VKM Nr. 171, Per miratimin e Planit te Rimekembjes Financiare te Sektorit te Energjise Elektrike
VENDIM
Nr. 171, datë 25.2.2015
PËR MIRATIMIN E PLANIT TË RIMËKËMBJES FINANCIARE TË SEKTORIT TË ENERGJISË ELEKTRIKE
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të shkronjës “E”, të Seksionit IV, dhe pikës 22, të shtojcës, që i bashkëlidhen marrëveshjes së huas, ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Bankës Ndërkombëtare për Rindërtim dhe Zhvillim, për financimin e projektit për rimëkëmbjen e sektorit të energjisë elektrike, të ratifikuar me ligjin nr. 170/2014, me propozimin e ministrit të Energjisë dhe Industrisë, Këshilli i Ministrave
VENDOSI:
Miratimin e planit të rimëkëmbjes financiare të sektorit të energjisë elektrike, sipas tekstit që i bashkëlidhet këtij vendimi. Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në Fletoren Zyrtare.
KRYEMINISTRI
Edi Rama
PLANI I RIMËKËMBJES FINANCIARE TË SEKTORIT TË ENERGJISË
I. PËRMBLEDHJE
Qëllimi i këtij Plani të Rimëkëmbjes së Sektorit të Energjisë është i dyanshëm: i) të ofrojë një pamje të plotë dhe të detajuar të situatës financiare të sektorit të energjisë elektrike, shkaqet kryesore dhe mësimet e nxjerra deri tani; dhe ii) të propozojë një plan të rimëkëmbjes financiare shoqëruar me një plan veprimi për 5 vitet e ardhshme.
