Dëmtimi i rrjetit elektrik, OSHEE 9 kallëzime ndaj firmave private
Tirana, mbi 40 defekte shkaktuar nga palë të treta

Operatori i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike (OSHEE) shpreh shqetësimin e ngritur disa herë mbi fenomenin alarmant të dëmtimit të rrjetit shpërndarës, shkaktuar nga palë të treta, duke sjellë jo vetëm kosto financiare për kompaninë, por edhe mungesë të energjisë elektrike ndaj abonentëve, kosto kjo akoma e më e madhe.
OSHEE i është drejtuar institucioneve përkatëse me denoncime në 9 raste vetëm gjatë kaq kohësh për kompani private, të cilët gjatë kryerjes së punimeve publike apo private kanë dëmtuar rrjetin elektrik duke sjellë për pasoje lënien pa energji me orë të gjata të abonentëve. Situata në fjalë shfaqet problematike kryesisht në Tiranë.

OSHEE shpreh keqardhje që pavarësisht denoncimeve të bëra dhe faktit evident me pasoja të shkaktuara me dëm financiar për kompaninë dhe me lënien pa energji të qytetareve nuk ka patur në shumicën e rasteve fillim hetimesh nga organi i akuzës.
Gjithsej janë mbi 40 raste të regjistruara këtë vit, vetëm për Tiranën, ku kompani të ndryshme, të kontraktuara nga institucione shtetërore, por edhe private, kanë dëmtuar rrjetin elektrik të OSHEE, ku në jo pak raste, defekti ka qenë i rëndë, me mungesë të tejzgjatur të dritave. Sakaq, Drejtoria Ligjore pranë OSHEE, është duke plotësuar dosjet me procesverbalet përkatëse, për t’i trajtuar më tej tek organet kompetente të hetimit.
Ngjarjet e mësipërme, janë të patolerueshme nga ana e OSHEE-së, e cila për raste të përsëritura do të marrë masa të forta, konform ligjit, kallëzim në prokurori, dhe deri në ndërprerje të punimeve të palëve të treta.
Në tre ditët e fundit, janë konstatuar dëmtime të rrjetit elektrik të OSHEE nga firma private, duke lënë prej 4 orësh pa drita banorët e zonave si Selitë, Rruga e Kavajës, apo Siri Kodra. Problem serioz shfaen me firmat private të kontraktuara nga ujësjellësi, ku në 10 raste, është regjistruar dëmtim rrjetit elektrik tensioni i mesëm.
Me këtë rast, OSHEE u bën thirrje të fortë të gjitha institucioneve shtetërore dhe kompanive private, që të respektojnë
• udhëzimet teknike dhe azhurnimet e rrjetit inxhinierik elektrik në terren, të përcaktuar nga kompania e Shpërndarjes dhe nën asistencën teknike të personelit teknik të OSHEE në rastet kritike
• Në të gjitha punimet të respektohen aktet normative të rrjeteve të ndryshme inxhinjerike që bashkëjetojnë në këtë infrastrukturë nëntokësore (ujësjellësi, telekomi, internetet, tubacionet e gazit etj)
Në përfundim, OSHEE u bën thirrje organeve ligjzbatuese që të trajtojnë me prioritet dhe seriozitet raste të tilla që nuk dëmtojnë thjesht imazhin publik të OSHEE, por lënë pa energji për ore të tejzgjatura qytetarët.



