Back

OSHEE: Vazhdon puna për zhvendosjen e nënstacionit në qendër të Tiranës

featured-qendra

Drejtori Teknik i Operatorit të Shpërndarjes z.Petraq Lika ndoqi sot nga afër punimet që po kryhen për zhvendosjen e nënstacionit në qendër të Tiranës, proces që mundëson më pas çlirimin e trafikut përmes hapjes së Unazës së Vogël.

Z. Lika sqaroi se prej disa ditësh, OSHEE në bashkëpunim dhe me bashkinë e Tiranës ka nisur punimet për zhvendosjen e nënstacionit 110/20 kV dhe punimet po ecin sipas parashikimeve.

Për shkak të zhvendosjes, ky nënstacion që mbulon me energji rreth 30 mijë abonentë është nxjerrë përkohësisht nga puna dhe flukset e ngarkesave janë shpërndarë në nënstacionet e tjera të qytetit. Kjo shpërndarje është bërë me synimin për të garantuar furnizimin e pandërprerë me energji të konsumatorëve edhe gjatë ditëve të zhvendosjes së nënstacionit të qendrës.

Për shkak të operimit të përkohshëm me një nënstacion mangët, niveli i sigurisë së furnizimit me energji ka pësuar një reduktim pasi në rastet e defekteve nga mbingarkesa apo në rastet e ndërhyrjeve të paautorizuara në rrjet nga subjektet e treta, koha e riparimit bëhet më e gjatë se zakonisht.

Duke ju referuar, situatës së një nate më parë, Lika nënvizoi se pavarësisht gadishmërisë dhe punës intensive të punonjësve të OSHEE, disa subjekte që kryejnë punime në infrastrukturën tokësore në disa akse të qytetit shkaktuan dëmtime që sollën ndërprerje të furnizimit më energji për disa zona të Tiranës.

Drejtori teknik në OSHEE, nënvizoi se se pavarësisht problematikës që u shfaq, brigadat e avarive e zgjidhën shpejt problemin dhe brenda 2 orësh u sistemuan me energji rreth 75 përqind e abonentëve gjatë mbrëmjes së të martës. Aktualisht, situata e furnizimit me energji elektrike në Tiranë është normalizuar, nuk ka asnjë zonë të kryeqytetit me defekt, pasi fiderat e dëmtuar mbrëmjen e së martës janë riparuar në masën 100 përqind.

Lika tha se gjatë periudhës 30 ditore, në të cilën do të kryhen punimet për nënstacionin e qendrës, nuk përjashtohen problemet me furnizimin në raste të defekteve apo ndërhyrjeve nga të tretët në rrjet.

“Qytetarët e Tiranës duhet të mirëkuptojnë këtë situatë pasi zhvendosja e nënstacionit të qendrës po bëhet për të mundësuar hapjen e Unazës së Vogël që sjell lehtësimin e fluksit të trafikut të automjeteve, një tjetër problem jo i vogël me të cilin hasen çdo ditë qytetarët. Me përfundimin e zhvendosjes së nënstacionit, që përkon me datën 22-23 Nëntor, gjithçka do të rikthehet në normalitet në kryeqytet dhe investimet e reja do mundësojnë përmirësimin e cilësisë së furnizimit”, u shpreh Lika.