Gjiknuri: “100 milion USD më shumë arkëtime, 7.2% më pak humbje”

gjiknuriFjala e Ministrit të Energjisë dhe Industrisë Z.Damian Gjiknuri në aktivitetin “Rimëkëmbja energjetike – Rezultatet e vitit 2014”

 

 

I nderuar z. Kryeministër,

Të nderuar pjesëmarrës,

Të nderuar kolegë,

Së pari ju falenderoj për fjalët inkurajuese që thatë këtu. Realisht, një vit më parë, kur morëm inventarin e sektorit energjetik, nuk dinim se si do të dilnim në fund të tij. Kur avulloi ai imazhi i superfuqisë energjetike, kur vetëm sektori i shpërndarjes kishte akumuluar mbi 1.2 miliard dollarë borxh, menduam se energjia vërtet do të ishte makthi i kësaj qeverie. Fatmirësisht, në një vit kemi krenarinë të themi se është bërë shumë, në një situatë jashtëzakonisht të vështirë. Unë e di, publiku ka pritshmëri të mëdha, energjia është pjesë e jetës sonë por shpesh kujtohemi për energjinë vetëm kur ajo mungon. Harrojmë se energjia është një zinxhir i tërë faktorësh që publiku duhet ti dijë dhe për të cilët duhet të jetë i shqetësuar.

Për shkak të asaj krize të trashëguar, të asaj gjendje gati në humnerë, situata në energjetikë mund të rrezikonte dhe stabilitetin e kësaj qeverisjeje. Por, jemi tashmë përpara një fakti ku rezultatet janë të dukshme dhe mjafton të ju them dy-tre të dhëna shumë të thjeshta. Janë 100 milion dollar më shumë arkëtime në një vit; janë 7.2% më pak humbje vjetore. Është ulja më e madhja historike e humbjeve, krahasuar me 10-12 vitet e fundit.

Nuk është gjithçka por është diçka shumë e rëndësishme sepse u ndalua spiralja e rrezikshme dhe ka filluar kthimi në rrugën e mbarë. Ky është vetëm fillimi, një fillim që do të kërkojë prapë sakrifica, do të kërkojë punë, do të kërkojë këmbëngulje dhe vullnet të palëkundur. Këto mund të vijnë vetëm nga një qeverisje që është e palëkundur në një objektiv të qartë. Nuk na vlen propaganda populiste, se duhet të jemi mirë e duhet të mbyllim sytë pasi pasojat e asaj propagande të gjithë i kanë parë.

Duhet ta kuptojnë të gjithë qytetarët, se pagesa e energjisë elektrike dhe ristrukturimi që u bëmë tarifave të energjisë është një kontribut për sigurinë energjetike të këtij vendi dhe për investimet në sistemin energjetik. Me ristrukturimin e tarifave, ne nuk rënduam barrën mbi qytetarin por i sollëm tarifat në parametra të ndershme. Nuk është tarifa e energjisë një politikë fiskale, është spekulimi më i madh politik që të bësh krahasim me taksën progresive kur flet për tarifat e energjisë. Tarifa e energjisë është tarifa e një malli por shteti ka për detyrë të mbrojë konsumatorin në nevojë dhe mbi të gjitha duhet të shikojë larg. Shteti duhet ti sigurojë këtij vendi burime të mjaftueshme energjie për të përballuar nevojat e rëndësishme të rritjes ekonomike, të shoqërisë që do të zhvillohet dhe të gjithë atyre investimeve potenciale që e presin këtë vend. Ndryshe gënjejmë veten. Për të krijuar një përgjumje të momentit, për tu zgjuar më vonë dhe për të parë që situata është shumë më rëndë se sa u propagandua nga ajo superfuqia e famshme energjetike.

Qeveria shqiptare e ka një program shumë të qartë për daljen nga kjo situatë. E thashë, spiralen e krizës e kemi kthyer, të dhënat e para janë të rëndësishme. Por çfarë bëmë?!

Së pari, hapëm rrugën e investimeve në sektor duke mbyllur plagën e trashëguar të konfliktit ligjor në arbitrazh. Pra, një situatë pasigurie totale e sektorit të shpërndarjes, të cilës të gjithë donin ti rrinin larg dhe asnjë investitor nuk kishte më besim tek sektori elektroenergjetik shqiptar.

Së dyti, duhet të vlerësojmë operacionin e ndërmarrë nga qeveria shqiptare për rivendosjen e ligjshmërisë. Një operacion i cili nuk është i përkohshëm por do të jetë një sjellje e vazhdueshme e shtetit shqiptar karshi të gjithë konsumatorëve të energjisë elektrike. Një operacion i cili synon të garantojë pagesën e faturës në mënyrë të rregullt, eliminimin e të gjitha fenomeneve ku përfitojnë pakica të papërgjegjshme e të zhurmshme mbi shumicën e ndershme dhe të qetë. Një angazhim që e sjell sistemin në parametra të qëndrueshëm financiar. Vetëm një mbështetje e tillë do të bëjë të mundur që sistemi të kthehet dhe të ecë me këmbët e veta.

