Ligji Nr.124/2015 “Për Efiçencën e Energjisë”
LIGJ
Nr. 124/2015
PËR EFIÇENCËN E ENERGJISË
Në mbështetje të neneve 78 dhe 83, pika 1, të Kushtetutës, me propozimin e Këshillit të Ministrave,
KUVENDI
I REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË
VENDOSI:
KREU I
DISPOZITA TË PËRGJITHSHME
Neni 1
Qëllimi
Qëllimi i këtij ligji është:
a) hartimi i rregullave dhe politikave kombëtare për nxitjen, promovimin e përmirësimin e përdorimit efiçent të energjisë, me synim kursimin e energjisë dhe rritjen e sigurisë së furnizimit, si dhe heqjen e pengesave në tregun e energjisë;
b) vendosja e objektivave kombëtarë të efiçencës së energjisë;
c) rritja e konkurrueshmërisë së operatorëve.