muaj.

Pas shqyrtimit të kësaj kërkese, Bordi i ERE-s pranoi pjesërisht kërkesën e shoqërisë FSHU sh.a, duke vendosur të miratojë çmimin e shitjes së energjisë elektrike për konsumin mbi 800 kWh/muaj për klientët familjarë prej 42 lekë/kWh, nga ai i kërkuar prej 42.95 lekë/kWh nga shoqëria FSHU sh.a.

Ky çmim do të jetë i aplikueshëm për periudhën 1 Tetor – 31 Dhjetor 2022 dhe do të kete efekte vetëm për fashën e konsumit mbi 800 kWh/muaj. Për të gjithë klientët familjarë, sasia e energjise prej 800 kWh e konsumuar gjatë çdo muaji, do të mbetet e njejte pra 9,5 lekë/kWh.

Bordi i ERE-s gjithashtu kërkoi nga shoqërite OSSH sh.a. dhe FSHU sh.a. që periudha e leximit periodik të matësit të energjisë elektrike të klientëve familjare, duhet të kryhet duke respektuar në mënyrë rigoroze afatin prej 30 ditësh kalendarike, të përcaktuar në nenin 11 të “Kushteve të përgjithshme të kontrates së shërbimit universal të furnizimit me energji elektrike për klientët fundorë”, me qëllim mbrojtjen e të gjithë klientëve familjarë nga çdo abuzim i mundshëm i leximit dhe faturimit të konsumit të energjisë elektrike.

Kjo vendimmarrje e Bordit të ERE-s, ka ardhur duke marrë në konsideratë vetëm ndryshimin e çmimit të blerjes së energjisë elektrike për mbulimin e kërkesës së klientëve familjarë nga shoqëria

FSHU sh.a, energji e cila sigurohet nëpërmjet shoqërisë publike të prodhimit të energjisë elektrike KESH sh.a, në zbatim të VKM nr. 456, datë 29.6.2022 “Për miratimin e kushteve për vendosjen e detyrimit të shërbimit publik, që do të zbatohen ndaj të licencuarve në sektorin e energjisë elektrike, të cilët ushtrojnë aktivitetin e prodhimit, transmetimit, shpërndarjes dhe furnizimit me energji elektrike”. Asambleja e përgjithshme e aksionarit të KESH sh.a. me vendimin nr. 6645/1, datë 08.09.2022, ka miratuar:

– Çmimin e shitjes së energjisë elektrike ndaj shoqërisë FSHU sh.a për mbulimin e konsumit të klientëve familjarë, mbi 800 KWh/muaj, prej 34.3 lekë/kWh.

Çmimi i blerjes së energjisë elektrike nga shoqëria FSHU sh.a., për sasinë e konsumuar nga klientët familjarë mbi 800 kWh/muaj prej 34,3 lekë/kWh, do të rrisë kostot e blerjes së energjisë për periudhën 1 tetor – 31 dhjetor 2022 me rreth 1.8 miliard Lekë, e për rrjedhojë koston vjetore të blerjes së energjisë për vitin 2022 të shoqërisë FSHU sh.a..

Tarifat e përdorimit të rrjetit të transmetimit dhe shpërndarjes së energjisë elektrike, mbeten të pandryshuara, siç miratuar me vendimet e Bordit të ERE nr. 72/2022 dhe nr. 73/2022.

ERE në përputhje me kuadrin rregullator në fuqi dhe pas analizimit të kostove shtesë të blerjes së energjisë elektrike vlerësoi që çmimi i shitjes së energjisë elektrike për konsumin familjar mbi 800 kWh/muaj, të jetë ai prej 42 lekë/kWh. Ky çmim, mundëson rekuperimin e kostove të blerjes së energjisë elektrike për pjesën e mbetur të vitit 2022, duke siguruar likuiditetin e nevojshëm për shoqërinë FSHU sh.a., me qëllim garantimin e sigurisë së furnizimit të pandërprerë me energji elektrike, kërkesë kjo e ligjit nr. 43/2015 “Për Sektorin e Energjisë Elektrike”, i ndryshuar, duke mbajtur njëkohësisht të pandryshuar çmimin e energjisë elektrike prej 9,5 lekë/kWh për konsumin deri në 800 kWh/muaj të klientëve familjarë.

SHEMBULL I LLOGARITJES SË FATURËS SË ENERGJISË ELEKTRIKE

Një klient familjar gjatë muajit tetor 2022 ka konsumuar 850 kWh. Fatura e tij e energjisë

elektrike do të llogaritet si vijon:

800 kWh x 9.5 lekë/kWh = 7600 lekë

50 kWh x 42 lekë/kWh = 2100 lekë

T.V.SH (20%) = 1940 lekë

Taksa e televizorit = 100 lekë

TOTALI PËR TU PAGUAR = 11740 lekë

19 Shtator

OSSH, 8-mujori 2022: Humbjet zbresin në 21.38 %, rekord në gusht, u ulën me 16.81 %

Megjithëse sektori energjetik ndodhet në situatë të vështirë si pasojë e krizës energjetike, performanca e OSHEE Group sh.a, vijon të jetë e mirë, duke përmirësuar më tej treguesit e saj.