Mbyllëm konfliktin me kompaninë ndërkombëtare CEZ, një konflikt i hapur, një litar i lënë jashtë nga ish qeverisja dhe hapëm programin e investimeve më të mëdha për sektorin elektroenergjetik. Rikthyem disiplinën e pagesës për ta bërë sektorin më likuid dhe për të filluar të shpëtojmë të gjithë zinxhirin e kompanive. Nuk ishte vetëm problemi i kompanisë së shpërndarjes por kishim problemin edhe të KESH-it pasi gjithë sistemi energjetik shqiptar po fundosej në një rrugë pa kthim. Kjo spirale është kthyer dhe qeveria shqiptare angazhohet që në 4 vitet e ardhshme të ketë programin më intensiv për investime në sektorin energjetik.

Do të thotë dikush, pse investime? Sepse investimet janë të nevojshme për të pasur qëndrueshmëri energjetike në këtë vend dhe për të mbështetur zhvillimin ekonomik. Gjithësesi, ky nuk do të jetë çelësi i suksesit, nëse nuk do të shoqërohet vërtet me një disiplinë financiare, sidomos në sektorin e shpërndarjes. Drejtori i shpërndarjes e tha këtu, ministria dhe qeveria është mbështetëse e këtij programi. Ka nevojë për një performancë më të mirë të sektorit të shpërndarjes. Pse?! Pikërisht kemi nevojë për ato performanca individuale, deri në nivelin më të thjeshtë, deri në qelizën e kompanisë, në mënyrë që vjedhja pak nga pak të zhduket nga fjalori i sektorit energjetik shqiptar dhe sektori energjetik shqiptar të gjenerojë para të mjaftueshme për të investuar dhe për të ecur përpara.

Këto janë politikat e vetme që e nxjerrin një vend nga një krizë, këto janë politikat e vetme që e kthejnë sektorin energjetik në një shtysë dhe ndihmesë të ekonomisë shqiptare. Që këto të realizohen, patjetër ka nevojë edhe për një model të ri tregu të energjisë elektrike. Me ligjin e sektorit të energjisë elektrike, të cilin sapo e kaluam në qeveri dhe shumë shpejt në Kuvend do të fillojmë liberalizmin e tregut të energjisë dhe shpresojmë se deri në vitin 2018, rreth 40% e tregut të jetë e liberalizuar dhe konsumatorët industrialë ta sigurojnë vet energjinë.

Kjo gjë që do të thotë më shumë likuiditet në këtë treg, më shumë garanci për para dhe për investimet private, siç janë edhe hidrocentralet apo burimet e reja të energjisë. Mbi të gjitha edhe mundësi për diverfsifikimin e energjisë dhe qeveria edhe në këtë drejtim po bën një punë të mirë duke siguruar mbështetje për të diversifikuar me gaz nevojat e konsumit të energjisë në Shqipëri. Gjithashtu, kemi një bashkëpunim më të mirë me Kosovën për të krijuar një treg më të fuqishëm sepse vetëm një treg më i madh krijon mundësi më të mëdha edhe për potencialet tona ujore.

Gjërat janë të lidhura, investimet gjithmonë kanë një kosto prapa. Konsumatori shqiptar, ka ardhur momenti që ta kuptojë se një pjesë e kësaj pagese shkon për investime për sigurinë energjetike të së ardhmes. Duhet dialoguar dhe garantuar transparencë. Qeveria e mëparshme luajti kukafshehti, nuk dinte ku e faturonte këtë kosto, por fatkeqësisht ja faturoi të gjithë koston KESH-t dhe kaskadës pasi mendonte se gjithçka do ta përballonte një liqen. Ja ku jemi në realitetin ku edhe kompania e shpërndarjes edhe KESH-i shkuan drejt falimentimit pikërisht nga politika që mendonin se çdo gjë është në rregull, kosto nuk duket kërkund. Vetëm kur vjen qeverisja tjetër shikon që faturat e panumërta dhe borxhet e akumuluara vënë në rrezik çdo të ardhme financiare të këtij vendi.

Edhe me HEC-et private filluam një politikë sistematike duke shlyer pjesën më të madhe të faturave. Një premtim i mbajtur i kësaj qeverie, për një angazhim që e kishin marrë të tjerë dhe ndërkohë jua kishin fshehur siç thotë populli të zotëve të punës. Megjithatë, ne jemi të vendosur për të vazhduar me këto politika, që do të thotë mbështetje financiare për sektorin, politika rigoroze ligjore, por mbi të gjitha një plan i qartë dhe një vullnet për të shkuar drejt atyre objektivave.

Unë e them dhe dua ta them dhe këtu, objektiva mund të kesh shumë dhe mund ti vendosësh ato, janë premisa e mirë që nisesh për të ndërtuar diçka, por vetëm një disiplina e vërtetë drejt atyre objektivave, me një vullnet të qartë politik e bën këtë të mundur.

Jo për kompliment por unë e them se jemi me fat që kemi një Kryeministër jashtëzakonisht të vendosur për ta nxjerrë këtë sektor nga letargjia dhe për ta kthyer këtë sektor në një motor të zhvillimit ekonomik. Vullneti i tij dhe vullneti i qeverisë shqiptare bëri të mundur që ajo që për 20 vjet quhej e pabesueshme, filloi të marrë jetë, që të gjithë të fillojnë të paguajnë energjinë elektrike dhe energjia të mos jetë më një mall që tregtohet politikisht, por një kontribut i nevojshëm për zhvillimin ekonomik të këtij vendi.

Ju faleminderit!