Gjiknuri-Çela inaugurojnë përfundimin e rrjetit 20 kV në zonën e ish-NSHRK

cela

Ministri i Energjisë dhe Industrisë z.Damian Gjiknuri shoqëruar nga administratori i OSHEE-së z.Adrian Çela inauguruan përfundimin e investimit 600 mijë euro për ndërtimin e rrjetit të ri 20 kV në zonën e ish-nisherakut në Tiranë. Investimi përmirëson cilësinë e furnizimit për 15 mijë abonentë ndërsa prek një zonë të rëndësishme që shtrihet nga Selita, një pjesë e Komunës së Parisit, zona rreth Vasil Shantos, Bulevardi “Gjergj Fishta” dhe zona e ish-nisherakut.

 

Ministri Gjiknuri deklaroi se disiplina financiare dhe pagesat e abonentëve sjellin investimet dhe përmirësimin e rrjetit elektroenergjitik. Në këtë linjë, z.Gjiknuri deklaroi se nga verifikimet e fundit të OSHEE, rezulton se janë 690 biznese që kanë thyer aktmarrëveshjet e nënshkruara me kompaninë për pagesën me këste të borxheve të prapambetura.

 

Sipas tij, këto biznese e kanë shkëputur në mënyrë të njëanshme këtë marrëdhënie dhe ndaj tyre do të fillohet me procedurat ku nuk përfshihet vetëm ndërprerja e energjisë elektrike por deri tek vendosja e barrës hipotekore e cila ndalon transferimin e pronësisë pa likujduar detyrimet ndaj Operatorit të Shpërndarjes.

 

“Do të fillojë të vihet në zbatim legjislacioni i ri i energjisë elektrike që ka të bëjë me vendosjen e barrës hipotekore për të gjithë ato biznese që kanë një vlerë detyrimi të prapambetur mbi 1.5 milion lekë të reja. Do të fillojnë njëkohësisht të gjitha procedurat përmbarimore për të vjelur këto detyrime ndaj të gjitha bizneseve që kanë thyer aktmarrëveshjet. Përfitoj nga rasti tu bëj thirrje bizneseve pasi kanë njoftim, kanë afat 5 ditë kohë nga njoftimi për të rilidhur kontratën dhe të vazhdojnë me këstet e lehtësirat që janë krijuar nga aktmarrëveshja. Përndryshe do të penalizohen në mënyrë të menjëhershme pasi nuk është normale që qytetarët të tregohen të rregullt ndërsa bizneset të devijojnë nga lehtësirat që u ka krijuar shteti”, nënvizoi z.Gjiknuri.

 

Duke u ndalur tek investimi i inauguruar, administratori i OSHEE-së Adrian Çela deklaroi se është bërë kalimi i të gjithë rrjetit nga 10 kV në atë 20 kV; janë ndërtuar 17 kabina të reja e rikonstruktuar 14 të tjera; janë zhdukur 15 shtylla që ishin në mes të rrugës.

 

“Me këtë investim ne parashikojmë që humbjet teknike nga niveli 14% të zbresin në nivelin 7%. Është një nga investimet e shumta që kemi bërë në Tiranë gjatë vitit 2015 dhe gjatë kësaj pjesë të vitit 2016. Janë investuar rreth 20 milion USD vetëm në qytetin e Tiranës. Kanë filluar dhe së shpejti nisin investimet e tjera siç është fuqizimi i nënstacionit të Selitës. Në bashkëpunim me Bankën Botërore do të bëjmë nisjen e nënstacionit të ri në zonën e Kombinatit. Brenda fillim vitit 2017 i gjithë qyteti i Tiranës dhe zonat përreth do të kenë linjën e re 20 kV çka përmirëson dukshëm cilësinë e furnizimit”, u shpreh Çela.