Sipas të dhënave të 8-mujorit 2022, FSHU arkëtoi 96 përqind ose 19 përqind më shumë në krahasim me vitin 2013, ku norma e arkëtimit ishte 75 përqind

Nga të dhënat e FSHU-së, (Furnizuesi i Shërbimit Universal), niveli i arkëtimit për 8-mujorin 2022 është përmirësuar ndjeshëm. Konkretisht, gjatë kësaj periudhe u arkëtuan 58 miliardë lek ose 17.43 lek më shumë, në krahasim me 49.37 mld lek në vitin 2021 dhe 45.20 mld lek që u arkëtuan në vitin 2020, dy vitet e vështira të pandemisë.

Edhe ankesat për cilësi faturimi, gjatë 8-mujorit të këtij viti, janë reduktuar me 20.685, nga 25.744 që ishin në vitin 2021.

Tregues i rritjes së performancës për 8-mujorin 2022, ka patur dhe kompania e Operatorit të Sistemit të Shpërndarjes së Energjisë, (OSSH), e cila ka reduktuar nivelin e humbjeve në 20.42 përqind, ku vetëm në muajin gusht u shënua shifra rekord prej 16.81 përqind, ndërkohë që niveli i humbjeve në vitin 2021 ishte 21.38 përqind dhe në vitin 2020 u mbyll me një bilanc prej 22 përqind.

Reduktimi i nivelit të humbjeve përbën sfidën kryesore të OSHEE Group, e cila përmes mekanizmeve të ndryshëm synon rritjen e standardeve të shërbimit ndaj abonentëve.

Në dy vitet e fundit, shoqëria ka operuar në terrene atipike, për shkak të pandemisë, shoqëruar me thatësirat në HEC-e dhe shtrëngim të investimeve.

Megjithatë, organizimi i strukturave me kontrolle të vazhdueshme dhe përmirësimin e proceseve të punës, bashkë me investimet për mirëmbajtjen e rrjetit, kanë dhënë rezultat në reduktimin e mëtejshëm të nivelit të humbjeve në total.

08 Shtator

Prezantohet paketa e rezistencës sociale, garantohet furnizim i pandërprerë dhe pa kosto për qytetarët

Kryeministri Edi Rama, së bashku me zv.kryeministren dhe ministren për Infrastrukturën dhe Energjinë, Belinda Balluku dhe ministren e Financave, Delina Ibrahimaj  prezantuan sot paketën e re të rezistencës sociale e cila i përgjigjet situatës së emergjencës me të cilën po përballet e gjithë bota. Padyshim që energjia elektrike mori vëmendjen kryesore.

 “Përmes një plani të qartë, jo vetëm do të garantojmë furnizim të pandërprerë, por mbi të gjitha pa kosto për qytetarët. Do të vijojmë të mbajmë të pandryshuar çmimin, duke mos rënduar buxhetet familjare, ndërsa nisim nga 1 tetori aplikimin e fashës prej 800 kilovatorësh”, u shpreh znj.Balluku.

Mbështetje për familjet për instalimin e paneleve diellor për ngrohjen e ujit, kursimi i energjisë në institucionet publike, si dhe sensibilizimi, duke nisur nga më të rinjtë, për kursimin e energjisë janë masat tona të para për ti bërë ballë kësaj situate që po vë në vështirësi të gjithë botën.

Për më shumë lexoni në vijim planin e detajuar të masave në sektorin e energjisë.

19 Qershor

OSSH, 5-mujori 2022: Humbjet zbresin në 21.88%, rekord në maj u ulën me 17.08%

Reduktimi i nivelit të humbjeve përbën sfidën kryesore të OSHEE Group, e cila përmes mekanizmeve të ndryshëm synon rritjen e standardeve të shërbimit ndaj abonentëve.
Në dy vitet e fundit, shoqëria ka operuar në terrene atipike, për shkak të pandemisë, shoqëruar me thatësirat në HEC-e dhe shtrëngim të investimeve.
 
Megjithatë, organizimi i strukturave me kontrolle të vazhdueshme dhe përmirësimin e proceseve të punës, bashkë me investimet për mirëmbajtjen e rrjetit, kanë dhënë rezultat në reduktimin e mëtejshëm të nivelit të humbjeve në total. Pesëmujori 2022 u mbyll me nivel humbjesh në rrjetin elektrik 21.88%, ose 1.04 pikë përqindje ulje më tepër se 2021, për të njëjtën periudhë.
 
Drejtori i Departamentit të Matjes, Bilancit dhe Suportit të Tregut, pranë OSSH-së, Ermal Murati tregon se, rezultati u arrit falë punës intensive, sidomos në muajt prill-maj, ku humbjet zbritën në 17.71%, nga 19.62% që ishin vitin e kaluar, ndërsa vetëm në muajin maj humbjet arritën në 17.08%.
 
“Përmirësimi i mëtejshëm i treguesve vjen si ndërveprim i ndërhyrjeve në rrjetin e amortizuar, mirëmbajtjes së aseteve të OSSH, instalimit të matësave smart, si dhe kontrolleve në zonat e identifikuara me humbjet më të larta, nga ku zbulohen raste të vedhjes së energjisë elektrike.
Shifrat janë pozitive, por ende larg asaj ku duam të arrijmë, ndaj kërkohet punë e vazhdueshme me strukturat në rajone, dhe bashkëpunim me organet e drejtësisë, jo vetëm për identifikimin e abuzuesve të energjisë elektrike, por edhe parandalimin e fenomemit”, deklaron Murati.
 
Kujtojmë se në vitin 2014, kur nisi reforma, OSHEE trashëgoi një sistem të degraduar, ku më shumë se 50% energjisë elektrike vidhej, kurse kompania shpenzonte 150 milionë euro në vit, për mbuliminn e humbjeve përmes importeve.