Ministri Gjiknuri dhe Administratori i OSHEE-së inspektim në Vlorë

cela gjiknuriMinistri i Energjisë dhe Industrisë Z.Damian Gjiknuri i shoqëruar nga Administratori i Përgjithshëm i Operatorit të Shpërndarjes së Energjisë Elektrike (OSHEE), Z.Adrian Çela kryen sot një inspektim në qytetin e Vlorës.

Ata u ndalën fillimisht në ambientet e nënstacionit elektrike Vlora 1 ku ndoqën nga afër punën që po bëhet për riparimin e një defekti që la pa energji rreth 3 mijë abonentë, të qytetit dhe rrethinave.

Ministri Gjiknuri konstatoi se stina e ftohtë nxjerr në pah problematikën e trashëguar të mungesës së investimeve në sistem. Sipas tij, vetëm përmes disiplinës së pagesave, përmirësimit të performancës së kompanisë, rritjes së arkëtimeve dhe uljes së humbjeve do të mund të kryhen investimet e nevojshme që garantojnë sigurinë dhe qëndrueshmërinë energjitike.

Ishte pikërisht rrjeti i amortizuar dhe mospërballimi i ngarkesës së lartë që shkaktuan përhapjen e flakëve të zjarrit dhe më pas djegien e një transformatori në këtë nënstacion. Administratori Çela deklaroi se transformatori i ri do të montohet dhe brenda mbrëmjes së të shtunës do të rikthehet energjia për këta konsumatorë. Çela garantoi angazhimin maksimal të OSHEE-së për të siguruar një shërbim sa më cilësor për konsumatorët.

Pas nënstacionit, Ministri Gjiknuri dhe Administratori Çela kryen një vizitë edhe në Zyrën Qendrore të OSHEE-së në qytetin e Vlorës ku bashkëbiseduan me disa prej qytetarëve që prisnin në rradhë për të paguar faturat e energjisë dhe firmosur aktmarrëveshjet për shlyerjen me këste të debive.

Ministri Gjiknuri tha se kompania në këto javë ka hapur shumë sportele të reja në disa rrethe, me synim shmangien e rradhëve të gjata. Sipas tij, në ato zona ku vazhdon të ketë problem me rradhë në zyrat e Kujdesit ndaj Klientit do të merren masat për të hapur të tjera sportele shtesë.

Prononcimi i Ministrit të Energjisë dhe Industrisë Z.Damian Gjiknuri:

Është e kuptueshme që një stinë e ftohtë të nxjerrë në pah edhe problematikën e trashëguar të sistemit. Prej vitesh, sistemi ka mungesë investimesh dhe mjafton të ju jap një shembull; transformatori që u dogj në këtë nënstacion është i viteve 70’ dhe paisjet që e lidhnin atë janë të viteve 60’. Kjo do të thotë se pjesa më e madhe e rrjetit energjitik shqiptar, fatkeqësisht ka këtë vjetërsi. Ka nevojë për investime intensive dhe ne këtë e kemi bërë të qartë. Qeveria e ka deklaruar se disiplina financiare, rritja e të ardhurave të arkëtuara dhe ulja e humbjeve do të bëjnë të mundur rritjen e investimeve në rrjetin energjitik. Shqipëria gjithmonë do të ketë probleme me energjinë nëse nuk do të investohet në kohën e duhur, nëse nuk do të ketë disiplinë financiare. Koorporata po e bën realisht maksimumin, dhe ju e shikoni se sa pak mundësi ka patur ajo të ndërhyjë. Gjithësesi, rritja e arkëtimeve, përmirësimi i performancës ekonomike, do të garantojë një siguri afatgjatë energjitike. Programi i Bankës Botërore por edhe investime të tjera që ne do të bëjmë në rrjetin energjitik shqiptar synojnë që në krye të disa viteve, të kemi një rrjet në standardet e pranuara të vendeve perëndimore. Vetëm përmes investimeve, do mund të shmangim problemin e ndërprerjeve në stinët e ftohta, kur ndodhin probleme të karakterit teknik. Unë përgëzoj kompaninë për punën që po bën deri më tani. Publiku nuk ka nevojë të dëgjojë spekulime politike, pasi nuk ka patur asnjë racionim të energjisë, por çdo ndërprerje ka ardhur për shkak të defekteve, në kushte shumë të vështira dhe në një mot gati të acartë. Gjithçka tjetër do ti kthehet normalitetit, por me më shumë rëndësi është që performanca ekonomike të mbetet e njëjtë. Sa më shumë arkëtime të ketë, aq më shumë do të investohet dhe ky është një përfitim i drejtpërdrejtë i konsumatorëve që do të kenë një furnizim më të qëndrueshëm me energji elektrike.

Prononcimi i Administratorit të OSHEE-së Z.Adrian Çela:

Jemi këtu në nënstacionin elektrik Vlora 1, pas rënies së zjarrit dhe evidentimit të defektit, vëmë re se gadishmëria nga ana e personelit të OSHEE-së është maksimale. Sot po ndërrohet transformatori pasi rënia e zjarrit dhe djegia e tij ka lënë pa energji rreth 3 mijë abonentë, prej të cilëve një pjesë i përket qytetit dhe pjesa tjetër rrethinave. I garantojmë këta qytetarë se brenda orës 20:00-21:00 të ditës së sotme do të rimarrin normalisht energjinë. Po bëhet maksimumi i mundshëm për të ndërruar transformatorin dhe për të garantuar energjinë për abonentët dhe hidrovorin që është i lidhur me të. Edhe njëherë garantoj të gjithë qytetarët se defekteve të tilla që ndodhin në rrjet do ti përgjigjemi me gatishmërinë e punonjësve të OSHEE-së për një shërbim sa më cilësor.